E Diel, 1 Nëntor 2026

Këshilli Kombëtar i Territorit miraton disa vendime të rëndësishme në fushën e energjisë dhe zhvillimit të turizmit

Nën drejtimin e Kryeministrit Berisha u zhvillua sot mbledhja e Këshillit Kombëtar të Territorit, gjatë së cilës u miratuan disa leje infrastrukturore në fushën e energjisë dhe turizmit, si dhe leja infrastrukturore për rrjetin e furnizimit me ujë dhe shërbime sanitare në bashkinë e Orikumit.

Kryeministri Berisha u shpreh se këto projekte, ndër të tjera, shërbejnë edhe si gjeneratorë të fuqishëm për punësimin e mijëra qytetarëve.  

Në fjalën e tij, në fillim të mbledhjes, Kryeministri Berisha u shpreh:

Kjo mbledhje e Këshillit Kombëtar të Territorit ka dy çështje madhore në rendin e ditës, çështja e parë janë hidrocentralet dhe Shqipëria - superfuqi e energjisë së rinovueshme në rajon.

Në rast se në mbledhjen para kësaj ne miratuam projektin më të madh hidroenergjetik në rajon dhe, aktualisht, në Evropë, kaskadën e Devollit, një investim me vlerë 1 miliardë euro, beteja për të shndërruar Shqipërinë në superfuqi rajonale të energjisë së rinoveshme vazhdon në mënyrë të pandërprerë dhe kjo përbën një arritje madhore për qytetarët shqiptarë.

Sot, ne miratojmë këtu disa hidrocentrale, siç është ai i “STRAVAJ”, “Qafëzezit”, “Stavecit”, të cilët së bashku do të punësojnë mijëra qytetarë, kryesisht banorë të zonave aty afër. Natyrisht, teknikë dhe inxhinierë nga më të mirët e vendit. E vërteta është se ndërtimi i hidrocentraleve në mbarë vendin është shndërruar sot, aktualisht, në një gjenerator të fuqishëm të punësimit të qytetarëve shqiptarë në zonat më të largëta, më të thella të vendit. Por, duhet të pranojmë se është shndërruar sot dhe në drejtim kryesor të zhvillimit të Shqipërisë, do të thosha të zhvillimit të qëndrueshëm të saj. Zhvillimi është zhvillim, por vendimtare në këtë proces është qëndrueshmëria e tij. Leksioni më i madh i krizës evropiane dhe globale që mund të nxirret nga shoqëritë, kombet dhe qeveritë, është se ka vetëm një rrugë të sigurt për parandalimin e kësaj krize dhe kjo rrugë është zhvillimi i qëndrueshëm, është inkurajimi, nxitja, investimi në ata sektorë që garantojnë një zhvillim të qëndrueshëm për vendet dhe kombet.

Energjia ujore është mirëpozicionuar ndër më të rëndësishmet në këtë drejtim. Ndaj dhe sot merr një rëndësi të veçantë miratimi i këtyre hidrocentraleve, të cilët u shtohen dhjetëra e dhjetëra të tjerëve që ndërtohen çdo orë, çdo ditë, çdo javë, larg kamerave televizive, të cilat kanë për ishull parajse territorin brenda unazës së vogël të Tiranës dhe si kullë të fildishtë Rognerin dhe Sheratonin. Por, jeta, zhvillimi gëlon në të katër anët e këtij vendi, e paraqisni apo nuk e paraqisni ju me kamerat tuaja, e injoroni apo e paraqisni ju para qytetarëve. Unë ju ftoj të shkoni, ju ftoj të intervistoni, ju ftoj ti paraqisni, sepse ato janë vepra të mrekullueshme të njerëzve punëtorë, të investitorëve të mençur dhe, pavarësisht se ndërtohen të tëra nga sektori privat, janë vepra me shkallën më të lartë të interesit publik.

Mbledhja nuk ka sot vetëm energjinë, por miratohen disa vendime me një rëndësi shumë të madhe për zhvillimin e turizmit në brigjet e komunës së Ishmit, e cila përbën dhe një nga komunat më mahnitëse në tërë brigjet e Mesdheut. Me Kepin e Rodonit, Gjirin e Lalzit dhe në vazhdim, kjo komunë ka territore turistike që kanë tërhequr vëmendje dhe kanë pritur edhe perandorë. Dhe kjo jo në lashtësi, por në shekullin e XIX, Maksimiliani I, i cili u bë më pas perandori i Meksikës, kaloi ditë të tëra në Kepin e Rodonit bashkë me suitën e tij. Natyrisht, më së shumti për gjah, por ai ishte turizmi i kohës. Tani komuna e Ishmit po zhvillon forma të tjera bashkëkohore të turizmit dhe ka një veçanti, sepse në një distancë të shkurtër ajo gërsheton të dy klimat, atë të bregdetit me klimën malore. Kodrat e Ishmit kanë një bimësi ndër më intensivet në vend dhe janë dominuese. Pra sot shqyrtohen disa projekte, në të cilat do të punësohen me mijëra qytetarë. Turizmi u shndërrua në një degë kryesore të ekonomisë sonë. Gjatë verës përllogaritjet dëshmojnë se direkt dhe indirekt kjo degë ekonomie punëson më shumë se 185 mijë vetë.

Sot ne, gjithashtu, shqyrtojmë probleme që kanë të bëjnë me nevoja jetike të Orikumit, edhe kjo një zonë e famshme që nga lashtësia deri më sot, për bukuritë e saj natyrore, për betejat e zhvilluara në territorin e kësaj komune, sot bashki. Bëhet një investim shumë i rëndësishëm, prej 16 milionë dollarë për furnizimin me ujë. Dua të garantoj qytetarët e Vlorës dhe të mbarë Shqipërisë se vepra tjetër e rëndësishme, pas fillimit të bypass-it prej 27 kilometrash, në qytetin e Vlorës do të jetë rruga Orikum - Kepi i Gjuzës, një zonë mahnitëse për potencialin e saj të jashtëzakonshëm turistik. Mjerisht, për shkak të mungesës së infrastrukturës, kjo është një zonë e panjohur për shqiptarët, përveç atyre pak ushtarakëve që kanë kryer shërbimin në ato zona dhe barinjve që kullosin delet e tyre në gadishullin e Karaburunit. Karaburuni në faqen e tij veriperëndimore deri në Kepin e Gjuzës ka një terren të jashtëzakonshëm, potencial shumë të madh për turizmin. Ndaj dhe ne po i paraprijmë me infrastrukturë, në mënyrë që të shtrihet gradualisht dhe turizmi në atë drejtim. Sikundër, dua të informoj qytetarët se është në proces dhe në studim e sipër kompleksi Zvërnec – Nartë - Sazan - Karaburun, i cili, sipas ekspertëve më të shquar të zonave turistike, rezulton të jetë një kompleks unik në tërë gjeografinë e deteve dhe oqeaneve të planetit; një kompleks me potencial të jashtëzakonshëm dhe mundësi shumë të mëdha, përfshin ishullin, gadishullin dhe ultësirën e Zvërnecit, Nartës, me një diversitet dhe pasuri të jashtëzakonshme dhe të gjithanshëm.

Pra, le të vazhdojmë sot me këtë mbledhje, sipas rendit të ditës.

Në mbledhjen e sotme, Këshilli Kombëtar i Territorit miratoi:

1.Leje infrastrukture, për ndërtimin e hidrocentralit “STRAVAJ”, komuna Stravaj, rrethi Librazhd

Ky projekt shtrihet në komunën Stravaj të rrethit të Librazhdit dhe është një investim i “Stravaj energy”, me vlerë 503 529 364 lekë. Ky hidrocentral ka një fuqi të instaluar prej 3600 kW dhe prodhim mesatar energjie 16.6 milionë kWh në ditë.

2. Leje infrastrukture, për ndërtimin e hidrocentralit “Qafëzezë”, rrethi Librazhd

Ky projekt shtrihet në qarkun e Korçës, rrethi i Kolonjës, në komunën Mollas. Ky hidrocentral është investim i “Caushi K”, me vlerë 51 955 070 lekë dhe me një fuqi të instaluar 400 kW.

Pas prezantimit, Kryeministri Berisha vlerësoi ndërtimin e kësaj vepre si tepër të rëndësishme për fshatin Qafëzez, Kolonjën dhe mbarë vendin, duke shfrytëzuar burimet ujore në atë zonë të mrekullueshme.

3. Leje infrastrukture për ndërtimin e hidrocentralit “Stavec”

Ky projekt shtrihet në komunën Martanesh, rrethi i Bulqizës. Ky është një investim i “Koka sh.p.k”, me vlerë 8.5 milionë euro. Ky hidrocentral ka një fuqi të instaluar prej 6000 kW. Përfaqësuesi i kësaj kompanisë u shpreh se zona ku do të kryhet investimi nuk është pyjore, por është me shkurre dhe nuk ndikon në mjedis.

Pas prezantimit të projektit, Kryeministri Berisha vlerësoi në mënyrë të veçantë që këto investime, krahas mundësive që krijojnë për punësim, shoqërohen edhe me një përmirësim të ndjeshëm të infrastrukturës për banorët e këtyre zonave. “Rruga lidh dy fshatra që aktualisht janë, pothuajse, të izoluara dhe u bën të mundur atyre të lidhen me qendrën e komunës. Po kështu, në të gjitha këto vepra ka një faturë të rëndësishme që shpenzohet për ndërtim infrastrukture. Por, e rëndësishme është që në atë zonë nis një investim prej 8 milionë euro dhe punësohen disa qindra e qindra qytetarë të Martaneshit, Krastës dhe zonave përreth”, u shpreh Kryeministri.

4. Leje infrastrukture për ndërtimin e “Drejtorisë se mbrojtjes se dëshmitarëve dhe repartit RESI”

Ky projekt shtrihet në zonën e Vaqarit, pranë repartit ushtarak të FNSH-së, repartit 712 dhe është një investim me vlerë 258 552 301 lekë. Për këtë është vënë në dispozicion një parcelë prej 500 m2, brenda sipërfaqes së repartit prej 22 mijë m2.

5. Leje infrastrukture për rrjetin e furnizimit me ujë dhe shërbime sanitare në Orikum

Projekti “Furnizimi me ujë dhe shërbimet sanitare në Orikum” është i financuar nga Banka Islamike për Zhvillim dhe qeveria shqiptare, vlera totale e investimit është 16.441,000 USD, ku vlera e investimit të huaj është 13,351,000 USD dhe kontributi i qeverisë shqiptare është 3.090,000 USD. Zonat e mbuluara nga projekti janë Orikumi, Dukati i ri fshat, Dukati i vjetër, Radhima, Tragjasi, vija bregdetare Radhimë - Orikum.

Objektivat e këtij projekti janë sigurimi i pandërprerë me ujë të pijshëm për 15 mijë banorë aktualë, të cilët jetojnë në zonën administrative të bashkisë Orikum, në vite të parashikuar 53 550 banorë deri në vitin 2040, e cila përfshin qytetin e Orikumit, fshatrat e Radhimës, Tragjasit, Dukatit të vjetër dhe Dukatit të ri, si dhe zonën turistike Radhimë – Orikum, me një fluks prej 30 mijë turistësh në vit. Së dyti, projekti përfshin ndërtimin e rrjetit të kanalizime për banorët që jetojnë në bashkinë e Orikumit, pjesa e qytetit që nuk mbulohet nga rrjeti ekzistues, si dhe rrjetet e reja për fshatrat e Radhimës, Tragjasit, Dukatit të ri, Dukatit të vjetër, si dhe vijës bregdetare Radhimë – Orikum. Së treti, ky projekt sjell përmirësimet e kushteve të ambientit, mbrojtjen dhe rritjen e cilësisë së ujit të detit, nëpërmjet ndërtimit të impiantit të ujërave të zeza në zonën e projektit.

Pas prezantimit të projektit, Kryeministri Berisha u shpreh se ky ujësjellës është i një rëndësie strategjike. “Ju e dëgjuat që ujësjellësi parashikon të furnizojë nga 15 mijë banorë që është sot zona në 55 mijë banorë. Dhe e vërteta është që potenciali i zonës është edhe shumë më i madh. Si fillim i jep një mundësi të madhe zhvillimit, jo vetëm të Orikumit, por edhe të Karaburunit” – tha Kryeministri.

6. Rivlerësim i zonës nënjugore me sipërfaqe 30 ha, pjese e studimit urbanistik pjesor me sipërfaqe 43.69 ha në fshatin Hamalle, Bashkia Sukth, miratuar me vendimin e KRRTRSH-se nr.15 date 14.07.2009

Ky projekt shtrihet në qendrën e Gjirit të Lalzit, një fshat turistik me një hotel të një firme të njohur ndërkombëtarë me pesë yje, vila e apartamente të specifikimeve më të larta dhe shërbimeve luksoze. Rishikimi synon nuk prek parametrat e zhvillimit që janë në fuqi. Investitorët kanë në vëmendje edhe zhvillimin ekonomik të zonës, duke pasur prioritet punësimin e banorëve të kësaj zone, nga bashkia Sukth.

Pas prezantimit, nga përfaqësuesja e kompanisë, Kryeministri Berisha përgëzoi firmën e ndërtimit që kërkon të jetë në një dimension sa më njerëzor në këto ndërtimet turistike.

“Sot në mëngjes, këshilltari im për çështjet e territorit dhe të urbanistikes po më informonte për rendin e ditës. Dhe në këtë pikë, ato ndërtimet që ishin parashikuar 3 katëshe të zbrisnin në 2 katëshe. Erla u thotë - mirë që i sjell këtu! Po ku t’i çojë? – i them unë. Mund t’i çojë te Balla për të sharruar katet, se atje i çon Rama kur ka për të sharruar katet.”

7. Studim Urbanistik Pjesor për kompleks turistik rezidencial e hotelier sip.9.71 ha brenda studimit urbanistik në zonën turistike të Gjirit të Lalëzit, Komuna Ishëm.

Studimi bën fjalë për një sipërfaqe prej 9.71 ha në Gjirin e Lalzit, me investitor “Dobi Management shpk”. Ky investim synon zhvillimin e turizmit elitar, me godina jo më të larta e 5 kate dhe ruajtja e një distance prej 250 metër nga vija e ujit. Është një investim prej afro gjysmë miliardë dollar dhe me një potencial të madh punësimi, qoftë gjatë ndërtimit edhe më pas në vazhdim.

8. Studim Urbanistik Pjesor me sip.1.2ha brenda ristudimit urbanistik në zonën turistike të Gjirit të Lalëzit, Komuna Ishëm.

9. Studim urbanistik pjesor 7.6 ha, dhe leje sheshi për 3 vila një kat me papafingo brenda ristudimit urbanistik në zonën turistike te Gjirit të Lalëzit, me sip.2812m2, në fshatin Lalëz, Komuna Ishëm, Qarku Durrës.

Në përfundim të mbledhjes, Kryeministri Berisha u shpreh: Ky ishte rendi i ditës për këtë mbledhje dhe shpresojmë që mbledhjen e ardhshme do të kemi edhe shumë të priturin, shumë të kërkuarin planin urbanistik të kryeqytetit të vendit. Qytetarët e Tiranës mezi presin miratimin e tij dhe ne do të kemi një takim të shpejtë. Sepse, pas një procesi konsultimesh dhe diskutimesh me të gjitha grupet e interesit, por në veçanti me qytetarët e Tiranës, komunat përreth dhe autoritetet e tyre, plani ndodhet në Agjencinë e Planifikimit të Territorit, e cila në kohën më shkurtër do ta paraqesë dhe do të organizojmë mbledhjen për këtë moment shumë të rëndësishëm për historinë e urbanistikës dhe zhvillimi të vendit.


18/01/2013

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›