E Shtunë, 31 Tetor 2026

Presidenti Topi uron të gjithë arsimtarët shqiptarë kudo ndodhen për Festën e 7 Marsit.

6 mars 2009

Presidenti i Republikës, Prof. Dr. Bamir Topi, priti sot në një ceremoni të veçantë në Pallatin e Brigadave, një grup arsimtarësh me përvojë të gjatë pedagogjike, nga shkolla të ndryshme të vendit, me rastin e Festës së 7 marsit.

Pasi i takoi dhe u përshëndet përzemërsisht me ta, Kryetari i Shtetit iu drejtua arsimtarëve të pranishëm më një fjalë në të cilën u shpreh:

“Të nderuar mësues,

Natyrisht që kam një emocion të veçantë sot , ndonëse në këtë sallë janë zhvilluar shumë evenimente. Njeriu ambjentohet me pozicionin, ambjentohet me auditorin, ambjentohet me ligjëratat, por sot është një emocion i veçantë, është një emocion, sepse ndodhem para një përfaqësie shumë të nderuar të mësuesve. Emocionet janë gjithashtu dhe shumë personale, sepse sot takohem me mësuesit e mi, një prej së cilëve është ai që nuk harrohet asnjëherë, është ai i klasës së parë. Por edhe me mësues të tjerë që na kanë shoqëruar në vitet më të bukura që kalon njeriu, pikërisht në vitet e shkollës.

Jeta i sjell të gjitha, pavarësisht nga karriera, njeriu asnjëherë nuk duhet të harrojë vitet e shkollës, madje sa më lart të shkojë në karrierë, aq më shumë ai duhet t’i jetë mirënjohës dhe vlerësues për ata mësues, që kanë kontribuar ndjeshëm për formimin e tij. Pra, sa e rëndësishme është familja, edukimi që merr në familje, aq i rëndësishëm është edukimi që njeriu merr në shkollë. Në të tërë jetën time, në të tërë karrierën time, dhe pavarësisht se unë në këtë moment po i referohem vetes, besoj se kjo vlen për të gjithë, eksperienca e viteve të shkollës është një eksperiencë e pangatarrueshme me asnjë referencë tjetër. Kështu që unë ndjehem i emocionuar, sikurse thashë, por edhe mjaft i gëzuar që jemi së bashku në vigjilje të 7 Marsit, të festës së mësuesit, që padyshim është një festë kombëtare, që niset nga një eveniment historic, nga themelimi i shkollës së parë shqipe. Kështu që në prag të kësaj feste, do të thoja mjaft sifinjikative, unë do të doja t’ju uroja të gjithëve, dhe meqenë se të pranishëm si gjithmonë janë edhe mediat, si transmetues i mrekullueshëm, një mundësi komunikimi midis institucioneve dhe publikut, dëshiroj që edhe nëpërmjet mediave, t’ju transmetoj urimet më të mira ju dhe të gjithë mësuesve kudo që ata jetojnë dhe punojnë, dhe meqenëse është një festë kombëtare, jo vetëm në Shqipëri, por aty ku flitet dhe mësohet shqip, në Kosovë, në Maqedoni, në Mal të Zi, në diasporë, sepse çdo ditë ndjehet nevoja për të mësuar abetaren. Këtë e kemi parë aty ku është emigracioni i vjetër, këtë e kanë parë aty ku është edhe emigracioni i ri. Gëzuar festën e 7 Marsit!

Padyshim kjo festë mbush me gëzim jo vetëm mësuesit, mbush me gëzim edhe nxënësit dhe kuptohet se sa më i vogël të jetë nxënësi, aq më shumë e ndjen këtë festë, për nxënësit e klasës së parë, për nxënësit e fillores e kështu me radhë. Por gjithmonë kjo festë vlerësohet në komunitetin e nxënësve, në komunitetin e mësuesve, por edhe nga mbarë shoqëria, sepse duke patur një referencë specifike për këtë festë, po t’i referohemi rilindasit tonë kombëtar, Sami Frashëri “arsimi është mendja e kombit, zemra e tij është morali i përgjithshëm”. Kush më shumë se sa mësuesit nuk e përsosin këtë, sidomos në këto momente kur shoqëria shqiptare shkon me një aspiratë të fuqishme, të thellë drejt integrimit në familjen evropiane. Kjo nuk duhet kurrësesi të ndahet nga edukimi i nxënësve, sepse të jesh në Evropë duhet të jesh patjetër një qytetar i vlerave evropiane, që padyshim fillon me edukimin që nga banka e parë e shkollës dhe vazhdon me programin, me financimin e aktivitetit mësimor, me komoditetin nëpër shkolla, me kujdesin padyshim për të gjithë nxënësit kudo ata jetojnë dhe mësojnë.

Dhe në këtë ditë të veçantë do të doja të prekja një moment, që është i trishtueshëm. Bëhet fjalë për ata nxënës, të cilët nuk i janë bashkuar edukimit nëpër shkolla, qoftë kjo për arsye ekonomike, qoftë kjo për arsye shumë specifike, që lidhen me familjet e tyre, me origjinën e familjeve të tyre, por edhe ata që kanë probleme të thella sociale. E kam fjalën këtu edhe për nxënësit e ngujuar për shkak të një plage të thellë të shoqërisë që ka të bëjë me gjakmarrjen. Askush, aq më shumë nxënësit, aq më shumë ata që nuk e kanë formimin për të kuptuar se si qëndrojnë gjërat, nuk duhet të penalizohen për shkak të kësaj plage. Kështu që është detyrë në radhë të parë e të gjithë institucioneve që të bëjnë të mundur jo vetëm shërimin ligjor të kësaj plage, por patjetër dhe kurimin shoqëror të kësaj plage. Dhe për të dalë nga kjo plagë, për t’iu larguar kësaj tradite që ka të bëjë me një histori të trishtuar të shoqërisë shqiptare, do të thoja që të bëjmë punë që edukimi i këtyre nxënësve të bëhet nëpërmjet shkollës, që t’i largohen pikërisht kësaj plage të vjetër, për ta rikuperuar dhe rigjeneruar këtë situatë dhe për t’u bërë realisht qytetarë të Evropës me ligjet e saj ku nuk njihet gjakmarrja, por njihet vetëm dëshira për progress.

Unë do të doja që në këtë ditë të stimuloja sadopak të gjithë vëmendjen e institucioneve, sepse kudo investohet për arsimin, investohet edhe në Shqipëri. Më shumë dëshirojmë që të bëhet kudo, në të gjithë territorin shqiptar, sepse zhvillimi i arsimit duhet të jetë harmonic, homogjen në të gjithë territorin, sepse arsimi nuk mund të jetë pronë e asnjë individi, e asnjë qeverie, cilado qoftë ajo. Arsimi është pronë e kombit, është pronë e cila do të bëjë të mundur që ky komb dhe kjo shoqëri të rriten intelektualisht dhe patjetër të fitojë në të gjithë parametrat e veta dinjitetin që i takon si një vend dhe një shoqëri që gjithmonë dhe historikisht ka qenë në zemër të Evropës dhe e tillë duhet të jetë në të gjitha standardet që kërkohen nga familja e vjetër dhe e re evropiane.

Dhe një herë të nderuar mësues, dëshiroj t’ju falenderoj që keni ardhur këtu sot, ju uroj festën dhe jemi mësuar që 7 dhe 8 Marsin t’i festojmë bashkë, dhe meqenëse në dominancë janë zonjat, ju uroj dhe festën e 8 Marsit! Urimet më të mira!

Në emër të mësueseve dhe mësuesve përshëndeti z. Mynir Sina. “Më lejoni zoti President që në emër të mësuesve të kombit t’ju sjell falenderimet tona më të sinqerta për ju dhe institucionin tuaj. Në qeverisjen demokratike përkujdesja ndaj mësuesit dhe vëmendja ndaj arsimit ka qenë prioritet që njihet kudo dhe ne premtojmë që këto detyra, misionin tonë mjaft fisnik ta çojmë më tej. Të qenurit mësues është privilegj, por ndërkohë dhe një detyrë mjaft fisnike që ndoshta të privon nga shumë gjëra të tjera, por në moralin tonë mendojmë që çështja kombëtare është mbi të gjitha. Unë përfitoj nga rasti t’u uroj “Gëzuar Festën!” mësuesve të mbarë kombit shqiptar. Një urim i veçantë shkon për mësuesit pensionistë dhe për mësuesit, që japin mësim në klasat më të ulta, ku dhe vështirësia është më e madhe. Unë ju fjalenderoj dhe Ju për vëmendjen tuaj dhe kujdesin ndaj mësuesve!”, - u shpreh z. Sina në fjalën e tij.

Në shenjë vlerësimi dhe respekti, në emër të Kryetarit të Shtetit, arsimtarëve iu dhuruan lule dhe stema e Presidentit të Republikës.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›