E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha dhe zonja Liri Berisha vizitojnë të moshuarit e Qendrës së Kujdesit për të Moshuarit në Tiranë, për t’ju uruar Vitin e Ri

Kryeministri Berisha dhe bashkëshortja, zonja Liri Berisha ishin sot mes të moshuarve të Qendrës së Kujdesit për të Moshuarit në Tiranë, për të ndarë me ta urimin për vitin e ri.

“Uroj të gjithë të moshuarit e Shqipërisë kudo që janë. Ju uroj shëndet, jetë të gjatë e mbarësi vitin që vjen.”

Kryeministri Berisha tha se është shumë e rëndësishme që shërbimet e kujdesit ndaj grupeve më të ndjeshme të shoqërisë të karakterizohen nga “ajo ngrohtësi, njerëzi e dashuri që kemi në familjet tona.”

Ky fundviti përkoi edhe me rikonstruksionin e mjediseve të kësaj Qendre, me fondet e buxhetit të shtetit në vlerën 50 milionë lekë. Me investimin e bërë është rritur kapaciteti i Qendrës, kushtet e akomodimit dhe cilësia e shërbimit. Me kapacitetet e reja Qendra është e gatshme të ofrojë shërbime jo vetëm rezidenciale për të moshuarit, por edhe ditore.

“Ju siguroj se do të bëjmë gjithçka për kushte gjithnjë e më të mira. Ju uroj gëzuar familjarëve tuaj kudo që janë dhe shpreh kënaqësinë time se sëbashku e festojmë vitin e ri në kushte shumë më të mirë se 3-4 vjet më parë në këtë shtëpi,” u shpreh Kryeministri, ndërsa apeloi për më shumë mbështetje nga biznesi dhe shoqëria në tërësi për ta. Kryeministri siguroi se përmirësimi i jetës dhe cilësisë së shërbimit ndaj tyre do të jetë gjithnjë një përparësi madhore.

Një urim për një vit të gëzuar, të moshuarit morën edhe nga zonja Berisha. “Kam kënaqësi kur vij tek ju për të gjithë ngjarjet e festat që ju keni, me dashuri, mirënjohje e nderim të madh për ju e për veprën tuaj. Ju siguroj se do të jemi gjithnjë pranë njëri-tjetrit. Ju uroj një vit të mbarë, të shëndetshëm e të gëzuar me njëri-tjetrin, në këto kushte kaq të mira që ju janë krijuar.”

Një moment të veçantë krijoi edhe aktorja e mirënjohur, Artistja e Popullit Drita Pelingu, me recitimin e vargjeve “Ti Shqipëri më jep nder”, marrë nga poema “Bagëti e bujqësi” e rilindësit Naim Frashëri.

Përshëndetja e Kryeministrit Berisha në Qendrën e kujdesit për të moshuar.

“Të dashur nëna e baballarë, gjyshe e gjyshër që banoni në këtë shtëpi, së pari shpreh kënaqësinë që ju takoj përsëri, por ju takoj në kushte më të mira. Herën e fundit që u takuam, ne dëgjuam shqetësimet tuaja, bëmë disa premtime dhe ato janë realizuar. Shtëpia sot është krejt tjetër. Me një investim prej 50 milionë lekë, kjo tashmë është një shtëpi funksionale me kushte optimale për vendin. Dua t’ju siguroj se interesi ynë për t’ju lehtësuar juve jetën është një interes i madh në rritje. Kur kam ardhur për herë të parë këtu, gjeta se 80 përqind të pensionit ju e depozitonit në shtëpinë ku rrini, për ushqim. Këtë raport ne e kemi ndryshuar në mënyrë rrënjësore. Ne kemi rritur mbështetjen e gjithanshme për moshën e tretë.

Shtëpia ka kapacitet ende të pashfrytëzuar, por kapaciteti i saj është rritur me qëllim që të mund t’i shërbejë edhe nënave e baballarëve të tjerë, të cilat nuk kanë mundësi të shërbehen në shtëpitë e tyre dhe këtu ka një personel të kualifikuar. Këtu ekzistojnë të gjithë mundësitë me shërbime të gjithanshme.

Ju uroj gëzuar Vitin e Ri! Uroj të gjithë të moshuarit e Shqipërisë kudo që janë. Ju siguroj se për ne, shtëpitë e të moshuarve, përmirësimi i tyre, përmirësimi i cilësisë së shërbimit do të jetë gjithnjë një përparësi madhore. Me interes mora vesh se kjo shtëpi funksion edhe si shërbim ditor. Kjo është shumë pozitive. Ndaj edhe këto shërbime do të shkojnë duke u zgjeruar. Vetë jeta është e tillë, saqë i bën ato, të domosdoshme për shoqërinë. Zhvillimi i shoqërisë është i tillë, lëvizja e njerëzve është e tillë. Këto shërbime janë edhe në vendet më të pasura, edhe në vendet më të zhvilluara. Ato janë një zhvillim i pashmangshëm. E rëndësishme është që të sjellim në këto shërbime atë ngrohtësi, njerëzi e dashuri që kemi në familjet tona. Kjo të karakterizojë shërbimin ndaj jush. Ju uroj gëzuar Vitin e Ri dhe ju siguroj se do të bëjmë gjithçka për kushte gjithnjë e më të mira. Ju uroj gëzuar familjarëve tuaj kudo që janë dhe shpreh kënaqësinë time se sëbashku e festojmë vitin e ri në kushte shumë më të mirë se 3-4 vjet më parë në këtë shtëpi.

Gjithashtu informohem se  për disa vite me radhë një kompani japoneze mbështet aktivitetin e kësaj shtëpie. Është një rast i veçantë për t’i bërë thirrje biznesmenëve shqiptare që me bujarinë e ndjenjat e tyre të mbështesin sa më shumë shtëpitë e kujdesit social për të moshuarit, fëmijët, gratë me probleme të dhunës në familje etj.. Kjo, jo se qeveria nuk ka mundësitë për mbështetjen e tyre të plotë, por në radhë të parë si një akt solidariteti njerëzor ndaj këtyre grupeve të popullatës sonë që janë më në nevojë. Ata kanë nevojë të ndjejnë bujarinë direkte të qytetarëve, biznesmenëve dhe të shoqërisë në tërësi. Edhe një herë ju uroj: Gëzuar Vitin e Ri! Ju uroj shëndet, jetë të gjatë e mbarësi vitin që vjen.”


27/12/2012

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›