Kryeministri Berisha prezanton kandidatët për deputetë në qytetin e Shijakut

vëllezër e motra,
zonja dhe zotërinj,
Mirëmbrëma! Mirënjohjen më vëllazërore, përshëndetjet më të zjarrta, falënderimin tim për këtë mënyrë madhështore me të cilën ju çelni sot fushatën elektorale, por mirënjohjen më të pakufishme për mbështetjen e jashtëzakonshme që i keni dhënë Partisë Demokratike, qeverisë, reformave dhe programit të saj në çdo kohë. Ne jemi krenarë me mbështetjen tuaj, jemi mirënjohës për mbështetjen tuaj. Ne ju japim juve fjalën se do të bëjmë gjithçka që ta kthejmë këtë mbështetje në infrastrukturë moderne, në biznese të reja, në ferma të reja, në shkolla të reja, ujësjellës, kanalizime, në një Shijak të zhvilluar, në një Durrës të zhvilluar dhe Shqipëri të zhvilluar.
Qytetare dhe qytetarë të Shijakut, Xhafzotajt, Gjepalajt, Katund i Ri,
këto vite ne së bashku kemi shkruar disa nga kapitujt më të mirë të historisë sonë kombëtare. Ne u bëmë anëtar të NATO-s; firmosëm kontratën me Bashkimin Evropian, Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit; merituam plotësisht heqjen e vizave; merituam rekomandimin për statusin e kandidatit. Por këto vite me punën, mundin dhe djersën tuaj, me përkushtimin tuaj të madh, luftën tuaj të përditshme për një jetë më të mirë, ne ia dolëm ta nxjerrim Shqipërinë nga balta. Ne kemi asfaltuar së bashku mbi 10 mijë kilometër rrugë; kemi ndërtuar dhe rindërtuar mbi 1300 shkolla; kemi mbidyfishuar pensionet në fshat; kemi rritur rrogat e mësuesve, mjekëve dhe infermierëve nga 120-150 përqind; kemi hedhur bazat e një sistemi modern shkollor. Sot fëmijët tanë mbarojnë klasën e 9-të dhe 92 përqind e tyre ndjekin shkollat e mesme. Sot vajzat dhe djemtë tanë që mbarojnë maturat, 71 përqind e tyre ndjekin universitetet. Natyrisht, kemi shumë punë për të bërë dhe kemi përsëri shumë infrastrukturë për të ndërtuar, por ne që ndërtuam shumicën do të ndërtojmë edhe atë që ka mbetur. Ne kemi shumë për të përmirësuar në arsimin tonë, por ne që ngritëm ndërtesën e tij, e cila po rrënohej nga viti në vit, çdo vit e më tej do ta shtyjmë atë drejt cilësisë. Këto vite ne bëmë gjithçka për të mirësuar klimën e biznesit dhe e vërteta është se në Shijak, në Xhafzotaj, Gjepalaj dhe Katund të Ri bizneset janë 2-3 fishuar. Ne ligjet bëmë, por lumenjtë e djersës i derdhët ju, gratë dhe burrat e Shijakut, që së bashku me investitorët e huaj e shndërruat Shijakun në një pol të fuqishëm të zhvillimit industrial dhe bujqësor të vendit. Unë ju them juve se jeni vetëm në fillimet e potencialeve tuaja të jashtëzakonshme, aftësisë tuaj krijuese, potencialeve industriale, turistike, bujqësore dhe të gjithanshme.
Qytetare dhe qytetarë të Shijakut,
këto vite ne kemi bërë gjithçka për një shëndetësi moderne. Sigurisht, nuk është arritur më e mira dhe ka vend për t’u përmirësuar, por dua t’ju jap këtu 3-4 të dhëna, të cilat bëjnë krenare çdo grua, çdo burrë, çdo të ri dhe çdo të re shqiptare. Sot fëmijët e porsalindur në Shqipëri kanë të njëjtin shans jetese që kanë edhe fëmijët në vendet e zhvilluara të Evropës. Vetëm pak vite më parë këto shanse ishin 2 herë më të ulëta. Sot nënat tona shtatzëna kanë një jetë më të sigurt nga lindja sesa gratë në shumë vende të zhvilluara. Sot ne burrat dhe gratë e këtij vendi kemi jetëgjatësi më të madhe se 9 vende të zhvilluara Bashkimit Evropian. Sot në institucionet shëndetësore shqiptare gjen teknologjitë më moderne të kohës. Së bashku me sektorin privat kemi investuar mbi 300 milionë euro dhe jemi të vendosur që katër vitet që vijnë të organizojmë menaxhimin më të mirë.
Vëllezër e motra,
Kjo është rruga jonë, një rrugë me djersë, me vështirësi, por rrugë e suksesshme, rrugë e sigurt. Në këto vite, në një kohë të krizës së madhe evropiane dhe botërore, ju të gjithë e keni dëgjuar çdo ditë nga institucione serioze ndërkombëtare, nga Banka Botërore, Fondi Monetar Ndërkombëtar, Banka Evropiane, Komisioni Evropian se Shqipëria, se Shijaku, se Durrësi, se Tirana janë nga më të paktat vende që e ruajtën rritjen ekonomike. Rritja ekonomike nuk është meritë e qeverisë, por para së gjithash, ajo është meritë e qytetarëve. Sigurisht, qeveria ka meritën e saj, sepse përcakton rregulla të cilat ndihmojnë lirinë e tyre ekonomike, por janë ata që guxojnë të punojnë nga mëngjesi në darkë për një jetë më të mirë, të punojnë në ferma, në biznese, në transport dhe kudo që garantojnë rritjen ekonomike.
Në rast se kthehemi 6-7 vite më parë dhe kujtojmë rrugët në të cilat udhëtonim, do të gjejmë Shqipërinë në baltë, Shqipërinë në gropa. Sot inauguruam një rrugë, Shkodër – Han i Hotit. Sot shqiptarët nga Hani i Hotit deri në Gjirokastër, nga Vermoshi deri në Konispol udhëtojnë si qytetarë dinjitoz, në rrugë të reja, të ndërtuara dhe të rindërtuara.
Alternativa tjetër cila është? Po marr vetëm këtë të fundit, ku ka një javë që bën beteja me rrugët. Kur rrugët i ngecën në fyt, sot në Labinot deklaroi se rrugët duhen, por duhet t’i shërbejnë prodhimit.
Vëllezër, unë kam qenë në Labinot Mal, një komunë e Elbasanit, në lartësinë 820 metër. Ne e çuam rrugën atje dhe bëmë shumë mirë. Atje sot shkoi edhe autobusi mavi, por askush të mos mendojë se ai e ka fjalën vetëm për rrugën e Labinot Malit që nuk duhej. Jo zotërinj, ai e quajti rrugën e kombit rrugë të asgjëkundit. Ai nisi deputetët për ti ngujuar në grevë urie në tunelin e Kalimashit. Ai votoi kundër autostradës Tiranë-Elbasan. Ai në dy muaj është zotuar vetëm sot dhe një herë në Peshkopi, për t’i mashtruar ata për rrugën e Arbrit, se do të ndërtojë rrugë aty ku kalon tregu. Mësoje zotëri, tregu kalon aty ku jeton çdo shqiptar. Në kushtet e tregut çdo shqiptar është i detyruar të punojë, të djersijë nga mëngjesi në darkë për të siguruar jetën e tij, për të prodhuar, për të shitur, për t’u mëkëmbur, për të mbështetur familjet e tij.
Qytetare dhe qytetarë të mençur të Shijakut,
Në një vend të lirë për njeriun liria ekonomike është përcaktuese për zhvillimin, për begatimin, për mirëqenien e qytetarëve dhe familjeve të tyre. Dy alternativa janë përpara dhe unë ju them se asgjë nuk ndikon më shumë në mirëqenien tuaj sesa politikat e qeverisë. Pasi ju me politika të mira ia dilni dhe begatoni veten tuaj, ndërsa me politika të këqija, çfarëdo që të bëni, mbeteni në vend numëro ose prapa ktheu.
Sot janë dy alternativa. Alternativa e taksave të ulëta, alternativa e të 10-ve, si i themi në gjuhën popullore, ashtu siç është quajtur kjo taksë në shekuj e mijëvjeçarë. Në këtë alternativë çdo njeri i paguan shtetit 1/10 e fitimit. Ajo përdoret për rrugë, për shkolla, për spitale, për pensione, për rroga, për të mbajtur një shtet në këmbë. Kjo taksë ekziston në librat e shenjtë. Me këtë taksë, ai që merr 10 paguan vetëm 1. Ai që merr 1000 paguan 100. Pra ai që merr 1000 paguan 100 herë më shumë se ai që merr 10, sepse fiton më shumë. Kjo është taksa më e drejtë.
Cila është taksa tjetër? Ju jeni të rinj, por gjyshërit tuaj e dinë mirë kur erdhi regjimi komunist në fuqi, në vitin ’46, vendosi taksën progresive. Ti që merr 10 do të të marrë 1, ti që merr 900 do të marrë 980, për të rrënuar në këtë mënyrë ty dhe atë.
Së dyti, për fermerët e Shijakut, Xhafzotajt, Katundit të Ri, Durrësit dhe mbarë Shqipërisë. Këto ditë zoti Rama kalon nga një takim në një tjetër duke u zotuar se do të heqë TVSH-në për 5 produkte ushqimore bazë.
Të dashur miq,
kjo është të godasësh në zemër fermerët tanë dhe prodhimin e tyre. Kjo do të thotë hapësh dyert për prodhuesit gjigand të botës. Kjo do të thotë që gruri në Shijak të mos mbillet dot kurrë, sepse ata që mbjellin miliona hektarë grurë kanë kosto disa herë më të ulët se ata që mbjellin 1 apo 2 hektarë me grurë. Dhe po i hoqët TVSH-në ai është i gatshëm të dyndet me grurin e tij në portet e tua dhe fermerët shqiptarë nuk mbjellin dot një kalli grurë. Ai thotë se do të heqë TVSH-në për miellin. Çfarë do të thotë kjo? Kjo do të thotë që të gjithë fabrikat e miellit në Shqipëri të falimentojnë, do të thotë që gruri juaj të falimentojë dhe gruri të vijë me tren nga të katër anët, pa TVSH dhe ta shndërrojë Shqipërinë në parajsën e prodhuesve të mëdhenj.
Në Gjepalaj është një nga fermat më moderne që unë kam parë ndonjëherë. Një bashkëfshatar juaji do të më thoshte – zoti Kryeministër, Agroni ka bërë një fermë si në Zvicër. Në qoftë se i heqim TVSH-në qumështit, lopët në fermën e Agronit dhe në të gjitha fermat e tjera në Shqipëri nuk vlejnë asgjë, sepse kontinierët me qumështin e lopëve dhe qumështin pluhur, që subvencionohet 3 euro në ditë për lopë, do të dyndin Shqipërinë dhe ne do të shndërrohemi gradualisht në Republikë Bananesh, të mos prodhojmë asgjë vetë.
Të dashur vëllezër, motra,
Shqipëria prodhon rreth 1 miliardë e 100 milionë vezë dhe në qoftë se heqim TVSH-në, jo vetëm pularitë që do të falimentojnë, por edhe vezët e kotecit nuk do të kenë më leverdi. Nuk ka shoqëri në një vend të vogël që vepron në këtë mënyrë.
Si kemi vepruar ne? Pensionet në fshat kanë qenë 34 dollarë, sot po shkojnë rreth 80 dollarë dhe ne do t’i rrisim më tej. Janë rritur çmimet, por janë rritur dy herë më shumë pensionet.
Si kemi vepruar ne? Ne kemi rritur rrogat 120-150 përqind. Janë rritur çmimet, por dy dhe tre herë më shumë janë rritur rrogat. Ne do të vazhdojmë të rrisim rroga, do të vazhdojmë të rrisim pensionet, do të vazhdojmë t’ju mbrojmë ju fermerë shqiptarë, sepse ju keni të drejtë të mbroheni dhe ju takon të mbroheni.
Pjesa tjetër e alternativës së tij është alternativë kazani, sharje, mallkimi e kërcënimi. Nuk ia vlen të merremi me to. Le ta lëmë atë në autobusin e tij dhe ne të ecim përpara.
Një burrë 50 vjeçar që beson dhe ka moralin se mund të fyejë tjetrin për vitet e moshës, është ai që është. Më mirë të mos mëremi me të.
Le të ecim ne përpara drejt 23 qershorit, të votojmë 44-ën, të votojmë për integrimin e Shijakut dhe Shqipërisë në Bashkimin Evropian, të votojmë për punësimin, të votojmë për zhvillimin, të votojmë për rritjen e rrogave dhe të pensioneve, për mirëqenien tonë, për të ardhmen tonë.
Rrofshi ju!
Rroftë Shijaku!
Rroftë Shqipëria!
Fitore! Fitore! Fitore!”
05/06/2013