E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha fton qytetarët në festën me rastin e 20 vjetorit të rrëzimit të bustit të diktatorit Enver Hoxha

Gjatë një konference të posaçme për shtyp, Kryeministri Berisha i ftoi qytetarët shqiptarë që të bashkohen nesër në koncertin festiv, të festojnë dhe nderojnë në emër të të gjithë atyre që 20 vjet më parë shembën bllokun bunker të regjimit Hoxhist dhe shtatoren e diktatorit më të egër që shqiptarët kanë njohur në tërë historinë e tyre.

“Të dashur qytetare dhe qytetarë shqiptarë,

Vëllezër dhe motra,

Zonja dhe zotërinj,

Nesër është 20 vjetori i një prej ditëve më të mëdha, më të shënuara në historinë e lirisë së shqiptarëve, ditës së përmbysjes së bllokut bunker të regjimit totalitar dhe shtatores së diktatorit më barbar që Evropa ka njohur pas Luftës së Dytë Botërore, Enver Hoxhës.

Nesër është dita e kujtesës kombëtare, nderimit të vuajtjeve, persekutimeve, torturave çnjerëzore, ekzekutimeve, gjenocidit dhe krimeve kundër njerëzimit që regjimi i Enver Hoxhës dhe bllokmenëve të tij kreu ndaj shqiptarëve në 45 vite të sundimit të tyre.

Jam sot këtu për tu ftuar ju, të dashur qytetare dhe qytetarë shqiptarë, që të bashkohemi nesër në koncertin tonë festiv; të nderojmë dhe festojmë së bashku këtë ditë që qëndron në themel të lirive dhe dinjitetit tonë njerëzor; të festojmë dhe nderojmë në emër të atyre qindra dhe mijëra të rinjve dhe të rejave, burrave dhe grave të Tiranës dhe mbarë Shqipërisë, të disa qindra studenteve dhe studentëve të ngujuar në grevën e urisë që 20 vjet më parë shembën bllokun bunker të regjimit Hoxhist dhe shtatoren e diktatorit më të egër që shqiptarët kanë njohur në tërë historinë e tyre.

Unë jam sot këtu për t’ju ftuar ju, të dashur qytetare dhe qytetarë të këtij vendi, që të bashkohemi nesër në koncertin tonë festiv për të nderuar së bashku qëndresën, vuajtjen, torturat, ekzekutimet pa gjyqe, internimet kolektive të pothuajse ¼ së kombit shqiptarë nga Enver Hoxha dhe bllokmenët e tij.

Ftoj nesër të bashkohen me ne të gjithë shqiptarët që i besojnë lirisë dhe vlerave të saj, si dhe që kanë në anëtarësimin e Shqipërisë në Aleancën më të fuqishme të lirisë së të gjitha kohërave, NATO-n, realizimin e një prej ëndrrave më të bukura dhe më fisnike të tyre.

Ftoj nesër të gjithë qytetarët e këtij vendi, të cilët lëvizin sot të lirë në mbarë Evropën, që të festojmë së bashku ditën e themelimit të lirive të vërteta tona.

Ftoj të bashkohen nesër me ne në koncertin tonë festiv të gjithë të rejat e të rinjtë, studentet e studentët, burrat e gratë, të moshuarit që besojnë tek vota e lirë dhe fuqia e saj, që besojnë se pushteti merret me votë dhe kurrë me dhunë.

Ftoj të bashkohen me ne të gjithë qytetarët e këtij vendi që besojnë dhe kontribuojnë në Shqipërinë që po ndërtojmë, vendin që po ndryshon çdo vit me shpejtësinë më të madhe, vendin që po rrit më shumë se çdo vend tjetër rrogat dhe pensionet e qytetarëve të tij, vendin që ka sot ekonomi me rritjen më të lartë në Evropë, vendin që me lumenjtë e mundit, djersës dhe reformave e shndërruam në destinacionin kryesor turistik të vitit 2011, më të bukurën e dheut, ashtu siç e ka bërë Zoti.

Të dashur qytetare dhe qytetarë,

Le të bashkohemi ne nesër për të festuar në mënyrën më të qytetëruar, më të gëzueshme, më dinjitoze, këtë ditë të madhe të jetës dhe lirive tona.

Mirësetëvini të gjithë të festojmë së bashku!.

Faleminderit!

Më pas, Kryeministri Berisha iu përgjigj interesit të gazetarëve të pranishëm:

Pyetje: Në emër të simbolikës së kësaj date, mendoni se ka ardhur koha për dialog me opozitën pas disa javëve kur situata është shumë konfliktuale?

Kryeministri Berisha: Kjo datë është data në të cilën çelen liritë tona. Më lejoni të theksoj se vërtetë opozita shqiptare u themelua më datë 11 dhjetor, vërtetë ‘Muri i Berlinit’ u rrëzua më datën 8 - 11 dhjetor në Tiranë, por, nga ana tjetër, dua të pranojmë se prania e bllokut omnipotent dhe e shtatores së diktatorit, të cilin Bashkimi Demokratik Evropian në deklaratën e tij në maj të vitit 1991 do ta cilësonte si Hitleri i pasluftës i Evropës, i bënte liritë tona jo reale, e bënte opozitën shqiptare jo reale. Në këtë kontekst mendoj përmbysja e bllokut dhe shtatores përbën një nga kryeveprat historike më të mëdha të opozitës shqiptare.

Sot Shqipëria është një vend me një Kushtetutë thellësisht demokratike dhe me ligje thellësisht demokratike. Gjithçka dhe çdo gjë në këtë vend është e mundur dhe duhet të zgjidhet në respekt të plotë të Kushtetutës që qëndron në themel të të gjithë atyre lirive që lindën, që rilinden në 20 shkurtin e vitit ‘91. Këto ligje dhe kjo Kushtetutë garantojnë për format më të suksesshme të bashkëpunimit. Jashtë tyre çdo gjë tjetër është iluzive. Ky është një sistem demokratik, një sistem që funksion. Ky është sistemi që anëtarësoi Shqipërinë në NATO, që realizoi zgjedhjet e lira, që bëri që vendet anëtare të zonës së Shengenit dhe vendet anëtare të Bashkimit Evropian t’i shprehin Shqipërisë dhe shqiptarëve besimin më të madh në historinë e këtij vendi.

Ju përshëndes dhe ju uroj gëzuar! Ju ftoj ta festojmë nesër së bashku. Ne bëjmë festë! Ky është përcaktimi ynë. Nuk është kjo për ta hapur fushatën elektorale, se mund ta thoni, por është thjeshtë festë për të nderuar këto vlera që unë përmenda këtu”.  


19/02/2011

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›