E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha inauguron fillimin e punimeve për rikonstruksionin e rrugës Ura Vajgurore-Pashalli-Mbistrovicë, me vlerë 428 milion lekë

 -          Kryeministri inspektoi punimet për rikonstruksionin e rrugës Fiershegan-Kozare, me gjatësi 18,2 km, gjerësi 6 metra dhe vlerë 792 milion lekë, si dhe punimet e rrugës Lushnjë-Berat me gjatësi 27 km

Kryeministri Berisha ishte pasditen e së martës mes banorëve të Urës Vajgurore, për të inauguruar fillimin e punimeve për rikonstruksionin  e rrugë Ura Vajgurore-Pashalli-Mbistrovicë, me gjatësi 13.9 kilometra dhe vlerë 428 milion lekë. Rruga, nga e cila do të përfitojnë 5 mijë e 500 banorë është pjesë e premtimit për ndërtimin  e Unazës së Shpiragut. Deri më tani është përfunduar pjesa e parë Mbreshtan-Sinjë  me gjatësi 10.5 km dhe do të ndërtohen 12 kilometra që e lidhin këtë rrugë me Aranitasin.

Rruga e re e cila vjen për banorët me të gjitha parametrat e një rruge bashkëkohore e modern do të lidhë fshatrat Pashalli, Skrevan, Vokopole, Bistrovice dhe Mbieshove te Bashkise Ura Vajgurore dhe te komunës Sinje me Urën Vajgurore, brenda 1 viti. Fermeret e këtyre fshastrave të njohur për aktivitetin e tyre të lartë bujqësor së shpejti do ti tregtojnë ne tregun e qytetit te Ures Vajgurore dhe ate te Beratit ne nje kohe shume te shkurtër produktet e tyre bujqësore dhe blegtorale. Punimet kane filluar me ritme te shpejta dhe eshte hapur traseja e rruges ne 6 km e para.

* * *

Fillimisht, Kryeministri Berisha inspektoi punimet për rikonstruksionin e rrugës Fiershegan-Kozare, me gjatësi 18,2 km, gjerësi 6 metra dhe vlerë 792 milion lekë.

Rruga e cila pritet ti shtohet infrastrukturës moderne në të katër anët e vendit do të lidhë 3 qarqe, të Fierit me Beratin dhe Elbasanin, nga ku do të përfitojnë 17 mijë banorë të komunave Kozare dhe Fiershegan, në rrethet e Beratit dhe të Lushnjës.

Segmenti rrugor Fiershegan - Kozare është në vijim të disa investimeve të kryera nga FSHZH në Qarqet Berat dhe Fier me synimin e krijimit të një rrjeti rrugësh rurale në një nga zonat me prodhimtari të lartë bujqësore. Si e tillë, kjo rrugë do të ndihmojë fermerët e zonës të çojnë produktet e tyre më shpejt në tregun rajonal të Lushnjës me kosto më të ulët e me fitim më të lartë.

Në vijim, kryeministri inspektoi punimet e rrugës Lushnjë-Berat me gjatësi 27 km, për të cilën deri tani janë kryer 70 % e punimeve.

Duke iu përgjigjur interesit të mediave, si dhe në kontekstin e aktualitetit politik, Kryeministri komentoi pas këtyre inspektimeve: “Ne kemi dy lista, listën e kandidatëve më të shkëlqyer dhe listën e veprave. Pra në këtë garë elektorale ne garojmë, së pari me kandidatët më të mirë, por me shumë se me çdo gjë tjetër flasim me vepra dhe më pak me fjalë. E tërë kjo rrugë, për të cilën qytetarët e Beratit kanë shumë të drejtë dhe e presin me padurim ndërtimin e saj, ne po e bëjmë realitet. Sikundër, ne po ecim me Boshtin e Jugut, nga Belshi në drejtim të Beratit, ndërsa kundërshtari, çdo fjalë mund të shqipërojë në Berat, përveç fjalës Boshti i Jugut. Ndiqini fjalimet e tij, se nëse i mbush thasë me fjalë, ato i bëhen sa një kodër, por Boshti i Jugut nuk ekziston në to. Ai është i betuar që të mos ndërtojë rrugë. Meqenëse ne po ndërtojmë rrugë, ai vrapon për të gjetur gropa, këtu apo atje.”

Investimet në qarkun e Beratit

Gjatë këtyre viteve në qarkun e Beratit janë ndërtuar e rikonstruktuar mbi 500 km rrugë, nga te cilat vetem 70 km jane nacionale. Jane rikonstruktuar rruget komunave  Kutalli, Kozare, Velabisht, Roshnik, Vertop,  Otllak Sinje, Roshnik, Duhanas etj

Jane rindërtuar rruget Lushnje –Berat, Berat – Terpan; Ura Vajgurore – Kucove;  Mbrakull – Polican; Bogove – Çorovodë; Ura e Kucit – Berat; Ura Morave – Berat; Lidhjen e Beratit me rrugen e Permetit ,rruga hyrese e Beratit; rruga e Teqese.

Gjiathshtu janë ndërtuar 60 shkolla e kopshte; 31 sisteme ujesjellesa e kanalizime duke perfshire Ujesjellesin Berat – Kucove me vlere 6 milion euro. 46 qendra shendetsore e ambulance.

Ndërsa për fermerët jane subvencionuar 2600 ha me ullishte , pemtore, vreshta, spërkatje e sera, nga të cilat kanë përfituar 6840  prej tyre. Gjithashtu ëhstë dyfishuar numri I bizneseve nga 2820 që ishin në vitin 2005, në 5350 bisnesenë vitin 2012. Nw sektorin e energjisw janw investuar 20 milion euro ne Sistemin e Energjise Elektrike  per permiresimin e kapaciteteve te rrjetit, nderkohe qe 23.2 milion euro jane projekte ne zbatim per energjine elektrike ne zonen Berat – Fier – Lushjne.

* * *

Në përshëndetjen drejtuar banorëve të Urës Vajgurore, kryeministri shprehu kënaqësinë që gjendej mes tyre për të inauguruar fillimin e një vepre infrastrukturore, e cila i jep një nxitje të madhe prodhimit bujqësor biznesit bujqësore në këtë zonë, por njëkohësisht bën të mundur zhvillimin e turizmit në zonën e Shpiragut, në njërën prej zonave malore më të bukura të vendit.

Me premtimin se në 4 vitet që vijnë do të asfaltohet dhe rindërtohet cdo km rrugë në mbarë Shqipërinë, kryeministri tha se “Në përpjekjen tonë për të urbanizuar Shqipërinë ne synojmë të krijojmë kushte dhe mundësi për shfrytëzimin e të gjithë potencialeve të mëdha të vendit, shndërrimin e tyre për qytetarët e Shqipërisë në mirëqenie për ta.”

Kryeministri kërkoi mbështetjen e qytetarëve beratas për të vijuar me vepra të reja edhe më të rëndësishme në 4 vitet që vijnë, për të bërë realitet ëndrrën e Shqipërisë, vend i zhvilluar.

“Unë kam nevojë për mbështetjen tuaj, kam nevojë të madhe të vazhdojmë ndryshimin. Në këtë garë ne u kemi sjellë ju kandidatët më të shkëlqyer, por në këtë garë, përveç listës së deputetëve, ne kemi edhe listën e veprave që i paraqesim tek secili. Dhe jo vetëm listën e veprave që kemi realizuar së bashku, por listën e veprave që do të realizojmë së bashku ne projektin tonë – Shqipëria e zhvilluar për 4 vitet qe vijnë.”

Në përshëndetjen e mbajtur para banorëve të Urës vajgurore, deputetëve të zonës, përfaqësuesve të pushtetit lokal dhe të pranishmëve të tjerë, kryeministri Berisha u shpreh:

“Të dashur banorë të urës vajgurore,

Vëllezër e motra,

“Përshëndetjet e mia më të përzemërta dhe kënaqësinë time të veçantë që inaugurojmë sot së bashku fillimin e punimeve të rindërtimit të rrugës Ura Vajgurore-Pashalli-Mbistrovicë, rrugë kjo që ligj Urën Vajgurore me Shpiragun, u shërben 5500 banorëve dhe jep një nxitje të madhe prodhimit bujqësor biznesit bujqësore në këtë zonë, por njëkohësisht bën të mundur zhvillimin e turizmit në zonën e Shpiragut, në njërën prej zonave malore më të bukura të vendit.

Ky është një investim prej 427 milion lekë dhe siç e shihni punimet po ecin me ritmet më të shpejta. Unë sapo isha dhe vizitova punimet e rrugës Fiershegan-Kozarë, 18, 2 km edhe një investim prej rreth 800 milion lekë, ndërkohë punimet kanë filluar në të gjitha lotet e rrugës Berat-Lushnje.

Në këtë periudhë ne po ndërtojmë në Berat mbi 120 km rrugë në zonat e tij. Ne kemi ndërtuar në qarkun e Beratit këto vite rreth 500 km rrugë rurale, dytësore, rrugë fshatrash dhe rrugë kombëtare. Ne e dimë se ka dhe shumë rrugë të tjera që presin për tu ndërtuar dhe rindërtuar. Ne dimë se ka fshatra të cilat me padurim presin të kenë rrugën e asfaltuar. Por unë jam këtu për tu zotuar para jush se 4 vitet që vijnë do të asfaltojmë, do të ndërtojmë dhe rindërtojmë çdo km rrugë të këtij rrethi ,por edhe në mbarë Shqipërinë.

Në përpjekjen tonë për të urbanizuar Shqipërinë në synojmë të krijojmë kushte dhe mundësi për shfrytëzimin e të gjithë potencialeve të mëdha të vendit, shndërrimin e tyre për qytetarët e Shqipërisë në mirëqenie për ta.

Rruga është korridori i energjisë së tregut. Rruga është korridor biznesi, rruga është punësim. Rruga është shërbime më të mira shëndetësore, arsimore dhe çdo gjë. Ajo është kursim në transport, ndaj dhe ne jemi përqendruar në këtë periudhë nga 2006 e deri më sot, më shumë se në çdo gjë tjetër, në bërjen e Shqipërisë me një infrastrukturë moderne.

Unë sapo kthehem nga rezervuari i Murrizit. Atje është ndërtuar një rrugë e denjë për çdo aks kombëtar dhe rruga vazhdon drejt Belshit, drejt Kozarës dhe më tutje. Ne kudo do të ndërtojmë rrugë dhe do të bëjmë që fermerët shqiptarë, qytetarët shqiptarë të kenë infrastrukturë të njëjtë, shkolla, rrugë, ujësjellës e kanalizime qendra shëndetësore, të njëjta me lagjet e qyteteve.

Rruga është zhvillim dhe pa rrugë, pa shkolla nuk ka dhe nuk mund të ketë zhvillim. Ndaj dhe ne po bëjmë gjithçka për të nxitur zhvillimin e këtij vendi. Shqipëria, vend i zhvilluar, në 4 vite që vijnë është objektivi më madhor. Shqipëria vend i zhvilluar, ndërtohet në radhë të parë nga ju gratë dhe burrat punëtorë të Beratit dhe mbarë Shqipërisë që kudo të hedhësh sytë shikon një tokë të njomur me djersën tuaj, me mundin tuaj, një përpjekje ndër më të ndershmet, për të mëkëmbur, për të rritur mirëqenien e familjeve  tuaja. Ne kemi bërë gjithçka për të nxitur zhvillimin dhe rezultatet janë të dukshme. Sigurisht që nuk jemi aty ku duhet, por trashëgimia e hidhur e jona ishte një prapambetje e madhe në infrastrukturë. Prej 6 vitesh mbi 60 % të të gjithë buxhetit të shtetit shkon për ndërtimin e infrastrukturës. 4 vitet që vijnë ne e finalizojmë atë. 4 vitet që vijnë ne do të ndërtojmë sistemin më  modern ujitës dhe do të vazhdoja me rritjen e rrogave dhe pensioneve për qytetarët shqiptarë. Ne do të bëjmë gjithçka për punësimin e tyre .

Vëllezër dhe motra,

Punësimi është dhe do të mbetet qëllimi më themelor i çdo reforme tonë, sepse njeriu i punësuar në biznes, në fermë, në fabrikë e ku është njeriu që ndërton jetën e tij, ndërton lumturinë e tij familjare, është njeriu që sheh vlerën, dobinë  e tij. Nuk kanë qenë vite të lehta sepse ju e shihni vetë, një krize  e egër ka mbërthyer vendet rreth nesh dhe më gjerë, por e vërtetë është kjo jashtë çdo lloj lustre, Shqipëria është i vetmi vend në rajon dhe ndër të paktat në Evropë, ndër 3-4 vendet sipas raportit para dy javëve të komisionit Evropian që nuk ka rënë në recension Përkundrazi, ka pasur një rritje ekonomike. Ndër këto katër vende, Shqipëria ishte i vetmi vend që kishte një ulje të lehtë të papunësisë, me 0.5 përqind. Ne jemi të vendosur të bëjmë gjithçka për të nxitur rritjen ekonomik. Unë kam kënaqësi t’jua konfirmoj ju se në këtë kohë të vështirë, ekonomia shqiptare këto katër muaj është qartësisht më mirë se katër muaj të vitit të kaluar, të së njëjtës periudhë.

Unë, gjithashtu, dua t’ju bëj me dije se efekti i reformave që ne ndërmorëm dhe që i votuam në parlamentet gjatë tre muajve të fundit do të jetë një efekt shumë i fuqishëm. Ai nuk ka filluar ende. Heqja e TVSH-së për të gjitha llojet e makinerive që përdoren për prodhim, rimbursimi i TVSH-së për çdo makineri, çdo input, fidanë dhe çdo gjë tjetër që përdoret në bujqësi do të ketë efekte të padiskutueshme pozitive. Ne do të bëjmë gjithçka për të ulur koston e punës. Ne do të bëjmë gjithçka që biznesi shqiptar të gjenerojë gjithnjë e më shumë vende pune.

Ne po shkojmë drejt zgjedhjeve të përgjithshme. Në njërën anë ju keni pasqyrën e atyre rezultateve, të cilat sot i prek çdo njeri. Ju keni pasqyrën e një realiteti që nuk ekzistonte katër vite më parë; një realiteti, i cili bëri të mundur që ju të lëvizni të lirë në mbarë Evropën, pa viza; një realiteti, i cili bëri të mundur që në tetorin e vitit 2012, Komisioni Evropian, pasi i vlerësoi të gjitha reformat që ne kemi bërë, i rekomandoi Këshillit të Ministrave të Bashkimit Evropian marrjen e statusit për vend kandidat, me kusht që Shqipëria të votojë tre ligje. Asokohe dhe në asnjë kohë, asnjë mendje e shëndoshë, asnjë shqiptar, asnjë njeri që i beson ëndrrës evropiane nuk mund të imagjinonte se në këto tre ligje do të mbanin peng statusin e Shqipërisë, sepse duke mbajtur peng statusin do të privonin Shqipërinë nga qindra e qindra milionë euro investime për rrugë, për shkolla, për kanalizime, për ujësjellës, për fonde të Komisionit Evropian dhe investime të bizneseve private të vendeve anëtare; do të privonin të rinjtë shqiptarë që të aplikonin në universitetet e vendeve anëtare të Bashkimit Europian, me të drejta të njëjta si të rinjtë e këtyre vendeve; do të privonin emigrantët tanë që në Itali, Greqi dhe në vende tjera t’u njiheshin vitet e pensionit që u rëndojnë mbi kurriz. Por mbi këto qëndroi interesi personal politik, mendimi se duke bllokuar statusin dëmtohet më shumë qeveria. Jo zotërinj, duke bllokuar statusin dëmtohet çdo shqiptar, dëmtohet qeveria, dëmtohet opozita, dëmtohet Shqipëria.

Të njëjtën gjë bënë me vizat, por nuk ia dolën. Nisën protestat, ngritën çadrat te Kryeministria vetëm që liberalizimi i vizave të mos votohej, organizuan mitingje në të katër anët e vendit – hap kutitë, që të lirosh vizat, por ne vizat i morëm. Këto ditë zoti Rama dhe zëdhënësit e tij bëjnë thirrje që të votojmë tre ligjet. Ndonëse ne kemi iniciuar referendumin, e përshëndetëm faktin që pas 206 ditëve bllokim u kujtua që po kryente një vepër të padenjë. Të hënën, dje, shkuam në parlament me kënaqësi. Ju e patë, ata bënë ritin e zakonshëm. Sa erdhëm te ligjet, ata u ngritën njëri pas tjetrit dhe boshatisën sallën e parlamentit. Tani më duhet t’u them nga këtu, para jush, se ne, megjithëse jemi në zgjedhje, për hir të ligjeve do ta mbledhim çdo javë parlamentin. Ne do ta mbledhim çdo javë parlamentin, ata të vijnë, të ikin, të bëjnë ç’të duan, por sytë e shqiptarëve janë drejtuar në atë sallë dhe shqiptarët presin që ne të votojmë ligjet.

23 qershori po vjen. Unë ju ftoj ta shndërrojmë këtë fushatë në betejën tonë më të civilizuar. Unë kam nevojë për mbështetjen tuaj, kam nevojë të madhe të vazhdojmë ndryshimin. Në këtë garë ne ju kemi sjellë juve kandidatët më të shkëlqyer, por në këtë garë, përveç kësaj liste, ne kemi edhe listën e veprave që i paraqesim tek secili. Dhe jo vetëm listën e veprave që kemi realizuar së bashku, por listën e veprave që ne do të realizojmë së bashku në projektin tonë – Shqipëria e zhvilluar, për katër vitet që vijnë.

Ndaj të ecim të sigurt drejt 23 qershorit, datës së madhe të demokracisë. Të votojmë për Partinë Demokratike, për koalicionin “Aleanca për Punësim, Mirëqenie dhe Integrim” si e ardhmja jonë më e mirë, më e sigurt, si e ardhmja më e shkëlqyer evropiane.

Edhe një herë, ju ftoj të vazhdojmë, të rendim pas çdo vote, pas cdo zemre, të bëjmë gjithçka që me 23 qershor të firmosim një fitore të thellë, të shkëlqyer, të merituar për 4 vitet që vijnë, për vete, për fëmijët tanë, për Shqipërinë.

Përpara, përpara, përpara!”


07/05/2013

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›