E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha me studentët e Elbasanit: Mandati ynë i dytë do të jete mandati për rininë

Kryeministri Berisha zhvilloi sot një takim me studentë dhe pedagogë të Universitetit “Aleksandër Xhuvani”, në qytetin e Elbasanit, duke çelur kështu një seri takimesh me rininë universitare të Shqipërisë.   

Kryeministri Berisha pati një bashkëbisedim të ngrohtë me studentët dhe stafin akademik dhe iu përgjigj interesimit të tyre për çështje të ndryshme. Ai i falënderoi ata për pritjen dhe i siguroi se, për qeverinë, shkollimi, dija e rinisë shqiptare dhe punësimi i tyre, mbetet prioritet kryesor. Kryeministri vlerësoi se universitetet janë laboratorët e të ardhmes së kombit. “Kam pasur fat të madh që çdo betejë, të cilat nuk kanë qenë të lehta, e kam fituar me ju dhe para së gjithash në sajë tuaj. Edhe në vitin 2005 kam qenë  i bindur më shumë se kurrë për fitoren, sepse atë e shihja në sytë tuaj, në mbështetjen tuaj”, u shpreh Kryeministri.

Studentët falënderuan Kryeministrin për këtë vizitë dhe për mbështetjen e madhe që i ka dhënë arsimit në tërësi, veçanërisht  Universitetit ”Aleksandër Xhuvani, duke u shprehur se tashmë Kryeministri ishte një mik i këtij universiteti, për shkak të vizitave të shpeshta në të.

Në fjalën e tij, Kryeministri u shpreh:

“Shpreh kënaqësinë e madhe që ju takoj sot. Kam ardhur sot, këtu tek ju, për të çelur një seri takimesh me rininë universitare shqiptare, me bindjen më të thellë se universitetet janë laboratorët më të fuqishëm të të ardhmes së kombit e të vendit, me bindjen më të thellë se e ardhmja nuk lind nga qeveritë apo burokracia, por lind në mendjen dhe zemrën e atyre që kanë shpresë, që kanë bindje e besim dhe të tilla të virtyte e vlera askund nuk janë më të shumta, sesa tek ju, tek rinia studentore e vendit tim.

Unë, jo më kot kërkova katedrën, pasi kam dhënë mësim 23 vjet, kam pasur një raport të veçantë me studentët, tërësisht të ndryshëm nga ky sot. Raporti im në ato vite ka qenë një përkushtim i madh në leksionin që t’u jepja atyre dhe një vështrim tek ata si një pranverë e përjetshme e vendit tim. Ndërsa më vonë, raporti  im me studentët fitoi përjetësinë, sepse u bë raporti me lirinë.

Unë sot jam i emocionuar, sepse takoj studentë që kanë moshën e lirisë së vendit tim. Nuk ka avantazh më të madh në jetë, sesa ky dhe këtë ua them me sinqeritetin më absolut. Kam qenë një pedagog, jam marrë intensivisht, që në rininë time,  me studime shkencore, kam qenë një mjek i dashuruar marrëzisht pas profesionit tim, kam qenë një studiues dhe kërkues që kam botuar në të gjithë botën. Por, nëse më pyesni se çfarë ndjenje më kanë dhënë ato 4 dekada, absolutisht, ju them një jetë e amputuar. Kjo,  jo sepse ato që bënim nuk kishin vlerë, por se në hierarkinë e vlerave, ato vlera që na mungonin ishin shumë herë më eprore sesa ato me të cilat merreshim. Ndaj edhe ju keni fatin e madh të mos punoni asnjë ditë në diktaturë. Kjo më shumëfishon raportin tim të lirisë me ju, besimin e madh te ju.

Kam pasur fat të madh që çdo betejë, të cilat nuk kanë qenë të lehta, i kam fituar me ju dhe para së gjithash në sajë tuaj. Ju ishin faktor vendimtar në përmbysjen e diktaturës, u bëtë faktor vendimtar në përmbysjen e kleptokracisë. Nuk e them këtë për politikë, por e them se historia ka provuar se 3 janë armiqtë kryesor të njeriut, tirania, varfëria dhe sëmundja. Por korrupsioni është nëna e të gjitha të këqijave.

Në vitin 2005 kam qenë  i bindur më shumë se kurrë për fitoren, sepse atë e shihja në sytë tuaj, në mbështetjen tuaj. Kam ardhur këtu sërish në bisedën time me ju, për të ardhmen. Ne, së bashku, ndajmë idealet europiane të lirisë, të cilat do ta bëjmë Shqipërinë ashtu siç e doni ju. Shqipëria, në 18 vite erdhi në këtë fazë që është sot, në 18 vitet që vijnë ju garantoj se, me ritmet tuaja, Shqipëria do të ecë 40 herë më shpejt.

Dje, u kompletua tërësish procesi i ratifikimit të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit me Bashkimin Europian. 27 vendet e Europës firmosën përfundimisht MSA-në. Kjo ishte kontrata e parë në zbatim të ëndrrës së rinisë shqiptare ‘Shqipëria si Europa’.

Në Bukuresht, Shqipëria mori ftesën për në NATO dhe po ecën drejt anëtarësimit.

Këtë vit, ne bëjmë hapin tjetër të rëndësishëm për statusin e kandidatit për në BE.

Pra, ne ecim me vendosmëri drejt idealeve tona të lirisë, idealeve europiane. Por në të gjithë këtë përpjekje, ne nuk kemi rrugë të sheshtë. Sërish e kemi me ngjitje. E përpjeta të lodh, por ka edhe meritën se të jep kënaqësinë e ngjitjes, ka meritën madhe se të çon drejt majës.

Ju keni një dhunti të çmuar, vërtetë jeni kritikë dhe njeriu duhet të jetë kritik, por nuk jeni qaramanë, sepse qaramanët, zemërthyerit nuk kanë të ardhme. Të ardhmen e ndërtojnë vetëm ata që kanë bindje, vetëm ata që imagjinojnë atë që nuk mund të imagjinohet. Ndaj, e ardhmja nuk krijohet nga qeveritë, nuk lind në zyrat qeveritare apo në burokraci,por lind në universitete, tek rinia. Në këtë kontekst, unë kam ardhur për t’ju dhënë fjalën se do të bëjmë çdo përpjekje që ju të keni rolin tuaj, që fëmijët e Shqipërisë të kenë rolin e tyre në këtë vend dhe në këtë kontekst,  shkollimi është dhurata me e çmuar  që familjet tuaja ju bëjnë ju. Është shumë herë më e dhimbshme dhe e mundimshme të jesh i moshuar në padije, sesa të vuash në rini për të mësuar. Ndaj, ne do të përpiqemi që të krijojmë të gjitha lehtësitë që ju të mësoni sa më shumë e sa më mirë

Me këtë platformën, ne liberalizuam universitetet. Si qytetar, e konsideroj shumë të rëndësishme këtë. Si ish pedagog i universiteteve, si prind më therte në shpirt, kur shihja murin burokratik, absurd, që pengonte të rinjtë të hynin në universitete. Sot, ne kemi mbi 110 mijë studentë, nga 52 mijë që kishim më parë. Ju jap fjalën se numri i studentëve do të shkojë në 140 apo 150 mijë. Askush nuk duhet të druhet nga kjo politikë, pasi kjo është politika më e mirë për të ardhmen e vendit.

Ne do të bëjmë çdo përpjekje për të krijuar kampuset më moderne për ju. Në 8 dhjetor, në Ditën e Rinisë, unë deklarova që mandati ynë i dytë do të jete mandati për rininë. Të shpëtojmë sa më shpejt nga ndërtimi dhe rindërtimi i infrastrukturës rrugore - rrugët marrin një buxhet të jashtëzakonshëm, por ato duhet të ndërtohen patjetër, sepse rrugët janë zhvillim - dhe në 4 vitet që vijnë ne do të ndërtojmë në të katër anët e vendit kampuset më të mira universitare. Ne nuk ndalemi. Do të risim progresivisht  numrin e studentëve dhe pedagogëve, do të kapim mesataren europiane dhe do ta tejkalojmë atë, sepse jemi komb më i ri në Europë.

Kur 3 vjet më parë, shpalla nismën internet në çdo shkollë, nuk kanë qenë të paktë ata, të cilët nuk besuan, madje edhe e përqeshën këtë nismë. Unë isha i vetëdijshëm se ky vend ka njëmijë e një halle dhe këtë nuk e injoroja, por nuk mund të pranoja që kompjuteri dhe interneti të ishin një molle ndalur për fëmijët shqiptarë. Për një pjesë të madhe të tyre, duke mos pasur mundësitë të kenë kompjuter e internet në shtëpi, ne vendosëm t’ua çojmë ato në shkollë, në mënyrë që ata të lundrojnë në internet.

Në marsin e këtij viti interneti shtrihet në të gjitha shkollat e Shqipërisë. Duke lundruar në internet, rinia merr botën në duart e saj. Ndaj, unë do t’i qëndroj kësaj politike. Ju garantoj se në përpjekjen tonë për Shqipërinë në moshën dixhitale, hapi tjetër shumë i fuqishëm, në radhë të parë, do të jetë në drejtim të studentëve. Sërish ne nuk i ndahemi moshës dixhitale, sepse ajo është mosha e shpejtësisë, e lehtësisë, e disponibilitetit të dijeve universale, mosha me të cilën mund të shkëputemi me shpejtësi të madhe nga trashëgimia që na pengon.

Drejtim i dytë i madh do të jetë ecja me shpejtësi të madhe në drejtim të shtrimit dhe përhapjes së këtij projekti. Ne kemi qenë në nivele shumë të dobëta. Në vitin 2005 kemi pasur vetëm 4.8 për qind të hyrjes së IT-së në shoqërinë tonë. Këtë vit arrijmë mesataren botërore me 22 për qind. Mesatarja europiane është 42 për qind, ndërkohë që SHBA-të e kanë 74 për qind. Unë ju jap fjalën se do të shënojmë mesataren më të lartë. Ne jemi komb i vogël dhe do të adaptojmë të gjitha politikat e duhura, në mënyrë që shqiptarët të përfitojnë nga të gjitha lehtësitë e teknologjisë dhe informacionit më të avancuar.

Arsimi mbetet gjithnjë një përparësi madhore në 3-4 vitet e ardhshëm. Asnjë vend nuk ka bërë atë që bëmë ne për arsimin, duke dyfishuar pagat e pedagogëve. Në 1 maj të këtij viti pagat e të gjitha pedagogëve dyfishohen , duke e vendosur atë në piedestalin që ai meriton. Ne do të bëjmë përpjekje të jashtëzakonshme për trajnimin dhe kualifikimin e tyre. Mësuesit e ndjejnë vlerësimin që ju është bërë dhe kanë gatishmëri të madhe të ndjekin kurset e kualifikimit, në mënyrë që të përballojnë ngarkesën dhe nxënësit, pasi nuk është e lehtë të përballosh botën e nxënësve. Mbesa ime ulet në kompjuter dhe unë ndonjëherë pranë saj për të kuptuar interesin. Natyrisht, që ajo interesin e ka te detyrat e shkollës. Interneti është i vlefshëm për çdo moshë dhe fushë, historinë, letërsinë, etj.. Pra, mësuesit kanë nevojë për kualifikim dhe ne do t’ua mundësojmë.

 Një drejtim tjetër themelor yni do të hapja ndaj kontributit të sektorit privat në arsim. Vlerat monetare që qarkullon sektori privat në një orë, nuk e qarkullojnë dot të gjitha qeveritë e botës në një vit. Ua dhashë këtë shembull për të treguar se cila është fuqia e këtij sektori. Unë jam i frymëzuar nga shembulli amerikan. SHBA-të kanë universitetet më të mira. Nëse klikoni, vini re që ndër 10 universitetet më të mira botërore, 6 ose 7 janë amerikane. Sistemi i tyre është më i mirë, është sistemi financues më i mirë. SHBA-ja ka një buxhet financues për arsimin e lartë 3.2 për qind të GDP-së, ndër të cilat 1.3 i ka nga sektori federal dhe gjithë pjesën tjetër nga sektori privat. Edhe ne duhet të gjejmë rrugët dhe të hapemi drejt kontributit sa më të madh të sektorit privat në arsim.

Ky udhëtim është një garë lodhshme dhe e vështirë, por me shumë motivim dhe vlera. Në këtë kontekst, është në detyrën tonë të studiojmë dhe të shohim cilat janë fushat ku ne mund të ecim më shpejt. Unë nuk të them se ne mund të ecim shpejt në ndërtim anijesh, por mund të them se mund të ecim shpejt në arsim. E vërteta është se i kemi të gjitha mundësitë. Ne mund të ecim me shpejtësi në klimën e biznesin dhe vendosjen e praktikave më të mira për të. Faktikisht këtë gjë po e bëjmë.

Dua të përshëndes edhe njëherë ju, gjithë trupin pedagogjik për ndryshimet e mëdha që ka bërë gjatë kësaj periudhe në Universitet. Dua të garantoj rektorin se projektet tuaja, të senatit dhe të dekanateve tuaja, do të kenë mbështetjen e plotë të qeverisë.

Unë jam i hapur të dëgjoj pyetjet dhe interesimet tuaja.

***

Pyetje: Zoti Kryeministër, ju falënderoj për mirëseardhjen dhe mbështetjen që i keni dhënë universitetit tonë.  Ju jeni bërë tashmë miku ynë,  sepse keni ardhur shpesh në universitetin tonë. Doja të ngrija shqetësimin tonë për mungesën e një diplome të tipit master për gjuhësi. Tradita e Elbasanit për të nxjerrë gjuhëtarë ka treguar se është një shkolle vërtetë në këtë drejtim.

Kryeministri Berisha: Të falënderoj për çështjen që ngrite. Më duhet të shpreh publikisht disaprovimin tim për një qëndrim tërësor nënvlerësues ndaj gjuhës shqipe. Në këtë kontekst, i kërkoj ministrisë së Arsimit të kërkojë që kjo gjuhë të vendoset në piedestalin që meriton. Gjuha shqipe, edhe në programet mësimore është e vlerësuar në mënyrë të padrejtë. Në  tërësi, atë e marrin si një dhunti natyrale që e kemi, ndërkohë që ajo, sa më shumë ta studiosh aq më shumë të bën për vete.

Elbasani është djepi i gjuhëtarëve të mëdhenj. Kjo është shumë e vërtetë. Për koecidencë,  njeriu që më mëkoi mua me dashuri të pakufishme për gjuhën shqipe ishte një profesor nga Elbasani, Petër Elezi. Ai e bëri këtë në një kohë kur unë në shkollë të mesme studioja mjekësi, ku gjuha shqipe ishte më e mangët se në gjimnaze. Por ai, me mençurinë dhe përkushtimin e tij më ndihmoi të përvetësoja gjuhën në një shkallë të tillë saqë mund të them se unë nuk lexoj vepër letrare pa vënë përpara dy qëllime; qëllimi i parë ana letrare e saj dhe qëllimi i dytë pasuria gjuhësore e saj. Unë absolutisht do të presistoj  që, për gjuhën  shqipe të ketë master. Nuk mund të pajtohem me atë lloj profili programor dhe rëndësinë jo të duhur që i japin gjuhës në të gjitha ciklet e shkollave. Gjuha dhe matematika duhet të jenë baza.

Do t’i kërkoj ministrisë së arsimit dhe autoriteteve përgjegjëse që ta vendosin sa më shpejt masterin. Është detyrim i yni. Nuk ka gjallesë më të mrekullueshme se gjuha. Për këtë ju mbështes plotësisht.

Pyetje: Sa duhet të shpresojmë ne studentët e këtij universiteti në predispozitën tuaj dhe të qeverisë suaj në dhënien e të drejtës së doktoraturës pas përfundimit të studimeve?

Kryeministrit Berisha: Në princip jam plotësisht dakord, por nuk do të jetë qeveria që do t’i akordojë ato,por do të jetë sistemi i pavarur i përshkallëzimit. Ne nuk duhet të pengojmë dhe nuk duhet të paragjykojmë, por jemi dakord që duhet të kontraktohet nga qeveria një agjenci e specializuar për vlerësimin në të gjitha universitetet, të Tiranës, Elbasanit, Shkodrës, etj, në mënyrë që të vlerësojë se ku plotësohen kushtet dhe ku jo. Unë besoj dhe  uroj që të plotësohen kushtet në të gjitha universitetet e vendit  dhe para së gjithash, në Universitetin e Elbasanit.

Pyetje: Hapja e universiteteve private, a është në dëm të universiteteve publike?

Kryeministri Berisha: Shkollat private, jo vetëm  që nuk janë në dëm, por përkundrazi janë jashtëzakonisht në mbështetje të tyre, jo për sa i përket ngarkesës për studentët që mbartin, por për garën të cilën ata vendosin mes të gjitha universiteteve.

Së dyti, ne, edhe në universitetet publike duhet të gjejmë mekanizmat ligjorë që partneriteti publik - privat të zhvillohet me shpejtësi. Një nga universitetet më të njohura të botës është Hawardi, i cili e ka 17 miliardë dollarë buxhetin vjetor, nga ku vetëm 1 për qind e këtij buxheti është federal, pjesa tjetër është donacione nga sektori privat. Kjo praktikë duhet të ndiqet, jo thjesht për të lehtësuar barrën buxhetore të qeverisë, por për të shumëfishuar potencialet financiare të universiteteve. Pra, jo vetëm që këto universitete kuk përbëjnë problem për sektorin publik, por sektori publik duhet të gjejë mënyrat se si t’i japë akses sektorit privat për kontributet financiare. Ne tashmë kemi arritur të ngremë një bord të ri, bordi i administrimit, ku kemi edhe biznesmenë dhe ky ishte qëllimi ynë, futja e biznesit në bordin e universiteteve, në mënyrë që ata të afrohen me kontribute.

Pyetje: Duke iu referuar liberalizimit të universiteteve, a mund të na thoni, çfarë do të ndodhë me studentët pas përfundimit të universitetit?

Kryeministri Berisha: Çështja  e punësimit tuaj pas shkollimit përbën çështjen ose problemin e dytë madhor për qeverinë. Nuk mund t’ju them se në një vend të lirë, me ekonomi tregu, ekziston  një punësim i planifikuar, pasi ai nuk ekziston. Nuk ka sistem më të dështuar se sistemi i punësimit të planifikuar. Ne kemi kaluar dekada në atë sistem.

Çfarë po bën qeveria në këtë drejtim? Gjeneratori absolut më i fuqishëm  për punësimin është rritja ekonomike. Një vend që ka rritje të shpejtë ekonomike ka punësim të shpejtë. Ju garantoj se qeveri apo bën të gjitha përpjekjet për të një rritje të shpejtë ekonomike. Natyrisht, sot Shqipëria është vendi i i rritjes së shpejtë ekonomike. Kjo u arrit  me reforma shumë të thella dhe shumë të guximshme. Së pari, ne bëmë çdo përpjekje për të lëvizur shpejt në përmirësimin e klimës së biznesit, në mënyrë që ta lehtësonim atë sa më shumë nga barra burokratike. Imagjinoni një vend që 3 vjet më parë, për të regjistruar një biznes, kërkonte 42 ditë, ndërsa sot do vetëm gjysëm ore kohë, një vend ku për të regjistrua një biznes mund të duheshin taksa, të gjithës së marra së bashku, prej 10 mijë euro, ndërsa sot ky biznes  regjistrohet vetëm me 1 euro.

Së dyti, kemi ndërmarrë revolucionin fiskal më të thellë se çdo vend tjetër. Kjo ka qenë jashtëzakonisht e vështirë. Të synoje uljen dramatike të taksave, në një kohë kur arka jote ishte shumë modeste, kjo në pamje të parë nuk përbënte sens. Por ne e bëmë këtë për të ulur barrën mbi biznesin. Unë kam një bindje të hershme se, paratë në kontot e biznesmenit mund të jenë 2 a më shumë herë të vlefshme për shoqërinë sesa në kontot e qeverisë.  Biznesi është gjeneratori i zhvillimit të shpejtë ekonomik. Në këtë kontekst, ne ulëm 50 për qind taksës e biznesit  të vogël, 150 për qind tatim fitimin, 130 taksën mbi të ardhurat personale, ndërkohë që nga 1 Maji ulet 50 për qind taksa e kontributeve shoqërore. Një ditë më parë u hoq edhe taksa e dividentit. Shtylla e dytë e jona në këtë aspekt është; “Shqipëria me barrën më të ulët fiskale. Shtylla  e tretë; “Shqipëria vendi me koston më të ulët të prodhimit”.

Për sa i përket situatës së energjisë elektrike në këtë drejtim, pavarësisht nga problemet, ne ia kemi shitur biznesit në tërësi energjinë me një çmim qartësisht më të lirë sesa ai çmime të cilin ne e kemi importuar. Nga fillimet e vitit 2005, deri në mesin e këtij viti, çmimet e energjisë kanë qenë stratosferike. Por, ne kemi furnizuar biznesin me energji, gjatë vitit 2008,  pa ndërprerje. Çmimi i saj, nga 120 lekë që ishte, u zbrit ne 70 lekë, për biznesin.

Rezultatet janë këto. Instituti Kombëtar i Statistikave, për 9 muajt e parë të vitit 2008, jep statistika të certifikuara nga FMN se Shqipëria ka një rritje rreth 10 për qind.

Unë mendoj se, në disa drejtime, këto tre vjet kanë shtruar një taban për një zhvillim shumë herë më të fuqishëm të këtij vendi. Në mars të vitit 2007, vendi ishte pothuajse në nivel zero për sa i përket shfrytëzimit të pasurive ujore. Ne nuk kishim Institute, studime moderne, nuk kishim projekte. I kërkova një grupi prej 12 inxhinierësh të ujërave, që të jenë gardianë të interesit publik, në shqyrtimin e projekteve, duke parë nga afër nëse këto projekte i shfrytëzojnë mirë ose jo burimet ujore dhe a respektojnë standardet e mjedisit.

Nga marsi i vitit 2007 deri më sot, mund të them që ka shpërthyer gara më e fuqishme e tregut që unë kam parë ndonjëherë. Në këtë hark kohor janë firmosur 48 kontrata për hidrocentrale, mes të cilave projekti më i madh në Europë, Kaskada e Devollit, një investim mbi 1 miliardë euro.  Janë miratuar dhe kanë kaluar në tender dhe janë në negocim dhe 70 të tjera. Në total, nga autoriteti që i shqyrton deri tek autoriteti që shqyrton kontratën bëhen 150 Hec-e. E gjithë kjo shpejtësi e rrufeshme është meritë e tregut dhe vetëkufizimit të qeverisë, jo se është i kristaltë morali i burokratëve që merren me këtë konkurrim, por gara ka qenë e egër, kaq e fuqishme saqë vërtet nuk i bën dot hile tjetrit. Kur të tjerët më kritikojnë se përse do të ketë rritje kaq të madhe, unë iu them se të paktën edhe për 15 vite të tjera Shqipëria do të njohë rritje ndër më të lartat në Europë, sepse vetëm në ndërtim ky vend duket të ndërtojë 400 HEC-e. Në këto kantiere do të punësohen me dhjetëra mijëra qytetarë shqiptarë. Unë u ndala tek HEC-et, jo për të thënë se ato do  të jenë sektori kryesor i punësimit.

Sektor kryesor punësimi do të jenë Parqet Industriale, të cilat ne do t`i ngremë në 76 qytetet e mëdha përfshirë Elbasanin. Ka një problem,  kompanitë që punojnë këtu duhet me çdo kusht të respektojnë standardet e mjedisit. Z Prefekt, ti je përfaqësuesi i ligjit këtu, për ty më kryesor është shëndeti i qytetarëve të Elbasanit dhe duhet të ketë zero tolerancë ndaj kompanive që ndotin mjedisin. Ne u kemi bërë të gjitha lehtësirat, u kemi ulur të gjitha taksat, u japim të gjithë mbështetjen më të fuqishme, por ne kërkojmë të respektojmë mjedisin e këtij qyteti, sepse edhe për parkun industrial, investitorët hezitojnë për shkak të pozicionit. Këtë detyrë ua kam dhënë edhe ministrave përkatës. Sot teknologjitë janë të atilla që absolutisht nuk e asgjësojnë tërësisht ndotjen, por e sjellin atë në standarde të pranueshme.  Unë ju bëj thirrje të gjitha autoriteteve vendore të jenë shumë rigorozë në kërkesën e standardeve. Mjedisi ka një rëndësi parësore për ne dhe unë absolutisht, sa të jem në qeveri, do të përpiqem me të gjithë forcën e ligjit të mbrojmë mjedisin. Mjedisi është jeta. Turizmi është një front tjetër i madh i punësimit dhe janë krijuar të gjitha premisat për një zhvillim të shpejtë. Duhet ta dini, të dashur studentë, se vërtetë ka një kaos dhe horror në Golem, por në tërësinë e tij, bregu ynë është i virgjër dhe ne po përpiqemi ta zhvillojmë atë në mënyrën më ekologjike dhe të favorshme dhe të pandërprerë, nga Velipoja në Ksamil.

Duke konkluduar, dua t`iu them se përderisa të ketë të rinj të papunë do të bëjmë çdo përpjekje që ata të punësohen.

Pyetje: Zoti Kryeministër, a nuk do të ishte më mirë që diplomat që jepen nga universitetet shqiptare të jenë në koherencë me tregun?

Kryeministri Berisha: Shqetësimi është i drejtë. Zgjidhja është që rektoratet dhe ministria duhet të bëjnë njëfarë ndërhyrje. Duhet t`u krijohen mundësi studentëve të marrin dhe një fakultet tjetër. Orientimi drejt tregut është shkëputje nga klasicizmi. Një këshilltar i shquar për arsimin, ish-këshilltar i Margaret Thatccer, njeri me njohuri shumë të thella, tregon se 3 vjet më parë shkon në një fakultet në Tiranë dhe u sugjeron atyre së përse nuk e bëjnë për shembull 2 vjet matematikë dhe 2 vjet të tjera një disiplinë tjetër. Kjo është përshtatje drejt tregut dhe që të përgatit me njohuri sa më të mira për një degë, por të jep edhe mundësi për një profesion të dytë në funksion të tregut. Universitetet kanë filluar ta aplikojnë këtë.  Universitetet janë shtretërit e mendimit intelektual, por sëmundja jonë është konformizmi sepse konformohemi me atë që krijojmë dhe e kemi të vështirë të ndryshojnë. Ju jap fjalën se universitetet do të përshtaten me tregun dhe ky është një kusht themelor.

Pyetje: Z. Kryeministër, ju përmendët liberalizimin e vizave. A mund të na thoni a do të ketë rezultate raporti i dorëzuar një ditë më parë nga qeveria shqiptare në Bruksel?

Kryeministri Berisha: Liberalizimi i vizave është jashtëzakonisht i rëndësishëm dhe, po të marrësh procesin e integrimit, është ky akt që shqiptarët do të ndiejnë mirësinë më të madhe prej tij. Raporti sigurisht që do të mirëpritet, por nuk do të thotë se mbi atë raport do të firmoset liberalizimi i vizave. Duhet detyrimisht që ta kemi pretendimin të fortë, duhet të kemi kartat e identitetit dhe pasaportat biometrike. Ato janë të domosdoshme për të zhdukur çdo lloj frike në çështjen e sigurisë për vendet e tjera. Ky proces po ecën me shpejtësi dhe unë jam absolutisht i bindur se gjatë këtij viti, shqiptarët do të udhëtojnë me pasaporta biometrike. Më pas, mund të themi se i kemi të gjitha kushtet për lëvizjen e lirë. Ne kemi tregues kriminaliteti qartësisht më të ulëta se mesatarja e BE-së. Kemi bashkëpunim të shkëlqyer me organet e zbatimit të ligjit të vendeve partnere. Po firmosim dhe do firmosim çdo marrëveshje , e cila është e dobishme në fushën e sigurisë, në mënyrë që shqiptarët të lëvizin të lirë në të gjithë Europën. Kështu që është shumë e afërt dita që ju do të lëvizni të lirë në Europë.

Pyetje: Sa do të ndikojë kriza ekonomike botërore në ekonominë shqiptare?

 Kryeministri Berisha: Pyetje shumë e drejtë. Dua të jem i hapur me ju se, kjo krizë është krizë e thellë, sepse sistemi financiar botëror ka operuar fuqishëm mbi bazën e disa praktikave, derivateve, kredive me defekt, të cilat e kanë vënë atë në një krizë të paprecedent, sipas  dijenisë time. Nuk është e qartë, por nga kjo krizë do të dilet. Kjo që bëjnë qeveritë, që mbrojnë bankat, është një gjë e mirë, por nuk është se qeveritë disponojnë faturën e tmerrshme të problemeve financiare që kanë. Qeveritë, edhe në rast se nuk kanë sasinë e parave, kanë ekonominë dhe mbështetja nuk është ireale në këtë drejtim dhe mund të merren mekanizma të tjerë. Në vështirësi absolute janë dy sektorë; ndërtimi dhe makinat. Kjo e fundit mund të bëhet çelës për kthimin e krizës. Ne patëm një shans. Komponenti i ekonomisë sonë ishte 30 %, ndërsa 70 % është reale. Krediti për ekonominë është 30 %. Ka qenë në rritje të shpejtë, por janë bërë përpjekje për ta kufizuar këtë. Bankat tona kanë ruajtur dhe disponojnë likuiditete të plota, sepse nuk kanë kredituar kurrë më shumë se 50 -70% të depozitave, ndërkohë kur të tjerat kanë kredituar 9-fishin e depozitave.

Për koiçidencë, ne kemi pasur në platformë jo për qëllim antikrizë, por ka qenë platformë ekonomike e jona, taksa të ulëta. Të tjerët po ulin taksat tani, ndërsa ne i kishim ulur. Kjo ka qenë politika jonë e detyrueshme, ne jemi e vetmja qeveri që investojmë 32 % të buxhetit në investime të mëdha publike në infrastrukturë, të paktën në Europë jemi i vetmi. Qeveria e dytë që vjen pas nesh, investon pak më shumë se gjysma, në përqindje e kam fjalën. Në rast se e keni ndjekur, qeveria japoneze bëri buxhetin më gjigant, duke rritur defiçitin natyrisht, vetëm e vetëm për të shtuar shpenzimet. Ne i kemi shpenzimet, ne e kemi pasur politikë tonën rritjen e rrogave, politikë konstante e qeverisë time dhe do të vazhdojë të jetë. Nëse ka një gjë që i besoj Kenesit, i besoj për rritjen e rrogave. Në tre shtyllat kryesore ku të tjerët po lëvizin, ne kemi qenë fare korrekt. Është e gabuar për qeverinë të ndërhyjë në politikën monetare të bankës. Edhe kur s`i pëlqen qeverisë, ajo ka përgjegjësinë e politikave monetare. Në drejtim të eksporteve, mund të ketë një kufizim, por efekti i rënies së çmimit të importeve në ekonominë shqiptare do të jetë pozitiv.

Së dyti, ne po bëjmë çdo përpjekje që, me reformë, të krijojmë sa më shumë hapësira lirie ekonomike, në mënyrë që ta ndiejmë sa më pak krizën. Unë jam optimist dhe  ju garantoj që ky vit do të jetë një vit i mbarë, nuk them për rritje dyshifrore, sepse asnjëherë nuk kam thënë për rritje dyshifrore, e them këtë kur ta thotë INSTAT, sepse ai është institucion i specializuar për këtë, por që do të ketë rritje të shpejtë ekonomike edhe këtë vit, do të ketë.

Pyetje: Presidenti kaloi në heshtje ligjin e lustracionit, në një kohë kur kjo ka qenë edhe kërkesë e studentëve.Cili është mendimi juaj?

Kryeministri Berisha: Një nga motivet më kryesore që unë insistova për votimin e ligjit keni qenë ju dhe, para së gjithash, ju të rinjtë e Shqipërisë. Ju të dashur studente dhe studentë, nuk keni kaluar një ditë në diktaturë. Keni pasur fatin e madh. Me asgjë nuk mund të përshkruhet sistemi që kaloi ky vend për shumicën e popullatës. Nuk po ndalem tek pushkatimet, burgjet , kampet e përqendrimit, por ju ftoj të shkoni një ditë në Gjinar, në Labinoit dhe të bisedoni me ta. Ne që jetonim në qytet ishim fatlumë, në raport me ata që jetonin në fshat. Po marr vetëm aspektin e ushqimit. Ishim fatlum sepse kishim triska, por shumica e shqiptarëve, por në mënyrë të veçantë ata që jetonin në fshat, kanë përjetuar urinë dhe sëmundjet e lidhura me të, të atilla që s`i kanë përjetuar kurrë në ekzistencën e tyre. Ata nuk kishin asgjë përveç misrit, kripës dhe së shumti një litër vaj dhe një kg sheqer. Kam  shkuar në vitin 1986 në Peshkopi si mjek. Jam shokuar, sepse gjeja me dhjetëra raste të sëmurë me pelagër. Kjo është sëmundja e bukës së misrit. Kur nuk ha gjë tjetër përveç bukës së misrit, ajo bëhet vdekjeprurëse, për shkak të një defiçiti të tmerrshëm të vitaminave që krijohet. Ky ishte sistemi që lamë pas.

Në 1995 bëra këtë ligj që është absolutisht anti-hakmarrje. Ka një dallim mes demokracisë dhe diktaturës. Diktatura është urrejtje dhe hakmarrje, demokracia është mirëkuptim, kompromis, pajtim. Këto janë nga ana e vlerave. Që ju të keni në krye të sistemit të drejtësisë vetëm ata të cilët i kanë duart e tyre të lyera me gjak, kjo nuk mund të pranohej më tutje. E vura ligjin në 1995, mora variantin çek, u përkthye dhe u zbatua. Ligji çek ishte miratuar në 1991, ishte vlerësuar kushtetues nga Gjykata Kushtetuese e Çekosllovakisë. Pasi u nda Çekossllovakia, ish-komunistët në pushtet erdhën në Sllovaki dhe anuluan ligjin në parlament. Prandaj, kthimi majtas është kthim prapa. Në kohën kur çekët dhe shqiptarët kishin bërë ligjin, nuk kishte dokumente ndërkombëtare.

Në vitin 1996, Këshilli i Europës miratoi platformën e lustracionit, e cila theksonte; e para, do të duhet të bëhet drejtësi retroaktive, e dyta duhet të konsiderohet krim edhe ajo që gjatë diktaturës ka përbërë krim, por ka qenë një e drejtë në një shoqëri të lirë dhe, e treta, nuk mund të përdoren metodat e përparshme ndaj atyre që lustrohen.  Ky është një kufizim i përkohshëm të drejtash dhe, ç’është e vërteta nuk ka vend në botë që s`ka bërë kufizime të përkohshme dhe ky është një kufizim minimal i një grupi shumë të vogël. Përse u dashka që  drejtësia shqiptare të mos drejtohet nga 760 prokurorë apo gjykatës që kanë lidhje me të shkuarën aq sa keni ju, por duhet të drejtohet nga ata që varën në sheshet e Shqipërisë në vitin ’88, apo që urdhëruan lidhjen me tela me gjemba dhe zvarritjen në rrugët e Shkodrës?. Dhe kjo vetëm se ai njeri, në moshën tuaj, kishte kërkuar të dilte jashtë kufirit.

Ligji nuk është për hakmarrje dhe ju garantoj se do të jetë një proces tërësisht transparent, nuk do të ketë asnjë lidhje me ndonjë lloj hakmarrjeje, sepse ata që preken nga ligji do të kenë të drejtë të shkojnë në tre shkallët e gjyqësorit, do të kenë të drejtë t`i drejtohen Strasburgut për të paditur qeverinë dhe parlamentin shqiptar. Ne jemi vendi i lirë, por ajo që kemi përjetuar ishte mjaft e rëndë. Të gjitha vendet e Europës Juglindore të marra së bashku, nuk kanë as gjysmën e të ekzekutuarve që ka Shqipëria. Çekia, Gjermania, Sllovakia, të marra së bashku, nuk kanë të pushkatuar sa kemi ne gra të pushkatuara nga regjimi komunist. 

Kombi do të ecë përpara dhe në Shqipëri lustracioni është më jetik se kudo. Nuk kam ndonjë koment të veçantë për qëndrimin e zotit President, ai ka bërë zgjedhjen e vet, ka ushtruar të drejtat e tij kushtetuese, pasi në Kushtetutë Presidenti një ligj e firmos, ia kthen parlamentit ose nuk shprehet, ndër tre variantet ka përzgjedhur variantin e mosshprehjes.

Pyetje: Zoti Kryeministër, çfarë po bën qeveria për ndalimin e betonizimit të bregdetit?

Krryeministri Berisha: Ne bëmë një masterplan të shkëlqyer për Jonin. Ne gjetëm një masterplan të bërë, i cili fiksonte njolla; këtu do të ndërtohet fshati i këtij, këtu fshati i atij. Ne iu hoqëm vizë të gjithave. Morëm një kompani britanike, e cila na dha një leksion të madh, të shkëlqyer. Pas shumë muajve punë, kjo kompani solli një variant masterplani krejt tjetër: përcaktoi të gjitha zonat ku nuk mund të ndërtohej. Zonat ku mund të ndërtohet janë lënë në tagër të autoriteteve vendore. Por KRRTRSH-ja ka vendosur për ndërtesa 1-2-3 katëshe, sepse për kohën ky është zhvillimi më i shkëlqyer. Ne do të bëjmë çmos t`u përmbahemi ndërtimeve të ulëta. Mund të garantoj se shumica e bregut shqiptar është i virgjër”.       


15/01/2009

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›