Kryeministri Berisha mbledh Task Forcën për Shëndetësinë
Nën drejtimin e kryeministrit Berisha sot u zhvillua mbledhja e radhës e Task Forcës për reformimin e sistemit shëndetësor.
Në këtë takim u shqyrtua ecuria e përgatitjes së udhërrëfyesve të praktikës klinike, protokolleve dhe kostifikimit.
Ministri Vasili në lidhje me këtë raportoi se në zbatim të VKM përkatëse, detyrave të lëna në takimet e Task Forcës dhe orientimeve të Kryeministrit u ngritën 42 grupe pune. Mobilizimi i afro 300 specialistëve të vendit e të huaj si: profesorë, akademikë, mjekë, infermierë, ekonomistë etj bëri të mundur që të përfundohen 111 draft protokolle për trajtimin e sëmundjeve, duke realizuar për herë të parë ketë proces kaq të rëndësishëm qoftë për trajtimin shkencor të pacientëve, ashtu edhe për një menaxhim sa më racional të burimeve financiare dhe atyre njerëzore. Ky proces u krye brenda një kohe mjaft të shkurtër, pas një bashkëpunimi intensiv mes Ministrisë së Shëndetësisë, ISKSH, Qendrës së Akreditimit dhe cilësisë, QSUT, Materniteteve të Tiranës dhe Organizatës Botërore të Shëndetësisë.
Kryeministri Berisha përgëzoi për punën shumë të mirë dhe serioze të bërë nga të gjithë ekipet e përfshira duke e vlerësuar këtë proces si hallkë shume të rëndësishme, në reformimin e sistemit shëndetësor dhe ofrimin e një shërbimi më cilësor ndaj pacientit. Kryeministri gjithashtu, orientoi shtrirjen e protokolleve edhe në shërbimin parësor për të unifikuar diagnozën dhe trajtimin e të sëmurëve që në nivelin parësor.
Një vend të rëndësishëm në këtë takim pati diskutimi i përgatitjes së menaxherëve në sistemin spitalor, rrugët e përzgjedhjes dhe kualifikimit të tyre. Në këtë kontekst u diskutua gjerësisht forcimi dhe ridimensionimi i rolit të kryeinfermierëve në menaxhim për të rritur edhe më tej cilësinë e shërbimit spitalor dhe reduktimin e kostove të panevojshme.
Gjithashtu në takim u analizua dhe diskutua situata në farmacitë spitalore, si dhe u përcaktuan detyrat për paraqitjen e një raporti për të ardhmen e këtij shërbimi në mbledhjen tjetër të task forcës.
Së fundi u diskutua koncesionimi i shërbimeve si një nga drejtimet kryesore që do t`i shërbejë përmirësimit të punës dhe cilësisë në shërbimet spitalore.
Kryeministri kërkoi nga Ministri dhe të gjithë anëtarët e Task Forcës që të gjitha çështjet e diskutuara në këtë takim t`u bëhen të njohura, të analizohen, e debatohen më gjerë me të gjithë grupet e interesit në vend.
30/07/2010