E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha takohet me shtabin qendror të emergjencës civile në prefekturën e Shkodrës

Pas inspektimit të argjinaturës së Torovicës dhe ndalesës në Drejtorinë e Përgjithshme të Rezervave të Shtetit në Gjadër, Kryeministri Berisha zhvilloi një takim me shtabin qendror të emergjencës civile, i vendosur në godinën e prefekturës në Shkodër, ku u analizua situata më e fundit në zonat e përmbytura.

Kryeministri përcaktoi sërish si detyrë parësore evakuimin e banorëve, strehimin e tyre dhe furnizimin me ujë të pijshëm, ushqime dhe gjithçka tjetër të nevojshme për përballimin e kësaj situate.  

Lidhur me situatën dhe ecurinë e operacioneve të evakuimi dhe furnizimit me ushqime në zonat e përmbytura, Kryeministri Berisha tha:  

“Në këtë situatë të jashtëzakonshme, qytetarët e Shkodrës dhe komunave të saj, autoritetet vendore, forcat e armatosura, policia, nën drejtimin e shtabit qendror të emergjencës, të kryesuar nga Zëvendëskryeministri Meta, kanë bërë gjatë këtyre 24 orëve të fundit përpjekje të jashtëzakonshme, për t’u përballur me eficencë me këtë situatë, e cila për shkaqe natyrore vjen në rëndim. Moti i madh që ka përfshirë mbarë Europën, ku deri mbrëmë numëroheshin mbi 62 viktima, në rajonin tonë është i shprehur me përmbytje të mëdha, në Serbi, Bosnje-Hercegovinë, Shqipëri, Malin e Zi dhe pjesërisht në Kroaci.

Operacionet e shpëtimit kanë qenë plotësisht të suksesshme. Fatmirësisht, këto ndërhyrje kanë bërë që gjer tani, ne nuk kemi as edhe një jetë njerëzore të humbur, çka është edhe qëllimi më kryesor i të gjithë veprimtarisë sonë. Ka pasur situate kritike në komunën e Dajçit, ku është ndërhyrë dhe janë shpëtuar. Po ashtu ka pasur situatë kritike edhe në qarqe të tjera. Mbrëmë vonë, qeveria ka shpallur gjendjen e jashtëzakonshme, pra, të fatkeqësisë natyrore edhe në dy qarqe, të Lezhës dhe të Durrësit. Në mes të natë është shpëtuar nga ujërat e Drojës një bari,  i cili për dy orë rresht e mbante jetën në një fill. Po kështu, kanë vazhduar me intensitet të mëdha punimet në digën e Torovicës. Unë sapo vij nga andej dhe uji është buzë më buzë me lartësinë e digës.  Anëtarë të Forcave të Armatosura, kompani private kanë punuar gjithë natën. Ministrat e zyrtarët e tjerë, të dërguar nga kryetari i komitetit të emergjencës, kanë qenë aty, sëbashku me prefektin.

Po punohet me intensitet në të gjitha frontet. Janë shpërndarë mijëra pako ndihmë. Janë evakuuar gjer tani rreth 4 mijë familje apo 12 mijë persona të regjistruar. Po merren masa për të garantuar shërbimin shëndetësor.

Dua të falënderoj mediat për angazhimin e tyre në të katër anët e kësaj zone, në fatkeqësi natyrore.

Shtabi është i vendosur që me të gjithë potencialin e tij të qëndrojë mbrapa çdo qytetari, por në këtë rast, rëndësi të jashtëzakonshme ka komunikimi. Ndaj zoti Zëvendëskryeministër duhet të bëjmë disponibël një seri më të madhe numrash telefoni, ku qytetarët në nevojë, mediat dhe cilido tjetër të japë apelin të bëjë thirrjen për ndihmën që i nevojitet. Sado të përpiqemi, është absolutisht jashtë çdo mundësie reale që të imagjinohet për situatën e çdo qytetari në këtë zonë, që ka një gjerësi të madhe përmbytjeje.

Probleme serioze po krijon përmbytja në qytetet. Gjatë gjithë ditës po shpërndahet ujë dhe bukë për zonën e përmbytur, por janë të lutur qytetarët të njoftojnë për çdo mungesë që mund të ketë në këtë proces, në mënyrë që atyre t’u shkojë ndihma e përcaktuar. Është e domosdoshme të organizohet një sistem taksie, për aq sa mund të funksionojë, me makinat e ushtrisë, të cilat nuk mund të jenë kurrë eficente, sa do të ishin autobusët, por, prapë se prapë, ato të funksionojnë në zonat e përmbytura të  qytetit, për t’iu përgjigjur disa nevojave më minimale të qytetarëve, kur ata të kenë nevojë të lëvizin për një problem apo tjetër. Është e domosdoshme që Rezerva e Shtetit të hapë një qendër përpunimi brenda qytetit të Shkodrës. Unë e kuptoj se kjo nuk është komode për ta, pasi në Gjadër janë në kushte të më favorshme pune, por autoritetet vendore insistojnë re kjo u volit më shumë dhe mendoj se kanë të drejtë. Ndaj Rezervat e Shtetit duhet urgjentisht të kenë qendrën e përcaktuar për qytetin dhe dy komunat ngjitur Guri i Zi dhe Ana e Malit, që depot ushqimore e gjithçka tjetër që u duhet të jenë gjithnjë e më afër.

Unë shpreha mendimin që një pjesë e qytetarëve, veçanërisht fëmijë, gra, familjet me disa fëmijë, të mund të transportohen në konvaleshencën e ushtrisë dhe Ministrisë së Brendshme. Unë dua t’u bëj me dije se as kurrkund tjetër, ne nuk mund t’u krijojmë kushte jetese më të mira, sesa në këto konvaleshenca, ku ne garantojmë përveç hotelerisë, ushqimit, edhe kopsht e shkollë për fëmijët dhe shërbim shëndetësor 24 orë. Por kjo, natyrisht, varet në dakortësinë e tyre. Ne kemi kapacitete në Shkodër, ndaj nuk është mungesa e kapaciteteve strehuese që të hapemi në këtë drejtim, por janë kushtet e mira në këto konvaleshenca dhe për të lehtësuar barrën e autoriteteve vendore, që një pjesë e tyre, mbi baza të studiuara, mund të strehohen në konvaleshencën e ushtrisë dhe Ministrisë së Brendshme në Durrës.

Treni funksion mirë. Është e domosdoshme që të përparësohet transporti me tren, qoftë t’u jepet përparësi firmave private, të cilat duan të sjellin mallrat në Shkodër. Duhet të bëjmë një kujdes të veçantë për linjën hekurudhore, pasi rruga automobilistike, me ngushtimin që krijon, nuk është shumë inkurajuese për transporte intensive, siç e ka pasur qyteti. Ndaj ne duhet të bëjmë çdo gjë që kjo të mund të kompensohet edhe me një funksionim shumë të mirë të linjës hekurudhore dhe tregtarët e qytetarët ta dinë që për çdo rast mund t’i drejtohen kësaj linje.

Shtabi i emergjencës po ndjek me shumë vëmendje gjendjen e kaskadës. Unë dua t’ju garantoj se është bërë përpjekja më maksimale për trajtimin më serioz të mundshëm të të gjithë mekanizmit të kaskadës. Por një gjë duhet ta kemi të qartë të gjithë, se në asnjë rrethanë nuk mund ta shndërrojmë në një kërcënim për vendin. Situata atje po ndiqet në çdo, orë po manovrohet në çdo orë, po përpiqen me çdo kusht që të mos derdhet asnjë litër ujë i tepërt, por sërish prurjet janë shumë të mëdha. Drini ka disa ditë që është mbi 1300 m3/sekondë, mbrëmë ka qenë 1600 m3/sekondë. Ka një ndjekje të pandërprerë dhe përpjekje për të minimizuar në shkallën më të madhe të mundshme derdhjet.

Unë gjej rastin të falënderoj të gjithë qytetarët e Shkodrës, të zonave të komunave të përmbytura, për qëndrimin e tyre burrëror, përkushtimin, gjakftohtësinë që kanë treguar në këtë situatë kritike, të falënderoj autoritetet vendore, anëtarët e Forcave të Armatosura, të Policisë së Shtetit, ekipeve shëndetësore. Një falënderim të përzemërt dua t’i bëj peshkatarëve të Shkodrës, të cilët që në momentet e para janë ofruar për të ndihmuar qytetarët në nevojë. Dua të falënderoj qindra qytetarë, biznesmenë,  kompani të ndërtimit, ushqimore apo kompani të ndryshme, për bujarinë, gatishmërinë që kanë treguar, për t’iu përgjigjur nevojave emergjente të kësaj situate. Falënderoj të gjitha qeveritë e vendeve mike për solidaritetin dhe ndihmën bujare që kanë dërguar apo premtuar.

Dua të garantoj qytetarët e Shkodrës, por edhe të mbarë Shqipërisë se shteti, qeveria është e tëra e përkushtuar dhe e angazhuar që të lehtësojë e të ndajë dhimbjen dhe problematikën e krijuar nga këto fatkeqësi natyrore. Parashikimet e motit nuk janë optimiste. Sot ka pasur reshje të mëdha në Korçë. Shtabi i emergjencës është i detyruar të ketë një vështrim tërësor mbi vendin. Dje ka qenë një ditë ndër më të rëndat në historinë e Matit, përsa i përket reshjeve e përmbytjeve. Ura të tëra të rrënuara, shtëpi të shembura, fshatra të përmbytura. Sot, sigurisht, situata është krejtësisht tjetër, është më e qetë. Këtë e thashë, sepse ky mot i madh ka potencialin për të krijuar probleme të përhapura. Ndaj edhe ne, sigurisht, që jemi këtu se këtu është epiqendra, por ne vështrojmë e qëndrojmë të vendosur për të vepruar në mbarë Shqipërinë, kudo që të krijohet një situatë emergjente. E rëndësishme është që gjer tani nuk kemi asnjë jetë të humbur. Apeli im më miqësor e njerëzor ndaj qytetarëve shqiptarë të këtyre zonave, por edhe zonave të tjera, është të shmangni çdo gjë kërcënuese në përballjen me këto faktorë të verbër natyrorë. Më lart theksova rastin e bariut. Lumi i Droit është një përrua, por mbrëmë kërcënonte përmbytje masive. Bariu kishte ngelur në një copë druri dhe me vështirësi u nxor nga situata. Po kështu, para dy netësh, në Daragjat, 4 qytetarë ishin nisur pas mesnate të dilnin pa njoftuar dhe më pas, kur mbetën në ujë, forcat e RENEA ndërhynë. Por jo në çdo rast, do të jemi eficent. Ne nuk do të ngurrojmë, por nuk do të thotë që do të arrijmë të bëjmë atë që duam. Ndaj është një thirrje të shmangni kur keni mundësi, çdo lloj përballje me forcat e verbëta të natyrës.

Edhe një herë ju përgëzoj. Puna është bërë e jashtëzakonshme 24 orë. Të bëjmë gjithçka të mos kemi humbje jetë njerëzish. Të tjerat do të marrin zgjidhjet e tyre. Falënderoj edhe mediat, pasi kanë bërë njoftime intensive nga të gjitha zonat dhe kjo është shumë e rëndësishme. Unë përpiqem t’ju ndjek, jam në komunikim direkt me zotin Meta e anëtarët e shtabit, po ashtu ju ndjek edhe juve. Ju jeni kudo, keni shpalosur ekipet e kamerat tuaja në të katër anët e zonës. Forcat e ushtrisë dhe të policisë, natyrisht brenda mundësive, duhet të ndihmojnë gazetarët që edhe ata të japin informacionin e duhur e të përmbushin detyrimin e tyre, pasi kanë treguar një përkushtim të madh gjithë këtyre ditëve, çka është shumë e rëndësishme.” 


04/12/2010

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›