E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha feston në Berat 22 vjetorin e themelimit të degës së PD, ku u shpërndanë edhe kartat e anëtarësimit për 300 të rinj e të reja që iu bashkuan kësaj force politike

Kryeministri Berisha ishte sot i pranishëm, në qytetin e Beratit, në ceremoninë festive të organizuar për 22 vjetorin e krijimit  të Partisë Demokratike në këtë qytet. Pjesë e kësaj ceremonie u bë edhe anëtarësimi i 300 të rinjve beratas në PD, 22 prej të cilëve, në mënyrë simbolike, Kryeministri Berisha u dorëzoi edhe kartën e anëtarësimit.

Të pranishëm në këtë ceremoni ishin ministra të kabinetit qeveritar, deputetë të zonës, qeveritarë vendorë, të rinj e të reja, aktivistë e simpatizantë të kësaj partie.   

Kryeministri Berisha e vlerësoi nderimin e kësaj dite të krijimit të degës  së PD-së për Beratin si një ditë e cila shndrit në historinë e këtij qyteti, ndërsa theksoi se themelimi i PD-së ishte themelimin e forcës  së parë të vërtetë opozitare në historinë e kombit, si forca e parë e ndryshimit të epokave, forca e lirive dhe të drejtave njerëzore dhe politike të shqiptarëve.   

Më pas, Kryeministri Berisha bëri një përmbledhje të të gjitha përpjekjeve dhe hapave historikë të realizuar nga vendi ynë, nën drejtimin dhe vizionin e kësaj force politike dhe mazhorance në qeverisje, duke përmendur fillimisht anëtarësimin e Shqipërisë në Këshillin e Evropës, më pas, anëtarësimin në Aleancën e Atlantikut të Veriut, realizimin e lëvizjes së lirë të qytetarëve, plotësimin e të gjitha kushteve që varen prej saj, në mënyrë që Shqipëria të marrë statusin e vendit kandidat për në BE, si dhe gjithë përkushtimin dhe arritjet e saj në zhvillimin ekonomik e të gjithanshëm të vendit, veçanërisht në këto vite të krizës ekonomike globale.

Kryeministri u ndal në bllokimin që po i bën Statusit dhe rrugës së integrimit kryetari i opozitës Edi Rama, për interesa të karriges së tij politike, duke nënvizuar se “ai është i vetmi në politikën evropiane që përdor pushtetin e qytetarëve të ndershëm socialist shqiptarë, për të bllokuar procesin e integrimit”.

Më tej, Kryeministri theksoi se po ecet drejt zgjedhjeve dhe forca politike që ai drejton shkon te qytetarët  dhe kërkon me njerëzi votën e tyre, jo për faktin se tashmë është  faktuar si forca politike kryesore e integrimit të vendit, që ka anëtarësuar Shqipërinë në NATO, ka mundësuar heqjen e vizave, apo ka merituar statusin e vendit kandidat, por  kjo forcë politike shkon e kërkon votën për projektin e shkëlqyer të katër viteve që vijnë. Përmes këtij projekti “zotohemi që në këtë vend të konsolidojmë shërbimet më të mira për qytetarët shqiptarë, standardet më të mira për shkollimin e tyre, standardet më të mira për shërbimin shëndetësor, standardet më të mira për lëvizjen e tyre dhe transportin rrugor, se do të krijojmë standardet më të mira për biznesin dhe punësimin, se do të bëjmë gjithçka për të lehtësuar më tej biznesin shqiptar”, u shpreh Kryeministri.

Kryeministri Berisha siguroi se ndërtimi i Boshtit të Jugut i rrugës së Arbrit janë fjala e dhënë dhe zotimi solemn i tij, si dhe janë realiteti i ardhshëm i çdo shqiptari”. Shqipëria e 4- vjeçarit që vjen, theksoi ai,  do të jetë Shqipëria e projekteve  më të mëdha në tërë historinë e saj, Shqipëria e Kaskadës së Devollit, Shqipëria e projektit TAP, e gazsjellësit Trans-adriatik.

Në përshëndetjen e tij për këtë ditë të shënuar të PD-së në Berat, Kryeministri Berisha u shpreh:  

"Të dashur qytetarë të Beratit, beratase, beratas, kudo që jeni, përshëndetjet e mia më të përzemërta,

 Zotërinj ministra, deputetë, qeveritarë vendorë,

 Vëllezër e motra,

Sot jemi mbledhur këtu për të nderuar së bashku një ditë e cila do të shndrisë në historinë e këtij qyteti, të themeluar në virtytet, shpirtin liridashës, gjeninë krijuese të qytetarëve të saj mijëra e mijëra vjet më parë. Jemi mbledhur për të nderuar së bashku themelimin e Partisë Demokratike, si forca e parë e vërtetë opozitare në historinë e kombit, si forca e parë e ndryshimit epokal  të sistemeve, si forcave e lirive dhe të drejtave tona njerëzore dhe politike, si forca që do të nxirrte shqiptarët nga shtypja më e egër, diktatura më totalitare.

Ne jemi mbledhur sot për të nderuar themelimin e forcës sonë, forcë e ndryshimit të epokave. Partia Demokratike bëri që shqiptarët të lënë pas sistemin e skllavërisë komuniste dhe të nisin rrugën e lirisë, rrugën e vlerave, rrugën e tregut, rrugën e integrimit. Trashëgimia jonë këto 20 vite është trashëgimi lirie, të drejtash, zhvillimi, është trashëgimi integrimi. Forca e re politike që ju themeluat 22 vjet më parë, do të shndërrohej në lokomotivën më të fuqishme në historinë e këtij kombi, për integrimin e tij në familjen e madhe të kombeve evropiane. Në një hark kohor të shkurtër, Shqipëria u bë anëtare e Këshillit të Evropës dhe më pas, anëtare e aleancës më të fuqishme të lirisë që kohërat kanë njohur, Aleancës së Atlantikut të Veriut. Sot shqiptarët lëvizin të lirë. Qeveria që ju mbështesni, ka plotësuar të gjitha kushtet që varen prej saj, në mënyrë që Shqipëria të marrë statusin e vendit kandidat për në BE.

Por sot ky status është bllokuar nga votat e atyre të cilët, në vend që të lexojnë dhe të mbështesin vizionin për të ardhmen, i qëndrojnë besnik testamentit ideologjik të etërve të tyre. Nga kjo platformë, nga Berati mijëravjeçar, dua t’i them Edi Ramës se; duke shkelur ligje mund të ndërtosh pallate, t’u zësh lulishtet e dritaret gjitonëve të familjes tënde, por nuk do të mundesh kurrë t’u bllokosh shqiptarëve rrugën e integrimit, rrugën e Evropës. Muri që ke ngritur për të bllokuar statusin do të shembet përfundimisht në 23  qershor dhe ti, do të ecësh drejt arkivës së etërve të tu, sepse e vërteta është se, sot, je i vetmi në politikën evropiane që përdor pushtetin e qytetarëve të ndershëm socialist shqiptarë, për të bllokuar procesin e integrimit.

Pavarësisht se ti bërtet çdo ditë për papunësi, nga ana tjetër, privon shqiptarët nga qindra e qindra milionë euro investime të Komisionit Evropian, që do i takonin Shqipërisë me statusin e vendit kandidat. Çdo ditë vjell vrer kundër shkollave e universiteteve tona, ndërkohë pengon me mijëra të drejta studimi të rinjve shqiptarë në vendet anëtare të BE-së, vetëm e vetëm se beson se, duke bllokuar statusin, do ta afrosh më shpejt karrigen e pushtetit. Bërtet çdo ditë për mjekime e spitale, ndërkohë që privon qindra e qindra shqiptarë për të marrë shërbimet më të mira që u takojnë me marrjen nga Shqipëria të statusit të vendit kandidat. Por, për të gjitha këto ne kemi një besim të madh, sepse demokracia është për t’u mësuar dhe se çdo shqiptar do të nxjerrë konkluzionin e tij  dhe do ta shembë si mur letre murin e bllokimit që ti vendose këto muaj para tyre, për interesa tërësisht të së shkuarës së shqiptarëve.

Vëllezër e motra,

Ne vijmë sot në këtë përvjetor, natyrisht, si një forcë politike që ka kaluar jo në bulevard, por ka kaluar në rrugë shumë të vështira, në sakrifica shumë të madha së bashku me ju, ka kaluar në gabime, por në suksese të pamohueshme. Sot, mbarë Evropa dhe bota e zhvilluar është e pllakosur nga një krizë, më të thellën që ajo ka njohur në 90 vitet e fundit. Por Shqipëria, një ndër vendet më të vogla të saj, deri më sot, nuk ka njohur recensionin. Unë ju them, qytetarë të Beratit se, pa diskutim që kemi pasur dhe do të kemi vështirësi ekonomike, sepse ne e filluam këtë rrugë si vendi i tretë më i varfër në planet. E dëgjoja një ditë tek thoshte se, shqiptarët sot kanë 1/3, apo 28 për qind të të ardhurave të BE-së. Zotëri, jo vetëm shqiptarët, të cilët kanë qenë vite të tëra larg bullgarëve, por edhe bullgarët, 15 vite më parë kanë qenë jo më pak se gati 250 vjet pas në rroga e të ardhura, krahasuar me austriakët. Ecuria jonë tregon se ne kemi ecur me shpejtësinë më të madhe, me ritmet më të shpejta, drejt mirëqenies, drejt progresit, drejt Evropës. Ne nisëm së bashku këtë rrugë, me të ardhura 204 dollarë për frymë në vit, ne sot jemi vend me të ardhura të mesme - të larta dhe, në një hark kohor 7 vjeçar ne kemi dyfishuar të ardhurat kombëtare. Ne sot jemi vendi i cili, katër vitet më të mëdha të krizës, ruajtëm jo rritjet më të madhe që mund të ruanim jashtë krize, por ruajtëm rritje 4 herë më të madhe se mesatarja e rajonit, ruajtëm rritjen më të lartë  ekonomike në Evropë. Kjo është meritë e juaja, e qytetarëve shqiptarë, meritë e madhe e reformave të thella e të gjithanshme që ndërmori kjo maxhorancë dhe që ju i mbështetët plotësisht.

Në këto vite krize të thellë, ne ia dolëm t’i rezistojmë asaj, ia dolëm të mos mbetemi as edhe një ditë në recension, sepse ne bëmë gjithçka për të ndihmuar iniciativën tuaj të lirë, bëmë çdo gjë për të hequr pengesat ndaj biznesit, bëmë gjithçka për të luftuar korrupsionin, bëmë gjithçka për të ulur taksat. Cilido që dëshiron të njihet me rezultatet, le të lexojë të ardhurat në këtë vend, nga 2004 deri më sot. Në qoftë se i krahasojmë ato me vitet para 2005-ës, në këtë periudhë janë realizuar 3 buxhete më shumë se në 8 vitet  e qeverisjes së tyre të mëparshme. Në këtë periudhë janë realizuar 9.2 miliardë dollarë më shumë të ardhura se në vitet e mëparshme. Ne i rezistuam krizës, jo se ishim ndonjë ekonomi gjigante, sepse jemi ekonomi e vogël, por sepse ne investuam çdo qindarkë që morëm nga taksat, në rrugë, ura, kanalizime, ujësjellës. Kjo bëri që Shqipëria, në një hark kohor 6 vjeçar, të ketë bumin më të madh turistik që mund të ketë njohur ndonjë vend në një periudhë kaq të shkurtër; nga 300 mijë turistë në 2004, të arrijnë në mbi 4 milionë vitin e kaluar. Kjo bëri që kjo degë e re e madhe e ekonomisë, të ngrihet e fuqizohet çdo ditë, pra ekonomia turistike.

Reformat tona në kulmin e krizës e bënë Shqipërinë një vend tërheqës për investimet e huaja.

Vëllezër e motra,

Para vitit 2005, 8 vite të marra së bashku, Shqipëria kishte marrë investime të huaja 38 milionë dollarë, gjysmën e asaj që kishte marrë Maqedonia, e cila kishte kaluar edhe nëpër një konflikt të armatosur. Por sa janë investimet e huaja në 4 vitet e fundit? Janë mbi 1 miliardë dollarë mesatarja e tyre. Në Shqipëri ato u rritën më shumë se në asnjë vend tjetër dhe, vitin e kaluar, Organizata Botërore e Tregtisë dhe Zhvillimit do të deklaronte se Shqipëria mori investime të huaja shumë më tepër sesa kapacitetet e saj.

Këto kanë qenë vite të vështira e jo të lehta, sepse partnerët tanë kryesorë, Greqia e Italia, njohën krizën më të thellë në historinë e tyre. Por, këto kanë qenë vite në të cilat ekonomia shqiptare nuk u gjunjëzua, kanë qenë vite në të cilat eksportet e Shqipërisë u trefishuan.

Këto kanë qenë vite në të  cilat ne investuam më shumë se kurrë për shkollimin e fëmijëve tanë. Nga 52 mijë studentë që kishte Shqipëria në 2005-ën, ajo numëron sot 162 mijë studentë dhe Berati ka një nga universitetet më të mira.

Për të gjithë njerëzit, ekonomia ka një rëndësi kapitale dhe, në këtë kontekst, unë ju siguroj se kjo qeveri nuk ka qëllim tjetër më madhor sesa zhvillimin ekonomik të këtij vendi, sesa mirëqenien tuaj. Me ato 9.2 miliardë dollarë, janë  investuar në rrugët e Shqipërisë më shumë se në të gjitha vendet e rajonit të marra së bashku, siç thotë Komisionit Evropian. Sërish kemi rrugë të pa ndërtuara, por në vitin 2005 ne kishim vetëm 2430 km rrugë të asfaltuara. Kur unë deklarova njëherë se do të asfaltojmë 6 mijë km rrugë, shokët tanë socialistë thanë se ato nuk ekzistojnë. Por sigurisht, po të shëtisësh vetëm në qendrat e qyteteve, ose nga Sheratoni në Rogner, rrugët nuk të dalin më shumë se 2 mijë km. Por e vërteta është se Shqipëria ka 18 mijë km dhe ne do i ndërtojmë e rindërtojmë metër pas metri, në mënyrë që Shqipëria së shpejti të ketë rrjetin rrugor më të mirë në Evropë. Kemi investuar në Berat më shumë se kurrë në rrugë. Sërish në Berat ne kemi rrugë të pa ndërtuara. Një ditë, një i ri nga Berati më shkruante në një mesazh se; “po ndërtoni shumë në zonat rurale të Beratit dhe për këtë ju përgëzoj, por ne kemi rrugica sërish me baltë e të pashtruara”. Ai kishte të drejtë.  E vërteta është se ne do të bëjmë gjithçka, ndonëse disa funksione në bashkive janë të pa zëvendësueshme, por do të bëjmë gjithçka që ju të mos keni rrugica të paasfaltuara, do të bëjmë gjithçka që ju të keni kushtet më optimale në këtë qytet mijëravjeçar.

Në të gjitha reformat tona, ne kemi një qëllim, mirëqenien tuaj. Dy javë më parë, një nga institucionet më serioze të konsulencës në botë, do të shqyrtonte se si qeveritë e planetit kthejnë rritjen ekonomike dhe të ardhurat në mirëqenie të qytetarëve.  Nga ky studim rezultonte se Shqipëria renditet e katërta në botë për shndërrimin e rritjes ekonomike në mirëqenie për qytetarët. Atyre që duan ta shohin Shqipërinë gjithnjë të shtrirë përdhe, u them se Shqipëria është ngritur në këmbë dhe ajo ecën e po vrapon e nuk ndalet kurrë. Kjo ndodh sepse  mazhoranca jonë, gjatë gjithë këtyre viteve, ka investuar më shumë se çdo mazhorancë tjetër, ka investuar, ashtu siç thotë edhe Komisioni Evropian, më shumë se të gjitha vendet e rajonit të marra së bashku, në rrugë për qytetarët e saj. Rrugët janë treg, janë ekonomi, zhvillim, prodhim.

Ne kemi shpërndarë të ardhurat dhe rritjet, sepse kemi investuar më shumë se kushdo tjetër në arsim. Asnjë vend tjetër nuk ka arritur të trefishojë numrin e studentëve, siç ka bërë Shqipëria. Ne kemi shndërruar rritjen në mirëqenie për qytetarët, sepse kemi bërë gjithçka për të nxitur prodhimin. Dëshmi madhore e kësaj janë investimet mbi 1 miliardë, nga vitin 2008 e deri më sot. Ne kemi shndërruar rritjen ekonomike në mirëqenie, sepse kemi krijuar qindra mijëra vende pune gjatë këtyre viteve. Sërish ka papunësi, por ju dëgjoni në lajme se në vendet fqinje papunësia shkon nga 20 deri në 30 për qind. Në vendet fqinjë, jo vetëm në Greqi, papunësia rritet në mënyrë të pa përmbajtur. Shqipëria, thotë Komisioni Evropian, është i vetmi vend në të cilin papunësia jo vetëm që nuk u rrit, por pësoi një rënie progresive, sepse ne investojnë çdo vit qindra e qindra milionë dollarë në rrugë, kanalizime dhe ujësjellës. Të gjitha këto janë vende pune. Papunësia pësoi një rënie, sepse ne bëjmë gjithçka që biznesi të zhvillohet, të ecë, të kemi rritje ekonomike dhe rritja ekonomike nuk ndodh kurrë pa  krijimin e vendeve të punës. Ne patëm një rënie të papunësisë dhe rritje të saj sepse bëmë gjithçka për thithjen e investimeve të huaja.

U ndala në këtë moment,  të dashur qytetarë, sepse kjo nuk është një kohë e lehtë, është një sfidë, por ne, falë mbështetjes suaj, përkushtimit tuaj, e kemi përballuar dhe e përballojmë atë me rezistencën më të madhe. Unë ju garantoj se ky vit e vitet që vijnë do të jenë vitet e ecurisë së mbarë të ekonomisë shqiptare.

Këtë vit dhe 2 vitet e ardhshme, ne do të kompletojmë infrastrukturën. Boshti i Jugut është premtimi ynë madhor. Por ju jeni dëshmitar se segmenti i parë i saj, që kushtonte gjithsej 70 milionë euro, u transformua në interesin më të mirë tuajin dhe të mbarë shqiptarëve, u shndërrua në tunelin e Kërrabës dhe të autostradës Tiranë – Elbasan, e cila kushton rreth 5 herë më shumë se segmenti Baldushk – Papër. Por ne qëndrojmë në projektet tona. Ne po ecim me to nga Dumreja drejt Beratit dhe ju premtoj se Boshti i Jugut dhe Rruga e Arbrit janë fjala ime e dhënë, janë zotimi im solemn dhe janë realiteti ynë i ardhshëm. Kundërshtarët e mi politikë gabojnë kur mendojnë se unë mund t’u kthej shpinën premtimeve të mia. Unë premtoj ato që besoj. Në rast se unë, sikundër çdo njëri prej jush, i besoj diçkaje, vlerës, rëndësisë, nuk tërhiqem kurrë prej saj. Ndaj nuk jam tërhequr e nuk tërhiqem kurrë nga Boshti i Jugut dhe ai do të përfundojë.

Ne po ecim drejt zgjedhjeve, ne shkojmë tek qytetarët e Beratit dhe gjithë Shqipërisë dhe kërkojmë me njerëzi votën e tyre, jo për faktin se ne jemi faktuar tashmë forca politike kryesore e integrimit të vendit, jo vetëm për faktin se ne kemi anëtarësuar Shqipërinë në NATO, apo kemi hequr vizat, apo kemi merituar statusin e vendit kandidat, të cilin po e bllokon edhe për pak muaj zoti Edi Rama, por ne shkojmë e kërkojmë votën për projektin tonë të shkëlqyer të katër viteve që vijnë, projekt me të cilin ne zotohemi që, në këtë vend të konsolidojmë shërbimet më të mira për qytetarët shqiptarë, standardet më të mira për shkollimin e tyre, standardet më të mira për shërbimin shëndetësor, standardet më të mira për lëvizjen e tyre dhe transportin rrugor, se do të krijojmë standardet më të mira për biznesin dhe punësimin, se do të bëjmë gjithçka për të lehtësuar më tej biznesin shqiptar. Ne e hoqëm TVSH-në për makineritë. Ne nuk themi se punojmë për një rend pa taksa. Jo. Ne punojmë për një rend me taksa të ulëta. Ne besojmë se taksat e ulëta janë politika më e drejtë, më e ndershme e një qeverie. Kjo, jo sepse qeveritë nuk kanë nevojë për para, por sepse paratë janë më të vlefshme në kontot e biznesit dhe qytetarëve, sesa në kontot e shtetit. Ne e themi publikisht këtë dhe i përmbahemi tërësisht, sepse kjo çon në krijimin e vendeve të reja të punës, shumëfishon ekonominë. E vetmja gjë që ne nuk themi kurrë është “politika  pa taksa”, sepse kjo do të thotë të rrënosh sistemin e taksave.

Zoti Rama premton se do të heqë taksën prej 63 mijë lekë biznesit të vogël, paçka se këtë taksë, kur ai ishte Kryetar Bashkie,  e çoi në 148 mijë lekë, saqë më detyroi që unë të bëja ligjin dhe t’i ngushtoja të drejtën pushtetit vendor për të rritur taksën, ndërkohë që ai erdhi, së bashku me kryebashkiakët e tjerë socialistë, me gjithë shallin kuq e zi, dhe protestoi te Kryeministria, pasi unë i kufizova në këtë drejtim. Ndërsa tani ai përpiqet t’i mashtrojë ata. Jo zotëri, biznes pa taksa nuk mund të ketë, sepse ajo rrënon tërë sistemin fiskal të vendit.

Por, siç ulëm taksën për makineritë, unë e garantoj biznesin shqiptar se hapa të tjerë shumë të rëndësishëm do të bëhen për të lehtësuar veprimtarinë e tyre, për të zgjeruar lirinë e tyre. Dua të sjell në vëmendje këtu një moment; një nga fondacionet më serioze të botës ka bërë vlerësimin e lirisë ekonomike dhe në lirinë fiskale, Shqipëria merr 92 pikë, nga 100 pikët e mundshme. Kjo është e vërteta. Përsëri, ai flet kundër të pasurve. Ai beson se duke rrënuar të pasurit, do të mëkëmbë të varfrit. Por, ka një rrugë të sigurt për të zhytur në mjerim të varfrit; rrënimi i të pasurve. Këtë e faktoi më së miri drama shqiptare nga 45-a deri në 90-ën.

Katër vitet që vijnë do të jenë vitet e zhvillimit më të madh në historinë e Shqipërisë, e investimeve publike e private 2 herë më të mëdha se ato që mori ky 4 vjeçar, do të jenë vite në të cilat ne do të valorizojmë, me të gjithë potencialin tonë, tokën shqiptare, një nga tokat më pjellore, më plot diell e më me ujë, të rajonit e më gjerë. Para dy muajsh, ne ndërtuam rrugën për në Qereshnik. Unë ftoj qytetarët e Beratit në bëjnë një vizitë në këtë zonë. Unë u mahnita se si fermerët e Qereshnikut kishin qëndisur me ullishte çdo kodër të zonës së tyre. Ata kishin shumë pak tokë të rrafshët. Toka e rrafshët aty pothuajse ishte inekzistente, por ata kishin veshur kodrat me ullishte. Unë përpiqesha të dalloja se cilat ishin tokat e reja dhe ato të trashëguara, por ishte në meritën e tyre më të madhe se, të paktën  80 për qind e tyre ishin toka të reja, të mbjella nga kjo gjeneratë.   

Ne do të bëjmë gjithçka ta shndërrojmë në vlerë për qytetarët çdo pasuri të këtij vendi. Ne jemi seriozë në këtë që themi. Ju të gjithë e dini se për 30 vite me radhë, në Shqipëri nuk u ndërtua qoftë edhe një hidrocentral i vetëm, ndërkohë që ujërat e saj, më shumë se 2/3-at, derdheshin në det si të pavlera. Ne u angazhuam që Shqipërinë do ta shndërrojmë në një superfuqi energjetike të rinovueshme rajonale. Me dhjetëra e dhjetëra hidrocentrale, nga viti 2007 janë ndërtuar dhe janë në ndërtim e sipër. Vitin që vjen, fillon ndërtimin projekti më i madh në historinë e energjetikës së vendit, projekti me 1 miliardë euro, Kaskada e  Devollit. Së shpejti do të fillojë Kaskada e Osumit, Vjosës dhe të gjithë lumenjve, të cilët nuk janë shfrytëzuar deri më sot. Çdo pasuri e këtij vendi duhet të shndërrohet në mirëqenie për qytetarët. Zhvillimi i energjisë ujore, ndërtimi i hidrocentraleve, janë sot një potencial i jashtëzakonshëm për punësimin e qytetarëve shqiptarë. Unë isha Luginën e Drinit, në Lapaj, ku inauguruam një hidrocentral prej 15  megavat dhe ku po ndërtoheshin edhe 5 të tjerë në shpatet e atyre maleve. Por ky hidrocentral kishte punësuar 2500 vetë, punonjës, inxhinierë, teknikë të zonës e nga mbarë Shqipëria. Ndërkohë, janë në ndërtim e sipër dhjetëra të tjerë.

Shqipëria e 4- vjeçarit që vjen do të jetë Shqipëria e projekteve  më të mëdha në tërë historinë e saj, Shqipëria e Kaskadës së Devollit, Shqipëria e projektit TAP, e gazsjellësit Trans-adriatik. Vetëm ai punëson mbi 20 mijë qytetarë shqiptarë, me investimin 2 miliardë euro në trajektoren e saj në Shqipëri.

Ndaj dhe ju ftoj të nisim me entuziazëm, optimizëm, realizëm, vendosmëri, fushatën elektorale, të ulemi e të bisedojmë me çdo qytetarë të këtij qyteti, të arsyetojmë së bashku çfarë kemi bërë, çfarë mendoni, cili është vizioni juaj për vitet që vijnë. Ne nuk mohojmë vështirësi, nuk mohojmë të meta, nuk mohojmë dobësi, por ne kemi dëshmuar vendosmëri të madhe.

Në Shqipëri ka korrupsion, kjo është e vërtetë. Por, të dashur qytetarë, lufta kundër korrupsionit është çelësi i të gjitha sukseseve tona. Pa këtë luftë nuk do ishte e mundur kurrë që ne të inkasonim 9.2 miliardë dollarë më shumë, pa këtë luftë nuk do ishte e mundur kurrë të trefishonim numrin e studentëve, që ne të mbi - dyfishonim pensionet në fshat, që ne të rrisnim me 120 deri në 150 për qind rrogat e mësuesve, që ne të rrisnim 130 deri në 160 për qind rrogat e mjekëve. Pa këtë luftë, do ishte e pamundur që Shqipëria të bënte këtë shpërndarje të shkëlqyer, këtë  shndërrim të shkëlqyer të rritjes ekonomike në mirëqenie për qytetarët. Ne kemi hedhur baza të forta në këtë luftë. Natyrisht, lufta vazhdon. Në jetën time nuk mund të them ndonjëherë se korrupsioni do çrrënjoset, sepse ai është vesi i trashëguar i njeriut, por u them se ai luftohet me suksesin më të madh dhe këtë sukses do ta bëjmë gjithnjë e më të madh së bashku, me pjesëmarrjen tuaj, me konsolidimin e ligjit.

Ndaj edhe njëherë, ju uroj fitore dhe shpreh bindjen e thellë se Berati, në qershor të vitit 2013, do të jetë Berati i shumicës, Berati i integrimit, Berati i zhvillimit, Berati i të ardhmes.

Rrofshi ju, rroftë Berati, rroftë Shqipëria!” 


19/01/2013

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›