Kryeministri Berisha pret kryetarin e PDSH-së Menduh Thaçi
Kryeministri Berisha priti sot në takim kryetarin e PDSH-së Menduh Thaçi, i cili gjendet për një vizitë në Tiranë. Kryeministri Berisha dhe zoti Thaçi patën një takim të përzemërt, gjatë të cilit diskutuan mbi të gjitha zhvillimet në Shqipëri dhe Maqedoni, si dhe mbi proceset demokratike dhe euro-integruese të të dy vendeve.
Kryeministri Berisha e njohu zotin Thaçi me të gjitha masat që po ndërmerr qeveria shqiptare për të siguruar zgjedhje të lira dhe të ndershme, si dhe për projektet e KQZ, si organ i mandatuar në mënyrë konsensuale me ligj, për organizimin dhe zhvillimin e zgjedhjeve të 8 majit. Kryeministri theksoi se konsolidimi i institucionit të votës së lirë është faktor përcaktues për ndërtimin e të ardhmes së Shqipërisë dhe zgjedhjet për pushtetin vendor të 8 majit do t’i shërbejnë këtij konsolidimi dhe arritjes së standardeve më të larta. Ai u shpreh se ata, të cilët tentuan të vijnë në pushtet me dhunë, i bënë një dëm të madh vendit në tërësi, por dhe Partisë Socialiste.
Zoti Thaçi, nga ana e tij, shprehu vlerësimin e madh për qëndrimin e Kryeministrit Berisha, por dhe të qeverisë shqiptare në këtë situatë delikate. Ai shprehu besimin se kjo situatë do kapërcehet me mjete dhe rrugë demokratike.
18/02/2011