E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha ishte i pranishëm në çeljen e ekspozitës së piktorit Genti Korini, e titulluar "Struktura Kalimtare"

Kryeministri Berisha ishte i pranishëm, sot pasdite, në ceremoninë e çeljes së ekspozitës së piktorit Genti Korini, e titulluar "Struktura Kalimtare". Në ekspozitën e hapur në mjediset e Galerisë Kombëtare të Arteve (GKA) autori përmbledh një cikël të fundit pikturash abstrakte.

Kryeministri Berisha, i shoqëruar nga piktori Genti Korini, drejtori i GKA-së z. Rubens Shima, ministri i Kulturës z. Aldo Bumçi, kryetari i bashkisë së Tiranës z. Lulzim Basha, etj., vizitoi ekspozitën dhe u njoh më nga afër me pikturat e paraqitura në të.

Duke e vlerësuar këtë ekspozitë si tepër të veçantë dhe mbresëlënëse, Kryeministri Berisha, në një prononcim të dhënë për mediat e pranishme, u shpreh - “Kjo ekspozitë, e artistit Genti Korini, është e veçantë, është një sukses i vërtetë. Është e veçantë, sepse është një ekspozitë e tërë me vepra të abstraksionizmit, rrymë kjo që për gjysmë shekulli ishte e ndaluar, e dënuar, por e vërteta është që duhet të themi se edhe pas daljes në hapësirën e lirisë nuk është se mori atë zhvillim që duhet të merrte në artin tonë pamor. Genti, një piktor i talentuar, i guximshëm, paraqitet këtu me një sukses të admirueshëm. Është një piktor i madh dhe me një kontribut thelbësor në pikturën shqiptare. Ka një raport shumë të sinqertë me format, ngjyrat dhe përpiqet me sukses të bëjë të flasë struktura, e brendshmja. Në fillim, kur nisi ai të më shpjegojë për ekspozitën, i tregova një histori të shkurtër, me një mik timin, në një vend të huaj. Ai ishte një mjek shumë i apasionuar pas pikturave abstraksioniste dhe kishte një galeri në shtëpi. Një ditë e pyes dhe i them – Pol, çfarë kupton ti nga kjo? Dhe Poli më përgjigjet – Sali, pikërisht se nuk kuptoj, aty qëndron dhe vlera e tyre më e madhe. Kështu që njerëzit, vërtetë edhe mund të mos deshifrojnë, por e vërteta është që inkursioni i artistit në një botë abstrakte është shoqëruar nga një produkt i shkëlqyer. Ndaj, dua ta uroj shumë përzemërsisht Gentin për këtë ekspozitë me të vërtetë mbresëlënëse, por edhe për këto vepra që plotësojnë me dinjitet të madh një pothuajse boshllëk dhe janë një pasuri e madhe në Galerinë e Arteve të vendit tonë.

Urime!”


21/02/2013

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›