E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha uron besimtarët e krishterë dhe të gjithë shqiptarët me rastin e festës së Krishtlindjeve

Kryeministri Berisha uroi sot të gjithë besimtarët e krishterë, katolikë e ortodoksë, të krishterët Ungjillorë, por edhe të gjithë shqiptarët me rastin e Festës së Krishtlindjeve.

Kryeministri Berisha përcolli mesazhet e tij të urimit nëpërmjet vizitave të bëra në Katedralen e re Ortodokse “Rinngjallja e Krishtit”, Katedralen e Shën Palit, si dhe në Kishën Ungjillore (Protestante) në Tiranë, i shoqëruar edhe nga bashkëshortja  e tij zonja Liri Berisha.

Kryeministri shprehu kënaqësinë që ndante me ta gëzimin e kremtimit të kësaj ditë të shenjtë  e të bekuar në historinë e njerëzimit, Ditën e Lindjes së Krishtit. “Kjo ditë u shpreh Kryeministri, është dita  e mrekullisë së madhe, e mrekullisë në shumë aspekte, e mrekullisë pasi lindi Hyji dhe burri, i cili ndikoi më shumë se kushdo tjetër në moralin e qytetërimit perëndimor, por edhe e mrekullisë tokësore.”

Kryeministri tha se këto Krishtlindje të cilat festohen në vitin e 100 vjetorit të pavarësisë do të mbahen mend pasi shqiptarët në këtë përvjetor u ndjenë më pranë se kurrë me njëri-tjetrin dhe më të bashkuar se asnjëherë në historinë  e tyre kombëtare. “Ideali i bashkimit kombëtar këtë 100 vjetor, erdhi më i fuqishëm se kurrë. Le të urojmë ne për Krishtlindje të tjera, të sigurtë se do të jemi shumë më afër shndërrimit në realitet të ëndrrave dhe idealeve tona, të bashkimit kombëtar dhe idealeve evropiane.” U shpreh në urimet  e tij kryeministri.

* * *

Në Katedralen e Re Ortodokse “Ringjallja e Krishtit”, Kryeministri Berisha u prit nga Hirësia e tij, Kryepeshkopi Anastas Janullatos, si dhe drejtues të tjerë të kësaj Kishe.

Pas takimit me ta, kryeministri drejtoi për të besimtarët ortodoksë, por edhe të gjithë besimtarët e Zotit këtë urim:

“Kam kënaqësinë të uroj sot të gjithë besimtarët ortodoksë shqiptarë, besimtarët e krishterë dhe besimtarët e Zotit, në këtë ditë feste, kremtimi, ditë të shenjtë, ditë të bekuar, ditën  e lindjes së Krishtit, Hyjit dhe burrit që me moralin e tij ndikoi më shumë se kushdo tjetër në moralin e qytetërimit perëndimor, ditë lindje, ditë shprese e pashuar. Në të vërtetë  është dita e mrekullisë së madhe, e mrekullisë në shumë aspekte, e mrekullisë se lindi burri që ndryshoi botën, por e mrekullisë edhe tokësore.

Sot unë urova Fortlumturinë  e tij, Imzot Janullatosin, në këtë Kishë të bukur, madhështore, në këtë Katedrale, e cila dekada më parë ishte e ndërtuar madhërishëm aty ku sot është “Hotel Tirana”. Në udhëtimin tim të parë në Tiranë, një nga gjërat që unë vizitova natyrisht ishte dhe Kisha Ortodokse në qendër të qytetit, një kishë e bukur, plot piktura dhe ikona, në memorien time, ndër më të mëdhatë, ose më e madhja. Kishën e rrafshuan barbarisht bllokmenët hoxhist në një akt të njëjtë me atë të Neronit. Duke menduar se do të ndërtonin aty një hotel, menduan se Kisha do të ndryhej në banesën e harresës.

Sot Kisha është më madhështore se ajo që ishte dekada më parë në qendër të Tiranës. Sot Kisha është në qendër të Tiranës, ajo qëndron si një monument i fuqishëm i vlerave të mëdha hyjnore dhe njerëzore, si një dëshmi se lufta me vlerat është një betejë fatalisht e humbur, se ajo nuk mund të fitohet kurrë. Mund ti nëpërkëmbësh vlerat, një ditë apo një vit, por ato rikthehen më fuqishëm, ngjallen, mbijnë nga toka, nga shpirti i njerëzve.

Me këtë rast unë dua ti shpreh një mirënjohje të thellë Fortlumturisë së Tij Imzot Janullatosit, i cili ka dëshmuar një përkushtim të jashtëzakonshëm që nga gurët e themelit të kësaj Katedraleje deri në kupolën e saj të mrekullueshme, madhështore dhe të bukur, dhe së bashku me bashkëpunëtorët e tij i dhuroi kryeqytetit, një nga monumente më madhështore të kultit Kishën Ortodokse të Ringjalljes. U largova me një dhuratë shumë të çmuar nga Imzot Janullatosi. Ky është një Kodik i shekullit të 10-ë, njëra kopje origjinale e të cilit ndodhet në Korçë, ndërsa kopja tjetër gjendet në njërin prej universiteteve më të famshëm të Botës, Universitetin Princeton, si dëshmi e kulturës sonë të lashtë.

Nën kujdesin direkt të Fortlumturisë së Tij, Imzot Janullatosit, Kodiku është përkthyer, duke pasuruar kështu fondin  e madh, kulturor, fetar, shpirtëror të shqiptarëve, të cilët e theksoj edhe njëherë edhe kur Kisha u nda nga Vija e Teodosit, ata mbetën një komb i bashkuar në meritën e tyre më të madhe.

Edhe njëherë Gëzuar këtë ditë! Le të urojmë së bashku që Krishtlindje të tjera ti festojmë edhe më mirë. Këto krishtlindje i kremtuam në kuadër të 100 vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë, më të bashkuar se kurrë në historinë tonë kombëtare. Shqiptarët, që nga fillimi i ekzistencës së tyre deri më sot, në këtë përvjetor janë ndjerë më afër njëri tjetrit, më të bashkuar se në të gjithë historinë e tyre. Ideali i bashkimit kombëtar këtë 100 vjetor, erdhi më i fuqishëm se kurrë. Le të urojmë ne për Krishtlindje të tjera, të sigurtë se do të jemi shumë më afër shndërrimit në realitet të ëndrrave dhe idealeve tona, të bashkimit kombëtar dhe idealeve evropiane. Ata që shembën Kishën 60 vjet më parë, ata që ngritën mure të tjera, ata mbetën në rrënojat e atyre mureve. Vlerave nuk u reziston asnjë mur dhe ky mur i fundit i bllokimit do të provohet saktësisht si një mur letre në kohërat që vijnë.

Ju faleminderit.

*  *  *

Më pas, kryeministri Berisha vijoi vizitën e tij, në Vëllazërinë Ungjillore Shqiptare, ku u prit nga Presidenti i kësaj Vëllazërie Fitor Muça.

Kryeministri shprehu nderimin e madh për udhëheqësit shpirtëror të ungjillorëve shqiptarë, kudo që ata ndodhen. Kryeministri i cilësoi ungjillorët shqiptarë, si një traditë  e shkëlqyer,  e hershme  e kombit shqiptar, me nje trashëgimi atdhetare te flaktë.

“Erdha për të shprehur nderimin tim më të madh për udhëheqësit shpirtëror të ungjillorëve shqiptarë, për të gjithë ungjillorët shqiptarë kudo që ndodhen, në Shqipëri, në trojet etnike shqiptare, në diasporë dhe kudo që janë. Ungjillorët janë një traditë  e shkëlqyer,  e hershme  e kombit shqiptar, me nje trashëgimi atdhetare te flaktë. Ata në kohërat më të vështira të kombit kanë qenë avokatët më të vendosur të tij, në të gjitha arenat kombëtare dhe ndërkombëtare. Ata kanë dhënë një kontribut thelbësor në alfabetin dhe kulturën tonë kombëtare, në mbrojtjen e idealeve kombëtare. Vijnë sot më të organizuar, më të fuqishëm se asnjëherë. Kremtuam 100 vjetorin e pavarësisë, më të bashkuar se kurrë rreth idealit të bashkimit kombëtar, besimeve tona të mëdha, besimit tek Zoti. Le të urojmë ne që Krishtlindjen që vjen ta kremtojmë më mirë, më afër ëndrrave dhe idealeve tona fisnike. Ecim drejt një viti, i cili do të ketë zgjedhje. Le të urojmë që shqiptarët të votojnë siç e meritojnë, si qytetarë të lirë të  një vendi të lirë. Jam i bindur se Krishtlindje të tjera do ti kremtojmë edhe pa këtë mur bllokimi që u ngrit në mënyrën më të pamerituar, si  një dëshmi e një trashëgimie tejet të hidhur të së shkuarës sonë, por që fatmirësisht nuk do të ketë të ardhme.

Faleminderit!

* * *

Në përfundim të vizitave, kryeministri Berisha u ndal në Katedralen e Shën Palit në Tiranë.

Dita e Krishtlindjes është dita e shpresës së pashuar. Asgjë nuk është më frymëzuese, më  shpresëdhënëse se lindja e aq më tepër kur kjo ditë lidhet me lindjen e Jezu Krishtit, u shpreh kryeministri në mesazhin e tij.

Duke theksuar se shqiptarët festuan në këtë 100 vjetor të bashkuar rreth idealit kombëtar, kryeministri tha se këto Krishtlindje i kremtojmë pasi përjetuam një moment që pritej prej një shekulli. “Një moment në të cilin shqiptarët vërshuan nga të katër anët  e trojeve shqiptare, nga të katër anët  e planetit për të shuar mallin  e tyre për njëri-tjetrin, për kombin për dheun e tyre. Ky ishte një pelegrinazh drejt tokës së tyre i pritur prej 100 vitesh. Një pelegrinazh në shenjën e idealit të bashkimit kombëtar. Nuk ka asgjë që mund të na bëjë ne më krenarë në këtë ditë të shenjtë, se sa ky zhvillim.

Le të urojmë se bashku që Krishtlindjen tjetër ta bëjmë më mirë, më të bashkuar, më të begatë dhe më afër ëndrrës sonë evropiane.

Sot është një ditë nderimi të madh për sakrificën sublime të dhjetëra dhe qindra klerikëve shqiptarë që mbrojtën me vetëmohim shembullor besimin e tyre tek Krishti dhe Zoti dhe ranë të pamposhtur, një nderim i madh për të gjithë udhëheqësit shpirtëror fetar, që në këto 20 vite ndërtuan nga hiri, nga rrënojat të gjithë infrastrukturën shpirtërore te kombit, duke u bërë kështu një burim i madh frymëzimi  për të gjithë shqiptarët.

Le të urojmë ne që Krishtlindjet e reja të na gjejnë më afër në projektin tonë evropian, më të bashkuar me njëri-tjetrin, më të bashkuar me Evropën. Muret e antivlerave të bllokimit që ngrihen nga pasardhës të atyre që rrënuan me besimin idiot se kishat dhe xhamitë nuk mund të rikthehen më, ato do të provohen se janë mure prej letre.

Edhe njëherë Gëzuar të gjithë shqiptarëve këtë ditë të bekuar!

Le të urojmë ne që Krishtlindjet e reja të na gjejnë më afër me Evropën!


25/12/2012

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›