E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri merr pjesë në tryezën "Brain Gain: Përfshirja e diasporës në zhvillimin e Shqipërisë"

Sot paradite, Kryeministri Berisha mori pjesë në tryezën e rrumbullakët "Brain Gain: Përfshirja e diasporës në zhvillimin e Shqipërisë".

"Brain Gain" është një nismë e qeverisë shqiptare në bashkëpunimin me Programin për Zhvillim të Kombeve të Bashkuara (UNDP). Programi synon tërheqjen e diasporës shqiptare në proceset zhvilluese dhe integruese të vendit. Nëpërmjet këtij programi synohet rikthimi i trurit dhe riangazhimi i profesionistëve shqiptarë të larguar nga vendi pas vitit '90 apo i të shkolluarve jashtë vendit.

Në këtë takim ishin të pranishëm gjithashtu përfaqësues të trupit diplomatik, të institucioneve ndërkombëtare, të hapësirës universitare, shoqërisë civile, medias dhe të diplomuar të rikthyer rishtazi në Shqipëri pas studimeve në universitete të ndryshme të botës.

Në fjalën e tij, Kryeministri theksoi rëndësinë e programit "Brain Gain" dhe riangazhimit të diasporës në Shqipëri, duke e konsideruar atë jetike për zhvillimin e vendit. Ndër të tjera, Kryeministri u shpreh:

"Shfrytëzoj rastin të ritheksoj rëndësinë e jashtëzakonshme që ka për Shqipërinë ky program. Beteja për softin është beteja më e rëndësishme që zhvillon sot shoqëria njerëzore, softin e të gjitha softeve: trurin e njeriut.

Shqipëria nuk ka patur një histori fatlume me këtë raport. Shqipërinë e themeluan një grup i vogël njerëzish me një soft perëndimor. Përpjekjet e tyre për të ndërtuar në Shqipëri një vend të zhvilluar u ndërprenë nga diktatura komuniste, e cila më shumë se çdo regjim tjetër në Europë bëri një betejë të egër e të gjithanshme kundër softit perëndimor të kombit. Betejë që në disa fusha si atë ekonomike, politike dhe shoqërore mund të pohohet se pati rezultate negative të jashtëzakonshme.

Shqipëria erdhi në vitin '90 si një vend me pothuaj soft perëndimor zero në disa fusha. Më lejoni t'ju rikujtoj një histori. Kam qenë mjek në spital dhe universitet në vitin '90, kur takova në spital një pedagoge të Fakultetit Ekonomik. Kur e pyeta nëse kishte ndonjë element tregu në një fjalim të kryetarit të shtetit, ajo m'u përgjigjigj se ishte duke bërë tezën kundër ekonomisë së tregut. Dhe tezën e saj e drejtonte një personalitet, i cili nga mëngjesi në darkë punonte kundër tregut. E risolla këtë shembull për të rikujtuar edhe një herë se ne si komb kemi patur një histori jo fatlume. Natyrisht pas hapjes lëvizja e lirë bëri që një pjesë e mirë e shqiptarëve të largohen. Disa përpjekje fillestare që nisën në vitin 92 për t'i mbajtur në universitete nëpërmjet një diskriminimi pozitiv u ndërprenë më vonë. Më duhet ta theksoj se regjimi kleptokratik ishte një regjim shkretues për trurin e kombit.

Ky program aq sa i vështirë, është edhe jetik për shqiptarët dhe Shqipërinë. Gjatë këtyre 15 viteve, ne humbëm sa asnjë vend tjetër në Evropë materie të përhimtë. Emigracioni shqiptar është 3-4 herë më i madh se në të gjitha vendet e tjera ish komuniste. Shumë herë më i lartë është emigracioni intelektual, por që në të vërtetë i organizuar edhe në forma të pandershme. Kombi humbi miliarda investime, por mbi të gjitha humbi projekte të pafundme që këta intelektualë kishin në mendjen e tyre për zhvillimin e vendit. Ndaj dhe ky projekt është shumë i rëndësishëm.

Një vit më parë takova administratorin e përgjithshëm të UNDP-së dhe i paraqita kërkesën për angazhimin e UNDP-së në këtë projekt. Projekti ka marrë rrugë. Unë i ftoj të gjitha agjencitë, ministritë dhe institucionet ta vlerësojnë me seriozitetin më të madh. Ka një rëndësi shumë të madhe që me këtë projekt të identifikojmë, të kontraktojmë, të rikthejmë përkohësisht ose përfundimisht, ta vendosim ‘on line' ose në mënyra të tjera, të gjitha ekselencat shqiptare kudo që janë në Evropë, SHBA e kudo.

Historia e zhvillimit të Shqipërisë është e pazgjidhme me disporën shqiptare. Është diaspora ajo që ka themeluar rilindjen e kombit, që ka themeluar qeverinë, parlamentin. Kjo është historia pozitive. Ajo ka patur gjithmonë një fjalë shumë të rëndësishme në tërë historinë dhe qenien tonë kombëtare. Sërish ne duhet t'i bëjmë thirrje, duhet ta ftojmë që përkushtimin e saj të plotë ose të pjesshsëm t'ia japë dhe vendit e kombit të vet.

Programi ka nisur, ka një zyrë dhe një grup që punon. Por suksesi i tij kërkon pjesëmarrjen, kontributin, lidhjet dhe hapjen tuaj. Sigurisht është e domosdoshme që në rast se i ftojmë t'u japim vendin që meritojnë. Është e domosdoshme që të ripërtërihen një pjesë e stafeve tona. Kjo nuk ka të bëjë me asnjë lloj diskriminimi me ekselencat shqiptare të vendit. Absolutisht jo. Unë ju garantoj atyre se qeveria shqiptare së shpejti do të krijojë një fond pranë universitetit të Harvardit dhe në universitete të tjera për to. Ne jemi të vendosur të investojmë për trurin. Ne do t'i japim mundësinë më të shkëlqyerve që mbarojnë këto shkolla të shkojnë të studiojnë tërësisht atje ose të gradohen në këto universitete, natyrisht përkundrejt kontrave që duhen respektuar. Askush nuk duhet ta shohë me xhelozi, por përkundrazi duhet ta shohë si një proces nga i cili përfiton e tërë shoqëria shqiptare dhe vendi, duhet ta shohë si një proces jashtëzakonisht të rëndësishëm për realizimin e projektit tonë evropian.

Nëse sot do të bëhej një referendum, kombi shqiptar, paravarësisht nga niveli i tyre arsimor dhe puna që bëjnë, janë kombi që voton më shumë për anëtarësimin në BE, sepse ajo është ëndrra e tyre dhe ata e kanë përzgjedhur si projektin e tyre më të shkëlqyer. Por ky projekt kërkon softin, kërkon që t'u jepet përgjigjia e duhur mijëra proceseve që kanë të bëjnë me standartet, normat, kriteret dhe zhvillimin. Me liberalizimin e universiteteve ne bëmë një gjë të jashtëzakonshme. Dy vite më parë kemi patur ¼ e mesatares së studentëve që kanë vendet e BE-së, ndërkohë që ne jemi kombi më i ri i tyre. Na takonte të kishim më shumë. Të paktën ndjehemi të çliruar, sepse brenda dy viteve pothuajse dyfishuam numrin e tyre.

U ndala në këtë aspekt për të theksuar se beteja për trurin duhet të jenë një betejë e shumëanshme. Investimi për trurin do të jetë investimi më parësor i qeverisë. Po në këtë kontekst është edhe nisma "Shqipëria në moshën e internetit". Askush të mos mendojë se unë nuk e kam parasysh sesa kontraston kjo platformë me Shqipërinë që ka mungesa në ujë, në drita, ka rrugë të shkatërruara dhe spitale të papërshtatshme. Unë jam i vëtëdijshëm për këtë. Por sërish theksoj se truri ka vendin e vet dhe nuk mund të injorohet në asnjë rrethanë. Ndaj dhe ne jemi të bindur e të vendosur për të investuar për trurin, që brenda një kohe sa më të shkurtër të dhjetrafishojmë përqindjen e penetrimit të IT-së në shoqërinë shqiptare. Për këtë u bëj thirrje donatorëve, u bëj thirrje bujarisht vendeve të tyre dhe institucioneve që ata përfaqësosjnë, biznesit shqiptar të na ndihmojnë për të përmbushur e zbatuar këtë projekt si një investim i shkëlqyer për të ardhmen e Shqipërisë dhe shqiptarëve.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›