E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha inauguron Regjistrin Elektronik Noterial Shqiptar

Kryeministri Berisha ishte sot i pranishëm në ceremoninë e inaugurimit të Regjistrit Elektronik Noterial Shqiptar, investim i buxhetit të shtetit me vlerë rreth 35 milionë lekë. Ceremonia u zhvillua në mjediset e ministrisë së Drejtësisë.

Ky sistem bën të mundur regjistrimin e veprimeve dhe akteve noteriale, në mënyrë të thjeshtë dhe të sigurt, në një sistem qendror dhe kombëtar, do të jetë online 24 orë ku në çdo moment të kohës mund të kryen veprime dhe të shikohen të dhëna. Përdoruesit e regjistrit janë Noterët, Dhoma e Noterisë, Ministria e Drejtësisë dhe institucione të tjerë, si inspektorate apo investiguese, institucionet tatimore, etj.

Në sistem do të regjistrohen në mënyrë të thjeshtë dhe të sigurt i gjithë informacioni që ka të bëjë me veprimet dhe aktet noteriale që kryhen në Republikën e Shqipërisë. Sistemi është në formën e arkivës dixhitale ku secili aktor pjesëmarrës do të ketë të drejta dhe nivelin e sigurisë përkatëse. Kjo arkivë dixhitale është e sigurisë së lartë, ku secili aktor ka nivelin e tij të sigurisë dhe nuk mund të shikojë më shumë informacion se çfarë i është caktuar. Regjistri përdor arkitekturë dhe një sistem sigurie për monitorimin dhe gjurmimin e çdo veprimi i pavarur nga administratorët e sistemit në kohë reale për të bërë të mundur që informacioni të jetë i monitorueshëm dhe i sigurt.

Regjistrit Elektronik Noterial Shqiptar është i instaluar në serverë të sigurt, me të drejta të ndara dhe të mirë përcaktuara, si dhe mbrohet me certifikatë sigurie me mundësinë për nënshkrimin elektronik në të ardhmen. RNSH është i lidhur me sistemin One Stop Shop të noterëve për të parë certifikatën e pronësisë, si dhe ofron mundësinë që të lidhet me sisteme të tjerë kombëtare si: Sistemet e Taksa-Tatime; Sistemet e Bashkive; Sistemet e Regjistrit i gjendjes Civile; Sistemet e Përmbarim; Sistemet e Drejtorive dhe Trasportit .

Kryeministri Berisha e vlerësoi këtë projekt si një hap shumë të rëndësishëm në sistemin e drejtësisë, i cili ndikon në rritjen e mëtejshme të transparencës. “Transparenca është bërë gjithnjë e më shumë një kusht i domosdoshëm i veprimtarisë sonë. Në rast se shoqërohesh nga transparenca, në çdo hap ke një siguri shumë më të madhe, por edhe konsolidon një etikë të re pune, një kod të ri pune”, tha Kryeministri.

Më tej, Kryeministri Berisha u shpreh qeveria shqiptare do të bëj gjithçka që katër vjeçari i ardhshëm të jetë “mobile Albania”- Shqipëria e celularit. “Kompania ka bërë një program të shkëlqyer të një regjistri shumë të rëndësishëm. E ka bërë atë të pajtueshëm në regjistrat e tjetër, me institucionet e tjera dhe në këtë mënyrë ne ecim të sigurt duke e pasur të afërt ditën kur qytetari shqiptar, jo nga kompjuteri, por nga telefoni i tij celular do të mund të marrë të gjitha shërbimet dhe të realizojë të gjitha transaksionet. Ne ecim në këtë rrugë të vendosur t’i krijojmë qytetarit lehtësitë më maksimale”, tha Kryeministri Berisha.

Kryeministri Berisha u shpreh, gjithashtu, se “do të bëjmë gjithçka që teknologjitë e reja 4 G dhe të gjitha të tjerat të jenë disponibël për qytetarët shqiptarë”.

Në fjalën e tij, Kryeministri Berisha u shpreh:

“I nderuar zoti Ministër,

E nderuar zonja Sadushi, Presidente e Dhomës Kombëtare të Noterisë,

Të nderuar miq, drejtues të ministrit EURALIUS në Shqipëri,

Notere dhe Noterë,

Së pari, dëshiroj t’ju përshëndes shumë përzemërsisht juve këtu, të përshëndes të gjithë noterët e vendit për punën e madhe që bëjnë, për rolin e jashtëzakonshëm që ata kanë sot në konsolidimin e shtetit ligjor dhe funksionimin e tij. Unë kam një përshëndetje të veçantë për ministrin Eduard Halimi, i cili me një vendosmëri të madhe, në një hark të shkurtër kohor, arriti të aplikojë dhe të vendosë në themel të punës së sistemit të drejtësisë transparencën më të madhe, projektet dixhitale, projekte të cilat janë në interesin më të mirë të qytetarit, por projekte të cilat janë në interesin më të mirë edhe të zyrtarit. Transparenca është bërë gjithnjë e më shumë një kusht i domosdoshëm i veprimtarisë sonë. Në rast se shoqërohesh nga transparenca, në çdo hap ke një siguri shumë më të madhe, por edhe konsolidon një etikë të re pune, një kod të ri pune. Zoti Halimi e nisi këtë proces të dixhitalizimit të sistemit të drejtësisë me një vendosmëri dhe përkushtim të madh. Sot mund të them se kjo ministri qëndron në krye të agjencive për sukseset e saj në fushën dixhitale. Këto arritje do të kenë një ndikim të madh, afatgjatë, në funksionimin e këtij sistemi jetik për funksionimin e shtetit ligjor.

Një përshëndetje të veçantë kam edhe për ju zonja Sadushi, Presidente e Dhomës Kombëtare të Noterisë, si dhe për bashkëpunëtorët tuaj, sepse unë jam dëshmitar i vendosmërisë tuaj për tu angazhuar, për të përqafuar sistemet e reja të transparencës dhe të punës.

Natyrisht, përqafimi i një sistemi të ri kërkon, së pari, të kesh mendje të hapur, të jesh i vendosur të lëvizësh nga status-quo dhe, në rastin e teknologjisë dixhitale, kërkon që të mos kesh frikë nga transparenca, por, përkundrazi, ta konsiderosh atë si një mjet, si një instrument të shkëlqyer, si një mburojë të vërtetë të veprimtarisë tënde, të vullnetit tënd për një standard të ri ndaj qytetarëve shqiptarë.

Për ne shqiptarët rendja në botën dixhitale ka qenë më jetike sesa për të tjerët, për shkak të një prapambetjeje të pamohueshme që, për shumë rrethana, ne kemi trashëguar. Nuk kishte dhe nuk ka rrugë më të shkurtër sesa shoqëria dixhitale dhe Shqipëria dixhitale për t’u ndarë nga ajo prapambetje. Sot sistemi i drejtësisë ka standardet më të mira, por noteria është në krye të këtyre standardeve të transparencës. Dhe ju keni konstatuar se i gjithë qëndrimi ynë ndaj jush ka qenë një besim shtesë në të gjitha kompetencat, në të gjithë veprimtarinë tuaj. Ne jemi të bindur se këtë e keni merituar dhe e meritoni, e keni justifikuar dhe e justifikoni plotësisht.

Dua të përgëzoj kompaninë për punën shumë të mirë që ka bërë. Më vjen mirë që kjo është një kompani vendase. Kompania ka bërë një program të shkëlqyer të një regjistri shumë të rëndësishëm. E ka bërë atë të pajtueshëm në regjistrat e tjerë, me institucionet e tjera dhe në këtë mënyrë ne ecim të sigurt duke e pasur të afërt ditën kur qytetari shqiptar, jo nga kompjuteri, por nga telefoni i tij celular do të mund të marrë të gjitha shërbimet dhe të realizojë të gjitha transaksionet. Ne ecim në këtë rrugë të vendosur t’i krijojmë qytetarit lehtësitë më maksimale. Në botën dixhitale, në botën virtuale vrapohet, nuk ecet, sepse po ece horizonti të zhduket, mbetesh pas. Kështu që jam i bindur se këto sisteme të vendosura janë një bazë e shkëlqyer, në mënyrë që drejtësia shqiptare të ndjekë me ritmet më të shpejta progresin teknologjik në këtë fushë.

Qeveria shqiptare do të bëjë gjithçka që katër vjeçari i ardhshëm të jetë “mobile Albania”- Shqipëria e celularit. Shqiptarët kanë një kompjuter në xhep dhe ne duhet të bëjmë gjithçka që ata, nga ky kompjuter, të marrin shërbimet më të mëdha, të kenë transparencën më të madhe.

Progres i madh është bërë në drejtim të shtrirjes dhe përhapjes së internetit. Dje ne bëmë një analizë dhe rezultonte që është rritur me 1300 herë fluksi i internetit. Dhe ju garantoj se do të shkojë, dora-dorës, edhe me 13 000 herë në të ardhmen. Ne do të bëjmë gjithçka që teknologjitë e reja 4 G dhe të gjitha të tjerat të jenë disponibël për qytetarët shqiptarë.

Edhe një herë ju falënderoj shumë përzemërsisht ju, zoti ministër Halimi, si dhe të gjithë ata që bën të mundur zbatimin e një regjistri të tillë, në interesin më të mirë të noterisë, por edhe të institucioneve të tjera të zbatimit të ligjit.

Faleminderit!”


22/02/2013

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›