E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha inauguron shkollën e re në Komunën Kashar

Kryeministri Berisha mori pjesë sot në inaugurimin e shkollës së re “Mustafa Lleshi” në komunën e Kasharit, Tiranë.  Një investim prej 55 milion lekë, me një kapacitet prej mbi 400 nxënës, me një sipërfaqe prej 2100 metër katror, 14 klasa, 2 laboratorë, bibliotekë, salla sportive etj.

Ndërsa vizitoi ambientet e brendshme të shkollës, kryeministri Berisha u ndal edhe në këndin me veshje popullore të zonës dhe trevave të ndryshme të vendit, e ideuar nga mësuesit e nxënësit e shkollës me rastin e 100 vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë, si dhe të 20 vjetorit të themelimit të komunës së Kasharit dhe e realizuar nga gratë artizane të zonës.

Kryeministri i përgëzoi ata për këtë nismë, për të njohur, respektuar e ruajtur trashëgiminë etnografike të zonës, por edhe traditën e artizanatit, si një nga traditat më të çmuara kulturore të Shqipërisë, duke u shprehur se ndjehej i nderuar të vishte jelekun, element përbërës i kostumit popullor të trevës së Tiranës. Një nga artizanet i shprehu Kryeministrit falënderimet për miratimin së fundi, nga qeveria, të fondit për mbështetjen e artizanëve dhe gjallërimin e prodhimit artizanal shqiptar.

Kryeministri Berisha  premtoi se qeveria do të mbështesë prodhimin artizan dhe ftoi  të gjithë komunat dhe bashkitë që të krijojnë për artizanët lehtësirat më maksimale jo vetëm si një nga rrugët më të sigurta  të punësimit, por edhe të shpërthimit të trashëgimisë sonë të shkëlqyer kulturore krijuese.

Kryeministri  Berisha u shpreh se prodhimi artizan do të jetë në vëmendjen e qeverisë ashtu siç ka ndodhur me sistemin arsimor, i cili ka qenë dhe është një nga prioritet e kësaj qeverie.

Duke u ndalur tek investimet në arsim, Kryeministri Berisha theksoi faktin se në një hark kohor të shkurtër nga 2006 e deri më sot qeveria ka dyfishuar buxhetin për arsimin, nga 25 miliard lekët që ishte në vitin 2005, sot ky buxhet bashkë me sektorin privat është mbi 50 miliard lekë.  “Në një hark kohor të shkurtër, - u shpreh Kryeministri Berisha, - ne ia kemi dalë të ndërtojmë dhe rindërtojmë  mbi 71% të të gjithë shkollave para universitare të vendit, pa llogaritur këtu edhe 256 shkolla të reja para universitare të ndërtuara nga sektori privat”.

Kryeministri Berisha premtoi se qeveria do të bëjë gjithçka gjatë mandatit që vjen, që çdo shkollë kudo që ndodhet  të ndërtohet  dhe rindërtohet  në mënyrë që nxënësit e këtij vendi  të ulen në shkolla moderne.  Gjithashtu ai premtoi rritjen e rrogave çdo vit e më shumë të arsimtarëve.

Më gjerësisht në fjalën e tij Kryeministri u shpreh:

“Të dashur nxënës dhe nxënëse

Të dashur mësues dhe prindër

Së pari një përshëndetje të përzemërt për të gjithë ju, për të gjithë banorët e Kasharit, me rastin e inaugurimit të shkollës së re “Mustafa Lleshi”. Shkollë, e cila ka një investim prej 55 milion lekë, një kapacitet prej 350 nxënës dhe 60 fëmijë parashkollor, me një sipërfaqe prej 2100 metër katror, 14 klasa, 2 laboratorë, bibliotekë, sallë mësuesish, të gjithë mjediset e ndihmës, sallë në shërbim të sportit  prej rreth 533 metër, sistem informatike në të gjitha laboratorët. Fëmijët sot ulen në bankat e kësaj shkollë njëlloj si në çdo shkollë tjetër të vendeve më të zhvilluara të Europës, ndaj dhe unë do t’ju uroj shumë përzemërsisht.

Zonja dhe zotërinj,

Këto ditë ju kremtoni 20 vjetorin e themelimit të komunës. 20 vite në zhvillimin e komunës së Kasharit kanë qenë 20 vite suksesi dhe transformimi epokal të kësaj komune. Çdo vizitor që vjen tek ju, nuk bën dot asnjë dallim nga lagjet më të ndërtuara  të qyteteve apo kryeqytetit të vendit. Në një hark kohor 20 vjeçar,  Kashari,  ndoshta  si shumë - shumë pak komuna të tjetra, njohu një bum të pakrahasueshëm, nga 11 mijë banorë në vitin 1992, sot Kashari ka 45 mijë banorë dhe renditet qyteti i nëntë i Shqipërisë.

Unë erdha sot tek ju për të inauguruar shkollën, për  të përgëzuar kryetarin e komunës se,  kjo është një shkollë e ndërtuar tërësisht me taksat tuaja, me buxhetin tuaj dhe nuk ka kënaqësi më të madhe për ju, kur konstatoni dhe shihni sesi paratë tuaja shndërrohen në shkollë moderne për vogëlushët tuaj.  Kashari në një hark kohor të shkurtër 4 vjeçar ka ndërtuar katër shkolla të reja, por Kashari është shembull i shkëlqyer për arsimin në një aspekt tjetër.  Komuna numëron 11 shkolla publike, por ajo numëron krahas tyre dhe 6 shkolla para universitare private, dëshmi  kjo e ecurisë dhe e suksesit të iniciativës së lirë në komunën tuaj.

Numëron katër Universitete private krahas këtyre shkollave, sot komuna juaj është një qendër  e fuqishme e zhvillimit të arsimit jo vetëm për këtë rajon, por për mbarë Shqipërinë dhe kjo është një arritje e madhe.  Arritjet në fushën e dijes, arritjet në fushën e arsimit janë arritjet më kryesore dhe cilësore në rrugën e zhvillimit të një shoqërie dhe të një kombit.  Ndaj dhe ne kemi bërë dhe do të bëjmë gjithçka, që së bashku të ndërtojmë në Shqipëri sistemin arsimor më modern.  Kemi bërë dhe do të bëjmë gjithçka, që sëbashku të rrisim çdo ditë dhe me shumë cilësinë e mësimdhënies në institucionet tona arsimore.

Në një hark kohor të shkurtër nga viti 2006 e deri më sot, ne kemi dyfishuar buxhetin për arsimin, nga 25 miliard lekët që ishte në vitin 2005, sot ky buxhet bashkë me sektorin privat është mbi 50 miliard lekë. Në një hark kohor të shkurtër ne ia kemi dalë të ndërtojmë dhe rindërtojmë  mbi  71%  të të gjithë shkollave para universitare të vendit, pa llogaritur këtu edhe 256 shkolla të reja para universitare të ndërtuara nga sektori privat. Ne do të bëjmë gjithçka gjatë mandatit që vjen, që çdo shkollë kudo që ndodhet  ta ndërtojmë dhe rindërtojmë  në mënyrë që nxënësit e këtij vendi  të ulen në shkolla moderne. 

Ne kemi bërë gjithçka për të rritur cilësinë e mësimdhënies. Një hap cilësor ishte shtrirja e internetit dhe kabineteve të informatikës në çdo shkollë të vendit.  Shumë shpejt, kryesisht po në funksion të shkollarëve, në 1250 pika të vendit, do të jepet internet falas. Ne kemi filluar procesin e kalimit nga internet në shkollë, në internet në çdo klasë. Kemi filluar procesin e përshtatjes të metodave më moderne në procesin e mësimdhënies, ato dixhitale. Ne të gjithë reformën tonë në arsim, të gjitha investimet që kemi bërë dhe bëjmë, ne jemi të bindur se ato kanë një kusht themelor suksesi  dhe ky kusht themelor suksesi është vendosja në piedestalin e tij, të misionarit të arsimit, të mësuesit. Vetëm duke mbështetur mësuesit tanë, duke i vendosur ata në pozicionin që meritojnë, duke i shpërblyer ata në mënyrë dinjitoze,  ata do të mund të përmbushin me dinjitet misionin e tyre.  Ne vijmë sot me kënaqësi këtu, se ne kemi mbajtur plotësisht premtimin para tyre dhe duhet tu rikujtoj, se për një qeveri,  për një kryeministër, premtimi për dyfishimin dhe mbi dyfishimin e rrogave të arsimtarëve është më i vështiri që ai mund të ndërmarrë, sepse arsimtarët sot në këtë administratë, janë 58% e punonjësve të saj, por ne e kemi mbajtur atë dhe i garantoj ata, se çdo vit ne do të rrisim rrogat e tyre, se çdo ditë, ne do të kujdesemi për një situatë ekonomike dhe të gjithëanshme me të mirë të arsimtarëve të vendit. Ky është një kusht që ata të përmbushin me dinjitet misionin e tyre. Sot kryeministri merr 4.5 rroga arsimtari, kundrejt 9 rroga arsimtari që merrte ai në vitin 2005. Raporti aktual ekzistues  është ndër më të ngushtit në botë, por ju garantoj se  ai nuk do të vijë duke u zgjeruar, ai do të vijë gjithnjë duke u ngushtuar, pasi rrogat tuaja do të rriten në mënyrë të pa ndërprerë.

Përpjekja jonë me arsimin është jetike, për të ndërtuar  “Shqipërinë e Dijes”.  “Shqipëria e Dijes” është Shqipëria e së ardhmes, dhe ne vetëm pak vite më parë, në rast se kemi pasur një nivel të ulët analfabetizmi, dhe kjo ka qenë pozitive, në të gjithë treguesit e tjerë në arsim ne kemi qenë larg dhe shumë larg vendeve të zhvilluara.  Vetëm 4 vjet më parë në Shqipëri përqindja e të diplomuarve me arsim të lartë ishte  3.4%,  7 deri në 10 herë më e ulët se në shoqëritë e dijes, se në vendet e zhvilluara. Por sëbashku duke e konsideruar arsimin çështjen më serioze të familjes të shoqërisë të Shqipërisë, ne ia kemi dalë që sot të kemi dhe të arrijmë disa nga treguesit më thelbësor të vendeve të zhvilluara, të vendeve të dijes.  Sot 91% e nxënësve që mbarojnë klasat e 9-ta shkojnë në gjimnaze në mbarë vendit, sot  71% e studentëve tanë, e atyre që mbarojnë maturën hyjnë në auditorët e universiteteve.  Nga 52 mijë studentë që kishim në vitin 2005, sot ne kemi 164 mijë studentë dhe qëndrojmë mesatare për 1 mijë banorë, më lart se çdo vend tjetër i Europës.

6-7 vite më parë, arsimi privat pothuaj nuk ekzistonte, kurse sot këtu në Kashar, janë katër shkolla të arsimit para universitar janë dy shkolla të arsimit të mesëm privat dhe 4 universitete private. Sot arsimi i lartë privat mbulon mbi 21 % të të gjithë arsimit të lartë të vendit.  Sot arsimi i lartë privat ka rreth  34 mijë studentë, aq sa kishte e tërë Shqipëria në shkollat publike 10 vjet më parë. Ne sigurisht në detyrimin tonë do të ndërtojmë dhe rindërtojmë çdo shkollë publike, do ta pajisim atë me sistemet më moderne të mësimdhënies, por do të bëjmë gjithçka për të mbështetur sipërmarrësit që do të hapin shkollat private, ndaj dhe ju bëj thirrje ju zoti Kryetar i komunës, që qëndroni në krye të mbështetjes së kësaj iniciative, vazhdoni  dhe mbështetini. Le tu japim ne atyre toka për shkollat,  le tu krijojmë lehtësira të tjera, sepse kjo është një rrugë e sigurt për të mobilizuar sa më shumë fonde për edukimin e fëmijëve shqiptarë, kjo është një rrugë  shumë e sigurt për të nxitur konkurrencën në garën e dijes, konkurrencë, e cila do të çojë gjithnjë  e më lart këtë garë do të rrisë gjithnjë e më shumë këtë cilësi.

Duke vizituar shkollën kryetari i komunës, më bëri të vizitoj një kënd krijimesh të shkëlqyera artizanale të komunës së Kasharit.  Njërin prej të cilëve unë e mbajta me kënaqësi pasi është padyshim shumë herë më i bukur se ky që kam veshur . 

Kështu që duke falenderuar zonjën për dhuratën e mrekullueshme, ju garantoj se herën tjetër do të vesh fustanellën tuaj të bukur  një nga veshjet më të bukura të të gjitha kohërave, sikundër ju premtoj artizanëve të Kasharit të mbarë Shqipërisë, se qeveria  ka bërë vetëm hapin e parë me fondin e artizanatit, se ne do të nxisim në çdo vatër shqiptare aty ku ekziston dëshira, prodhimet e mrekullueshme të krijuesve shqiptarë. Ftoj të gjitha bashkitë dhe komunat tu krijojnë artizanëve lehtësirat më maksimale, jo vetëm si një nga rrugët më të sigurta  të punësimit, por edhe  të shpërthimit të trashëgimisë sonë të shkëlqyer kulturore krijuese.

Faleminderit”.


17/09/2012

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›