Kryeministri Berisha dënon aktin terrorist në Indi

Kryeministri Sali Berisha dënoi sot me ashpërsinë më të madhe, aktin barbar të terroristëve në Mumbai, Indi, si pasojë e të cilit humbën jetën shumë qytetarë të pafajshëm dhe u plagosën qindra të tjerë. Sipas zyrës së shtypit pranë Kryeministrisë, Kryeministri Berisha bashkohet me dhimbjen e thellë të familjarëve të viktimave duke i shprehur atyre ngushëllimet më të sinqerta, si dhe i uron shërim të shpejtë të plagosurve.
Gjithashtu, përmes njoftimit për shtyp, Kryeministri Berisha shpreh ngushëllimet më të thella dhe solidaritetin për qeverinë dhe popullin indian. "Ky akt është një fakt tjetër që dëshmon se terrorizmi mbetet rreziku kryesor për jetën e njerëzve të lirë dhe se lufta me vendosmëri kundër tij është vendimtare për të fituar betejën kundër armikut aktual më të egër. Qeveria shqiptare mbështet të gjitha veprimet e autoriteteve indiane me besimin e plotë se shkaktarët e tragjedisë do të dënohen me ashpërsi, duke marrë përgjigjen e merituar", përfundon njoftimi për shtyp.