Kryeministri Berisha zhvilloi homazhe në nderim të aktorit të shquar Roland Trebicka, i cili u nda nga jeta një ditë më parë

Sot paradite, Kryeministri Berisha zhvilloi homazhe, në ambientet e Teatrit Kombëtar, në nder të aktorit Roland Trebicka, i cili u nda nga jeta një ditë më parë, në moshën 66 vjeçare. Duke vlerësuar lart figurën dhe veprën e aktorit të mirënjohur, Kryeministri u shpreh: “Një ditë e dhimbshme zie, trishtimi, për ndarjen nga jeta të një korifeu të vërtetë të artit tonë skenik, të teatrit dhe filmit shqiptarë. Roland Trebicka ishte dhe do të mbetet, njëri nga artistet më të dashur, më të çmuar, më të fuqishëm, në mjeshtërinë e tij për shqiptarët.
Më bukur se Roland Trebicka, askush tjetër nuk u shkri në personazhet e tij dhe në këtë aspekt ai ka jetuar, jeton dhe do të jetojë në këto personazhe artistike. Ka fituar pavdekësinë që meriton.
I shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes, e cila ka bërë përpjekje të mëdha për ta ndihmuar Rolandin dhe ai vete kapërceu me guxim shumë të madh momente të vështira, situata shumë të vështira shëndetësore, por vullneti për jetën i dha forca atij dhe i dominoi sëmundjen për një kohë jo të shkurtër. Ngushëlloj të gjithë miqtë e tij, botën e artit, që sot është në zi të vërtetë”.
07/03/2013