E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha inauguroi shkollën e re 9- vjeçare, në komunën e Farkës

- Kryeministri Berisha: Rruga juaj drejt Evropës është udhëtimi më fisnik dhe i ndershëm, më i mençur që ne kemi ndërmarrë ndonjëherë në tërë historinë tonë. Kjo rrugë është e pandalshme.

- Kryeministri Berisha: Unë ju shpreh ju nderimin më të madh dhe ju ftoj ju të vazhdojmë, se me djersën dhe me mundin tonë nuk do të na pengojë askush në realizimin e ëndrrës tonë evropiane.

- Kryeministri Berisha: Unë kam ardhur për t’ju garantuar ju, kryetarin e Komunës tuaj dhe deputetin tuaj, se qeveria do të investojë në këtë komunë për ta shndërruar atë në njërën prej zonave më të bukura të Shqipërisë, por edhe më gjerë. Farka, së shpejti, do të kompletojë asfaltimin e plotë dhe total të të gjitha rrugëve të saj, ndiçmin e tyre në çdo skaj, njëlloj me standardet e një qyteti. Farka po zhvillohet sipas një masterplani, i cili respekton të gjitha standardet më të mira të turizmit, të zhvillimit, të bujqësisë dhe në tërësi do të jetë një nga bizhutë e vërteta të Shqipërisë në të gjitha aspektet.

Kryeministri Berisha mori pjesë sot në ceremoninë e inaugurimit të shkollës së re 9- vjeçare, në komunën e Farkës, fshati Farkë e Vogël, me vlerë 60 milionë lekë. Shkolla, në të cilën mësojnë 340 nxënës, është e ndërtuar sipas parametrave moderne bashkëkohore duke përfshirë laborator informatike, mjedise sportive, shërbim mjekësor, si dhe dy klasa për arsimin parashkollorë.

Në këtë aktivitet, Kryeministri Berisha shoqërohej nga ministri i Arsimit, deputetë të qarkut të Tiranës, drejtues të pushtetit lokal të Farkës, etj.

Më poshtë vijon e plotë fjala e Kryeministrit Berisha:

“Të dashur nxënës, mësues, prindër dhe familjarë të nxënësve të shkollës së re që sapo inauguruam.

Zoti ministër,

Zotërinj deputetë,

Zoti kryetar i Komunës,

Para së gjithash shpreh kënaqësinë time që inaugurojmë sot një shkollë tjetër të re, moderne, në komunën e Farkës, një investim prej 60 milionë lekë. Ndërtesa ka 16 klasa, ka kabinete interneti, por ka edhe 2 klasa për arsimin parashkollor. Duke ardhur këtu, për në shkollën tuaj, erdha nëpër një rrugë të re të asfaltuar. Kudo në këtë komunë spikat një ritëm i shpejtë zhvillimi. Në Farkë është investuar këto 5 vite, 20 herë më shumë se 8 vite të tjera të marra së bashku. Në këtë komunë janë asfaltuar 30 kilometra rrugë, pothuajse 3 - herë më shumë sesa në kryeqytetin e vendit për të njëjtën periudhë kohe. Janë ndërtuar ujësjellës për 12 zona dhe fshatra të komunës, 3 kanalizime, 2 shkolla. Në total është një investim prej 8 milionë euro, kundrejt 400 mijë që janë investuar 8 vite me radhë në këtë komunë të mrekullueshme.

Sot, unë kam ardhur për t’ju garantuar ju, kryetarin e Komunës tuaj dhe deputetin tuaj, se qeveria do të investojë në këtë komunë për ta shndërruar atë në njërën prej zonave më të bukura të Shqipërisë, por edhe më gjerë. Farka, së shpejti, do të kompletojë asfaltimin e plotë dhe total të të gjitha rrugëve të saj, ndiçmin e tyre në çdo skaj, njëlloj me standardet e një qyteti. Farka po zhvillohet sipas një masterplani, i cili respekton të gjitha standardet më të mira të turizmit, të zhvillimit, të bujqësisë dhe në tërësi do të jetë një nga bizhutë e vërteta të Shqipërisë në të gjitha aspektet.

Ne sot inaugurojmë këtë shkollë. Janë mbi 1100 shkolla, të cilat u ndërtuan nga e para apo u rindërtuan. Ne jemi të vendosur që në këto 3 vite të këtij mandati të përfundojmë ndërtimin dhe rindërtimin e çdo shkolle në Shqipëri. Asgjë s’do të na ndalë ne për të bërë që fëmijët tanë, kudo që të ndodhen, të ulen në shkolla moderne evropiane, në shkolla të cilat të kenë laboratorët më moderne, të kenë kabinete interneti, sikundër zotimi ynë që çdo shkollar të ketë kompjuter në shtëpi do të shndërrohet në realitet gjatë këtij mandati.

Siç e shihni, kjo është një dritë plot diell dhe qiellin e ka të kthjellët. Po përpiqen shumë ta nxinë, po përpiqen shumë të luajnë edhe me të drejtat dhe interesat tuaja më themelore.

Qytetare dhe qytetarë të Farkës dhe mbarë Shqipërisë,

Rruga juaj drejt Evropës është udhëtimi më fisnik dhe i ndershëm, më i mençur që ne kemi ndërmarrë ndonjëherë në tërë historinë tonë. Kjo rrugë është e pandalshme.

Sot ju mblidheni në këtë shesh për të inauguruar një shkollë moderne; sot ju mblidheni në këtë shesh nëpër një rrugë të standardeve evropiane; sot ju mblidheni në këtë shesh si qytetarë të një vendi anëtarë të NATO-s; sot ju mblidheni në këtë shesh si qytetarë që me 28 qershor i dëshmuat mbarë botës se dini dhe jeni të vendosur të zhvilloni zgjedhje të lira dhe të ndershme, në Farkë dhe në mbarë Shqipërinë; sot ju mblidheni në këtë shesh pasi 27 ministra të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian vendosën nëntorin e kaluar që Shqipëria të kualifikohet për të hapur negociatat për statusin e kandidatit; sot ju mblidheni në këtë shesh pasi dy jave më parë Komisioni Evropian vendosi të rekomandojë heqjen e vizave për ju; sot ju mblidheni në këtë shesh si qytetarë të një vendi, natyrisht jo të pasur, por, në të cilin rrogat dhe pensionet rriten më shumë se në çdo vend tjetër të Evropës dhe ndoshta të botës.

I numërova të gjitha këto për ti bërë apel kujtesës tuaj, të mendoni pak se çfarë përpjekjesh të turpshme u bëhet që t’ju dëshpërojnë ju, u bëhet që t’ju mashtrojnë ju. Mos harroni se vetëm natën kur ne do të merrnim ftesën për anëtarësim në NATO, kollagjerët e zisë, ata të cilët janë të gatshëm të bëjnë gjithçka kundër interesave tuaja për interesat e tyre, ju njoftuan ju se Shqipëria s’do të marrë ftesën. Mos harroni kurrë se kur u nisa në Strasburg për të firmosur anëtarësimi e Shqipërisë në NATO, po këta kollagjerë frynin sirenat se Shqipëria s’do anëtarësohet.

Vëllezër dhe motra,

Këta shokë apo zotërinj duan me çdo kusht që për interesat e tyre të rrënojnë interesat tuaja, interesat e fëmijëve tuaj. Le të kthehemi bashkë vetëm në pranverën e vitit të kaluar, se si çdo ditë, si çdo darkë, se si në çdo emision u thoshin ju të mos merrni letërnjoftimet elektronike, sepse ato janë taksa e votës, ndërsa ju me mençurinë tuaj e kuptuat se ato ishin interesi juaj jetik. Ndaj dhe 1.5 milionë zgjedhës shqiptarë i morën ato në një kohë rekord. Këta shokë apo zotërinj nuk kanë asnjë interes tjetër përveç interesave të karriges së tyre, të xhepave të tyre dhe kontove të tyre.

Sepse ju votuat më 28 qershor në zgjedhjet më të lira, më të ndershmet në historinë e vendit, në zgjedhje për të cilat juve ju përshëndeti e mbarë bota. Ndërsa këta shokë apo zotërinj, për shkak se nuk e fituan pushtetin që nuk meritonin, kërkuan t’ju fusin ju në kuti, njëlloj si etërit e tyre në bunkerë. Këta shokë apo zotërinj kanë tmerr nga vota juaj, kanë tmerr nga vullneti juaj dhe janë të gatshëm ta shkelmojnë në çdo rast, vetëm e vetëm të kërkojnë pushtetin e tyre.

Vëllezër dhe motra,

Këto kanë qenë kohërat e vendimeve të mëdha për secilin prej jush, por mbi të gjitha për këta vogëlushë, të cilët kanë fatin e madh të kenë një jetë në liri përpara.

Gjatë këtyre muajve, në një kohë kur ata bridhnin shesheve apo rrugëve të Shqipërisë duke sharë apo bërtitur, Bashkimi Evropian vendoste që Shqipërisë t’i hapeshin negociatat për statusin e vendit kandidat. Këtë vendim nuk e merrnin kurrë në qoftë se do të ekzistonte dhe dyshimi apo fakti më i vogël se ishin cenuar zgjedhjet. Jo! E morën vendimin, sepse e kuptuan se ata të cilët bridhnin rrugëve kishin vetëm një qëllim: të shkelmonin interesat tuaja, të pengonin integrimin tuaj për pushtetin e tyre.

Qytetare dhe qytetarë të Farkës dhe mbarë Shqipërisë,

Unë ju shpreh ju nderimin më të madh dhe ju ftoj ju të vazhdojmë, se me djersën dhe me mundin tonë nuk do të na pengojë askush në realizimin e ëndrrës tonë evropiane. Më datën 30 prill, në periudhën kur do të vendosej fati kryesor për lëvizjen tuaj të lirë, kur do të vendosej që qindra dhe mijëra familje shqiptare të mund të bashkohen, të mund të shohin njëri – tjetrin, të mund të çmallen; në datën 30 prill, në periudhën kur do të vendosej për shqiptarët që 20 – vjet më parë u dyndën, si asnjë popull tjetër në Evropë, për tu larguar nga vendi i tyre, ndërsa tani do të lëvizin me pasaportat më moderne biometrike, këta shokë apo zotërinj ngulën çadrat para ndërtesës së Këshillit të Ministrave dhe Parlamentit në një akt të turpshëm, vetëm e vetëm për t’ju penguar ju, vetëm e vetëm që të mos jepeshin vizat për ju, vetëm e vetëm që të ndëshkoheshit ju, interesat tuaja, miliona shqiptarë, mbi 1 milionë emigrantë.

Por ne duhet të jemi të qetë, të vendosur, të respektojmë njëri – tjetrin dhe tu themi këtyre zotërinjve, të cilët pasi bllokuan për 90 ditë Parlamentin, një ditë pasi u vendos heqja e vizave bëjnë letra dhe telegrame me kërkesën - na hiqni vizat; tu themi këtyre zotërinjve se vërtetë në trashëgiminë më të keqe të baballarëve tuaj ju i mendoni këta qytetarë se mund t’i mashtroni, se mund t’i gënjeni,se mund tu thoni çdo gjë dhe ata tu duartrokasin, por shqiptarët ju dëshmuan ju qartë këto 8 muaj, cilitdo qofshin ata, të djathtë, të majtë, të paparti, se ju s’mund ti mashtroni kurrë ata më. Sepse ju zotërinj apo shokë mund të bindni njëri – tjetrin se fluturon, fluturon kryetari, kurse për shqiptarët nuk fluturon kurrë veshgjati.

Ndaj, ne le të vazhdojmë në rrugën tonë. Ata me shpifje, ne me shkolla të reja; ata me mashtrime, ne me rrugë të reja; ata me trillime, ne me ujësjellës e kanalizime dhe me standarde.

Të ftojmë çdo shqiptar, të djathtë, të majtë, të paparti, le të ecim së bashku drejt Shqipërisë evropiane. Ai është fati ynë, është e ardhmja jonë.

Rrofshi ju,

Rroftë Shqipëria!”


07/06/2010

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›