E Hënë, 2 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha inauguron fillimin e punimeve të rrugës Hotolisht – Fraher, Librazhd

Kryeministri Berisha inauguroi sot fillimin e punimeve për ndërtimin e rrugës Hotolisht – Fraher, Librazhd, një investim prej rreth 146 milion lekësh dhe që do t’ju shërbejë rreth 6850 banorëve.

Në fjalën e tij, kryeministri Berisha u ndal në investimet e bëra në këtë rreth, duke theksuar se gjatë këtyre 4 viteve qeveria do të bëjë gjithçka, që çdo komunë të lidhet me rrugë të asfaltuar me aksin kombëtar. Duke vlerësuar të rëndësishëm partneritetin me qeverisjen vendore, kryeministri theksoi se, qeveria do të do të financojë çdo projekt që kryetarët  dhe Këshillat e Komunave do të miratojnë për të ndryshuar për mirë jetën e banorëve dhe fermerëve të tyre.

Kryeministri theksoi se për  fermerët e  Hotolishtit dhe fshatrave të tjerë prioritet duhet të jetë punimi i tokës dhe mbjellja e drurëve frutorë. 

 "Të bëjmë gjithçka, theksoi kryeministri, që drurët jo frutorë ti zëvendësojmë më drurë frutorë, me të cilët mund të garantojmë të ardhura shumë më të mira për të gjithë".

Gjatë  fjalës së tij kryeministri tha:

Të dashur banorë të  Hotolishtit.

Zoti  Ministër.

Zoti  Nënkryetar  i  Parlamentit.

Zotërinj Deputetë.

Zotërinj  Qeveritarë Vendorë.

Së pari ju përshëndes  përzemërsisht, shpreh kënaqësinë  që jam sot këtu me ju,  për të  ndarë  gëzimin e inaugurimit të fillimit të punimeve të rrugës  Hotolisht – Fraher. Rrugë, e cila  do t’ju shërbejë rreth  6850 banorëve , rrugë që shënon një zhvillim tjetër të rëndësishëm, për projektin tonë,  për urbanizimin, për ndërtimin e infrastrukturës moderne  në të gjitha fshatrat dhe komunat e vendit.

Në rrethin tuaj, ne kemi investuar gjatë pesë viteve në ndërtimin dhe asfaltimin e rrugëve, me shumë se në të gjitha vitet e tjera të marra sëbashku, përveç rrugës kombëtare.  Unë ju garantoj  ju,  se këto  4 vjet ne do të bëjmë gjithçka,  që çdo komunë e këtij rrethi, çdo fshat, të lidhet me rrugë të asfaltuara  me aksin kombëtar.  Ne do të bëjmë çdo gjë, që ju këtu ku jetoni,  të keni infrastrukturë të njëjtë me lagjet e Librazhdit, me lagjet e Elbasanit, me lagjet e Tiranës, me lagjet e çdo qyteti  në Shqipëri.

Rruga ka vlerë totale investimi  prej rreth 146 milion lekë, por zoti  Kryetar  i Komunës, jam këtu për të garantuar se qeveria do të financojë çdo projekt   që ju dhe Këshilli i Komunës  do të miratoni, për të ndryshuar për mirë, për të përmirësuar jetën e fermerëve të Hotolishtit.

Ne do të bëjmë gjithçka, që Hotolishtit dhe komunat e Librazhdit, të kenë infrastrukturë të njëjtë me komunat e vendeve më të zhvilluara , të kenë rrugë, kanalizime, ujësjellësa  e  vaditje. Natyrisht kjo është vetëm një pjesë e punëve që nevojiten, që Hotolishti  dhe fermerët shqiptarë të mëkëmben gjithnjë e më shumë dhe kjo mëkëmbje  është mbi të gjitha, është mundi , djersa, puna , përkushtimi juaj .   Ne përpiqemi t’ju lehtësojmë ju, por zoti  Kryetar  dhe të dashur  fermerë është në dorën tonë të dyfishojmë të ardhurat kudo që ne jetojmë.  Po vij nga Elbasani këtu dhe ju e dini më mirë se unë se çdo drurë  jo frutor  që ndodhet në brigjet e Shkumbinit, mund të ishte arrë, dhe ka qenë arrë  shumica e tyre, mund të ishte lajthi, mund të ishte një dru frutor  me të cilin ne mund të garantonim të ardhura shumë më tepër. 

Prandaj dhe ne kemi shpallur një  projekt  kombëtar, projektin e ullirit aty ku ulliri rritet.  Projektin e arrorëve aty ku arrorët rriten  dhe arrorët rriten kudo në territorin e këtij vendi.  Ju e dini më mirë se unë se çfarë plantacionesh të mëdha  arrash, ka patur buzë  Shkumbinit  dhe  batërdia  e madhe që u bë në vitet 1990 ndaj tyre.   Le të vendosim ne të gjithë  së bashku  zoti Kryetar,  me të gjithë këta fermerë le ti rikthejmë ato në interesin e tyre më të mire, le të bëjmë  sëbashku që çdo pëllëmbë tokë, të cilën e kemi të pakët, sepse secili prej nesh e di, që ne nuk jemi vend me toka të shumta , por jemi vend  me tokë ndër  më pjelloret, ndaj ne duhet të bëjmë që të mos mbesë asnjë metër katror tokë djerr, të dyfishojmë të ardhurat kudo që ne jetojmë.

Të bëjmë gjithçka që drurët jo frutorë ti zëvendësojmë me drurë frutorë, të bëjmë gjithçka që çdo ditë të rrisim të ardhurat tona. Rritja e të ardhurave është kushti  i  të gjitha kushteve që ne të bëhemi një vend  i  zhvilluar.

Sot në Librazhd natyrisht ka jo pak familje të varfëra.  E vërteta është se pasuritë e këtij rrethi janë ta atilla saqë mjaftojnë  jo vetëm për banorët e Librazhdit  për të mos pasur asnjë familje të varfër, por mjaftojnë edhe më gjerë.  Rrethi juaj është një nga rrethet më të pasura në Shqipëri në ujëra.  Janë një seri  hidrocentralesh, që do të ndërtohen në  të gjithë kaskadat  e lumenjve dhe përrenjve, që zbresin në Shkumbin. 

Rrethi juaj ka potenciale të mëdha  minerare, të cilat gjithnjë e më shumë po vlerësohen dhe do të  shfrytëzohen.  Rrethi juaj mbi të gjitha ka njerëz të mrekullueshëm punëtorë, të cilët atë tokë që kanë e kanë qëndisur aq bukur dhe që të frymëzon kur e shikon.  Ndaj dhe le të bëjmë ne përpjekjen maksimale për të hapur  mundësi të reja.  Mos harroni se ne shqiptarët ne stadin aktual bujqësor, kemi gjithsej 1800 metër katror për fryme , por kemi potenciale të jashtëzakonshme për ti shumëfishuar këto dhe  me një mundim të veçantë. 

Ndaj dhe në partneritet  me qeverinë vendore,  qeveria është e vendosur  të financojë projektet për rrugët, projektet për shkollat, projektet për qendrat shëndetësore, për kanalizimet, për ujësjellësat dhe unë ju jap fjalën se vitet e ardhshme , siç jemi përqendruar në këto vite me gjithë fuqitë tona në rrugë, sepse rruga  është kushti me  themelor  i  zhvillimit, ne shumë shpejt po me kaq  vendosmëri do të përqendrohemi në vaditjen e tokave  e të mbjellave tuaja.  Do të bëjmë çdo gjë që ju të keni sistemet më modern të vaditjes në Europë dhe do ti keni ato, por këto janë problemet tona  dhe këto mund të realizojnë vetëm një pjesë të vogël të asaj  pasurie të madhe , të asaj mundësie të madhe që ekziston tek ju dhe që  ju keni bërë deri më sot.

Dhe njëherë ju përshëndes vëllazërisht dhe  ju garantoj se  do të bëjmë gjithçka, që jeta juaj të ndryshojë çdo ditë e me mirë.

Faleminderit.
 


25/08/2011

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›