Kryeministri Berisha prezanton në Përmet kandidatët për deputetë të PD-së për qarkun e Gjirokastrës
“Qytetare dhe qytetarë të Përmetit,
gra dhe burra fisnikë të këtij rrethi të njerëzve punëtorë,
Përshëndetjet më të përzemërta, mirënjohjen më të thellë për këtë takim të mrekullueshëm. Uragani i fitores sonë ndodhet sot tek ju dhe këtu frymëzohet me idetë, me mendimet më shqiptare, më të mrekullueshme që kanë në Përmet dhe në zemrën e çdo shqiptari një djep të përjetshëm, mendimet e Frashërllinjve.
Ne jemi sot në Përmet për të ftuar qytetarët e tij të bashkohen me ne në një fitore të madhe historike, një fitore e cila ka si qëllim kryesor bashkimin e të gjithë shqiptarëve për Përmetin e zhvilluar, për Shqipërinë e zhvilluar; të bashkohen në një fitore e cila shqiptarët pa dallime partiake do t’i bëjë anëtar të Bashkimit Evropian, do t’i çojë përpara drejt Evropës; të bashkohen në një fitore e cila qytetarët shqiptarë pa dallime partiake synon t’i punësojë, synon të krijojë vende pune të reja në Përmet dhe në mbarë Shqipërinë. Ju ftojmë të bashkoheni me ne në një fitore me të cilën synojmë që çdo qytetar shqiptarë të marrë rroga më të larta, të marrë pensione më të larta dhe të ketë një jetë më të mirë.
Unë i ftoj qytetarët e Përmetit të bashkohen me ne në një fitore e cila ka synim kryesor që mundi, djersa dhe puna e tyre e mrekullueshme të paguhet më shumë, të japë më shumë të ardhura, të rrisë më shumë mirëqenien e tyre dhe të familjeve të tyre; të bashkohen në një fitore e cila ka synim pasuritë e mëdha të Përmetit ti shndërrojë në vlera për qytetarët e tij dhe qytetarët shqiptarë; të bashkohen në një fitore e cila ka si synim të shumëfishojë turizmin, të fuqizojë fermat dhe fermerët, të bëj të njohura në Shqipëri dhe në mbarë botën ujërat e famshme termale të këtij rrethi, të shndërrojë ujërat e Vjosës në një seri hidrocentralesh ku do të punësohen me qindra e mijëra qytetarë dhe do të prodhohet energji më çmime më të ulëta edhe më të mira për përmetarët dhe shqiptarët; të bashkohen me një fitore në të cilën nxënësit dhe mësuesit e Përmetit të jenë të lartësinë e kërkesave të rilindësve tanë të mëdhenj.
Kjo është alternativa jonë, alternativë e cila synon Përmetin e zhvilluar, Shqipërinë e zhvilluar. Alternativa jonë bazohet në arritje të pamohueshme të deritanishme. Çdo përmetar le të mendojë se çfarë investuan në Përmet 8 vite më parë qeveritë socialiste dhe se çfarë është investuar në Përmet këto vite? Le të mendojnë se çfarë kemi realizuar së basku këto vite. Ne së bashku këto vite kemi vendosur Shqipërinë në aleancën e kombeve të lira të Evropës dhe botës, në NATO; kemi nënshkruar Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit; kemi hequr vizat dhe lëvizim të lirë; merituam rekomandimin e statusit, por na e pengoi për më shumë se një vit njeriu që së fundmi detyrua ti votojë ligjet.
Ndaj le të ecim së bashku!
Ne së bashku këto vite kemi ndërtuar dhe po ndërtojmë një sistem rrugor modern. Ne kemi ndërtuar dhe po ndërtojmë çdo shkollë, në të katër anët e vendit, kemi ndërtuar dhe po ndërtojmë ujësjellës e kanalizime, po bëjmë çdo gjë që qytetarët tanë kudo që jetojnë të kenë një infrastrukturë të njëjtë me lagjet e qyteteve, të kenë një infrastrukturë të vërtetë evropiane. Së bashku këto vite rritëm pensionet në fshat, rritëm 12-150 përqind rrogat e mësuesve, mjekëve dhe infermierëve. Ne kemi firmosur së bashku akte madhore të historisë sonë kombëtare, por edhe akte që kanë ndryshuar për mirë jetën e qindra mijëra qytetarëve shqiptarë.
Cila është alternativa tjetër? Këtu nga ky shesh i Frashërllinjve gjenialë dua t’i them edhe një herë Edi Ramës se nuk ka fyerje më të rëndë për shqiptarët se vetëshpallja juaj për rilindas, se shpallja e Tom Doshit për Sami Frashër, e Gramoz Ruçit për Naim Frashër, e Anastas Angjelit si Koto Hoxhi. Ky është një provokacion i pandershëm, provokacion i padenjë që prek jo vetëm përmetarët dhe shqiptarët në Shqipëri, por edhe shqiptarët në të katër anët e rajoni edhe të botës, kudo që ndodhen, të cilët kanë te rilindasit shenjtorët e doktrinës së tyre kombëtare, e identitetit të tyre kombëtar. Së dyti, theksoj këtu për disa miq në këtë shesh, të cilëve u kujtohen vitet ‘67-’70, se të njëjtën përpjekje djallëzore bëri Enver Hoxha, i cili u përpoq të dënonte rilindasit tanë, por e kuptoi se nuk mund ta bënte pa kaluar mbi trupat e shqiptarëve. Ndaj shoku Rama hiq dorë, mos ua përdhos kombit rilindësit me Tom Doshë, me Anastas Angjelë, Gamozë Ruçë, Fidel Yllë dhe veten tënde. Bëj alternativën tënde dhe kjo është normale në një shoqëri pluraliste.
Po cila është alternativa e tij? Përveç sharjeve, shpifjeve dhe trillimeve çdo orë edhe çdo ditë, dy janë gjërat e rrezikshme të asaj alternative. E para është rrija e një takse. Zoti Rama shpall se taksën e të 10-ve, taksën më të ndeshmë të të gjitha kohërave, me të cilën ai që merr 10 paguan vetëm 1 dhe ai që merr 1000 paguan 100 herë më shumë, do ta zëvendësojë me taksa të larta, me taksat progresive, të cilat ishin në fuqi para vitit 2005, të cilat kanë origjinë kryekëput ‘Manifestin’ e Partisë Komuniste dhe që i futi për herë të parë në Shqipëri Spiro Koleka.
Vëllezër e motra,
Rreziku i dytë i madh i tyre është që me këtë taksë frenon bizneset, largon investitorët dhe bllokon investimet. Këto vite me taksat e ulëta ne ia dolëm të marrim 4 miliardë dollarë investime, të punësojmë dhjetëra mijëra qytetarë shqiptarë; ia dolëm të bëjmë Shqipërinë vend tërheqës për investimet e huaja dhe vendase, bizneset e vogla u rritën me 80 përqind, ndërsa bizneset e mesme dhe të mëdha me 200-300 përqind.
Ndërsa po vija luginës së Vjosës për në Përmet, pashë shumë parcela ma grurë. Cili është premtimi i dytë i shokut të autobusit mavi? Premtimi i dytë është se do të heqë TVSH-në për importin e grurit, të miellit, të vajit, të vezëve, të qumështit. Imagjinoni ju se si mund të përballet fermeri i Piskovës apo i Këlcyrës që mbjell gjysmë hektarë apo një hektarë grurë me fermerët e Argjentinës, Ukrainës, Rusisë që kanë qindra e mijëra hektarë dhe e hedhin farën e grurit me aeroplan. Kjo do të thotë që fermeri shqiptar të mos mbjellë më asnjë kalli grurë; do të thotë që në Shqipëri të mos bluhet më asnjë kilogram grurë dhe e gjithë industria e blojës, ku marrin rroga mijëra punëtore, të falimentojë. Kjo do të thotë që vezët jo të mos bëhet më në pularitë shqiptare, por edhe vezët e kotecit të mos kenë më vlerë. Kjo do të thotë mijëra a mos më shumë lopë race të blera nga shqiptarët për të shitur qumështin e për të krijuar ca të ardhura të mos kenë më vlerë, sepse qumështi i vendeve që subvencionojnë lopën më shumë seç paguajmë ne për pensionin, të vijë këtu me gjemi dhe qumështi ynë të bëhet i pavlerë. Pse bëhet kjo? Absolutisht, kjo bëhet vetëm me një qëllim, sepse monopolet e ushqimeve janë më fitimprurëse. Se Doshi do marrë vezët, se Fideli do marrë miellin, Caci do marrë vajin dhe naftën. Kështu me radhë do të rivendosen monopolet e partisë dhe do të mjerohen fermerët shqiptarë.
Ndaj dhe ju ftoj të vazhdojmë së bashku.
Përmetare dhe përmetarë,
Dëgjojeni alternativë e tij, në mënyrë absolute përveç këtyre dy taksave nuk ka asnjë gjë tjetër. Fillon mashtron çdo ditë dhe thotë më morën programin se hoqën taksën për makinerive të importuara. I shkreti s’ka memorie. Kjo taksë nuk ka ekzistuar në vitin ‘95, është dekretuar heqja e saj në atë kohë nga Presidenti i vendit.
Shoku i autobusit mavi thotë do të punësojë 300 mijë shqiptarë, por se ku do t’i punësojë vetëm autobusi i tij e di, sepse nuk ka asnjë alternativë. Ne do të punësojmë shqiptarët, sepse ne do të ndërtojmë çdo rrugë në Shqipëri. Vitet që shkuan ne punësuam 56 mijë shqiptarë në ndërtimin e rrugëve. Të gjitha rrugët e Shqipërisë do të ndërtohen në 4 vitet që vijnë. Ne do të punësojmë shqiptarët, sepse do të shkojmë drejt dyfishimit të turizmit. Ne do të punësojmë shqiptarët, sepse do të shkojmë drejt zgjerimit të bizneseve, drejt ndërtimit të dhjetëra e qindra hidrocentraleve në vend. Ne do të punësojmë shqiptarët, sepse do të trefishojmë grantet për fermerët në vend. Ne do të punësojmë shqiptarët, sepse do të dyfishojmë Shqipërinë dixhitale, Shqipërinë teknologjike. Ne do të punësojmë shqiptarët, sepse do të bëjmë gjithcka që pasuritë e tyre të kthehen në vlera për ta.
Ndaj edhe njëherë, ftesa ime më miqësore është që të bashkohemi të gjithë së bashku, të ecim përpara drejt zhvillimit, përpara drejt integrimit evropian, përpara drejt fitores.
Votoni 44-ën, votoni Partinë Demokratike, votoni fitoren!
Rrofshi ju!
Rroftë Përmeti
Rroftë Shqipëria!”
09/06/2013