Kryeministri Berisha pret Kryetarin e Parlamentit të Azerbajxhanit Ogtay Asadov
Kryeministri Berisha zhvilloi sot, një takim, me Kryetarin e Parlamentit të Azerbajxhanit, zotin Ogtay Asadov.
Kryeministri Berisha, pasi i uroi mirëseardhjen në Shqipëri, e vlerësoi këtë vizitë një zhvillim pozitiv në marrëdhëniet dypalëshe dhe inkurajim për të çuar përpara bashkëpunimin, ndërsa zoti Asadov e konsideroi një kontribut drejt një bashkëpunimi më të ngushtë midis dy vendeve.
Zoti Asadov i shprehu Kryeministrit vlerësimet për reformat e ndërmarra në Shqipëri gjatë viteve të fundit, të kurorëzuara me anëtarësimin e vendit në NATO dhe ecjen përpara në procesin e integrimit europian. Shqipëria, tha zoti Asadov, është një faktor i rëndësishëm që i përket familjes europiane.
Kryeministri Berisha tha se gjatë muajve që pasuan vizitën e tij në Azerbajxhan janë bërë përpjekje pozitive për të zhvilluar marrëdhëniet midis dy vendeve, bazuar në ndjenjat e sinqerta midis dy popujve që ruajnë lidhje e shkëmbime të hershme.
Kryeministri Berisha dhe zoti Asadov ndanë të njëjtin mendim se mënyra më e mirë për të forcuar marrëdhëniet mes vendeve është të inkurajohet bashkëpunimi ekonomik dhe nxitja e investimeve. Në këtë kuadër, bashkëpunimi në fushën e energjisë u vlerësua si një nga fushat me potencial të madh bashkëpunimi në të ardhmen.
Në mënyrë të veçantë, Kryeministri Berisha u ndal në projektin e gazsjellësit Trans-Adriatik (TAP), duke e cilësuar atë, një projekt vizionar, varianti më ekonomik dhe me trajektoren më të shkurtër, me një leverdi të madhe për Azerbajxhanin, vendet rajonit e tonë dhe Europën Perëndimore. Duke nënvizuar se TAP ka mundësi reale që të përzgjidhet nga konsorciumi i Shah Deniz, Kryeministri theksoi se qeveria shqiptare është e angazhuar të përmbushë çdo detyrim të saj, në këtë drejtim.
Kryeministri Berisha pohoi gjithashtu, se Shqipëri mbetet e hapur që, në kuadër të ndërtimit të infrastrukturave të rëndësishme të gazifikimit në vendit, të mirëpresë investitorët azerë, që kanë një ekspertizë të madhe në të këtë drejtim.
Më tej, në takim u vlerësuan edhe një sërë sektorësh potencialë për bashkëpunim në të ardhmen, si turizmi, bujqësia, arsimi etj..
Pas takimit, Kryeministri Berisha shtroi një drekë për nder të zotit Asadov dhe delegacionit që e shoqëronte, e cila kaloi në një atmosferë miqësore.
18/09/2012