Mblidhet Task Force për Inspektoratet

Kryeministri Berisha drejtori sot Task Force për Inspektoratet, e cila përmbylli një cikël të gjatë diskutimesh mbi 18 mujore për reformën e sistemit të inspektorateve, e cila parashikon reduktimin nga 36 në 11 inspektorate. Kryeministri Berisha tha se kjo reformë është e domosdoshme për të shmangur arbitraritetin e sistemit ekzistues ndaj biznesit, si dhe do të krijojë zhdërvjelltësi shumë të madhe në funksionalitetin e tij.
Duke folur më gjerësisht lidhur me këtë reformë, Kryeministri Berisha u shpreh:
“Kjo është edhe mbledhja finale, në të cilën pas 18 muaj diskutimesh do të vendoset finalizimi i organizimit të sistemit të inspektoratit në Shqipëri. Natyrisht, pas ligjit, janë një seri vendimesh që duhet të miratohen dhe duhet bërë një punë shumë madhe që ky sistem të mund të konsolidohet sa më shpejt mbi këtë bazë të re ligjore, mbi këtë formë të re organizimi dhe praktika të reja të punës.
Shkëputja nga sistemi i ekzistues i inspektorateve u bë i domosdoshëm së pari, për shkak të një arbitrariteti të pa tolerueshëm të sistemit ekzistues ndaj biznesit. Arbitraritet që vetëm në kohë është llogaritur se i konsumon biznesit rreth 45 ditë në vit. Së dyti, riorganizimi tërësor i sistemit të inspektorateve është bërë i domosdoshëm edhe për faktin se eficenca e tij është e pamjaftueshme dhe në kuadrin e standardeve të reja që ne duhet të vendosim një sistem i ri inspektoratesh.
Inspektorati është i domosdoshëm. Ligji horizontal duhet të jetë i përbashkët për të gjitha inspektoratet. Reduktimi i tyre nga 36 në 11-12 inspektorate përbën një nga risitë më madhore të sistemit të ri, gjë e cila do të krijojë edhe zhdërvjelltësi shumë të madhe në funksionalitetin e tij. Ngritja inspektoratit qendror do të varet nga Këshilli i Ministrave, me mision të caktuar, pra, jashtë kompetencave të tij për të ushtruar kontroll mbi bizneset, por në tagrin e tij të plotë për të mbikëqyrur punën e inspektorateve, për të zhvilluar, elaboruar standardet e veprimtarisë së tyre dhe mbi të gjitha, për të garantuar transparencën e veprimtarisë së tyre.
Inspektoratet në Shqipëri do të jetë e-inspektorat. Është e domosdoshme që sistemi inspektimit të jetë dixhital, gjurma duhet të jetë e qartë në çdo hap të secilit prej tyre. Një nga detyrat që do të ketë inspektorati qendror është vendosja e sistemit të e-inspektoratit në Shqipëri. Janë bërë diskutime edhe lidhur me statusin e inspektorëve. Statusi i inspektorëve do të jetë statusi i inspektorit tatimor. Nuk mund të bëhet fjalë për një mandat të kufizuar për inspektorin. Kompetencat e tij në planin ligjor do të jenë të njëjta me ato të tatimorit, i cili është një inspektorat në vetvete, por një inspektorat me një fushë të gjerë. Ne duhet të krijojmë një normë e zhdërvjelltësi në tërë veprimtarinë e inspektorateve tona. Ato kompetenca që Kodi Tatimor u njeh inspektorëve tatimorë, po ato kompetenca dhe atë praktikë do t’u njohë ligji inspektorëve të inspektorateve të ndryshëm. Praktika e inspektorit tatimor është praktika më e konsoliduar në vend, me gjithë plus minuset e rezervat që ekzistojnë, por ajo është praktika më e konsoliduar. Inspektorati tatimor aktualisht është në shërbimin civil, por ka një trajtim më të veçantë për të, sesa për punonjësit e shërbimit civil dhe unë jam për një trajtim më të veçantë të inspektorëve, për vetë karakterin e punës së tyre. Ne nuk mund të hezitojmë t’u japim atyre një status.
Ndaj reformat duhet t’i bëjmë të plota. Kjo është mbledhja përmbyllëse e një serie të gjatë mbledhjesh, takimesh e diskutimesh të gjithanshme që janë bërë nga Tas Force, me grupet e interesit, me ministritë dhe sot duhet të japim vendimet përfundimtare. E kuptoj që për ju nuk është e lehtë të shkrini inspektorate, por është e domosdoshme. Në një ministri tre drejtues inspektoratesh janë si tre kamberë në një derë. Mund të jetë një, mund të jetë seksion, departament, në këtë mënyrë vetëm sa e zhdërvjelltësoni dhe e vërteta është se kontrollohen më mirë.”
18/02/2011