Kryeministri Berisha inauguron fillimin e punimeve për rikonstruksionin e rrugës Mollas-Selitë-Frashër,me vlerë 300 milionë lekë

Kryeministri Berisha u takua sot me banorë të fshatit Mollas të Elbasanit, teksa mori pjesë në inaugurimin e fillimit të punimeve për rikonstruksionin e rrugës Mollas-Selitë-Frashër, me vlerë rreth 300 milionë lekë. Rruga me gjatësi 7,5 kilometra, e cila është investim i Fondit Shqiptar të Zhvillimit, financuar nga Qeveria Shqiptare dhe donatoret e tjerë do të bëjë përfitues 15 mijë banorë të komunave Mollas në rrethin e Elbasanit dhe Kozare në rrethin e Kuçovës. Gjithashtu ky investim i rëndësishëm do të lidhë jo vetëm këto 2 komuna fqinje por edhe rrethin e Elbasanit me atë të Kuçovës.
Në takimin me banorët, kryeministri Berisha shprehu kënaqësinë që kjo zonë e mrekullueshme e mbjelle më dru frutorë, e favorizuar nga natyra, por edhe nga përkushtimi i njerëzve të saj punëtore, do të pajiset shumë shpejt me një rrugë të tillë standardeve më moderne dhe bashkëkohore
Duke përgëzuar kryetarin dhe këshillin e komunës për projektet e ndërmarra dhe të realizuara me mbështetjen e qeverisë, kryeministri u shpreh se në 4 vitet që vijnë do ti jepet përparësi absolute financimit të fermerëve të zonës dhe të projekteve të tyre për zhvillim.
Kryetari i komunës së Mollasit, zoti Agron Hysa, duke falënderuar kryeministrin për vëmendjen e treguar nga qeveria ndaj fermerëve të zonës, e informoi atë lidhur me projektet e realizuara në këtë komunë. “Dua tju informoj për komunën e Mollasit dhe në përgjithësi për Sulovën, për këtë zonë të bukur që na e ka dhuruar Zoti. Kjo është ajo komunë që ti ke përmendur në mbledhje qeverie, kjo është ajo komunë që ti ke përmendur me banorët, kudo që ke shkelur, e cila ka hapur 1000 ha tokë te re dhe i ka dhënë me qera nga ligji që ju na kemi mundësuar.
Këta qytetarë i janë kthyer punës dhe i janë qepur maleve dhe po të shikosh bukurinë e kësaj zone do të mahnitesh.
Nga 1000 ha që kemi dhënë me qera, ne kemi mbjellë 450 ha. Edhe njëherë dua tu informoj se këta qytetar janë me punën dhe janë për punën. Rruga Mollas-Selitë Frashër, investim i Fondit shqiptar dhe dakordësinë e qeverisë shqiptare, unë të përshëndes me sinqeritetin më të madh. Këtu nuk ka ardhur ndonjë burrë shteti të ndërtojë rrugë, këtu kanë ardhur vetëm të kërkojnë vota. Prandaj me sinqeritetin më të madh ju përshëndes unë dhe ky popull. Gjithashtu dua të informoj kryeministrin, me projektet tona dhe miratimet e tua kanalet vaditëse po përshkruajnë të gjithë territorin. Me projektet tona dhe miratimin tuaj, ne kemi nisur një shkollë të madhe, më të madhen në qarkun e Elbasanit.” u shpreh ai.
* * *
Aktualisht, rruga Mollas – Selitë – Frashër është e paasfaltuar dhe tejet e amortizuar, duke bërë që fermerët e kësaj zone me potenciale të larta zhvillimit bujqësor dhe blegtoral të hasin vështirësi të mëdha në transportimin e prodhimeve të tyre në treg, si rrjedhoje e mungesës se infrastrukturës. Rruga do të jetë e pajisur me të gjithë elementët e nevojshëm, përfshirë sinjalistikën vertikale dhe horizontale, vepra arti, mure mbajtës, tombino etj. Në zonat e banuara rruga do të ketë trotuare.
Në fjalën e mbajtur, Kryeministri Berisha u shpreh:
“Së pari, përshëndetjet e mija më vëllazërore, admirimin dhe respektin tim më të madh.
Zoti kryetar, çdo njeri që shkel në këtë komunë, që vjen këtu në Sulovë, gjëja e parë që i thotë vetes është se kjo tokë e qëndisur, në të katër anët me të gjithë drurët frutorë, prodhimet bujqësore është tokë e zonjave dhe zotërve të mrekullueshëm të shtëpisë dhe janë për tu admiruar.
Zoti kryetar,
Unë gjithashtu dua të të përgëzoj ty, përzemërsisht, këshillin e komunës për vendimet shumë të rëndësishme që ti ke marrë për punësimin e banorëve të komunës së Mollasit, për rritjen ekonomike të komunës së Mollasit, për rritjen dhe zhvillimin mirëqenies këtu. 1000 ha tokë të dhëna nga ju për familje të kësaj komune, janë një shembull frymëzues për çdo komunë të çdo rrethi, të çdo qarku në Shqipëri.
Zoti kryetar,
Meqë jam këtu unë kam dhe një premtim të veçantë për ty. Para se të kaloj tek infrastruktura të garantoj se me përparësi absolute do të porositet ministria e bujqësisë që projektet e këtyre 1 mijë ha që ti ke dhënë, nga të cilat 450 janë të mbjella, për 650 të tjerat të kenë përparësinë më të madhe të financimit.
Të dashur banorë të Mollasit,
Në të gjithë përpjekjen tonë të përbashkët ne kemi një qëllim, i cili është që ju të nxirrni më shumë fitim nga djersa që derdhni mbi baltën e tokës suaj, që mirëqenia juaj të rritet gjithnjë e më shumë. Së pari, ne po ndërtojmë rrugët sepse pa rrugë çdo prodhim do të përgjysmohet dhe ju humbet vlera. Po ndërtojmë këtë rrugë, e cila është një investim prej rreth 300 milion lekë dhe u shërben 15 mijë banorëve. Po një seri rrugësh të tjera janë ndërtuar dhe do të ndërtohen në këtë komunë dhe mbarë Dumrenë. Se dyti, ne jemi zotuar për ju që ju te keni infrastrukturë të njëjtë me lagjet e qyteteve, pra pavarësisht se ju jetoni në fshat duhet të keni rrugë shumë të mira, shkolla shumë të mira dhe po ndërtojmë këtu një nga shkollat më të mëdha të Shqipërisë . Të keni kanalizime, të keni ujësjellësa dhe të keni energji elektrike si lagjet e qyteteve.
Ne po bëjmë gjithçka për një sistem vaditje për ju, por këto nuk mjaftojnë. Në 4 vitet e fundit ne dhamë 56 milionë dollarë grante për fermerët në mbarë Shqipërinë, qindra prej tyre edhe këtu në Sulovë, në Dumre.
Kam tre premtime për ju, së pari sistemi i vaditjes do të jetë ndër më modernët. Siç po ndërtojmë rrugë tani, ne do të ndërtojmë një sistem modern vaditje për mbarë fermerët shqiptarë. Së dyti, grantet nga të cilat fituan 45 mijë fermerë do të trefishohen nga 56 milionë dollarë, do të bëhen 165 milionë dollarë. Së treti, do jua a japim para në dorë akcizën e naftës që ju shpenzoni për punimin e tokës, gjithashtu do tu japim para në dorë të gjithë tvsh e makinerive, traktorëve, veglave të tjera, plehrave kimike, dhe çdo gjë tjetër që ju përdorni për prodhimin tuaj bujqësor dhe blegtoral.
Këto janë premtimet tona, por mund tu them se kjo është skema më e plotë që një qeveri mund të mbështesë fermerët e vendit. E bëjmë këtë me bindjen më të madhe se e meritoni 100 %, e bëjmë këtë sepse ne duam tu shohim ju që të begatoni familjet tuaja, duam që djersa e ballit tuaj te japë më shumë për ju, më shumë për familjet tuaja.
Nga maja e malit dhe kudo që të hedhësh sytë, këtu shndrit djersa dhe mundi juaj. Duke ardhur këtu pashë edhe jo pak, tu dominojë frutikultura, por pashë edhe parcela gruri. Shoh këtu jonxhë që ju duhet për lopë dhe blegtori.
Cila është alternativa tjetër? Miqtë e mi, ndiqeni me vëmendje. Alternativa tjetër është që qumështi i lopës tënde, të cilën e mban dhe e ushqen më mundim, të bëhet i pavlerë, sepse shoku i autobusit dhe është mirë të bisedoni me të thotë: "Unë do të heq tvsh për qumështin". Por, po qe se hiqet tvsh për qumështin, atëherë kontenierët me qumësht të huaj, do të bëjnë të pavlerë prodhimin vendas. Ju e keni parë vetë në Bruksel se si fermerët e bujqit dalin dhe lajnë rrugët me autobote qumështi. Dhe kjo sepse ata marrin subvencione për lopën prej 3,5 euro në ditë dhe kaq ne nuk i kemi pensionet akoma. Ashtu siç ju thashë, nëse e heqim 20 % atëherë kontenierët me qumësht do të vijnë këtu, natyrisht me një kosto shumë më të ulët se sa e prodhoni ju dhe natyrisht qumështi juaj nuk do të shitet më. Vetëm me skemën e qeverisë ne subvencionojmë 35 mijë lopë rrace, të cilat bëhen menjëherë të pavlerë. Çfarë do të ndodhë me atë grurin e mbjellë aty? Imagjinoni ju parcelat në Kanada apo në Ukrainë që e hedhin farën me aeroplan. Sigurisht ata e kanë me kosto shumë më të ulët dhe do të vijë këtu pa tvsh, me një çmim shumë më të ulët, duke bërë që gruri juaj të kalbet në fushë dhe ju të mos merrni asgjë prej kallinjve të grurit. Thotë se do të heqë tvsh për miellin, po mijëra punëtorë të fabrikave të miellit, që mbajnë familjet në Elbasan, Tiranë dhe në mbarë Shqipërinë, çfarë do të bëjnë? Sigurisht që do të falimentojnë. Kështu që mielli i fushave të vendeve të tjera do vërshojë mbi Shqipëri dhe mielli i Shqipërisë do të mbetet i pavlerë. E njëjta gjë edhe me vezët. Shqipëria prodhon 1 miliard e 100 milion vezë. Në qoftë se pularitë e mëdha të Evropës, që marrin subvencione 50 % të kostos, do të vërshojnë në Shqipëri me çmim të ulët, ndërsa vezët e prodhuara këtu do të bëhen të pavlerë.
Shoku i autobuzit ishte në Berat dhe u tha fermerëve se u kishin mbetur ullinjtë pa shitur. E vërtetë, edhe mund të ketë, po në qoftë se ne heqim tvsh për vajin e ullirit, ne që kemi 13 milion rrënjë, në krahasim me Italinë gjigande që ka 600 milionë rrënjë, me Greqinë që ka 400 milion, me Spanjën që 700 milion, sipas tij këtu nuk duhet të ketë asnjë rrënjë ulliri sepse natyrisht vaji do të vijë pa tvsh.
Jo të dashur miq, kjo nuk do të ndodhë, ne do tu mbrojmë ju, ashtu siç ju kemi mbrojtur deri më sot. Por, natyrisht ne kemi dyfishuar pensionet në fshat, kemi rritur me 80 % pensionet në qytet. Kemi rritur me 120 deri në 150 % rrogat e mësuesve, infermiereve , mjekeve dhe ne do të vazhdojmë të rrisim rrogat edhe këtë vit.Unë u premtoj të gjithë punonjësve të administratës rrogën e 13, duke filluar që nga dhjetori i vitit që vjen.
Kjo është rruga, jo dëmtimi juaj, por rritja e fuqisë blerëse të qytetarëve dhe nxitja e prodhimit tuaj.
Vëllezër dhe motra,
Erdha tek ju për tu dhënë fjalën, për tu zotuar para jush se të gjithë projekte e kryetarit tuaj, të këshillit tuaj të deputetëve tuaj do të financohen një nga një dhe do ju jap fjalën edhe banorëve të Sulovës së Gramshit se ja ku është drejtori i Fondit Shqiptar të Zhvillimit. Zoti Benet, do të shkosh të studiosh rrugën më të shkurtër të lidhjes së tyre me aksin kombëtar, në mënyrë që të mos shkojnë 2 orë rrotull për të dalë në aksin kombëtar.
Shoku i autobuzit na nxori dje një tjetër teori, shkoi në Labinot mal, në një rrugë të asfaltuar dhe shumë të mirë sepse ata e meritojnë, jetojnë në një lartësi 820, por si duket aty nuk ju mblodhën njerëzit dhe tha ”ky ndërton rrugë aty ku nuk duhet. Rrugët duhet të ndërtohen, jo për të kaluar njerëzit, por prodhimi.” Por njerëzit e bëjnë prodhimin. Aty ku ka njerëz, aty lind prodhimi.
Sipas tij nuk duhet të ndërtojmë rrugë sepse ata kanë një teori, teorinë e zonave të asgjësë dhe pse nuk investuan ata në 8 vite? Unë kam qënë në Gramsh më 2005 dhe në mënyrë absolute, përveç rrugës kombëtare dhe bulevardit kryesor, të gjitha rrugët e qyteteve dhe jo më të fshatrave qenë baltë dhe vetëm baltë. Ata nuk investonin sepse kishin teorinë e zonave të asgjësë. Por shikoni, vëllezër çfarë kodrash, a janë të asgjësë, apo janë kopshte të bukura mahnitëse.
Këto 4 vjet-thotë-nuk ka ndodhur asgjë e mirë, por a ka gjë më të bukur sesa kopshtet që keni mbjellë ju vetë? A ka gjë më të bukur se rrugët e shtruara, shkollat e ndërtuara.
Së fundi, shumë shpejt do të hapet trafiku për autostradën Tiranë –Elbasan. Imagjinoni ju për të sjellë këto prodhime të jashtëzakonshme tuajat në tregun e Tiranës se çfarë do të thotë kjo për ju për familjet tuaja, që një treg gjigand hapet para jush, tregu më i madh i Shqipërisë dhe këtë treg do ta arrini në një kohë 1 orë kursim më të shkurtër kohe përveç mjeteve të tjera.
Pra, ky është programi ynë, bazohet i tëri në djersën tuaj, në vlerësimin e madh për punën tuaj, por edhe në mbështetjen tonë të fuqishme që ju nga djersa që derdhni të merrni shumë më tepër.
Edhe njëherë ju falënderoj dhe ju përgëzoj dhe ju ftoj të votoni 44, të votoni PD.
Ju jap fjalën se si kjo rrugë do të ndërtohet çdo rrugë dhe kam kënaqësinë tu informoj sot se vetëm Unaza e Dumresë, e cila po ndërtohet në të 4 anët e saj, ka një gjatësi prej 94 km rrugë, po ju e meritoni edhe sikur të ishte 300 km, ajo duhet të ishte ndërtuar, sepse ju e keni shndërruar këtë zonë kodrinore, në një nga zonat më të fuqishme të zhvillimit bujqësor frutikulturës, blegtorisë së vendit.
Urimet më të përzemërta,
Fitore, fitore, fitore!
06/06/2013