E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha bashkëbisedon me qytetarë dhe fermerë të Lushnjës mbi projektin e Shqipërisë së zhvilluar evropiane

Kryeministri Berisha ishte sot pranë qytetarëve e Lushnjës, në një bashkëbisedim  të zgjeruar me ta, nga ku dëgjoi mendimet, opinionet, vërejtjet dhe sugjerimet të tyre lidhur me problematika të ndryshme në vend, për të cilat, kryeministri u shpreh  do të reflektohen për të patur një program sa më pranë qytetarit, në projektin e madh  “Shqipëria e Zhvilluar Evropiane”

Në takimin, i cili vijoi konsultimet me qytetarët, Kryeministri priti me interesim dhe iu përgjigj një sërë pyetjesh dhe shqetësimesh, nga ana e tyre, me premtimin se mandati i ardhshëm qeverisës do ta bëjë Shqipërinë, ashtu si çdo qytetar e ëndërron atë.

 “Të dashur miq, erdha sot tek ju me qëllimin më kryesor të dëgjoj vërejtjet sugjerimet, opinionet, mendimet tuaja për projektin e 4 viteve që vijnë, “Lushnja e  zhvilluar, Lushnja evropiane”, “Shqipëria e zhvilluar, Shqipëria evropiane".

Ne vijmë, pasi nga viti 2005 e deri më sot ne kemi shënuar së bashku ndryshimet më të thella në historinë e  këtij vendi. Ne së bashku arritëm gjatë kësaj periudhe që Shqipërinë ta anëtarësojmë në NATO; së bashku arritëm që sot lëvizim të lirë në mbarë Evropën; së bashku arritëm që në kohën e krizës më të thellë që bota dhe Evropa ka njohur, Shqipëria të mbetet e papërfshire nga kriza dhe të mos njohë recensionin; së bashku ne arritëm të mbledhim nga taksat dhe tatimet , fale sistemit të ri fiskal nga ulja  e tyre, 9,2 miliard dollarë më shumë se qeveria e mëparshme në 8 vite; së bashku ne arritëm që me këto shuma të mbledhura të ndërmarrim projektin më ambicioz në historinë e vendit, të ndërtojmë dhe rindërtojmë një rrjet rrugor, më modernin , më të mirin në rajon dhe më gjerë.

Në rast se kthehemi në vitin 2005 , kur në këtë sallë unë ju kam deklaruar qytetarëve të Lushnjës se ne do të asfaltojmë 6 mijë km rrugë rurale, kundërshtarët tanë u tallën, përqeshën dhe thanë se ato nuk ekzistojnë, Shqipëria nuk ka 6 mijë km rrugë dhe bënin këtë gafë për faktin e thjeshtë se nuk merrnin mundimin të hynin në “Google” dhe të shikonin se Shqipëria ka 18 mijë e 300 km rrugë. Më këtë hark kohor të shkurtër ne ia kemi dalë të asfaltojmë, ndërtojmë dhe rindërtojmë autostrada ndër më modernet në rajon, rrugë kombëtare, rurale, fshatrash në tërësi mbi 10 mijë km rrugë. Së bashku u zotuam që ti japim arsimit shqiptarë një drejtim të ri dhe të vendosim mësuesin në epiqendër të tij.

Sot, ju jeni dëshmitarë që mësuesit e fëmijëve tanë paguhen 120 deri në 150 % më shumë se sa paguheshin në vitin 2005. U zotuam se do të shpërbleheshin mjeket dhe infermierët për një shërbim shëndetësor më të mirë. Ne kemi rritur rrogat e tyre nga 130 deri në 160 % . U zotuam se do të bëjmë gjithçka për të mbështetur fermerët shqiptarë. Unë ju garantoj ju se investimin më kryesor në këto 8 vite është bërë në Shqipërinë rurale, është Shqipëria rurale që ka marrë investimet më kryesore në rrugë, ujësjellës, kanalizime. Në Shqipëri u ndërtuan dhe rindërtuan 1300 shkolla. Në Shqipëri u ndërtuan dhe rindërtuan qindra sisteme kanalizimesh dhe ujësjellësish. Shqipëria hapi një kapitull të ri si Shqipëri turistike, nga 300 mijë vizitorë dhe turistë që ajo pranoi në vitin 2004, kishte 4,7 milion turistë dhe vizitorë, vitin që kaloi. U zotuam se do të sjellim Shqipërinë në moshën dixhitale, në një kohë kur përdorimi i internetit ishte ndër më të ulëtit të botë, rreth 4,8 %,  telefonia celulare ishte ndër më të ultat 38 %, çmimet  e telefonisë celulare ishte stratosferike. Sot përdorimi i internetit është mbi 62 % . Çmimet  e telefonisë celulare janë 3 deri në 5 herë më të ulëta, sipas rastit. Sot shqiptarët lundrojnë në internet, komunikojnë në “Facebook” , duke lënë pas shumë vende të tjera të zhvilluara. Sot ne renditemi në grupin e vendeve me të ardhura të mesme, të larta, ende nuk jemi një vend i zhvilluar, por së bashku në disa tregues themelorë të njeriut, ne jemi renditur në grupin e vendeve të zhvilluara dhe më të zhvilluara të botës. Në rast se në vitin 2001, qytetarët shqiptarë kishin banesa për 1000 banorë , më pak se çdo komb tjetër në Evropë në vitin`1980, në regjistrimin e fundit të 2011, qytetarët shqiptarë kanë banesa për 1000 banorë më shumë se 5 kombe të tjera të zhvilluara të BE-së, më shumë se 5 kombe të zhvilluara të OECD, grupit të vendeve të zhvilluara të botës.

Sot, Shqipëria ende nuk është një vend i zhvilluar, por ajo sot ka krijuar një klasë të fuqishme të mesme, e cila është garante e vlerave mbi të cilat qëndron ky sistem.

Sot janë mbi 340 mijë familje shqiptare që kanë më shumë se 1 banesë. Sot të ardhurat mesatare për frymë janë mbi rreth 8 mijë dollarë. Sot vdekshmëria foshnjore, vdekshmëria amtare në Shqipëri janë një shifrore dhe janë të njëjta me vendet më të zhvilluara. Jetëgjatësia e shqiptarëve është rritur dhe është sot e barabartë me disa nga vendet më të zhvilluara të botës.  Sot, vdekshmëria e përgjithshme është më e ulëta se në të gjitha vendet ish-komuniste.

Në arsim nga një sistem që po rrënohej sot ne kemi 72 % të maturantëve tanë ndjekin universitete dhe nga 92 5 nxënësve që mbarojnë klasat e 9-ta ndjekin shkollat e mesme. Kemi ndërtuar dhe rindërtuar në Lushnje dhe në çdo cep të Shqipërisë 1300 shkolla dhe do të vazhdojmë ta bëjmë këtë. Kemi shtrirë internetin në çdo shkollë, po bëjmë gjithçka për rritjen e cilësisë.

Do ta mbyll këtë fjalë duke cituar një mik tonin, i cili më shkruante dje në Facebook: “Zoti Berisha, ju thoni se të ardhurat mesatare për frymë janë mbi rreth 9000 dollarë. Unë jam vet i katërt në familje dhe unë jam shumë, shumë larg kësaj shumë që ti shpall”: Është e vërtetë nuk është vetëm ai , janë me mijëra  e mijëra familje që janë larg kësaj shume, janë me mijëra familje shqiptare që janë në varfëri  apo qindra të tjera që janë në mjerim , por për të gjykuar këtë qeveri, unë ju ftoj të vështroni se si i ka ndarë kjo qeveri të ardhurat, se si i ka kthyer kjo qeveri rritjen ekonomike, në mirëqenie për qytetarët. Ka një raport të një grupi, i cili tregon se Shqipëria  renditet e katërta në këtë botë, për shndërrimin e rritjes ekonomike në mirëqenie për qytetarët, për shndërrimin e mirëqenies në rrugë, për shndërrimin në shërbim shëndetësor , për shndërrimin e saj në furnizimin me ujë, për shndërrimin e saj në shkollim.

Zgjodha të përgjigjem nga kjo sallë e nderuar dhe të them se kam shumë mirëkuptim për shqetësimin tuaj dhe se do të bëj gjithçka që të ardhurat tuaja dhe të qytetarëve shqiptarë të rriten pandërprerë dhe reformat tona janë histori suksesi. Reformat tona janë histori suksesi, por le të punojmë së bashku ti bëjmë edhe më të suksesshme ato. Ne jemi  njerëz të punës, jemi të sigurtë se në punën tonë bëjmë edhe gabime, meritojmë edhe vërejtje, por ajo që është më e rëndësishme, është se ne kemi prirje të plotë të dëgjojmë zërin tuaj, kemi prirje të plotë të korrigjojmë gabimet tona. Ne kemi prirje të plotë të mos përsërisim gabimet tona.

Dhe dua tu them se nga dita që nisa këto konsulta, këto takime të kësaj natyre, deri në datën 23 qershor, ju dhe vetëm ju do të jeni kryeministri im.

Ndaj dhe unë jam i hapur për çdo pyetje, çdo mendim , çdo sugjerim tuajin. Ne kemi një projekt të shkëlqyer, por ky projekt do të marrë jetë, do të marrë gjallëri vetëm e vetëm pasi të pasqyrojë të gjitha mendimet, pikëpamjet , opinionet tuaja dhe të qytetarëve të tjerë shqiptarë shumë të çmuara për ne.

Pyetje: Ne jemi në Lushnjë dhe ky qytet ka Kongresin  e Lushnjës , një nga tre ngjarjet më të mëdha në historinë  e kombit shqiptar, në veçanti  e theksoj  ngjarja më e madhe në pluralizmin shqiptar, djepi i pluralizmit. Përse data 21 janar nuk shpallet festë kombëtare?

Kryeministri Berisha: Së pari të flasim haptas. Kongresi i Lushnjës e meriton 100% të jetë festë kombëtare, dhe kjo nuk ka pengesë për të ndodhur. I vetmi problem është për ne që fatmirësisht jeni të detyruar që për disa specifika të kemi festa kombëtare më shumë se të tjerët. Mirëpo ditët e shumta të pushimit rëndojnë mjaft sipërmarrjen private dhe në tërësi ekonominë, jopublike. Ne do ta shqyrtojmë me shumë vëmendje dhe do të gjejmë një zgjidhje sepse ngjarja, ashtu siç thatë ju është mrekullia shqiptare, është “de fakto” jetësimi i pavarësisë së shqiptareve, është themelimi, jo vetëm i pluralizmit, por i tërë sistemit demokratik modern të Shqipërisë, është shpëtimi i Shqipërisë nga një copëtim përfundimtar i mëtejshëm , kështu që në histori ajo qëndron krah për krah ngjarjeve të një kombi. Në rrafshin historik, besoj se ju e kemi konstatuar se unë jam përpjekur dhe jo vetëm unë se është bërë një përpjekje e madhe për të vendosur në piedestal, aty ku e meritonte kjo ngjarje, e cila ishte leme në hije për faktin e vetëm dhe më  kryesor se aty kishte luajtur një rol kryesor, ai që më vonë do të bëhej edhe mbreti i shqiptarëve më vonë Ahmet Zogu dhe meqenëse Zogu kishte një pjesë të rëndësishme si ministër i brendshëm, Enver Hoxha të gjithë historinë  e vështroi në raport me paraardhësin e tij. Në këtë kontekst ne kemi bërë shumë përpjekje dhe çdo shqiptar e ka të qartë që kjo është një nga ngjarjet më madhore në historinë tonë kombëtare.

Pyetje: Çfarë parashikon programi i PD-së për arsimin, cilat janë risitë  e këtij programi?

Kryeministri Berisha: Përsa i përket arsimit ne kemi arritur disa objektiva shumë të rëndësishme. Sot ne në ndjekjen e arsimit të mesëm dhe të lartë jemi shumë më mire se disa vende të zhvilluara. Dhe ne duhet ta vazhdojmë këtë. Para pak ditësh kisha një grup të huajsh në zyrë të cilët më pyetën se pse ne  e kishim kaq të lartë frekuentimin  e universiteteve. Iu përgjigja thjeshte se ne e kemi shumë të ulët numrin e të diplomuarve të universitet në raport me popullatën. Në rast se kombe të tjera e kanë tek 25-a, SHBA e kanë 32-33, ne, 5 vite më parë e kemi patur fatkeqësisht 3,4, pasi ishte një politike shumë e gabuar ajo e mbylljes së universiteteve. Tani ne universitet i kemi hapur, shkollat i kemi rindërtuar dhe po i ndërtojmë, kemi shtrirë internetin në çdo shkolle. Ndër drejtimet tona themelore është cilësia për të cilën duhet të bëjmë gjithçka për të rritur këtë në institucionet tona të edukimit. Le të kthehemi serish tek mësuesit. Nuk ka asnjë alternativë tjetër, përveç  kualifikimit të mëtejshëm të trupës arsimore shqiptare. Ne do të bëjmë gjithçka ta orientojmë më fuqishëm arsimin tonë drejt arsimit profesional. Ne nuk jemi në raportin që janë vendet e zhvilluara në raportin mes arsimit të përgjithshëm dhe atij profesional. E kanë pothuajse 1 me 1, ne jemi larg këtij raporti. Pozitive është se viti që shkoi ka shënuar një rritje të ndjeshme të nxënësve që kane preferuar shkollat profesionale. Këto shkolla janë të  një rëndësie shumë të madhe për të përshtatur arsimin me tregun dhe ne do të bëjmë ne reformën e arsimit të mesëm ne do të përpiqemi të adaptojmë modelin finlandez i cili ka bërë që Finlanda prej disa vitesh për arsimin paraunivesitar të jetë në vendet më të parë në botë për cilësinë  e tij, model që bazohet kryekëput në gjuhën, matematiken dhe në një organizëm ku janë nxënësit, prindërit, mësuesit, ndaj dhe kam besim se ecja drejt këtij modeli do të risë shumë cilësinë në shkollën tonë. Ne do të bëjmë gjithçka për cilësinë në universitetet tona , për shtimin e projekteve në këto universitet, inkurajimin   e kërkimit shkencor. Qëllimi ynë është një sistem edukimi sa më i lirë i përshtatur ndaj tregut.

Ne do të bëjmë që gradualisht në dialog me sektorin privat që ata të kontribuojnë në shkollimin në trajnimin më mirë të punonjësve të tyre, si një sistem i vazhdueshëm. Për ne, ju garantoj se arsimi mbetet përparësia e përparësive. Vetëm një Shqipëri e vendosur mbi dijen do të mund të ketë një ekonomi me vlera të shtuara që të bëjë të mëkëmbur qytetarët e saj dhe vendin.

Pyetje: Si e ka ndërtuar PD programin e saj për 4 vjecarin e ardhshëm për vaditjen?

Kryeministri Berisha: Ju falënderoj për pyetjen. Vaditja në të gjithë vlerësimin tim do të jetë projekti më kryesor. Si buxhet do të jetë projekti numër 1 për qeverinë në  katër vite që vijnë. Me jemi përpjekur, psh në Lushnje gjatë këtyre viteve ne kemi investuar në vaditje rreth 658 milion lekë. Kemi pastruar dhe rehabilituar rreth 100 km kanale kulluese dhe vaditëse. Sigurojmë  një vaditje për rreth 35  mijë ha, por kam bindjen më të thellë se ajo që bëmë me rrugë të cilat gjatë dy tre viteve që vijnë përfundojnë, ka vetëm një projekt tjetër të kushtueshëm dhe kjo është rruga e Arbërit, duke  e komletuar Shqipërinë nga të gjitha drejtimet,  e afruam shumë me Tiranën dhe këtë që kemi bërë me rrugët do të bëjmë me vaditjen. Do të bëjmë gjithçka për një sistem vaditje pa ngritje me energji, do të bëjmë gjithçka për një vaditje me shi, pra metodat më të avancuara. Do të bëjmë gjithçka që në të gjithë territorin të kemi sistemin më  modern të vaditjes.

Për ne bujqësia është një potencial i jashtëzakonshëm . Ju mund tu duket çudi, por ne mendjen time dhe në imagjinatën time, ne jemi vetëm në agimin e saj, sepse potencialet e saj janë shumë më të mëdha se këto që kemi ne sot. Ky është një vend i bekuar, ne vërtetë nuk kemi shumë tokë, por e kemi plot me diell, plot me ujë, me njerëz punëtorë dhe kudo që hedh sytë shikon një potencial tjetër të madh për tu shfrytëzuar. Pak kohë më parë isha në Gosë dhe u kënaqa shumë kur pashë ullishtën në një kodër të lartë dhe vaditjen me pika, por ajo që më bënte më ambicioz është se kodra të tjera shumë më të mëdha se ajo prisnin të bëheshin ullishte. Pra, në këtë përpjekje për të bërë Shqipërinë  një vend të zhvilluar, jam i bindur se bujqësia ka dhe do të ketë peshë ndër më kryesoret. Këtë radhë ne kemi marrë një seri masash. Kështu do të fusim një paketë të re, në mënyrë që fermeri shqiptar të mund të konsolidojë fermën e tij, të mund të shndërrojë atë në një biznes të vërtetë. Ne po heqim çdo taksë, mbi çdo import, që lidhet me prodhimin bujqësor, blegtoral dhe të gjitha nëndegët. Çdo import që lidhte me përpunimin e tij  për ne kjo paketë është të paktën 5 herë më e kushtueshme në buxhet se sa akciza e naftës të cilën edhe nuk e përjashtoj. I vetmi problem për ne është që të gjejmë skemën që të vijë direkt tek ju dhe të mos përfundojë xhepat e zyrtarëve të korruptuar. Edhe njëherë ju garantoj se vaditja është projekti numër 1 si investim për të 4 vitet që vijnë.

Pyetje: PD është gjithmonë  e mirëpritur në Lushnje, se Lushnja ka qenë qendër kryesore e të arrestuarve dhe të internuarve. Unë dëgjova zotërinë për “Kongresin e Lushnjës” dhe ka shumë të drejtë. Por dëgjova në TV se ajo banesë po rrënohet  Bëni mirë të caktoni një fond për mirëmbajtjen e saj. Ne të përndjekurit politikë jemi shumë të vjetër dhe nuk jemi mirë as nga shëndeti. Jo më larg se vjet kur shtrova gruan në spital kam blerë çdo muaj një gjilpëre që kushtonte 59 mijë lekë të vjetra. Ai shpërblimi ynë po zvarritet pak si shumë dhe ne i duam ato para të mirëmbajmë shëndetin. Nuk bëhen të përndjekurit të pasur me ato lekë që do të marrin, por ne na nevojiten sepse dekorata pas vdekjes nuk duam. Duam ti kemi për shpenzimet tona dhe po patët mundësi na i shpejtoni pak. Për faj të administratës janë bërë disa gabime dhe unë ju kam drejtuar ju letër tre herë dhe vetëm kur më vjen një letër që ju drejtohet edhe atyre edhe mua me urdhër të kryeministrit. Nuk e di a jeni marrë ju vetë personalisht me këtë letër, ...

Kryeministri Berisha: Patjetër që unë merrem me letrat tuaja

..(vijon pyetja) Tani na del edhe një  problem në ministrinë  e drejtësisë, ne e kemi vajtur edhe atje, duke shpenzuar shumë lekë për vajtje-ardhje atje dhe për të rregulluar ato dokumenta. Gjithashtu, për çështjen e “të pushkatuarve  pa gjyq” ka qënë një rregull dhe ne kemi bërë një gjyq që të vërtetojmë këtë fakt. Tani na del se duhet edhe një letër nga Komisioni trepalësh. Tani përsëri duhet të shpenzojmë megjithëse unë kam një vendim gjyqi që e vërteton këtë. Kërkoj ndihmën tuaj për ta zgjidhur Nuk jam vetëm unë me këtë problem. Të përndjekurit janë anëtarë të PD , me përjashtim të ndonjërit që i ka borxh regjimit të kaluar.

Kryeministri Berisha: Në radhë të parë ju falënderoj për ndërhyrjen dhe ju garantoj se ke mirëkuptimin tim të plotë për shqetësimin që shpreh. Por jemi këtu dhe le të diskutojmë hapur me  njeri-tjetrin. Disa vite më parë unë jam ulur me përfaqësues të shoqatave tuaja dhe diskutuam se cila do të jetë forma që do të mbahej. Në ato takime u diskutua për dy forma. Njëra do të ishte një pension shumë i mirë , i cili ju zgjidhte ju problematikën e jetës së përditshme, një formë kjo e përdorur në shumë vende. Forma tjetër ishte një dëmshpërblim në përputhje me ligjet e vendit, i cili kishte një faturë të përballueshme, por gradualisht. Përfaqësuesit tuaj insistuan dhe përzgjodhën këtë të dytën. Unë rashë plotësisht me ta, pasi unë bie dakord me ju. Ne filluam dhe vazhdojmë shpërndarjen. Ju garantoj se do të bëjmë gjithçka për ta shpejtuar. Gjatë rrugës ndeshemi në shumë vështirësi , jo vetëm me ato që ju i paraqitët, por prapë se pra detyrohemi të ndërhyjmë në ligj. Psh janë një seri bashkëvuajtësish tuaj që kanë qëndruar heroikisht në Spaç dhe në kampe të tjera. Ligjet e asaj kohe i kanë quajtur terroristë. Ata kanë bërë qëndresën me legjitime, më qytetare dhe tani ligji duhet të ndryshojë dhe me të drejtë. Erdhi problemi i të pushkatuarve pa gjyq. Ata të pushkatuarit para vitit 44 duan të gjithë drejtësi dhe jam plotësisht dakord se ne zgjodhëm këtë rrugë. Ne nuk zgjodhëm rrugën e pensionit. Se pensione japim ne, por jo atë pension të asaj vlere sa të zgjidhje problemin ekonomik. Pra edhe këta duhet të shtohen. Shtimi i tyre përsëri ndërhyn në skemë. Po me përfaqësuesit tuaj ramë dakort që personave mbi 85 vjec tu disbursojmë të gjithë shumën. E vërteta është që kjo ndërhyri serish në ritin e shpërndarjes. Por është zgjidhur, ka përfunduar. Do të bëjmë gjithçka për të përshpejtuar , por jam i bindur se PD do ti qëndrojë 100 % dhe tërësisht zotimit që ka me ju si një kontratë e pashkelshme  e saj . Ajo që kemi vendosur është bërë me vetëdije të plotë, është bërë me bindjen më të madhe se e meritoni plotësisht. Unë kam mirëkuptim për të gjithë problematikën që ngrihet. Dhe ju falënderoj për problematikën që ngritët ju për të pushkatuarit pa gjyq dhe raste të tjera. E vetmja gjë që kërkoj dhe do të thosha nuk kanë moral të flasin dhe nuk po i  marr unë si trashëgimtar se janë të tillë 100 % , por nuk kanë moral të flasin ata, të cilët 8 vjet nuk dhanë 1 qindarkë për këtë shtresë dhe disa eksponentë të përndjekur politikë që shkuan pas tyre, shkuan ambasadorë apo morën ofiqe të tjera, nuk treguan as interesin më të vogël për martirët e gjallë të vlerave njerëzore që janë të burgosurit dhe të përndjekurit e regjimit komunist.

Pyetje: Edhe më parë dhe tani u diskutua për tvsh e makinerive. Deri tani nuk është botuar në fletoren zyrtare vendimi për tvsh-në  e makinerive dhe nuk e dimë kur do të funksionojë. Çfarë impakti do të japë, është bërë ndonjë parashikim?

Kryeministri Berisha: Së pari nuk janë vetëm makineritë, por tvsh do të hiqet për çdo lloj importi blegtoral dhe bujqësor që ekziston . Është një listë shumë e gjatë, e cila do të përjashtojë ndoshta farën e grurit që të mos dëmtojë ata që përgatisin farën në Shqipëri se janë shumë fermerë të cilët përgatisin farën e grurit, do të përfshije fidanët, në mënyrë që të mos dëmtojë fidanët brenda vendit dhe për këtë do të gjejmë mënyrën se si do të përfshihet dhe me këtë hap ne përjashtojmë pra heqim tvsh për gjithçka që ju do të blini si fermerë ose që do të sillni nga jashtë. Kjo është masa më radikale që mund të jetë marrë dhe që mund të merret në këtë aspekt. Kjo nuk u botua sepse këshilli i Biznesit solli një seri vërejtjesh të drejta në hartimin e vendimit, pasi formulimi i tij e bentë me burokratik vendimin dhe ekspertët, specialistet, ministria e financave dhe ministria  e bujqësisë i mblodhën të gjitha ato dhe unë në mbledhje kërkova ky vendim të riformulohet në përputhje me sugjerimet e këshillit të Biznesit, të cilat ishin shumë të drejta. Pasoja për ne është serioze në buxhet, një pasojë e cila nuk llogaritet kaq saktë , por të paktën 50 milion euro do ti mungojnë buxhetit nga kjo faturë. Por nga ana tjetër kjo do të kthehet në punësim, do të kthehet në rritje prodhimi dhe ne mendojmë se po veprojmë shumë drejt, pasi po bëjmë gjithçka për të rritur prodhimin, për të rritur punësimin. Ky është besimi ynë se mund të nxisim rritjen ekonomike të vendit. Suksesi i reformave të para ishte spektakolar. Ato reforma mbrojtën Shqipërinë nga rënia në krizë. Këto reforma duhet ti japin Shqipërisë  një rritje të ndjeshme ekonomik pasi kriza do të edhe për shumë vite në vendet perëndimore. Për sa i përket përjashtimit të tvsh , do ta diskutojmë me financat. Nuk mund ta them këtu, pavarësisht nga dëshira ime , por këtë duhet ta diskutoj me ministrinë  e financave dhe specialistët. Shpresojmë të arrijmë në  një përfundim pozitiv, besoj e ke fjalën për grantet , por më duhet ta diskutojmë bashkërisht me institucionet përkatëse. Lajmi i mirë është se për herë të parë ne përfshijmë edhe fonde të BE me grantet dhe kjo është një arritje shumë e madhe për të cilën kemi insistuar shumë. Pra krahas fondit të buxhetit, kemi shtuar edhe 1 miliard lekë të reja  për grantet dhe bëjmë çmos të gjejmë burime të reja. Psh, por të ishte statusi i vendit kandidat, çdo shqiptar do të kishte 50 euro për frymë , çka do të thotë 150 milion euro më shumë . Natyrisht bujqësia do të ishte një nga ato që do të përfitonte shumë mirë nga këto fonde, por çështjen e tvsh unë do ta diskutoj me ministrinë  e Financave.

Pyetje: Cili është vizioni juaj për shëndetësinë në Lushnjë dhe në të gjithë Shqipërinë gjatë mandatit tuaj të tretë, dhe cilat janë avantazhet që ofroni në dallim nga kundërshtarët tuaj politikë?

Kryeministri Berisha: Ju falënderoj për pyetjen. Çfarë kemi ne sot si një vend për kushte tregu më të mirën në sektorin tonë shëndetësor. Kemi diçka dhe kjo është aksesi i lirë , mundësia për tu vizituar dhe për të bërë analizat në kohën më të shkurtër. Unë ju garantoj se vende më të zhvilluara i kanë rradhët më të mëdha se ju sot për të bërë një ekzaminim dhe një operacion. Një studim tregon se Shqipëria renditet e treta në Evrope për paraqitjen e lirshme, ose marrjen e shpejtë të takimit me mjekun për sa i përket analizave në tërësi, si dhe të operacioneve. Kjo është një gjë shumë pozitive dhe ne duhet të bëjmë gjithçka që të mos lejojmë burokracinë që të na rrëmbejë. Se një sukses që arrihetn në se nuk kujdesesh për të të ikën se nuk ka sukses njëherë e përgjithmonë. Së dyti , ne kemi një kujdes të mrekullueshëm për nënën shtatzëne dhe ky kujdes është objekt i vlerësimeve më maksimale dhe shkrimeve më pozitive në botë. Ne duhet të bëjmë gjithçka që ta përmirësojmë më tej, duke i krijuar çdo lehtësi këtij kujdesi. Ne kemi arritur një nivel vdekshmërie foshnjore njëlloj me disa vende të zhvilluara dhe nuk ka tregues më të ndjeshëm se kjo.Ne duhet të bëjmë gjithçka ta konsolidojmë këtë sukses. Ne kemi problematikën tonë në sistemin shëndetësor dhe ajo për fat të keq është kryekëput burokratike. Në njërën anë ne kemi listë të rimbursimit ndër më të plotat në botë. Një ditë më thoshte një mik i imi në "facebook" se ato janë ilaçe të ulëta në çmim, pasi ju nuk keni futur ilaçet për parkinsonin. Ai u gëzua shumë kur unë e njoftova se ne i kemi fiutur edhe ato ilaçe. Në listë ne kemi futur ilacet më të  mira, më kryesore, natyrisht jo çdo ilaç. Problemi eshtë se zotëria me të drejtë thotë se bleu 59 mijë lekë një gjilpëre. Kjo është absolutisht e papranueshme. Prandaj do të bëjmë gjithçka që kësaj ti japim fund sepse kjo nuk vjen nga mospasja. Në se do të ishte kështu nuk mund të fusnim në listë 1460 medikamente në listë si kryesore dhe alternative. Por ne i kemi futur dhe kemi mundësi. Një ditë po diskutohej për hemodializën. Ka patur 40 të sëmurë të tillë në vitin 2005, çfarë bëhej me të tjerët? Të tjerët ishin të dënuar me vdekje, por kësaj here jo nga gjykata, por nga shëndetësia e cila i linte ata në fatin e keq të sëmundjes së tyre. Sot çdo pacient me këtë sëmundje futet në hemodializë dhe ne shpenzojmë 8 milion dollarë në vit për ta, pa llogaritur 500 dollarë çdo muaj për eritropoetinën, medikamentin qe nevojitet për dializë. Por ata e meritojnë këtë shërbim , pasi ata janë vëllezër, motra, burra, gra të kësaj shoqërie. Pra, i nderuar doktor, ne duhet të bëjmë gjithçka për një menaxhim sa më të mirë të këtij sistemi. Po të vini në Tiranë dhe jo vetëm në Tiranë do të gjeni aparaturat moderne diagnozën dhe kjo është e domosdoshme. Problemi është se ka disa mungesa të pafalshme , por këto janë çështje të menaxhimit. Ne do të garantojmë kujdesin shëndetësor, në përputhje me kushtetutën e vendit për çdo njeri dhe nuk lëvizim kurrë nga ky parim. Por të gjitha vendet që kanë një sistem shëndetësor me integritet të lartë e kanë të bazuar në sigurimet shëndetësore. Dhe sigurimi shëndetësor është detyrimi i parë që do të paguante cdo qytetar, sepse paguan për veten e tij, për fëmijët e tij. Pra, do të përmirësojmë menaxhimin. Dimë problemet që kemi. Do tu japim atyre përgjigjen më të mirë  dhe do të bëjmë gjithçka për zhvillimin e mëtejshëm për shëndetin. Ne duhet të jemi ambicioz për rritjen e jetëgjatësisë.

Pyetje: Në lidhje me politikat pro gruas, përfshirja e saj në politike, lufta kundër dhunës, si edhe mbështetja me kredi të buta.

Kryeministri Berisha: mendoj se politikat pro gruas, ashtu si e formuluat ju janë jetike për emancipimin e shoqërisë, por edh për zhvillimin e saj. Një shoqëri e cila nuk shfrytëzon potencialin e gjysmës së saj ka vështirësitë më absolute për tu zhvilluar. Kjo për sa i përket rrafshit zhvillimor. Përsa i përket rrafshit moral, në rrugën e tij të gjatë njerëzimi ka ndërtuar një mur dhe ky ëhtë muri i pabarazisë, është muri i sundimit të burrit. Është dhunuesi me kryesor i lirive dhe të drejtave njerëzore sot, ky mur. A e trajtojmë ne si qeveri apo si forcë politike këtë problem. Unë ju garantoj se ne bëjmë përpjekjet më të mëdha. Ju shtruat një pyetje shumë të drejtë se çmendoj unë për pjesëmarrjen. Në administratë, jo në nivelet më të larta, por në nivele të larta e më poshtë, shumicë janë vajzat dhe gratë, por nuk janë në pozicionet më të larta vendimmarrëse, cka do të thotë një përpjeke e dytë e madhe duhet bërë që ato të ngrihen dhe të marrin pozicionet më të larta që meritojnë. Përfshirja e tyre është jetike. Në të gjithë shekullin që shkoi karriera është një nga faktorët më përcaktues në përpjekjet për barazim midis burrit dhe gruas, pra ndjekja e karrierës. Në këtë aspekt Shqipëria ka bërë një përpjekje të madh , kështu në universitet tona me 8 % dominojnë vajzat, dhe kjo është shumë pozitive, por duhet të bëjnë gjithçka që ato të ndjekin karrierën. Nuk ka më të rëndësishme për një grua se sa të ndjekë karrierën, të faktojë se ajo nuk është vetëm nënë fëmijësh, dhe grua burri apo nënë  shtëpie. Është me shumë se kaq, është edhe drejtuese, specialiste, eficente në fushën ku ajo ka studiuar. Kemi  një rezultat inkurajues. Në vitin 2005 kur erdhëm në pushtet unë studiova një raport të BB, i cili tregonte se diferenca në paga midis burrave dhe grave në këtë vend ishte e paimagjinueshme, 36 b% që në pamje të parë nuk duhet të ekzistonte. Sepse burrat ishin të vendosur të gjithë në pozicione ku rrogat ishin më të larta. Ndërhyrjet tona nuk kanë qenë të paqëllimta në arsim dhe në shëndetësi, dy sektorë të cilat dominohen bindshëm nga gratë, si dhe disa ndërhyrje të tjera. Në vitin 2008 ky raport ka zbritur në 17,7 %, duke qenë se 17,6 e ka mesatarja  e BE. Kjo nuk është e mirë dhe duhet ulur më tej sepse pabarazia financiare është një shkak madhor i efekteve negative të pabarazisë gjinore. Përsa i përket kreditimit kemi kërkuar nga bankat dhe sektori privat që tu jepet grave ky kredit. Edhe grantet në bujqësi unë kam kërkuar tu jepen kryefamiljareve zonja. Është e rëndësishme të bëjmë çdo përpjekje për pushtetërimin financiar dhe të instalojmë konceptin e bashkëkryefamiljarit në rrafshin familjar. Përsa i përket dhunës, edhe pardje kam patur takim me ministrin e drejtësisë dhe i kam kërkuar përsëri të sjellë ligjet në qeveri dhe në parlament për tre vepra penale, vrasja e policit, gjakmarrja dhe dhuna kundër gruas. Do të bëjmë gjithçka që të rreptësojmë ligjin. Është shumë e rëndësishme që të krijojmë një opinion kundër saj. Sepse ky krim familjar ëhët forma më e shëmtuar e krimit. Unë jam i bindur se do tja dalim, është e vështirë, por nuk është e pamundur që të ndikojmë fuqishëm.

Pyetje: Gjatë këtyre 4 viteve çfarë do të bëjë PD në programin e saj lidhur me higjienën e mjedisit, psh ndarjen në tre grupe të mbeturinave, në mënyrë që të përmirësojmë mjedisin?

Kryeministri Berisha: Turizmi është degë kryesor  e ekonomisë shqiptare, degë kryesore  e ekonomisë lushnjare. Në qoftë se vështrojmë në Lushnje, tre janë potencialet e saj më të mëdha, njerëzit, bujqësia dhe turizmi. Në këtë periudhe ne kemi investuar shumë në infrastrukturën e turizmit. Tani jemi përqendruar maksimalisht në ujërat dhe në mbetjet e forta. Përsa i përket ujërave , janë në ndërtim e sipër 14 impiante nga Velipoja në Ksamil dhe shumë shpejt ujrat  e deteve dhe të liqeneve shqiptare do të jenë ndër më të pastrit në Evropë. Problem mbettë çështja e mbetjeve të forta. Praktika e land-fillve nuk po i jep përgjigjen e dëshiruar këtij probklemi. Do të bëjmë gjithçka që të kalojmë në metoda të tjera sic janë djegjet dhe përftimi i energjisë prej tyre. Pa diskutim, turizmi ëhstë dhe mbettë drejtim themelor i yni dhe në këtë kontekst në funksion të tij kemi bërë dhe do të bëjmë investimet më të mëdha të mundshëm. Në 4 vitet që vijnë ne do të kalojmë në nëj formë tjetër  të parapërgatitjes së projekteve për investitorë, në mënyrë që të tërheqim grupet e mëdha të menaxherëve dhe të ndërtuesve turistikë të Evropës dhe të botës. Potenciali ynë është shumë i madh . Inauguruam një vit më parë rrugën nga Divjaka tek Pushimi i Shoferit. Më ka mbetur në mendje një breg fantastik tërësisht i virgjër me potencial të jashtëzakonshme dhe si ai segment ne kemi shumë segmente të tjera.

Pyetje: Duke shkuar në çdo fshat, duke ardhur të sëmurë tek ne, prodhuesit na shtrojnë këtë pyeteje: Ne prodhojmë dhe prodhimi është shumë i mbarë por ai nuk na shitet. Si do të bëjmë që të shitet ky prodhim dhe të mos vijë nga jashtë ky prodhim.

Kryeministri Berisha: Heqja  e tvsh nga çdo lloj imputi, makinerive, plehrave kimike, kimikateve dhe çdo gjëje tjetër synon që taa të ulin koston e prodhimit, synon që ata të shesin me çmim edhe më të lirë dhe prapë të fitojnë se do kenë shpenzime më të pakta, synon në themel ti bëjë më  kompetitiv me vende  të tjera. E vërteta është se ne iu bëjmë një lloj mbrojtje, por ajo është si një ilaç, sikur ti japim një aspirinë për dhimbje koke, por ajo nuk është zgjidhja sepse nuk ka gjë më të fuqishme në zhvillim se sa tregu i lirë, por me këto masa që marrim ne iu japim një ndihmë substanciale duke hequr çdo lloj takse mbi imputet.

Pyetje: Si mjeke evidentojmë se ka rënë cilësia e prodhimeve bujqësore. Kështu domatet nuk janë më cilësore dhe shpeshherë përdorin bojë. Çfarë masash do të marrë qeveria që të përmirësojë cilësinë  e prodhimeve , duke i përafruar ato me prodhimet evropiane?

Kryeminisri Berisha: Përsa i përket përdorimit të kimikateve edhe mund të ketë fermerë që i përdorin, por prodhimet e këtij vendi janë më të mirat në botë. Ndaj dhe duhet të bëjmë gjithçka që ti ndërgjegjësojmë qytetarët që ti preferojnë çdo ditë e më shumë prodhimet e fermerëve tanë. Nuk e përjashtojmë faktin që mund të bëjnë ndonjë hile, por në tërësinë e tyre ato mbeten prodhimet më të mrekullueshme. 

Qytetari: Para se ti përgjigjeni këtyre pyetjeve dua të them diçka në lidhje me akuzat e paimagjinueshme, me gënjeshtrat e përmasave kaq të mëdha të PS për korrupsionin e Sali Berishës. Si mjek kam njohur shumë kolegë të ndershëm, si Profesor  Bajram Preza, Ylvi Vehbiu, Xhavit Gjata, në fushën e neurologjisë, si dhe Ylli Popa, Petrit Gaçe, Sali Berisha, etj, ne fushen e kardiologjise. Nga të gjithë këta më i ndershmi ishte Sali Berisha në fushën e tij. Dhe tani habitem se si ky mjek, pra Sali Berisha ka qenë kaq i ndershëm, kaq human në lidhje me të sëmurin dhe të korruptohet kur futet në politikë? Mua më duket e pabesueshme.

Kryeministri Berisha: Opozita sulmon dhe është në tagrin e saj të sulmojë, por tani po të them një gjë meqë jam këtu para këtyre qytetarëve. Sulmet më të pandjeshme ndaj meje, unë konsideroj sulmet e opozites. Kundërshtaret  e mi politikë duhet ta dinë se sekreti i jetëgjatësisë sime politike qëndron para së gjithash dhe mbi të gjitha në një fakt. E kam nisur karrirën time me një apartament prej 83 m2. Gjatë 20 viteve jetoj në një apartament me 125 m2 dhe po qe se do të kisha ndjekur rrugën e parave, atë do ta kisha të hapur si të gjithë të tjerët. Isha një mjek kardiolog, do të kisha klinikën time private apo të tjera me rradhë. Unë kam bërë një zgjedhje dhe i qëndroj asaj në mënyrë të pathyeshme, të hekurt. Kjo është e gjithë çështja.

Pyetje: Jam një fermer nga zona e Krutjes. Në këtë zonë shumica  e familjeve ka nga 2-3 dynymë sera për familje dhe sipërfaqja e serave ka arritur në 120 ha. Pyetja ime kishte të bënte me tvsh për të cilën u informuam dhe ju falënderojmë. Pyetja tjetër kishte të bënte me heqjen e çmimit të referencës, në pikun e prodhimit të serave. 

Kryeministri Berisha: Po të hiqet çmimi i referencës, ai është një farë pragu se po u hoq edhe ai, mallrat e importit hyjnë fare lirshëm pastaj. Kur ju jeni në pikun e prodhimit, po të heqim çmimin e referencës për mallrat  e importuara, kjo bën që të hyjnë më shumë mallra.

Qytetari: Zoti kryeministër, e kam fjalin për mallrat që dalin nga Shqipëria..

Kryeministri Berisha: Po pse keni çmim reference? Erblin, në qoftë se ka çmim reference për ju që eksportoni..., por unë nuk e di që të ketë. Sidoqoftë, gjithçka do të verifikoj.

Pyetje: Rezymenë  e punës suaj dhe tonës, jo se e bëtë ju këtu, por ne si qytetarë e ndjekim në çdo moment. Ju përshëndes për ardhjen tuaj në Lushnje se Lushnja është e PD-së dhe e Sali Berishës. Meqenëse Lushnja është vend bujqësor, mund të them se jeni pak të vonuar me bujqësinë, por hapat  e parë u hodhën. Këtë e them pasi ju dhatë vendimin e qeverisë për heqjen e tvsh-së dhe në të gjithë zonat bujqësore që ne dolëm , fermerët ishin të kënaqur me këtë vendim.

Për mendimin tim duhet ti jepni edhe më shumë rëndësi bujqësisë në 4 vitet e ardhshme, pasi ne do ta marrim edhe njëherë mandatin për herë të tretë.

Kryeministri Berisha: Ju falënderoj shumë për mendimet që dhatë, në qoftë se çdo njeri do të ulet dhe do të analizojë këto 8 vite do të gjeni që të paktën dhe të garantoj për këtë , 2/3 e të gjitha investimeve ose mbi 3 miliard dollarë janë bërë vetëm në Shqipërinë rurale. Këto janë rrugë para së gjithash, në Lushnje rrugë kombëtare është distanca Rogozhinë-Fier, por në Lushnje ne kemi ndërtuar 272 km rrugë në të gjitha komunat, në zonën kodrinore dhe prapë kemi shumë km për të ndërtuar. Së pari ne do të ndërtojmë rrugën si kushti kryesor që fermeri të dalë në treg. Kam shkuar njëherë në një fshat në Berat dhe aty gjeta një serë shumë të mirë e cila prodhonte domate të shkëlqyera. Por atë fermer e gjeta në gjendje depresive. Ai kishte jo më shumë se një distancë prej 500 metrash nga rruga automobilistike kryesore, por me gropa të atilla sa asnjeri, u shpreh ai, se fut kamionin deri këtu dhe gjithçka po më kalbet. Mirëpo nisma për të ngritur një infrastrukturë rurale të tillë është më e kushtueshmja. Edhe këtu në Lushnje kemi ndërtuar 270 km , por përsëri kur pyes cilat janë ankesat, përsëri më thonë rrugët, nuk janë rregulluar rrugët mes fermave më thonë. Dhe kjo është shumë  e drejtë. Ne kemi parimin që megjithëse banon në fshat, rrugët duhet të jenë njësoj me lagjet e qytetit, po ashtu dhe shkollat, energjinë elektrike, ujin dhe kanalizimet. Në Lushnje ndërtuam 35 sisteme ujësjellësash dhe kanalizimesh. Në Lushnje  kemi ndërtuar dhe rindërtuar mbi 30 shkolla, pra ne kemi një koncept të drejtë. Zhvillimi rural dhe sigurisht bujqësia është themelore, por në qoftë se nuk do të bënim këto dhe nuk bëjmë këto, fshati përsëri mbetet në vështirësitë më të mëdha. Tani vendosëm këtë paketë sepse kemi avancuar shumë me infrastrukturën. Pra, edhe njëherë të dashur miq, dua tu garantoj ju, se në qoftë se merret lista e investimeve nga 2005 e deri më sot dhe mblidhet shuma , investimet më të mëdha në distancë i ka marrë dhe do ti marrë Shqipëria rurale, sepse pa zhvillimin e saj Shqipëria nuk mund të bëhet kurrë një vend i zhvilluar. Nuk mund të kesh kurrë një Shqipëri me qytet të zhvilluar dhe me fshat të rrënuar. Ne do të bëhemi të zhvilluar vetëm atëherë kur kudo ku jetojnë shqiptarë, të jetojnë si në një vend të zhvilluar.

Pyetje: Dua të ndalem pak në aspektin tuaj si kryetar Partie. Cfarë keni bërë ju personalisht, këtu në PD në Lushnje, sepse vetëm ardhja juaj sot i bashkoi demokratët sepse këtu ka shumë të pakënaqur, le ta themi hapur këtë. Zoti Berisha, lushnjarët janë me PD dhe ne do të fitojmë . Por edhe kundërshtari ynë politik thotë që do të fitojë , Lushnjën ata e përdorin si një levë . Duhet një punë me e mirë si nga ju ashtu dhe nga strukturat e tjera, për të sheshuar problematika të ndryshme ashtu sic u bashkuam sot me ardhjen tuaj këtu.

Kryeministri Berisha: Për sa i përket PD-së, unë jam shumë optimist që 23 qershori do ti japë në Lushnje, Partisë Demokratike, fitoren më të thellë, por kjo arrihet kur të gjithë mbështetësit  e saj , të gjithë simpatizantët e saj të trokasin njerëzisht në cdo zemër, në cdo derë dhe jo me salltanete dhe eufori, por me arsyetim dhe mirëkuptim. Ta dëgjojmë zërin e çdo qytetari dhe të bëjmë çdo sqarim. Një gjë është shumë e vërtetë, ne mbajmë premtimet. Dje ju e patë tunelin e Elbasanit. Ju garantoj se në vitin 2005 nuk e kisha menduar ndonjëherë se mund ta bënim ne, por ja u bë.

Pyetje: Kisha një pyetje lidhur me çmimin e energjisë elektrike për ata që kanë sera, pasi ata paguajnë 20 % më shumë se të tjerët.

Kryeministri Berisha: Erblin, për serat me ngrohje ne ndihmuam që ato të kalonin nga nafta në hidrokarburet më të lehta. Sa për çështjen e energjisë nuk mund ta marr përsipër pa e shqyrtuar problemin si qëndron në përputhje me mundësitë dhe rregullat. Me energjinë elektrike ecet me kategorizime. Normalisht, vendet favorizojnë bizneset në raport me qytetarët. Këtu është e kundërta. Ne jemi përpjekur për arsye të njohura të marrim çmime më të arsyeshme për qytetarët dhe më të larta për bizneset. Duke ruajtur çmimet për qytetarët dhe në buxhet kjo ka një kosto shumë të lartë dhe mirë kemi bërë. Ne mund ta shqyrtojmë këtë problem sepse ka shumë mundësi se rritja që u bë për bizneset nuk ka ekzistuar 3-4 vjet më parë dhe në rast se është kjo ne përsëri do të ndalemi në rritje. Sepse ka mundësi se është një rritje e 2-3 viteve të fundit.

Ju faleminderit!


16/02/2013

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›