E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha inauguron godinën e parë të kampusit të universitetit “Aleksandër Moisiu”, në Durrës

Kryeministri Berisha inauguroi sot në mbrëmje e godinën e parë të kampusit të universitetit “Aleksandër Moisiu” në Durrës, investim me vlerë prej rreth 570 milion lekë.

Godina e re ka 26 auditorë, me kapacitet prej rreth 3000-3500 studentë; 3 laboratorë, me kapacitet 160 studentë, bibliotekë,  sallë  leximi  dhe sallë  internet, 2 salla të mëdha eventesh, 3 salla mbledhjesh dhe 27 zyra, 5000 m2 ambiente të  gjelbëruara dhe pushimi.

Universiteti “Aleksandër Moisiu” Durrës, përbëhet tashmë nga 7 fakultete dhe ofron 51 programe studimi Bachelor, Master edhe 1 program doktorate.

Universiteti ka filluar ndërtimin e kampusit universitar në një sipërfaqe prej 55 hektarë dhe parashikohet t’u shërbejë më shumë se 25.000 studentëve. Në 7 vjet, numri i studentëve të këtij  universiteti është 13-fishuar, nga 999 studentë në vitin 2006, këtë vit ka arritur në rreth 14 mijë studentë.

Në fjalën e tij, Kryeministri Berisha e cilësoi një ngjarje shumë të rëndësishme inaugurimin e kampusit të ri të universitetit të Durrësit, si dhe theksoi se në vazhdim duhet të bëhet gjithçka për të rendur pas cilësisë në universitete. “Të bëjmë gjithçka për të rritur cilësinë. Unë jam optimist, sepse janë politikat e drejta ato që të çojnë drejt niveleve të reja të cilësisë; është liria akademike dhe bashkëpunimi me sektorin privat që të çojnë nga një nivel cilësor në një nivel tjetër; është përpjekja juaj e ndershme për të vendosur praktikat më transparente të vlerësimit ajo që do të shumëfishojë motivimin e të gjithë atyre që dëshirojnë të shohin të vërtetë ëndrrën e tyre universitare”, tha Kryeministri Berisha.  

Në fjalën e tij, Kryeministri Berisha u shpreh:

“I nderuar zoti ministër,

zoti rektor,

zotërinj dekanë,

të dashur studentë dhe pedagogë,

të nderuar zotërinj kandidatë për deputetë të qarkut të Durrësit,

zoti ministër i Drejtësisë,

së pari dëshiroj  t’ju përshëndes shumë përzemërsisht, të shpreh gëzimin tim për këtë ngjarje që ne përjetojmë sot, një ngjarje kaq të bukur dhe kaq të rëndësishme për Durrësin edhe për mbarë Shqipërinë.

Ne inaugurojmë sot ndërtesën e parë  të një kampusi ndër më modernët, kampusin e universitetit të qytetit të Durrësit. Ky universitet në 7 vite jetë ka njohur zhvillimet më të fuqishme. Ky universitet filloi me 990 studentë dhe sot  është me 14 mijë student.  Ai filloi në një ndërtesë të improvizuar, sot inauguron një nga ndërtesat më të bukura, më impresive, më të pajisura.

Tetë vjet më parë, kur u zotuam se do hapim universitet në Durrës, jo të paktë ishin skeptikët. Ata thoshin, pse do hapet universitet në Durrës? Durrësi është afër Tiranës. Sikur nuk e keni menduar mirë  këtë gjë. Unë isha i bindur se Durrësi, një qytet mijëravjeçar dhe që kishte bërë dritë në mijëvjeçarë për vendin, e meritonte prej shekujsh universitetin e tij. Dhe këtë bindje, duke parë këtë progres të madh të universitetit, e faktova se ishte një bindje e drejtë. Në 7 vite numri i studentëve në këtë universitet është 14-fishuar. Pra një rritje e jashtëzakonshme. A është  ky vetëm një zhvillim sasior? Jo, nuk është e vërtetë. Në këtë  universitet ekzistojnë disa nga shembujt më të shkëlqyer të botës universitare shqiptare, shembuj të cilët  ftojnë universitete të tjera t’i marrin, në interesin më të mirë të tyre dhe të orientimit të tyre drejt tregut.

Në këtë universitet funksionon në mënyrën më të shkëlqyer partneriteti publik-privat. Në këtë universitet funksionon në mënyrë të shkëlqyer bashkërendimi me shkollën e mesme profesionale. Në këtë universitet ka disa risi të mëdha për botën tonë akademike. Në tërësi universitetet janë jashtëzakonisht të rëndësishme, por ato në të gjithë  botën e kanë të vështirë të shquhen në çdo fushë. Të gjitha shquhen  në një ose disa fusha. Dhe, në fakt, ju keni fillim jashtëzakonisht të mbarë.

Të dashur miq,

përpjekja jonë për të vendosur Shqipërinë në shinat e dijes ka si kusht themelor njohjen  dhe respektimin e të drejtës së çdo të riu për të provuar ëndrrën e tij universitare, për të provuar të shndërrojë në reale dhe ta bëjë realitet ëndrrën e tij universitare.  Kjo shënon një kapitull të ri në historinë e jetës  akademike, një politikë tërësisht të re në raport me këtë objektiv. Shqipëria, deri para vitit 2005, 2/3 e ëndrrave universitare të të rinjve të saj i shkatërronte. Atyre nuk u jepej mundësia të ndiqnin universitetet vetëm e vetëm se gërshëra e shtetit përcaktonte me arbitraritet të papranueshëm  një numër jashtë të cilit askush nuk mund të dilte. Dhe ai ishte një proces, për hir të së vërtetës, aspak transparent.  Ai ishte një proces që rrënonte ëndrrat  e të rinjve shqiptarë. Ky  proces që kemi nisur ne ka shumëfishuar numrin  e studentëve. Po lexoja një ditë një raport të Bankës  Botërore, i cili njoftonte se në vitin  2001 në Shqipëri u diplomuan gjithsej, në një komb 3 milionë, 6 mijë vajza dhe djem. Në vitin 2012 u  diplomuan 25 mijë vajza dhe djem. Megjithatë, përsëri ne kemi një nivel të ulët të të diplomuarve në universitet, në raport me popullatën në tërësi.  Ne kemi një nivel që po rritet, por ai është ende larg objektivit edhe nivelit që kanë kombet  e zhvilluara.

Në këtë përpjekje është pozitive se sot rekrutimin nga klasat e 9-ta në gjimnaze e kemi në nivelin e vendeve më të zhvilluara, si përqindje. Pozitive është se sot ndjekjen e universiteteve, nga ata që marrin maturat, e kemi ndër nivelet më të larta të vendeve të zhvilluara, por boshllëku që kemi përpara është shumë i madh. Në rast se të  tjerët kanë 25- 32 përqind të  popullatës në universitet, Shqipëria para katër vjetësh e kishte 3.4 përqind dhe është rritur gjatë këtyre viteve, por është shumë larg këtij objektivi.

U ndala në këto të dhëna, sepse në një vend të lirë mendimi i lirë gëlon dhe lulëzon kudo, por shtretërit e vërtetë të mendimit intelektual janë universitetet.  Një komb e kultivon mendimin e tij intelektual më shumë se kudo tjetër në tempujt e tij universitar.

Ndaj dhe ne duhet të  bëjmë çdo gjë, duke konsoliduar këtë politikë, të rendim pas cilësisë. Të bëjmë gjithçka për të rritur cilësinë. Unë jam optimist, sepse  janë politikat e drejta ato që të çojnë drejt niveleve të reja të cilësisë; është liria akademike dhe bashkëpunimi me sektorin privat që të çojnë nga një nivel cilësor në një nivel tjetër; është përpjekja juaj e ndershme për të vendosur praktikat më transparente të vlerësimit ajo që do të shumëfishojë motivimin e të gjithë atyre që dëshirojnë të shohin të vërtetë ëndrrën e tyre universitare.

Të quash sot piramida universitetet e vendit është një absurditet shumë i madh. Në universitetet e vendit, pa diskutim ka dobësi, pa diskutim ka  element informaliteti, ka element papërgjegjësie, por këto nuk janë kurrë dominuese. Këto janë tërësisht aksesore, terciare dhe nuk mund të hedhësh kurrë poshtë lumenjtë e djersës që derdhin këto vajza edhe djem për t’u formuar në profesionet në të cilat studiojnë. Nuk mund të hedhës kurrë poshtë këta pedagoge dhe pedagogë që me ambicien më pozitive përpiqen të kapin gjithnjë më të mirën për veten e tyre dhe për studentët e tyre. Nuk mund të hedhësh kurrë poshtë përpjekjet që  bën një shoqëri e tërë për t’u dhënë universiteteve  korpuse si ky këtu, ndërtesa si kjo dhe ndërtesa të tjera më modern. U gëzova shumë për këtë ndërtesë. Asnjë ministri nuk ka një ndërtesë të tillë, universiteteve u takojnë. Gjithashtu, u gëzova shumë se për Durrësin, për të gjithë rolin e tij të  jashtëzakonshëm në historinë e vendit, në ekonominë dhe në zhvillimin e vendit, ky universitet do të jetë një  diamant në kurorën e Durrësit, këtij qyteti mijëravjeçar. Dhe  fakti që po rritet me kaq shpejtësi është dëshmi e rrënjëve të shkëlqyera që ka gjetur universiteti  në qytetin e Durrësit.

Ndaj, ju uroj shumë suksese.

Zoti Rektor, u gëzova kur pashë që kanë nisur themelet edhe për godinën tjetër. Ju garantoj se i tërë plani do të  zbatohet dhe këtu do të ndërtohet korpusi universitar më i bukur i Shqipërisë dhe rajonit.

Unë ju përgëzoj ju, përgëzoj trupin pedagogjik dhe të gjithë ata që bënë të mundur që në këtë sipërfaqe  prej 55 hektarësh t’ia kushtojnë korpusit modern të universitetit të Durrësit.

Edhe njëherë, shumë urime!

Gëzuar dhe urimet më të përzemërta!

Kjo është një ngjarje e madhe për Shqipërinë.

Faleminderit shumë!"


05/06/2013

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›