Kryeministri Berisha takon ambasadorin grek Leonidas C. Rokanas, me rastin fillimit të detyrës së tij në Tiranë

Kryeministri Berisha priti sot në një takim ambasadorin grek Leonidas C. Rokanas, me rastin e marrjes së detyrës së tij në Tiranë.
Duke i uruar përzemërsisht mirëseardhjen dhe suksese në detyrën e re, Kryeministri Berisha theksoi se po ndjek me vëmendje zhvillimet e rëndësishme pozitive dhe përpjekjen e jashtëzakonshme në shtetin fqinj për të kapërcyer pasojat e krizës, e cila ka një karakter, jo vetëm evropian, por edhe global. Në këtë kontekst, Kryeministri Berisha në emër të qeverisë shqiptare i përcolli qeverisë greke dhe kombit grek urimet më të mira, jo vetëm për kapërcimin me sukses të këtyre vështirësive, por edhe për zhvillimin dhe modernizimin e mëtejshëm të vendit.
Nga ana e tij, Ambasadori grek Rokanas e falenderoi Kryeministrin Berisha për pritjen miqësore dhe i përcolli atij përshëndetjet më të përzemërta dhe urimet më të mira të Presidentit grek Karalos Papulias, të kryeministrit grek Antonis Samaras, Ministrit të jashtëm Dimitris L. Avramopoulos dhe autoritetve më të larta greke. Ambasadori grek e siguroi Kryeministrin Berisha se Greqia mbështet dhe do të vijojë të mbështesë fuqishëm qeverinë shqiptare në të gjitha përpjekjet për anëtarësimin sa më të shpejtë në BE dhe se ambasada greke në Shqipëri dhe ai personalisht mbeten të gatshëm për të kontribuar në konsolidimin e mëtejshëm të marrëdhënieve bilaterale dhe të bashkëpunimit të suksesshëm dhe të frytshëm në të gjitha fushat me interes të ndërsjellë për të dy popujt.
Ambasadori grek u shpreh se Greqia i qëndron fuqishëm projektit të njohur si axhenda 2014, i cili konsiston në bashkëpunimin dhe mbështetjen e Shqipërisë dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor për të ecur përpara me shpejtësi drejt anëtarësimit në BE.
Në takim u rikonfirmua edhe njëherë vullneti i palëkundur i dy qeverive për të punuar së bashku për zgjerimin e bashkëpunimit dypalësh në të gjithë fushat në interesin më të mirë të dy vendeve dhe popujve.
17/01/2013