Kryeministri Berisha i shpreh ngushëllimet familjes së publicistit të njohur Ardian Klosi
Kryeministri Berisha, përmes një mesazhi, i shprehu sot ngushëllimet familjes së publicistit të njohur Ardian Klosi, i cili u nda nga jeta mbrëmjen e djeshme. Kryeministri shprehet se ndarja nga jeta e Ardianit është një humbje e pakompensueshme për familjarët, por dhe një humbje e madhe për letrat, publicistikën dhe shoqërinë civile shqiptare, të cilat humbasin një personalitet të shquar të tyre.
Në mesazhin e tij, Kryeministri Berisha shkruan:
“Familjes së të ndjerit Ardian Klosi
Ndarja tragjike nga jeta e njeriut tuaj më të dashur më ka pikëlluar thellë dhe duke ndarë me ju këtë dhimbje, ju shpreh ngushëllimet e mia më të sinqerta. Ndarja nga jeta e Ardianit, njeriut tuaj më të dashur, është një humbje e pakompensueshme për ju, por dhe një humbje e madhe për letrat, publicistikën dhe shoqërinë civile shqiptare, të cilat humbasin një personalitet të shquar të tyre.
Në këto ditë zie për ju, unë i lutem Zotit që shpirti i bashkëshortit, babait dhe njeriut tuaj më të afërt, të gjejë paqen e merituar.
Me respekt
Sali BERISHA”
27/04/2012