E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministrat Berisha dhe Pahor inaugurojnë hapjen e ambasadës së Republikës së Sllovenisë në Shqipëri

Në vijim të vizitës së Kryeministrit slloven në Shqipëri, dy kryeministrat Berisha dhe Pahor inauguruan sot pasdite, hapjen e përfaqësisë diplomatike të Republikës së Sllovenisë në Tiranë.  

Hapja e ambasadës sllovene u përshëndet nga Kryeministri Berisha, i cili shprehu kënaqësinë që vizita e suksesshme dhe historike e Kryeministrit Pahor në Shqipëri u kurorëzua me këtë moment shumë të rëndësishëm në marrëdhëniet miqësore midis dy vendeve.

“Më pak se një muaj, kur në Bruksel u vendos për heqjen e vizave, u thashë shqiptarëve se kjo është kartolina më e bukur që kryetarët e shteteve dhe qeverive të vendeve anëtare të Bashkimit Europian ju dërgoi secilit prej jush, për krishtlindje dhe vitin e ri. Kështu që kur ata ta lexojnë kartolinën, do të lexojnë edhe firmën tuaj. Ndërsa me hapjen e ambasadës këtu, ky është urimi më i bukur që ju i bëni Shqipërisë në prag të krishtlindjeve dhe vitit të ri. Ndaj, zoti Kryeministër, shfrytëzoj rastin për t’ju përcjellë juve personalisht, familjes suaj, qeverisë dhe kombit tuaj urimet më  të përzemërta, për festat e fund vitit, krishtlindjen dhe vitin e ri”, u shpreh Kryeministri Berisha.

Edhe për Kryeministrin Pahor, hapja e ambasadës së Sllovenisë në Tiranë do të forcojë  bashkëpunimin, në interesin më të mirë të të dy popujve.

Kryeministri slloven Borut Pahor zhvilloi sot një vizitë zyrtare në Shqipëri, me ftesë të Kryeministrit Berisha. Një ndër qëllimet e kësaj vizite ishte edhe hapja e ambasadës sllovene në Tiranë.


08/12/2010

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›