Kryeministri Berisha i dërgon një mesazh ngushëllimi Presidentit Obama, për ndarjen nga jeta të Ambasadorit Richard Holbrooke
Kryeministri Berisha i dërgoi sot një mesazh ngushëllimi Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Zotit Barack Obama, për ndarjen nga jeta të Ambasadorit Richard Holbrooke, në të cilin shprehet:
“I dashur zoti President,
Ndarja nga jeta e të dërguarit Tuaj të posaçëm në Afganistan dhe Pakistan, diplomatit të shquar amerikan, por edhe mikut të çmuar të Shqipërisë e të kombit shqiptar, Ambasadorit Richard Holbrooke, ishte një lajm shumë i hidhur, jo vetëm për bashkëshorten dhe familjen e tij, për Ju, për qeverinë Tuaj dhe kombin amerikan, por edhe për të gjithë miqtë e tij të shumtë, anembanë botës.
Richard Holbrooke u nda nga jeta para kohe, duke pikëlluar thellë, por edhe i lenë krenarë të gjithë ata që patën fatin të njohin nga afër personalitetin dhe cilësitë e tij të rralla. Në memorien time dhe të kombit tim, Ambasadori Richard Holbrooke, kontributi i jashtëzakonshëm që ai dha si i Dërguari i Posaçëm i Presidentit Clinton për Ballkanin, do të mbeten përgjithmonë të gjalla dhe do të nderohen gjithnjë me mirënjohje të thellë.
Në këtë çast dhimbjeje e hidhërimi të thellë për Ju, zoti President, për qeverinë Tuaj, për bashkëshorten e familjen Holbrooke, më lejoni t’Ju shpreh, në emrin tim dhe të qeverisë shqiptare, ngushëllimet më të sinqerta, si dhe t’u bashkohem lutjeve Tuaja që, shpirti i njërit prej yjeve më të shndritshëm, personaliteteve më të shquara të diplomacisë së vendit tuaj, mikut të madh të shqiptarëve, Ambasadorit Richard Holbrooke, të gjejë paqen e merituar.
Me sigurimet e respektit dhe të konsideratës më të lartë,
Juaji
Sali Berisha”
14/12/2010