E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kryeministri Berisha bashkëbisedon me fermerë nga Saranda e Delvina

Kryeministri Berisha, në vijim të vizitës së tij në jug të vendit, zhvilloi sot në mesditë në fshatin Karahaxh një bashkëbisedim me fermerë nga Saranda e Delvina. Ata shprehën mirënjohjen e tyre për mbështetjen që qeveria u ka dhënë nëpërmjet subvencioneve për të zhvilluar bizneset, si dhe diskutuan mbi problematika të ndryshme, të dobishme për të ecur në rrugën drejt mirëqenies së tyre dhe mbarë fermerëve shqiptarë.

Në fjalën e tij, në fillim të këtij bashkëbisedimi, Kryeministri Berisha u shpreh:

“Dua t’ju falenderoj shumë përzemërsisht të gjithë ju të nderuar fermerë, biznesmenë, të kësaj zone , të përshëndes të gjithë banorët e Metoqit, Delvinës dhe Sarandës  dhe shpreh kënaqësinë time që zhvilloj me juve një bisedë shumë të hapur, ju ftoj të shprehni mendimet tuaja, të cilat janë absolutisht të dobishme për përpjekjen tone, që ju të ecni në rrugën e mirëqenies suaj. E tërë kjo përpjekje bëhet që ne të bëhemi më të mëkëmbur, të kapim zhvillimet, të ndahemi nga një e shkuar e vështirë që kishim dhe kjo është një rrugë me shpresë, është me shpresë, sepse këto vite në mbarë vendin ka lëshuar shtat një infrastrukturë, që pak vite më parë nuk mund të imagjinohej. Janë ndërtuar mbi 10 mijë kilometra rrugë, janë ndërtuar në Sarandë rrugë nga të katër anët   e rrethit të Sarandës. Shqipëria është bërë tani një nga vendet e lakmuara turistike, Saranda më shumë. Sipas Bankës Botërore ne renditemi në 10 vendet me rritjen më të shpejtë të turizmit në botë, këto vite. Këto vite, u anëtarësuam në NATO dhe kjo është një pasaportë sigurie për të gjithë ata që duan të investojnë në  Sarandë dhe në Shqipëri. Lëvizim të lirë në Europë, kemi investuar shumë në shkolla, kemi ndërtuar dhe rindërtuar mbi 1300 shkolla, kemi investuar shumë në ujësjellësa, por shumë kemi për të bërë. Po vij nga Livini, komuna Mesopotam, inauguruam rrugën e fshatit, gjëja më normale. Fshatarët thanë se duam ujë, duhet ndërtuar ujësjellësi dhe absolutisht që duhet ndërtuar.  Livini në një shpat mali me një pamje fantastike, por Livini do ujë dhe rrugën që e ndërtuam, do kanalizime njëlloj si lagjet e qytetit, do vaditjen për tokat, sepse jeton me tokën. Ne këtu e bazojmë të gjithë përpjekjen tonë. Ne bëjmë gjithçka që ju me djersën tuaj, në fermë në biznes kudo që jeni të fitoni më shumë, por ne bëjmë vërtet këtë, sepse ne mbajmë taksa të ulta. Ne jemi forcë politike e taksave të ulta. Cilido prej jush që ka në memorie vitin ‘92-‘96 ne ishim vendi me taksat më të ulta. Ne u kthyem prapë në pushtet dhe u kthyem prapë tek taksa e të dhjetave dhe taksa e të dhjetave është taksa më e ndershme e kësaj toke, ka ekzistuar në të gjitha kohërat. Njeriu paguan 1/10 e asaj që fiton dhe kaq. Përpjekja për ta paraqitur këtë si taksë të barabartë është primitive, është qesharake. Sipas kësaj takse ai që merr dhjetë paguan një, ai që merr njëmijë paguan njëqind, ndaj dhe është taksa më e drejtë është taksa e librave të shenjtë. Ndaj dhe ne vendosëm këtë taksë dhe u bëmë tërheqës për investitorët e huaj. Anëtarësimi në NATO dhe kjo taksë bëri që të marrim katër vitet e fundit çdo vit 1 miliard dollarë. Në një kohë kur tetë vite para nesh mesatarja e investimeve ka qenë 38 milion dollarë në vit, as një qindarkë më shumë. Maqedonia merrte 72 megjithëse kaloi një situatë të vështirë, Shqipëria merrte 38 milion, tani arritëm tek 1 miliard, por do të marrim edhe më shumë, duhet të arrijmë dy miliard në vit, sepse i kemi të gjitha potencialet. Potenciali turistik i Sarandës është i  jashtëzakonshëm, por i tillë është potenciali i saj prodhues. Është me mundësi shumë të mëdha. Filozofia jonë është e thjeshtë. Kemi pasur grante dhe kemi financuar 57 mijë dollarë 45 mijë fermerë , do ti bëjmë 165 milionë, pse i bëjmë? Patëm sukses. Në fillim jemi ndrojtur dhe unë i pari jam ndrojtur se të falësh para taksapaguesve nuk është gjë e thjeshtë, por e vërteta është se kudo që u dhanë tek ullishtet, vreshtar, agrumet, serat, blegtori  dhanë efekt dhe patën sukses, do ta trefishojmë dhe këtë e bëjmë për fermerët. Do të paguajmë me para në dorë akcizën, do të paguajmë të gjitha inputet makineritë që përdoren për prodhim në  bujqësinë. Çfarë bëmë ne për bizneset që shoku i autobuzit thotë se na e kopjuat. Ne ’95 ne patëm hequr taksën e makinerive për bizneset tani  e hoqëm edhe më gjërë. Kjo është e gjitha. Nuk duhet taksuar kapitali. Të marrësh një vendim të tillë është e vështirë, sepse e vërteta është se e taksojnë të gjitha qeveritë. Ne bëmë këtë, sepse kemi nevojë për punësim dhe kemi mundësi të mëdha. Kryetari i komunës së Mesopotamit  tha se; jam i gatshëm të vë në dispozicion të emigrantëve 1 mijë hektarë, po të duan të vijnë dhe të ndërtojnë këtu. Dhe unë i thash se jam i gatshëm për ato 1 mijë hektarë tu japim grante dhe të ndërtojmë fermën.

Unë kam ardhur t’ju dëgjoj më shumë kënaqësi;

-Zoti Kryeministër ju uroj mirëseardhjen. Ne kemi një problem në fshatin Vanë. Kemi një problem me mbivendosje për pronën dhe nuk kemi mundësi të marrim asnjë lloj dokumenti pronësie. Të falënderojmë për rrugën e  Vanës që po na e bën dhe të falenderoj edhe për urën që na rregullove. Ta ngritëm shqetësimin me sms dhe na ktheve përgjigje  për 17 minuta dhe urën që na u rregullua për 24 orë?

Kryeministri Berisha: Unë të falenderoj për çështjet që ngrite. Ju garantoj se do të krijoj një  komision të posaçëm dhe bashkë me autoritet vendore të zgjidhim problemin e tokës. Toka do të merret dhe nuk ka asnjë mëdyshje. Për mbivendosjet do ta shoh ku qëndron problemi. Shteti në vitin 1995 me një dekret jua dha tokën e fermave bujqësore fermerëve, më vonë ajo u kthye në pronësi. Çështja e mbivendosjet do të zgjidhet bashkë me autoritetet vendore. Ne kemi bërë disa vendime këto muajt e fundit, të cilat i japim kompetenca të plotë qeveris vendore dhe fill pas zgjedhjeve do të çojmë zyrën e hipotekës. Ne ju garantojmë se do të finalizohen brenda këtij viti në mënyrë absolute dhe do ta bëjmë pa tjetër këtë. Kemi marrë të gjitha masat ka filluar procesi. Kryetarët e komunave kanë marrë vetëdije për këto akte dhe i kanë vlerësuar. Një kryetar komune më tha se këto vendime kanë të nevojshme të përpunohen edhe njëherë në lidhje me raportet kryetar komune, prefekt apo kryetar qarku, do ti rishikojmë, që të japim tapitë pasi po përfundojmë regjistrin dixhitale të tokës dhe  regjistri dixhital  i tokës, është regjistri milimetrik i tokës dhe e përfundojmë brenda këtij viti edhe atë.

-Mirëserdhe në këtë vend të bekuar. Nuk kam fjalë të tepërta se ato që thua ti bëhen dhe janë realitet. Kam shqetësim për mjetet bujqësore, si  zetorët  dhe mjetet te tjera i marr nga jashtë si e zgjidh problemin, çfarë paguaj?

Kryeministri Berisha: Nëse mjetet i merr për fermën tënde, ne do të të japim TVSH ty në dorë. Nëse mjetet i merr për tregti, TVSH ia japim atij që blen mjetin.

-Përshëndetje. Kam një biznes për prodhimin dhe tregtimin e fidanëve kryesisht fidan ulliri. Kam gjendje për të tregtuar mbi 80 mijë fidan ulliri. Ju vlerësoj që keni ardhur dhe  dëgjoni problemet tona dhe mbi to hartoni punën për të ardhmen. Këtu ka lab, ka çamër, ka vlle, ma minoritar grek nga të tëra. Ne kemi nderin të bashkëjetojmë miqësisht dhe jemi larg qarqeve nacionaliste dhe ne ju vlerësojmë për punën e bërë. Ne në Delvinë kemi një  problem, duam ndihmën e qeverisë, që drejtoria e bujqësisë së qarkut Vlorë, nga e cila varet Saranda dhe Delvina, megjithëse fushat tona prodhojnë 90 përqind të prodhimit bujqësor dhe blegtoral të qarkut të Vlorës duhet që drejtorie  bujqësisë ti ndihmojë Sarandën dhe Delvinës. Mundet që të bëhet në Sarandë një drejtori bujqësie?

Kryeministri Berisha: Mundet plotësisht dhe do të bëhet

-Problemi i dytë që kemi është bordi i kullimit. Dikur ishte në Sarandë dhe në Delvinë dhe i shërbente prodhimit, sot drejtoria vajti në Vlorë dhe pengohet mbarëvajtja. Dhe problemi tjetër Delvina dhe Saranda po rriten mjaft mendoj se duhet të kenë një drejtues bujqësor në ministrinë e Bujqësisë, që të vijë këtu dhe të na dëgjojë, qoftë edhe i rangut të ulët? Për ullirin, dy vitet e fundit është dhënë urdhër të blihen fidanët në institutin e ullirit në Vlorë . Është e palogjikshme në një tregti të lirë të imponojë  blerjen. U desh ndërhyrja juaj personale për ta anuluar atë vendim, sepse nuk me ndihmuat vetëm mua por gjithë fermerët e Sarandës dhe Delvinës?

Kryeministri Berisha: Ju falenderoj dhe ju siguroj se do ti shqyrtoj me shumë përparësi kërkesat tuaja. Jam plotësisht dakord me ty, që Saranda dhe Delvina kanë një potencial shumë të madh bujqësor krahas turizmit, ka një potencial të madh bujqësor dhe duhet të bëjmë gjithçka për ta shumëfishuar prodhimin bujqësor dhe blegtoral kudo që mundemi. Është një rrugë absolute e sigurtë, e mëkëmbjes dhe mirëqenies së qytetarëve shqiptarë. Ndaj dhe të garantoj se drejtoria do të transferohet.

Bordi i kullimit pasi e ke shumë drejt, se problemet e kullimit janë këtu dhe ne do ta kemi parasysh këtë menjëherë. Për ministrinë e bujqësisë unë do t’ia përcjell dhe do ta shoh këtë çështje.  Përsa i përket fidanëve ti kishe të drejtë dhe unë  mbështes të drejtën tënde, të falenderoj që e ngrite zërin dhe i kërkova ministrisë sqarime dhe gjykova se veprimi nuk ishte i drejtë. Synonte të zhvillonte ullirin Kaliniot dhe ti e rrisje atë. Nuk mund të bëjmë ne një diktat. Ne themi se kjo është e mira, por zgjedhjen e bën ti. Pesë vite më parë kur kemi ndërmarrë këtë projekt për Shqipërinë rurale të shumtë ishin ose skeptikë se edhe kundërshtarë që kjo nuk bëhet. Para nesh kishin elaboruar doktrinën e zonave që nuk duhet investuar dhe kur i merrje këto zona dilte më shumë se gjysma e Shqipërisë. E kundërta është e vërtet. Kjo është tokë  e bekuar dhe ai që e njeh abc e tokës, ai sheh se këtu në çdo shkurre mund të jetë një pjergull, një ulli, një arrë, një lajthi, një dru frutorë dhe sikur të kishim të gjitha potencialet ne me shpejtësi të madhe e bënim këtë vend prodhuesin më kryesor të frutave mbi tokë, për kaq sa e ka sipërfaqen. Ne do e vazhdojmë këtë përpjekje të bindur se është rrugë mirëqenie. Tani del çështja e taksave. Keni dëgjuar se shoku zotohet të heqë TVSH për pesë produkte, kjo sepse programin e ka bosh përveç dy gjërave. Përpiqet ta shesë taksën e të dhjetave si taksë të pa drejtë për ta zëvendësuar me taksën e lartë, e cila shkon deri ne qiell, taksa progresive, një manifest i njohur  dhe e dyta tani thotë ti heqim TVSH. Nëse heqim TVSH për vajin asnjë kokërr ulliri nuk ka pse të vilet më këtu, sepse normalisht vaji i Italisë, Greqisë, Spanjës që kanë shumë më shumë ullinj ju del me kosto më të lirë. Të njëjtën gjë thotë për qumështin. Të heqim TVSH e qumështit. Por nëse heq TVSH e qumështit ti, të gjithë tufat e deleve, lopët e racës dhe jo të racës, dhitë e racës ose jo të racës, i bën pa vlerë . Se ata, të cilët japin nga 3-4 euro në di subvencion për lopët, ata e prodhojnë më lirë qumështin. Kjo është një politikë që vjen në kundërshtim të plotë me interesat e fermerëve shqiptarë. Heqim TVSH e grurit. Por po hoqe TVSH e grurit vende, të cilat e hedhin farën me aeroplan, pasi kanë miliona hektarë ato e kanë me kosto më të ulet se ne dhe e shesh më lirë sesa ne. Ndaj dhe ne jo vetëm që do t’ju ndihmojmë, por do t’ju mbrojmë. Zotimi ynë është se do t’ju mbrojmë.

-Ju uroj mirëseardhjen z. Kryeministër. Dëgjova në televizor se kush ka mundësi të mbjellë edhe kullotat. Unë kam kullotën time , por ma ka marrë UNESCO, unë e dëgjoj UNESCO-n, por nuk e di kush është . Unë e di që në çdo vend prona është e shenjtë, siç janë edhe kufijtë. Unë pronën time nuk kam të drejtë ta mbroj, ti marr dhe ti mbjell. Dua të di nëse jam ne gjendje të investoj në kullotën time. Kam prej vitesh që kërkoj tokë. Dua pronën time që babai e ka blerë me lekë. Dhe problemi tjetër është me pensionet dhe sorollatjen e dokumentacionit?

Kryeministri Berisha: Të falenderoj për shqetësimet që ngrite këtu. Lidhur me parkun kombëtar dhe kullotën, që e ke brenda territorit të Parkut Kombëtar, në vlerësimin tim mbjellja duhet të jetë e lejuar , ndërtimi është diçka tjetër. Për të ndërtuar shkelen disa rregulla, të cilat UNESCO i përcakton si kushte për ta mbajtur trashëgimi botërore. Por nuk besoj  dhe unë do ta shqyrtoj në Tiranë, nëse mbjellja e kullotës i shkel këto rregulla. Unë mendoj se kullotën që ke aty mund ta shndërrosh në agrume, ullinj apo çfarë të duash, për të ndërtuar është ndryshe. Përsa i përket mbjelljes nuk besoj se është cenim i kushteve dhe do ta diskutoj me Ministrinë e Kulturë dh të Mjedisit, ose shteti do të të japë paratë për kompensimin. Lidhur me tokën. Do ta shqyrtojmë. Çdo dosje shqyrtohet dhe ju garantoj se do ti shpejtojmë dosjet. Nuk ka asnjë arsye që  ti të mos marrësh tokën që ti ke të lirë dhe e ke tënden. Do të shoh ku qëndron burokracia që nuk ta kthejnë. Toka të kthehet tek pronari ku është e lirë dhe ky është një parim, të cilit ne i përmbahemi. Lidhur me pensionin. Unë mendoj se dokumentet noteriale të vërtetua tek noteri duhet të funksionojnë, si dëshmi e personit, që do të dëshmojë diçka. Do të caktoj specialistët më të mirë të pensioneve që ta shqyrtojnë çështjen.

-Kam bashkëshorten që vuan nga sëmundja e parkinsonit. Para disa vitesh ajo është operuar në Greqi dhe mjekët më thanë që të mos ia ndryshoj barnat. Por ato barna që unë duhet ti marr, janë shumë të shtrenjta dhe nuk rimbursohen. Halli më ka detyruar që të shkoj edhe në ministrinë e Shëndetësisë në muajin janar, më premtuan se do ta fusnin edhe atë mjekim në librin e barnave të rimbursuara, por nuk është futur. Pasi vajta përsëri më thanë se mund të ma japin nëpërmjet farmacisë te “Nënë Tereza”. Në qoftë se ka mundësi të bëhet diçka, pasi e kam shumë problem. Ato barna kushtojnë 350 mijë lekë dhe nuk kam mundësi ekonomike.

Kryeministri Berisha: Kur keni qenë juve në ministri?

-Edhe para një javë kam qenë dhe sekretarja e ministrit më ka kthyer përgjigje që nuk rimbursohet.

Kryeministër Berisha: Ne një nga ilaçet fare të kushtueshme të parkinsonit e kemi përfshirë në listën e rimbursimit këtë vit. Nuk e di nëse është ky apo jo, por jam shumë i sigurt se një nga mjekimet e fundit që përdoret për të ne e kemi përfshirë në listë. Mbase nuk është ky.

-Zoti Kryeministër, duke mos qenë ai, meqenëse ishte si rast i veçantë rasti im, më premtuan që do të ma kalonin në farmaci.

Kryeministri Berisha: Ju garantoj se kjo do të ndodhë.

Zoti Kryeministër, mirëserdhët! Në fshatin Xarë kemi tokë të pandarë, disponibël të shtetit. Ajo tokë rri e pandarë prej 22 vjetësh. Kemi edhe një kullotë që mund të kalojë shumë mirë për tokë bujqësore ose mund të mbillet ullishte, por ato rrinë djerrë. Ne kërkojmë nga ju që në mandatin tuaj të tretë të mendoni ç’të bëhet me atë tonë, se ajo na takon ne banorëve. Perëndia na e ka dhënë neve atë dhuratë.

Kryeministër Berisha: Unë ju garantoj se në qoftë se ajo është tokë shtetërore, kryetari i komunës nuk ka asnjë pengesë që t’jua ndajë juve tokën, me të gjitha vendimet që kemi bërë, për ta shndërruar në ullishte, në vreshta apo tjetër. Unë isha në komunën e Sulovës, në Dumre. Kryetari i komunës në prani të të gjithëve më falënderoi për vendimet dhe ligjet e bëra. Ai më tha se mbi bazën e tyre u kish dhënë 540 familjeve të komunës 1000 hektarë tokë. Unë nuk e di nëse Xara është rast specifik apo jo, por vendimet tona autorizojnë kryetarin e komunës të ndajë tokën për ju, për emigrantët, për ata që duan ta punojnë. Ne kemi futur edhe ligjin tjetër, ligjin e të 10-ve. Ai që nuk e punon tokën për 3-4 vjet, komuna ka autoritet që atë tokë t’ia japë një tjetri dhe ky paguan 1/10. Në qoftë se toka mbetet pa punuar, ajo degradon. Moti e gërryen atë. Megjithatë rastin konkret unë do ta shoh. Në dijeninë time kryetari i komunës ka çdo autoritet për ta ndarë dhe për t’jua dhënë ju tokën.

-Dhimo (kryetari i komunës Xarë) thotë se është penguar nga ministria e Bujqësisë? Ministria e Bujqësisë ka një kundërshti me Dhimon, të cilën dua ta qartësoj pak më tutje. Dikush më është ankuar për këtë çështje dhe është bërë një diskutim midis meje edhe ministrit të  Bujqësisë për këtë. Ministri i ka bërë një kërkesë Dhimos që të procedojë në një mënyrë më të drejtë. Kjo është arsyeja, por toka do të ndahet dhe, natyrisht, në mënyrën më të drejtë.

Jam kultivues i agrumeve në komunën Xarë, në një sipërfaqe rreth 4 hektarë. Unë jam i kënaqur me prodhimin që marr, por si të gjithë fermerët dua të shtoj edhe më shumë sipërfaqen. Po ashtu siç e ngritit këtë çështje edhe kryeplaku i fshatit Xarë, kam kërkuar që të marr nga ajo tokë me qera për ta mbjellë dhe më është thënë që ajo tokë është disponibël për ministrinë edhe se mund të përdoret për kompensim. Kjo mund të jetë edhe pengesa që deri tani ne kemi hasur për këtë tokë.

Kryeministri Berisha: Edhe një herë ju garantoj se këtu kundërshtia midis ministrisë dhe komunës është jo se ministria kërkon ta bllokojë, por se nuk bien dakord për mënyrën e ndarjes. Dhe do ta gjejnë gjuhën e përbashkët edhe do ta ndajnë tokën.

-Fshati ynë, Xara, është fshat me njerëz punëtorë. Në komunën tonë mbillen mbi 400 hektarë me agrume. A është parë ndonjë mundësi për grumbullimin dhe përpunimin e agrumeve nga ana e qeverisë në këtë zonë?

Kryeministri Berisha: Qeveria nuk grumbullon, por cilido nga ju që merr përsipër grumbullimin apo përpunimin e tyre, qeveria do t’i japë kredi të butë. Ne do t’i japim kredi të butë. Për shembull në Korçë ne mund të kemi dhënë me kredi të buta dhjetëra frigoriferë të mëdhenj për mollën. Ne kemi dhënë kredi të buta për fabrikë përpunimi lëngjesh. Në Peshkopi dhamë kredi të butë për fabrikë për përpunimin e lëngut të mollës ose të qershisë. Cilido biznesmen le të ndërtojë një biznesplan për të ndërtuar një fabrikë për grumbullimin ose përpunimin dhe qeveria me përparësi të madhe do t’i garantojmë atij kredi të butë.

-Unë jam interesuar vetë personalisht për ta ngritur një pikë të tillë, sepse kam një ish magazinë të vjetër, por më kanë thënë që duhet të jesh Shoqëri e Bashkuar Fermerësh. Si person fizik më kanë thënë se nuk përfiton.

Kryeministri Berisha: Kush të ka thënë, ministria? Jo, do të bëjmë që ju të përfitoni. Mund të ketë rregull të gabuar, por ne jemi të interesuar që ju të investoni sa më shumë në kapacitete ftohëse dhe përpunuese.

-Këtu u fol për ujësjellës. Ne kemi prishur sifonet e liqeneve artificialë. Ujësjellësin e Merkos që furnizonte 70 fshatra e ka prishur kryetari i komunës së Livadhjasë për të shitur tubat. E sheshin një kolonë 80 mijë lekë. Zagarët e Enverit janë bërë një lëmsh me këlyshët e OMONIA-s. Duam ndërhyrjen tuaj dhe përkrahje që t’u tregojmë vendin. Nuk lanë gjë pa vjedhur e pa shitur. Në fshatin tim ka 15 vjet që nuk janë bërë zgjedhje demokratike për këshillat e fshatit, për kryepleqësi. Ata janë emëruar nga Dalani, arqimafiozi që merr nga të gjitha anët. Me çamë hiqet çamë, me ne hiqet grekë. Edhe juve jo 4 vjet, por Mbretëri ta bëjmë që sa të jesh i gjallë të drejtosh. Me datën 26 shkurt unë ju kam dërguar një letër. Kartelën e mora, se letra kishte ardhur, por përgjigje nuk mora. Këtu në rrethin e Sarandës me në krye z. Dailani kanë bërë të gjithë atë rrjetin e merimangës së zezë dhe çfarë bie brenda e hanë. Unë dua ndihmë morale, nuk dua ndihmë ekonomike. Ai është lidhur me të tërë, me polici, me prokurori. Me një telefon të sjellë policinë dhe i bën presion njërit e tjetrit. Për këtë edhe nënprefekti e di. Të gjithë janë informuar. Kisha një letër me 60 firma që kërkonin zgjedhje të kryepleqësisë në fshat dhe ato ishin firma votuesish demokratë. Tani nuk kam sy e faqe të kërkoj vota, sepse më kishin dhënë fjalën që brenda marsit do të bëheshin zgjedhjet. Nuk i bënë, se nuk duan. Janë bërë njësh socialistë, demokratë, OMONIA. Se ata para duan. Neve na kanë asgjësuar fare nga ana morale. Ai Dalani thotë se po të mos votoni OMONIA-n, Sali Berisha do na marrë shpirtin, do na nxjerrë nga votrat tona. E kam edhe në kaseta këtë. Kjo nuk është dëshira ime, por e gjithë minoritarëve të persekutuar. Ne duam ndihmë, duam përgjigje. Edhe duam të të shohim gjithnjë kështu, të shëndoshë.

Kryeministri Berisha: Unë të garantoj se çështjet që shtrove do t’i shqyrtojë një e nga një dhe shpreh nderimin tim për ju. Unë gjithnjë e kam thënë dhe e them që nga ajo diktaturë dy kanë qenë më të shtypurit, më të persekutuarit e të  persekutuarëve në Shqipëri: minoriteti dhe Shkodra. Këto të dyja kanë qenë. Kjo është e vërteta dhe në atë kohë ne bëmë ligjin e gjenocidit. Ligji i gjenocidit ishte ligj i drejtë. Unë isha në Koshovicë dhe të dëgjoje dramën e atyre fshatarëve, pas luftës. Ata kishin luftuar, por që tani fillon një lloj persekutimi që është i paimagjinueshëm sot. Se çfarë u bë me shtëpitë e tyre, si i degdisën. Minoriteti ka qenë absolutisht minoriteti më i shtypur. Kështu ka qenë edhe Shkodra, e cila konsiderohej armike. Ndaj dhe çështjet që ti shtron do t’i marrim edhe t’i shqyrtojmë një e nga një.

E dyta, të garantoj se do të bëjmë gjithçka për të ndërtuar infrastrukturë në të gjithë zonën e minoritetit dhe në kudo në Shqipëri, në mënyrë që të kthehet shpresa, të kthehen potencialet. Unë isha në Livinë, një pamje panoramike e jashtëzakonshme. Ne kudo kemi mundësi, por ndërtimi i infrastrukturës është kushti, ndërtimi i sistemit të vaditjes është kushti. Ne po ecim në këtë drejtim. Ne edhe sifonet e liqeneve do t’i ndërtojmë dhe përgjegjësit do t’i gjejmë.            

-Vij nga komuna Vergo, rrethi Delvinë. Në atë zonë mbarështohen 25 mijë krerë të imëta, 2 mijë gjedhë, 2 mijë hektarë tokë bujqësore dhe nga viti 2007 e mbrapa janë mbjellë 100 mijë rrënjë ullinj, jo të gjithë janë subvencionuar. Kërkesa e vetme që kemi është që të të shohim duke inauguruar një rrugë në komunën tonë. Rruga Delvinë- Kardhiq vërtetë kalon në mes të komunës, por nga qendra e komunës në fshatrat e tjera janë 10 kilometra rrugë. Ato zona nuk kanë marrë investim. Së dyti, në kuadrin e zhvillimit të integruar të turizmit po ndërtohet një landfill. Ne kemi bërë disa konsulta me Bankën Botërore dhe specialistë për vendin e ndërtimit. Nuk jemi kundër ndërtimit, por po ndërtohet 200 metër nga autostrada. Në qoftë se jemi burimi i vetëm i prodhimeve bujqësore dhe blegtorale për turizmin, do të vëmë një tabelë që ky është koshi i plehrave të zonës dhe ne marrim fund. Po ka mundësi të spostohet 2-3 kilometër, sepse ka hapësirë. Kështu edhe ne na ndihmoni dhe njëkohësisht ruajmë prodhimet. 

Kryeministri Berisha: Për sa i përket rrugës, të garantoj se ajo do të bëhet. Ne e kemi parim të prerë – do të ndërtojmë çdo rrugë, kudo ku banojnë qytetarët tanë. Ne në tërësi ndjekim parimin e popullatës. Ky parim shkon duke u zbehur, sepse do të ndërtojmë çdo rrugë. Ne kemi dy rrugë të rëndësishme pa ndërtuar ende. Kemi rrugën e Arbrit, ku kemi ndërtuar 30 kilometra dhe Boshti i Jugut, ku përfunduam segmentin Tiranë –Elbasan dhe mbetet i rëndësishëm segmenti Tepelenë - Berat. Të tjerat, 97 përqind, mbeten rrugë fshatrash dhe në tërësi mund të jenë 15-20 komuna që nuk kanë zbritur në akset kombëtare. Të gjitha të tjerat janë lidhur. Tani do të lidhim fshatrat me qendrat e komunave. Ky është një investim shumë i rëndësishëm, i domosdoshëm, por plotësisht i mundshëm. Sa i përket landfillit, ai ka 4-5 vite që diskutohet. Banka Botërore dhe ministria kanë bërë konsulta të shpeshta me ju. Në vendimin e qeverisë që kemi marrë para 3-4 muajsh është raportuar se është rënë plotësisht dakord me komunitetin. Unë mund t’ju them që duhet ta verifikoj. Nga ana tjetër landfilli është jetik për ju. Ai është i domosdoshëm për Sarandën, për Delvinën dhe për Himarën.

-Ju uroj nga zemra mirëseardhjen! Të kesh jetë të gjatë dhe të jesh gjithnjë kryetar. Unë jam nga fshati Sopik, komuna Livadhja. Ujin e rrjedhshëm që kalon nga Merkua e derdhet në det kanë mundësi t’ia japin të gjithë Vurgut, por ai derdhet kot. I duhet dhënë përparësi që njerëzit të kenë ujë të pijshëm. E dyta, kemi një gurore në fshatin Sopik dhe ajo gurore furnizon gjithë Shqipërinë, por 1 kilometër rrugë të Sopikut nuk ka mundësi ta shtrojë. Së treti, 24 të përndjekur e të pushkatuar të fshatit Sopik meritojnë t’u ngremë një lapidar, se unë nuk kam mundësi vetëm. I takon, se janë pushkatuar pa gjyq. Në fshat akoma kanë lepurin në barkë. Dhe dua të them se sot në Shqipëri janë rregulluar të gjitha. Sarandën nuk e njeh më fare. Të gjitha janë bërë në saj të partisë tuaj. Unë krenohem me Partinë Demokratike, me qeverinë dhe gjithmonë të jemi gati të votojmë 44-ën.

Kryeministri Berisha: Edhe unë ju falënderoj juve me shumë mirënjohje për mbështetjen dhe çështjet që ngritët. Unë ju garantoj se rruga do të bëhet dhe do të shqyrtohet me përparësi të madhe çështja e ujësjellësit. Po ashtu edhe vaditja. Një nga projektet me kryesore të 4 viteve që vijnë do të jetë vaditja. E dëgjoj kryetarin e opozitës që thotë se do investojë me 160 milionë dollarë, por me 160 milionë dollarë nuk vadit dot as 1/3 dhe as çerekun e Shqipërisë. Ai nuk ka haber se çdo të thotë. Ne kemi projekt madhor vaditjen. E theksuat edhe vetë. Unë e di që sot ka shumë fshatra me mangësi të mëdha, u mungon rruga, u mungon uji, u mungon vaditja. Por po ti hedhin sytë në drejtim tonë do të gjejnë një force politike që është përpjekur më të gjithë forcën e saj për fshatin. Ne kemi investuar dhe do të investojmë. Ne shpallëm një koncept të vështirë shumë – do t’i bëjmë fshatrat me infrastrukturë si lagjet e qyteteve. Nuk lejuam më ndërprerjen e energjisë elektrike, njëlloj si në qytet. Po investojmë në rrugë, në ujësjellës, në shkolla dhe kudo. Dhe ne do ta finalizojmë këtë. Ne do të ndërtojmë rrugën e Sopikut, do të ndërtojmë rrugë e fshatrave, do të bëjmë që shqiptarët të kenë infrastrukturë moderne.

Për memorialin ju jap fjalën se do ta ndërtojmë bashkë. E meritojnë plotësisht.

-Zoti Kryeministër, quhem Engjëllushe Maze, atyre që e kanë marrë tokën në bazë të ligjit 7501 kanë të drejtë tua heqin atë tokë?

Kryeministri Berisha: Jo!

-Neve na e ka hequr hipoteka e Sarandës dhe specialisti të flasë, e keni në krah.

Kryeministri Berisha: Engjëllushe unë të garantoj se ligji 7501 nuk lëviz më kurrë.

-Po neve pse na e kanë hequr tokën? E kemi në përdorim dhe nuk na japin hipotekë vetëm për një tokë, se thonë i ka dalë pronari. Cili është ai pronar?

Kryeministri Berisha: Rastit konkret unë nuk mund t’i japë përgjigje këtu.

-Juve keni thënë që pronarët do të dëmshpërblehen në qoftë se janë pronarë, në një kohë kur ne i njohim se cilët janë ata. Pse duhet të na e marin neve tokën?

Kryeministri Berisha: Jam plotësisht dakord. Unë duhet ta verifikoj. Nuk e mbështes kurrë një veprim të tillë. Ai është tërësisht i paligjshëm.

-Po nuk na e japin. Thonë nuk ka rregull.

Kryeministri Berisha: E ke marrë tokën njëherë?

-Po e kam marrë, e kemi të rrethuar, e punojnë, por hipotekën nuk na e japin.

Kryeministri Berisha: Hipotekën ata që nuk ta japin, shkelin ligjin. Edhe ata do të detyrohen të ta japin pa diskutim. Nuk munden kurrë të mos të ta japin. Qeveria e ka ndarë tokën me ligjin 7501. Ajo është përfundimtare. Për pronarët ne kemi mekanizmin e kompensimit të tyre me para ose me tokë, aty ku ne mundemi.

Në përfundim të takimit, Kryeministri Berisha u shpreh: Dua t’ju falënderoj shumë përzemërsisht për këtë bisedë, për mua shumë mbresëlënëse dhe shumë e dobishme. Ishte kënaqësi e madhe të dëgjoj përkushtimin tuaj për të përmirësuar më tej punën dhe ambicien tuaj për të ndërtuar një jetë më të mirë. Unë ju jap fjalën se do të bëjmë gjithçka për zgjidhjen e tyre. Ne do të bëjmë gjithçka që ju me mundin, djersën, punën tuaj të ecni më përpara.”


09/06/2013

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›