E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha inauguron godinën e re në Universitetin Bujqësor në Kamzë me vlerë 300 milion lekë

Kryeministri Berisha ishte sot i pranishëm në inaugurimin e godinës së re në Universitetin Bujqësore në Kamëz, një investim me vlerë 300 milion lekë e cila ka një hapësirë prej 5400 metrash katrorë dhe 50 salla dhe laboratorë. 

Duke shprehur kënaqësinë për inaugurimin e kësaj godine, Kryeministri Berisha theksoi se në 5 vitet e fundit në këtë universitet  janë  investuar 7.6 milion dollarë duke bërë që vetëm për vitin 2010  investimet të jenë 10 herë më të larta sesa në vitin 2005, ndërkohë që vetëm në dy  vitet e fundit ky universitet ka përfituar 13 laboratorë të rinj mësimor dhe shkencor.

Kryeministri Berisha  u ndal gjithashtu dhe në një nga auditorët e këtij universiteti, ku zhvilloi një takim me stafin akademik, të cilët i përgëzoi  për punën e bërë.  Berisha i siguroi ata se qeveria shqiptare do të vazhdojë të investojë gjithnjë e më shumë  në arsimin në tërësi dhe arsimin e lartë të veçanti.  Sikundër do të vazhdojë, tha ai,  mbështetjen e universitetit Bujqësor  në mënyrë që ai të mund të përmbushë një mision shumë të rëndësishëm që ka në Shqipëri, dhe të shfrytëzojë të gjithë potencialet e jashtëzakonshme në prodhimet bujqësore, cilësinë e  tyre dhe prodhimet e tjera të kësaj fushe.

Gjatë fjalës së mbajtur pas inaugurimit të godinës së re, kryeministri Berisha tha:

Së pari, ju përshëndes shumë përzemërsisht dhe shpreh kënaqësinë  time, që ndaj me ju gëzimin e ndërtimit të kësaj godine të re, fillimet e punimeve të së cilës i nisëm në  tetor të vitit 2009 dhe sot ju keni një nga korpuset më moderne të universiteteve tona, një investim prej 300 milion lekësh dhe një sipërfaqe ndërtimi  5400 metër katrorë  me 50 salla auditorë dhe laboratorë.

Universiteti juaj, këto vite po pëson transformime të ndjeshme, po bëhen të gjitha përpjekjet që ju të përgatiteni, me cilësinë më të lartë, që universiteti juaj të udhëheqë kërkimin shkencor në këtë fushë themelore për zhvillimin e vendit.

Qeveria shqiptare ka një përparësi të madhe dhe kjo përparësi është edukimi, shkollimi, sistemi  i edukimit dhe të gjitha ciklet e tij. Në këtë përpjekje të madhe, ne ia kemi dalë të arrijmë disa rezultate ndër më të rëndësishmet.  Sot, 91% e të gjithë nxënësve dhe nxënëseve që mbarojnë klasat e nënta, ulen në bankat e shkollave të mesme.  Sot,  70% e atyre që marrin maturën ulen në bankat e universiteteve.  Këto tregues i bëjnë nder dhe vendeve më të zhvilluara, por natyrisht  punë e madhe kërkohet të bëjmë bashkërisht në mënyrë që sikundër realizuam këto standarde, në rekrutimin në universitete në shkollat e mesme më ambicie të madhe me përkushtim të madh, të synojmë të arrijmë standardet më të larta në rajon dhe më gjerë në cilësinë e përgatitjes së studentëve.

Të bëjmë çdo përpjekje, për tu përshtatur gjithnjë e më mirë me kërkesat dhe nevojat e tregut gjithnjë në  ndryshim.  Universiteti juaj ka një mision të madh.  Ka misionin e udhëheqjes së transformimit tërësor të bujqësisë shqiptare.  Shqipëria është vend i vogël, është vend me pak tokë, por ka tokën të cilësisë më të lartë. Është vendi më me diell, është vend plot ujëra.  Nuk ka ndonjë vend tjetër që të ketë diversitetin  e prodhimeve që ka Shqipëria.  Shqipëria është vend i vogël, por është vend me potenciale shumë të  mëdha, veçanërisht në fruti -kulturë.  Universiteti  juaj po udhëheq  një nga projektet më të rëndësishme kombëtare në fushën e bujqësisë, atë të ullirit. 

Sëbashku pak muaj më parë inauguruam impiantin e prodhimit të fidanëve.  Rektori më informoi se tashmë kanë çelur ato, por ndërkohë po lëshon shtat një program tjetër më i madh kombëtar dhe ky është programi  i  arrorëve.  Shqipëria ka një sipërfaqe së paku dy herë më të madhe për arrorë, sesa për ullishte, ndaj dhe unë ju ftoj  ju, grupet e studimit që me përkushtim të madh të udhëheqin procesin e shndërrimit të Shqipërisë  në një nga prodhuesit e rëndësishme të këtyre frutave me një treg të përjetshëm me një treg të pa  shtershim në  Europë dhe më gjerë.  Ne jemi vetëm në  fillimet e një transformimi të madh  të prodhimit bujqësor në Shqipëri dhe blegtoral,  por fillimet janë të fuqishme.

Viti i kaluar shënoi dyfishimin e eksporteve bujqësore dhe në këto eksporte sërish pa ndonjë mbështetje të madhe arrorët kanë zënë një peshë të rëndësishme specifike . Universiteti po bashkëpunon ngushtë me qendrën e transformimit të teknologjive bujqësore, po bashkëpunon ngushtë me dhjetëra e dhjetëra universitete të Europës dhe të Botës.

 Kam  bindjen më të madhe se stafi pedagogjik  kërkimor dhe shkencor, ju të dashur studentë dhe studente, me përkushtimin tuaj do t’ia dilni që tu prini kërkimeve shkencore, transformimit të madh të prodhimit bujqësor shqiptarë dhe të bëni, që prodhimet e këtij vendi të vogël të bëhen të njohura në mbarë botën për cilësitë dhe shijet e tyre të pakrahasueshme me vendet  tjera.

Edhe njëherë ju garantoj se qeveria do të vazhdojë të mbështesë  bindshëm investimet në universitetin tuaj , në universitetet  e vendit.  Kampuse  po ndërtohen sot në një seri universitetesh dhe ne do të bëjmë gjithçka që universitetet  tona të kenë laboratorët më moderne.  Do të bëjmë çdo gjë që pedagogët dhe pedagoget  të kenë kualifikimet më të mira.  Studentet të arrijnë rezultatet me të mira dhe të cilësisë më të lartë.

Urime.



05/04/2011

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›