E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha i dërgon një letër ngushëllimi Kryeministrit të Republikës Popullore të Kinës

Kryeministri Berisha i ka dërguar një letër ngushëllimi Kryeministrit të Republikës Popullore të Kinës, zotit Wen Jibao për përmbytjet në veri perëndim të Kinës, si pasojë e të cilave kanë humbur jetën qindra persona, si dhe janë shkaktuar dëme të tjera njerëzore e materiale.

Në letrën e dërguar, Kryeministri Berisha shprehet:

“I nderuar Zoti Kryeministër,

Me keqardhje të thellë mësova për fatkeqësitë natyrore, të shkaktuara nga përmbytjet dhe shirat e dendura në kantonin Zhouqu, të provincës Gansu, në veri perëndim të vendit Tuaj, si pasojë e të cilave kanë humbur jetën qindra persona, si dhe janë shkaktuar dëme të tjera njerëzore e materiale.

Më lejoni që, në këto çaste dhimbjeje, t’Ju shpreh në emrin tim dhe të qeverisë shqiptare, ngushëllimet më të sinqerta për familjet e viktimave.

Shqiptarët ndajnë me Ju, qeverinë dhe popullin mik kinez hidhërimin për humbjen e jetëve njerëzore, ndaj, edhe në emër të tyre, më lejoni t’Ju ripohoj ndjenjat më të sinqerta të solidaritetit njerëzor.

Me sigurimet e konsideratës sime më të lartë,

Juaji,

Sali Berisha”


16/08/2010

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›