Kryeministri Berisha kërkon ngritjen e një strukture të posaçme për të ndjekur zbatimin e kontratave të koncesioneve

Gjatë paraqitjes në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, të koncesioneve të hidrocentraleve dhe projekteve në këtë fushë, Kryeministri Berisha tha se ky proces ka nxjerrë si domosdoshmëri ngritjen e një strukture të posaçme për të ndjekur zbatimin e kontratave të koncesioneve. “Ne kemi një mungesë institucionale në ndjekjen e zbatimit të këtyre kontratave. P.sh. ne kemi për infrastrukturën rrugore një drejtori që ndjek fondet publike. Nuk bëhet fjalë për një drejtori analoge me të, por është e nevojshme të ketë një drejtori, të pajisur me të gjithë ekspertizën e nevojshme, për ndjekjen e kohës së zbatimit të kontratave. Ujërat nuk mund të mbeten peng i askujt. Nuk ka asgjë më pozitive se besimi i jashtëzakonshëm i investitorëve më të mëdhenj të Europës dhe më të mirë të vendit në fushën e hidrocentraleve. Qeveria është gardiani i interesit publik dhe është e detyruar të ndjekë kohën e zbatimit të kontratës, të ndjekë rregullat e zbatimit të saj, përzgjedhjen e supervizorëve, zbatimin e studimit të mjedisit dhe të etapave,” u shpreh Kryeministri, duke kërkuar nga Ministria e Ekonomisë dhe Energjetikës të qartësojë projektin për ngritjen e një strukture të tillë. Kryeministri Berisha theksoi se po shihet mundësia e ngritjes së ‘one stop shop” të veçantë në këtë drejtim, që përveç licencimit, të mund të marrë dhe disa funksione të tjera. ...