Kryeministri Berisha feston 68 vjetorin e lindjes: Mandat qeverisës edhe në 2013-ën

Në 68 vjetorin e ditëlindjes së tij, kryeministri Sali Berisha ka mbledhur grupin parlamentar të PD-së, në nisje të së cilës ka shprehur edhe 3 dëshira që janë të ketë jetë sa gjysma e atyre që ka kaluar, mandate sa gjysma e atyre që ka kaluar dhe të fitojë mandatin tjetër. “U pyeta të shpreh 3 dëshira, dy i pata në gojë, çfarë kërkova dy gjysma të tjera të viteve dhe mandateve. E treta ishte ma lejo për vitin tjetër dhe ma pranoi.
Pra nuk besoj se isha shumë lakmitar në kërkesat e mia, thjesht dy gjysmat që më kanë mbetur. Vitet prapa ne përpjetë, jo para”- deklaroi kryeministri, i cili me këtë rast falenderoi të gjithë bashkëpunëtorët dhe të afërmit për mbështetjen inkurajimin që i kanë dhënë, por theksoi se falenderimi parë i takon Zotit për forcën dhe frymëzimin.
Berisha tha se ditën e ditëlindjes e filloi me një ogur të mbarë që ishte urimi i mbesës dhe konferenca me gratë biznesmene. “Pata kënaqësinë ta filloj me ditën e konferencës, me një What’s up nga Sara, mbesa ime. Urimi i parë ky. Urimi vijoi me gratë biznesmene në konferencë dhe këtë e konsiderova si një ogur shumë të bardhë”.