Kryeministri Berisha iu uron gëzuar të gjithë shqiptarëve Vitin e Ri 2010

Të dashur qytetare e qytetarë shqiptarë, bashkëkombëse dhe bashkëkombës të mi, kudo që ndodheni!
Ora me akrepat e saj do të shënojë pas pak çastesh, ndërrimin e viteve, momentin që po presim me padurim për të përqafuar dhe për të uruar me ngrohtësi, dashuri, miqësi dhe respekt njëri tjetrin.
Unë, sonte, si familjar, prind, mik shok, dashamirës, bashkëqytetar, por edhe kryeministër i juaj, vij pranë jush në këtë festë dhe dua që urimin tim më të përzemërt si dhe atë, të familjes sime dhe të qeverisë shqiptare për secilin prej jush, ta bashkoj me qindra dhe mijëra mesazhe urimi që ju merrni me letra, kartolina, sms, telefonata, facebook nga më të dashurit tuaj.
Gëzuar Vitin e Ri 2010!
Le të sjellë ky vit plot gëzime, mirësi, shëndet, suksese dhe mbarësi për ju dhe familjet tuaja dhe të gjithë të dashurit e zemrës tuaj kudo që ndodheni dhe festoni sonte në vatrat familjare, në lokale me shokë dhe miq brenda apo jashtë vendit në udhëtime, në detyrë në Shqipëri apo jashtë saj në misione diplomatike, apo misione paqeruajtëse, në Afganistan, çad, Bosnjë etj, në spitale, institucione të vuajtjes së dënimit.
Gëzuar!
Por në këto çaste të fundit të ndërrimit të vitit, besoj se duhet që me shumë mirënjohje, respekt dhe krenari për njëri-tjetrin, t’i themi faleminderit dhe lamtumirë vitit që po lemë pas.
Për secilin prej nesh, për kombin shqiptar dhe për atdheun tonë Shqipërinë, viti 2009 ishte viti i arritjeve më të mëdha në historinë e udhëtimit tonë shekullor për t’u bashkuar me Evropën dhe perëndimin. Këtë vit me 4 prill në Samitin e Strasburgut, ne u bëmë anëtarë të Aleancës më të fuqishme ushtarake dhe politike të të gjitha kohërave, NATO-s. Një nga ëndrrat tona më të bukura u shndërrua në realitet, liria e Shqipërisë dhe shqiptarëve u bë më e sigurt se kurrë.
Më 28 qershor të vitit 2009, ne zhvilluam zgjedhjet e lira dhe të ndershme, zgjedhjet më të mira në historinë e këtij vendi, dhe nderuam kështu në mënyrën më fisnike bindjet e ndryshme të njeri-tjetrit, vullnetin tonë të lirë; por dhe miqtë dhe dashamirësit tanë kudo në botë, Shqipërinë e hoqën nga lista e zezë e zgjedhjeve jo të lira.
Më datë 16 nëntor, 27 qeveritë e vendeve anëtare të BE-së pranuan unanimisht kërkesën tonë për vend anëtar të BE-së. Po në nëntor, Parlamenti Evropian, kryesia e BE-së dhe Këshilli i Ministrave të BE-së vendosën Shqipërinë në listën e bardhë për heqjen e vizave gjatë muajve që vijnë.
Vetëm dy javë më parë ne morëm pyetësorin nga KE, si urimin më të bukur që ky komision iu bëri për festat e fundvitit shqiptarëve.
Viti 2009, ishte viti i përfundimit të veprës më e madhe publike në historinë tonë, korridorit të kombit, rrugës që bashkoi shqiptarët. Po këtë vit në kulmin e një cunami të vërtetë financiar dhe ekonomik për Evropën dhe botën, Shqipëria ia doli të qëndrojë në krye të rritjes ekonomike në Evropë, të jetë e para në botë për rritjen me 36% të turistëve. Në vitin 2009 ne rritëm rrogat dhe pensionet më shumë se kurrë dhe realizuam premtimin për dyfishimin e tyre për mësuesit, mjekët, infermierët, si dhe dyfishuam pensionet e fshatit. Fëmijët, vogëlushët tanë nisën vitin e ri mësimor me internet në çdo shkollë.
Përmenda këto arritje, të vitit 2009, si më të mëdhatë në historinë tonë, por jam i sigurt dhe thellësisht i ndjeshëm ndaj faktit se gjatë këtij viti, në Shqipëri jo pak qytetarë dhe familje kanë përjetuar brenga të mëdha nga skamja, papunësia, sëmundja apo humbja e njerëzve të tyre më të dashur. Për të gjithë këta, uroj që viti 2010 të sjellë shpresë, qetësi, paqe, gëzim në sytë, zemrat dhe vatrat e tyre.
Të dashur qytetare dhe qytetarë, viti që lamë pas ishte një vit i madh dhe i bekuar, në të cilin ne së bashku realizuam ëndrra dhe projekte madhore dhe kjo na mbush me besim, krenari dhe shpresë dhe siguri, se viti që vjen do të jetë një vit i bardhë edhe më i madhi për ne shqiptarët, një vit në të cilin, ne do të shndërrojmë në realitet ëndrrën tonë shekullore të lëvizjes së lirë pa viza në Europë. Vit në të cilin me përpjekje të përbashkëta do të krijojmë më shumë vende pune, do të rrisim më shumë rrogat dhe pensionet, do të përmirësojmë shërbimet ndaj jush, do të zvogëlojmë më shumë varfërinë. Shqipëria do të ecë e sigurt drejt kandidaturës për anëtare e Bashkimit Evropian.
Gëzuar vitin 2010, një vit të mbarë për çdo njërin prej jush, miqtë dhe të dashurit tuaj, kudo në botë.
Shëndet, gëzime dhe mirësi për të gjithë ju dhe për Shqipërinë. Zoti ju bekoftë ju dhe familjet tuaja dhe shqiptarët kudo që janë.
Zoti e bekoftë Shqipërinë!
Gëzuar! 31/12/2009