Kryeministri Berisha merr pjesë në përurimin e fillimit të punimeve të impiantit të trajtimit të ujit të ndotur në Orikum
Fillimisht, Kryeministri Berisha u ndal në bashkinë e Orikumit dhe ishte i pranishëm në ceremoninë e përurimit të fillimit të punimeve për ndërtimin e impiantit të trajtimit të ujit të ndotur. Impianti është një investim me vlerë 16 milionë dollarë, financim i Bankës Islamike për Zhvillim dhe qeverisë shqiptare. Ky projekt nis me shërbimin e furnizimit me ujë të pijshëm, vijon me shërbimin e kanalizimeve dhe të trajtimit të ujit të ndotur për popullsinë prej 15.000 banorësh që jeton sot në Orikum, duke parashikuar një kapacitet të mundshëm sistemesh për deri 60.000 banorë, përfshirë këtu edhe fluksin turistik. Impianti i trajtimit ka kapacitet trajtimi të ujerave të ndotur prej 8 000 m³ në ditë.
Gjatë viteve 2005 – 2012 janë investuan 55 miliardë lekë për të ndërtuar 364 sisteme të reja ujësjellësish dhe 419 sisteme të reja kanalizimesh, ndërkohë që në një kohë rekord kanë përfunduar 9 impiante trajtimi të ujërave të ndotur si në Kavajë, Pogradec, Korçë, Durrës, Sarandë-Ksamil, Shëngjin-Lezhë, Shirokë, Velipojë, Vlorë dhe janë në proces Tirana, Kavaja turistike përfshirë Golemin, Shkodra etj.
Kryeministri Berisha e vlerësoi këtë investim si tepër të rëndësishëm dhe u shpreh se Orikumi, brenda një viti, do të ketë infrastrukturën ujore më moderne.
“Kjo, - tha Kryeministri, - e bën Orikumin një qytet të zhvilluar, e vendos atë në hartën e qyteteve më të pastra të Evropës. Kjo është një pasaportë e re, e madhe, për qytetin tuaj, i cili nga lashtësia deri më sot mban një emër të madh dhe të merituar”.
Më tej, Kryeministri Berisha tha se do të bëjmë gjithçka për rritjen e turizmit. “Nga 4.7 milionë turiste vitin e kaluar, objektivi ynë është 7 milionë turistë. Ne kemi gati projektin, kemi gati fondet për bypass-in e Vlorës, i cili i jep një frymëmarrje të re trafiku Orikumit, i jep një urbanizim shumë të mirë një seri fshatrave në të cilat kalon bypass-i. Ne do të ndërtojmë rrugën Orikum – Kepi i Gjuzës, rrugë e cila dyfishon në të vërtetë potencialin e jashtëzakonshëm turistik të qytetit të Vlorës. Ne po punojmë për një projekt, i cili do t’i paraqesë tregut botëror Orikumin, Vlorën, Nartën, Zvërnecin, Karaburunin, Sazanin si kompleksin natyror në të bukur në Evropë, për të tërhequr investime të mëdha”.
Në fjalën e tij, Kryeministri Berisha u shpreh:
Së pari, shpreh përshëndetjet e mija më të përzemërta dhe kënaqësinë time të madhe që inaugurojmë sot së bashku fillimin e punimeve në sistemin e ujërave të Orikumit, sistem i cili do t’i japë Orikumit infrastrukturën ujore më moderne. Në qoftë se i hidhni sytë këtij gjiri detar, ai është një nga gjiret më mahnitëse që mund të të kapë syri ndokund, një nga gjiret më të bukura.
Gjatë këtyre viteve janë bërë investime serioze në infrastrukturën e brendshme të këtij qyteti. Gjatë këtyre viteve fama e Orikumit si një port i rëndësishëm turistik është rritur në Shqipëri, në rajon dhe më gjerë. Orikumit i mungon diçka shumë e rëndësishme, infrastruktura ujore, e cila është furnizimi me ujë 24 orë, është përpunimi i ujërave të zeza, është sistemi modern i kanalizimeve. Orikumi ka një infrastrukturë moderne rrugore, është qyteti i parë me një port jahtesh, i cili e vendos atë në hartën e qyteteve të avancuara.
Orikumi, brenda një viti, do të ketë infrastrukturën ujore më moderne. Kjo e bën Orikumin një qytet të zhvilluar, e vendos në hartën e qyteteve më të pastra të Evropës. Kjo është një pasaportë e re, e madhe, për qytetin tuaj, i cili nga lashtësia deri më sot mban një emër të madh dhe të merituar.
Ky është një investim me vlerë rreth 16 milionë dollarë. Dua të shpreh mirënjohjen më të thellë për Bankën Islamike për Zhvillim për këtë investim shumë të rëndësishëm dhe për Presidentit të saj, për ndjenjat e tij miqësore dhe kontributin bujar.
Vëllezër e motra,
Në Orikum, në bregdet, në Vlorë, në Sarandë, në Delvinë ne kemi ndërtuar gjatë këtyre viteve mbi 400 kilometra rrugë. Ne kemi ndërtuar në Vlorë rrugë ndër më modernet, autostrada të niveleve të vendeve më të zhvilluara, superstrada dhe rrugë të tjera kombëtare, rrugë dytësore, rrugë tretësore, etj.. Përsëri, ne kemi jo pak rrugë për të ndërtuar. Unë do të shkoj sot në Sevaster, por e di se rrugët e lumit të Vlorës, rrugët që lidhin Vlorën me Tepelenën presin për tu ndërtuar, rrugë të tjera të fshatrave të lumit të Vlorës presin për tu ndërtuar.
Unë jam sot këtu para jush për tu zotuar se në qarkun e Vlorës, gjatë mandatit të ri, ne do të ndërtojmë dhe rindërtojmë çdo rrugë në fshatrat edhe në të gjithë qarkun e Vlorës; do të ndërtojmë dhe rindërtojmë çdo ujësjellës e sistem kanalizimesh. Orikumi do të furnizohet me ujë 24 orë, por kjo nuk është e vërtetë sot për zona të tjera të bregut. Unë ju garantoj se projektet janë të gatshme dhe ju jap fjalën se do t’i ndërtojmë një e nga një, që të gjitha. Edhe do t’i ndërtojmë të standardeve më të mira.
Në Vlorë ne kemi ndërtuar dhe rindërtuar rreth 30 shkolla, do të ndërtojmë dhe rindërtojmë çdo shkollë. Fëmijët shqiptarë do të ulen në banka, njëlloj si bashkëmoshatarët e tyre evropianë. Ne kemi krijuar infrastrukturë moderne telekomunikacioni, edhe më tej do ta modernizojmë atë. Ne kemi ulur çmimet 3-5 herë, edhe më tej do t’i ulim ato.
Pasi i bëri thirrje Selam Musait të vinte në Vlorë dhe, natyrisht, kësaj here nuk do të vinte me gunë, por me makinë, Edi Rama erdhi kandidat në këtë qark.
Vëllezër,
Është normale që kryetari i partisë, meqenëse selia është në Tiranë, të kandidojë në qarkun ku është selia e partisë. Por nuk është ndonjë mëkat i madh, se puna e trimërisë herë të jepet dhe herë nuk të jepet, herë e ke dhe here nuk e ke. Kështu që frikë pati të matej në Tiranë, ndonëse mandatin e fitonte me siguri, si kreu i listës. Ai erdhi në Vlorë. Socialistët vlonjatë janë të kënaqur, por kam një fjalë për ta: nuk erdhi Rama, erdhi Koçua!
Të dashur socialist vlonjatë,
Jua them këtë me sinqeritetin më të madh. Unë nuk ndërhyj në punët e brendshme të Partisë Socialiste, por një gjë do t’jua them: të të sjellë Koço Kokëdhima këtu, është jashtëzakonisht e rëndë. Zotin Rama në Vlorë e ka sjellë Koçua. Sepse Koçua në Tiranë njihet si menaxheri shpirtëror i zotit Rama; njihet si njeriu që fitonte të gjitha tenderët e rrugëve, të cilave u binte asfalti brenda tetë muajve; njihet si njeriu që fitonte tenderët e rindërtimit të shkollave dhe atyre u binin tavanet edhe fëmijët përfundonin në spitale, mos harroni skenat në televizione. Koçua njihet si njeriu, i cili të gjitha reklamat e qytetit i kishte pronë të tijën dhe nuk i paguante bashkisë as edhe një taksë të vetme. Koçua njihet në Tiranë si personi që i detyrohet arkës së bashkisë disa milionë euro detyrime fiskale. Koçua që e solli zotin Rama këtu, nuk e solli për ndonjë dashuri që ka për Vlorën, por e solli për pasionin e tij të çmendur për beton dhe brigjet e Vlorës. Cilitdo socialist që vë në dyshim këtë fjalë timen, i them miqësisht: shko në Himarë. Himariotët këndojnë këngën – Himarës, kush ia lidhi sytë? Koçua ynë! Shkoni dhe shihni se si i ka ndërtuar dy pallate gjigande në mes të Himarës dhe i ka zënë detin qytetit më të mirë, qytetit më të mrekullueshëm të Shqipërisë dhe mbarë brigjeve të Mesdheut.
Socialistë të dashur,
Edi Rama nuk solli në Vlorë pallatin në pajë, por erdhi në pajën e Koços dhe erdhi këtu për llogari të Koços. Është në të drejtën tuaj të mbani çdo qëndrim që doni, por këto fjalët e mia mund t’i vërtetoni me secilin socialist në Tiranë; mund t’i vërtetoni me secilin socialist në Himarë. Ndaj mos mendoni se votoni kryetarin e Partisë Socialiste. Kur rëndom e cilësoja Koçon si nënkryetarin e Partisë Socialiste, gazetarët më thoshin – po e tepron, sepse kjo nuk qëndron. Edhe disa bashkëpunëtorët e mi më thoshin nuk qëndron, se ai nuk është as anëtar i Partisë Socialiste. Ai, - u thosha unë , - është kryetar i zotit Rama dhe për socialistët është nënkryetar. Pra kjo është.
Ne këtu kemi një ekip të shkëlqyer. Unë ju jap fjalën se qeveria katër vitet që vijnë do të bëjë gjithçka për të vendosur Orikumin në hartën e qyteteve më të pastra dhe më të zhvilluara. Ne do të bëjmë gjithçka për rritjen e turizmit. Nga 4.7 milionë turiste vitin e kaluar, objektivi ynë është 7 milionë turistë. Ne kemi gati projektin, kemi gati fondet për bypass-in e Vlorës, i cili i jep një frymëmarrje të re trafiku Orikumit, i jep një urbanizim shumë të mirë një seri fshatrave në të cilat kalon bypass-i. Ne do të ndërtojmë rrugën Orikum – Kepi i Gjuzës, rrugë e cila dyfishon në të vërtetë potencialin e jashtëzakonshëm turistik të qytetit të Vlorës. Ne po punojmë për një projekt, i cili do t’i paraqesë tregut botëror Orikumin, Vlorën, Nartën, Zvërnecin, Karaburunin, Sazanin si kompleksin natyror në të bukur në Evropë, për të tërhequr investime të mëdha.
Edhe një herë, ju uroj përzemërsisht këtë vepër plotësisht të merituar, e cila brenda një viti do ta vendosë Orikumin në kurorën e qyteteve më të pastra të Evropës.
Faleminderit!”
08/05/2013