E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha merr mesazh urimi nga Presidenti i Kosovës Fatmir Sejdiu

Kryeministri Berisha ka marrë një mesazh urimi nga Presidenti i Kosovës Fatmir Sejdiu për rizgjedhjen në këtë detyrë.

“I nderuar Kryeministër Berisha,

Dua t’Ju shpreh urimet e mia më të përzemërta dhe të popullit të Republikës së Kosovës me rastin e rizgjedhjes Suaj Kryeministër i Republikës së Shqipërisë.

Republika e Shqipërisë tashmë ka kapërcyer procese të rëndësishme e historike dhe kontributi Juaj për këto arritje të mëdha ka qenë tepër i veçantë.

Duke qenë se sfidat dhe synimet tona janë të përbashkëta, ne jemi të përkushtuar që të punojmë së bashku për paqen, stabilitetin dhe të ardhmen europiane të dy vendeve tona dhe të të gjithë rajonit.

Proceset demokratike nëpër të cilat po kalojnë Shqipëria dhe Kosova kanë hapur mundësi të panjohura më parë për thellimin e bashkëpunimit të ndërsjellë në të gjitha nivelet.

Le të shpresojmë se këto zhvillime do të rriten me ritme të vrullshme!

Me dëshirat e mia më të sinqerta për suksese të mëtejshme, Ju lus, i nderuar Kryeministër, të pranoni ndjenjën e konsideratës sime më të lartë!

Me respekt

Fatmir Sejdiu

President i Republikës së Kosovës”


25/09/2009

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›