Kryeministri Berisha uron të lindurën e parë të vitit 2010 në maternitetin "Mbretëresha Geraldinë"

Kryeministri Berisha dhe bashkëshortja e tij, zonja Liri Berisha, uruan të lindurën e parë të vitit 2010, në maternitetin “Mbretëresha Geraldinë”, një vajzë me emrin Lusiana dhe nënën re 25-vjeçare, Etleva Leshi.
Në këtë vizitë të parë Kryeministri shoqërohej nga Ministri i Shëndetësisë, zoti Petrit Vasili, dhe Dr. Halim Kosova.
KM Berisha i uroi nënës së re dhe foshnjës së saj fat, shëndet e lumturi.
“Luzianës, të gjithë atyre që erdhën në dritë sonte, prindërve, motrave, vëllezërve të tyre, të gjithë qytetarëve të Shqipërisë, ju uroj nga zemra një vit të mbarë. Ju uroj shëndet, lumturi, suksese, paqe, mbarësi.” - u shpreh Kryeministri Berisha.
Më tej Kryeministri u shpreh se viti 2010, është një vit në të cilin me të drejtë presim së pari të lëvizim të lirë në mbarë Europën.
Kryeministri Berisha vijoi: “Lëvizja e lirë ka një rëndësi të madhe shumë në rrafshin moral, por edhe në rrafshe të tjera. Në rrafshin moral, është plotësim i një dëshire të shumëpritur shekuj me radhë nga një komb që ka qenë në të gjithë kohërat në trojet e veta, në Europë. Por nga ana tjetër për shqiptarët ka një rëndësi të jashtëzakonshme, sepse aktualisht kanë përqindjen më të lartë të emigracionit në Europë. Dy herë kanë qenë momentet e eksodeve të mëdha të këtij kombi: pas pushtimit otoman, dhe pas pushtimit totalitar. Kështu që lëvizja e lirë u jep mundësi familjeve të komunikojmë më lirshëm, të jetojnë së bashku. Lëvizja e lirë është një mundësi e jashtë zakonshme për rininë shqiptare, e cila pas këtij akti mund të shkollohet ku të dojë, por dhe të kërkojë punë, përkohësisht, të udhëtoj lirshëm në kontinentin europian, natyrisht viti që vjen është viti, është viti i projekteve të mëdha, i reformave më të thella, viti i rritjes së rrogave dhe pensioneve, pra është një vit i shanseve dhe mundësive shumë të mëdha , ne do bëjmë çdo përpjekje që të shfrytëzojmë ato.”01/01/2010