Kryeministri Berisha përshëndet inaugurimin e korpusit të Universitetit "Albanian University" të Beratit
Kryeministri Berisha mori pjesë sot pasdite, në ceremoninë e inaugurimit të korpusit të Universitetit “Albanian University” në Berat.
Në fjalën e tij, Kryeministri Berisha e përshëndeti ngritjen e këtij universiteti si një ngjarje të rëndësishme për qytetin e Beratit, qytetin mijëravjeçar që i “dha njerëzimit arkiva e visare të pavdekshme”.
Duke e cilësuar “një tempull që i mungonte qytetit të Beratit”, Kryeministri Berisha përshëndeti këtë iniciativë të sipërmarrjes private në fushën e arsimit dhe të gjithë sipërmarrësit, që me “guxim e kurajë hapën shkollat e larta dhe universitetet private të vendit”.
Shqipëria, tha Kryeministri, është vend me potenciale të jashtëzakonshme dhe trashëgimi të madhe, por ajo do mund të jetë zonjë e vërtetë midis kombeve të tjera vetëm si Shqipëri e mendjes, Shqipëri e dijeve, Shqipëri e ideve.
Fjala përshëndetëse e Kryeministrit Berisha në këtë ceremoni.
“Ju përshëndes sot, shumë përzemërsisht dhe shpreh kënaqësinë time të madhe që përjetuan sëbashku këtë ngjarje, që për qytetin tuaj mijëravjeçar, pas fitimit të lirisë, përbën një nga ngjarjet më të mëdha në shumë shekuj, përbën një ngjarje madhore në historinë e përpjekje të shqiptarëve për Shqipërinë e dijes, përbën një zhvillim të madh për mbarë kombin shqiptar.
I nderuar zoti president, dua t’ju përshëndes juve, në mënyrë të veçantë e përzemërt për këtë dhuratë të madhe që i bëni qytetit të Beratit, qytetit që i ka dhuruar kombit e mbarë njerëzimit arkiva e visare të pavdekshme, të përjetshme, qytetit, i cili gjatë historisë u lakmua aq shumë, nga të tjerë që vërshuan në të e në trojet shqiptare, i ndërruan emrat dhe bënë gjithçka ta përvetësonin, por në shekuj ai erdhi si qyteti i shqiptarëve, i kulturës, identitetit dhe të ardhmes së tyre të ndritur.
Unë dua t’ju përgëzoj për këtë investim madhështor, këtë tempull që i mungonte kaq shumë qytetit të mrekullueshëm të Beratit. Dëshmi kjo e dashurisë suaj të pakufishme për Beratin, dashuri që jam i sigurt buron nga shpirti i çdo shqiptareje dhe shqiptari, kudo që ndodhen.
Përshëndes stafin pedagogjik, studentet e studentët e tij, të cilët kanë ndryshuar kaq shumë jetën e qytetit tonë, jetën e Beratit dhe po bëjnë gjithçka që Berati e Shqipëria të jetë Berati i dijes, të jetë Shqipëria e dijes.
Unë dua të përshëndes të gjithë universitetet e vendit, publike e private, për ndryshimet e tyre të mëdha, rrënjësore dhe kontributin e madh që japin për Shqipërinë e dijes.
Studente e studentë, Shqipëria është vend me potenciale të jashtëzakonshme, vend me trashëgimi të madhe, por ajo do mund të jetë zonjë e vërtetë midis kombeve të tjera, që herë e deshën, herë e përçmuan, do mund të zërë vendin e vet vetëm si Shqipëri e mendjes, Shqipëri e dijeve, Shqipëri e ideve. Ndaj, në këtë kontekst, ne jemi të vendosur të bëjmë gjithçka që këtë ëndërr, këtë projekt ta shndërrojmë sa më shpejt në realitet. Shqipëria e dijes ndërtohet duke bërë të vërteta ëndrrat e qindra e mijërave të rinjve shqiptarë për të marrë diplomën, për të hyrë në shtëpinë intelektualëve, për të hyrë në banesën e dijes.
Vetëm 10 vjet më parë, numri i studentëve në Shqipëri ishte më i vogël se sa është sot, numri i studentëve në shkollat e larta dhe universitetet private të vendit. Vetëm 7 vjet më parë, ne kishim 52 mijë studentë në mbarë vendin, ose ¼ e studentëve për 1000 banorë që kishte Europa e zhvilluar. Në një hark kohor të shkurtër, në bankat e universiteteve publike e private, sot kemi 164 mijë studente e studentë dhe do të bëjmë gjithçka që ky numër të jetë pa kufizim. Askush nuk duhet të trembet nga dija e arsimi. Të mos harrojmë se 6 vite më parë, për ne që ëndërrojmë Shqipërinë e dijes, ne ishim dekada, për të mos thënë më shumë, larg saj. Përqindja e të diplomuarve në universitete ishte ndër më të ulëtat, rreth 3.4 përqind, ndërkohë që kombet e zhvilluara e kanë 26 përqind, 32 përqind, pra, shumë herë më të lartë sa e kishim dhe sa e kemi ende sot. Por një gjë është e sigurt, ne kemi ndezur sëbashku, në këtë vend, garën e dijes, garën e të gjitha garave, promotor i zhvillimit të Shqipërisë. Në këtë kontekst, unë dua të përshëndes të gjithë sipërmarrësit, të gjithë ata që me guxim e kurajë hapën shkollat e larta dhe universitetet private të vendit. Në vlerësimin tim, ky është një kusht vendimtar për të arritur me dinjitet dhe në kohën më të shpejtë, Shqipërinë e dijes, Shqipërinë e zhvilluar, për ta bërë këtë ëndërr të vërtetë.
Vladimiri [i diplomuar jashtë vendit] foli për Bostonin në SHBA. Amerika është frymëzimi i botës, është frymëzimi i njerëzve të lirë, por dua të theksoj se arma e saj sekrete, fuqia e saj qëndron tek dija, tek shkolla, tek universitetet. Ndaj edhe ne do të bëjmë gjithçka të mësojmë sa më shumë prej praktikave të tyre. Jam i inkurajuar se në një hark kohor 7 vjeçar, arsimi privat në shkollat e larta përballon 21 përqind të arsimit të lartë në tërësi. Jam i inkurajuar se në arsimin parauniversitar, arsimi privat përballon rreth 10 përqind të tij. Kjo është një rrugë e sigurt suksesi. Së pari, sepse nxit konkurrencën dhe zhvillimi nuk ka asgjë më të rëndësishme, më nxitëse e frymëzuese se konkurrencën e lirë. Arsimi privat bën të mundur që vendi e kombi të mobilizojë resurse të mëdha financiare e njerëzore në funksion të shkollimit, dijes, përparimit.
Duke ju përgëzuar edhe një herë për këtë vepër madhështore, duke përgëzuar edhe të gjithë drejtuesit, presidentët, rektorët e universiteteve publike e private, ju garantoj se qeveria do të ketë një dialog konstant me ju, në mënyrë që të përmirësojmë gjithnjë e më shumë bashkëpunimin. Unë kam besim të madh se investimet e jashtëzakonshme që keni bërë këto 6-7 vjet, në krijimin e një infrastrukture të admirueshme, do t’i bëni në vitet që vijnë, për konsolidimin e stafeve akademike të mrekullueshme që keni rekrutuar e japin mësim.
Universitetet duhet t’i shndërrojmë në shtretërit e dijes, në shtretërit e mendimit intelektual dhe tempujt e mendimit shkencor. Sot janë mijëra shqiptarë që i përkasin ekselencës shqiptare dhe asaj globale, aty ku janë, në Itali, Francë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Gjermani e kudo në botë. Të bëjmë gjithçka për t’i tërhequr ata që japin kontributin e tyre në zhvillimin e vendit. Ata janë të gatshëm, ndaj ta bëjmë arsimin e lartë të hapur ndaj tyre. Unë ju ftoj të forcojmë me një program serioz e të caktuar, lidhjet ndërkombëtare me universitetet e Europës dhe Shteteve të Bashkuara. Lidhjet akademike ndërkombëtare janë një faktor i fuqishëm për kërkimin shkencor, janë një faktor i fuqishëm për rritjen e cilësisë së mësimdhënies, janë një faktor i rëndësishëm për konsolidimin e stafit akademik të universiteteve tona.
Zonja e zotërinj,
Qeveria mbetet e vendosur në përparësinë e saj më madhore, shkollimin, sistemin e arsimit në këtë vend. Kam kënaqësi t’ju konfirmoj se nga viti 2005 e deri më sot, buxheti për arsimin publik e privat i marrë sëbashku është dy herë më i madh se në vitin 2005 dhe ju garantoj se do të rritet çdo vit. Ne do të bëjmë gjithçka për krijimin e vendeve të punës. Ata që i shohin universitetet si pellgje punësimi dhe i konsiderojnë studentët si të punësuar tregojnë anakronizmin e tyre dhe dëshmojnë se nuk kanë koncept as për universitetin dhe as për punësimin. Studentët ndërtojnë ditë për ditë, në bankat, auditorët, laboratorët e universiteteve, ëndrrën e tyre universitare, ëndrrën për t’u bërë intelektualë. Studentët e diplomuar me diplomë universiteti kanë shanse punësimi shumë herë më të lartë se ata që nuk kanë mbaruar universitetin. Studentët e diplomuar në universitete, siç faktojnë të gjitha studimet, i kanë shanset e shpërblimit më të madh se gjithë të tjerët. Ndaj askush nuk duhet të lëndohet pse ne po rrisim me shpejtësi numrin e studentëve. E rrisim dhe do ta rrisim atë dhe do të bëjmë gjithçka për krijimin gjithnjë e më shumë e vendeve të punës, në mënyrë që gjenia e tyre krijuese të funksionojë, të shndërrojnë në realitet ëndrrat e bukura post universitare të tyre.
Të dashur studente e studentë, qytetare e qytetarë të Beratit,
Ky vit është viti i 100 vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë, që na mbush me krenari e mirënjohje të madhe, për të gjithë ata, të cilët me sakrificën e tyre bënë të mundur që ne të kremtojmë sot, të lirë, 100 vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë. Të mos harrojmë se 100 vjet më parë, viti 1912 kur do të shpallej pavarësia e vendit, ishte për ne, njëkohësisht, vit, në të cilin një etapë tjetër lugubre e copëtimit e trojeve shqiptare do të vendosej në tryezat e Fuqive të Mëdha. Këto 100 vite i kemi pasur ndër më të vështirat. Vite copëtimesh, pushtimesh, diktaturash, vite që, fatmirësisht, i kemi lënë mbrapa. Sot, ne jemi një komb i lirë në Shqipëri, në Kosovë, kudo. Por ne jemi sot 100 vjeçar, sepse shqiptarët në të katër anët e trojeve shqiptare derdhën gjak, sakrifica e bënë gjithçka për shtetin shqiptar të pavarur, për Kosovën e lirë, për të ardhmen tonë europiane. Ndaj studente e studentë, të reja e të rinj të Beratit e mbarë Shqipërisë, ju ftoj sot, të mos harrojmë kurrë se për njeriun e qytetëruar, për njeriun e lirë, interesi i të gjithë interesave është interesi kombëtar. Fiton ai që di t’i qëndrojë këtij interesi, ta mbrojë e ta zhvillojë këtë interes. Ndaj në këtë 100 vjetor të jemi më të bashkuar se kurrë rreth këtij interesi, rreth flamurit, rreth të ardhmes sonë europiane.
Edhe një herë urimet më të përzemërta për këtë dhuratë madhështorë, për Albanian University që inauguroni sot.”
15/09/2012