E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha merr pjesë në Samitin e Partive Popullore Evropiane, në Bruksel


-Kryeministri u shpreh se vendet e Bashkimit Evropian do të ratifikojnë brenda një afati të shkurtër MSA-në ndèrmjet Shqipërisë dhe BE-së


Kryeministri Berisha mori pjesë sot në Samitin e kryetarëve të shteteve dhe qeverive të partive të qendrës së djathtë të vendeve të BE-së dhe vendeve anëtare të Partive Popullore Evropiane, i cili u zhvillua sot në Bruksel.

Të pranishëm në këtë takim ishin Kryetari i Komisioni Evropian z. Jose Manuel Barroso, Presidenti i Këshillit të Europës z. Janez Jansa, Presidenti i Parlamentit Europian z. Hans-Gert Poettering, Kancelarja gjermane znj. Angela Merkel, Kryeministri francez Francois Fillon, Kryeministri grek Kostas Karamanlis, Kryeministri maqedonas Gruevski, Kryeministri kroat Sanader, Kryeministrin suedez Fredrik Reinfeldt, etj.

Ndër të tjera Kryeministri Berisha zhvilloi takime dypalëshe dhe diskutime, gjatë një dreke pune, me Kancelaren Angela Merkel, Presidentin e Parlamentit Europian z.Hans-Gert Poettering, Kryeministrin francez Francois Fillon, Kryeministrin grek Kostas Karamanlis, Kryeministrin maqedonas Gruevski dhe Kryeministrin kroat Sanader.

Në ketë Samit është diskutuar për Traktatin e Lisbonës, për referendumin që duhet të mbahet në Irlandë për njohjen e Traktatin të ri, ngrohjen globale si dhe rolin kyç që duhet të luajë Evropa në parandalimin dhe përmirësimin e gjendjes për ambientin. 

Presidenti i Komisionit Evropian, Hose Manuel Barroso njoftoi gjithashtu dhe zgjidhjen e çështjes së zonës ujore, ekologjike dhe peshkimit të Kroacisë me vendet fqinje, duke u shprehur se kjo i hap rrugën anëtarësimit të saj në Bashkimin Evropian.

Kryeministri Berisha u shpreh se gjatë këtij Samiti pati rastin të kërkoi mbështetjen e të gjithë vendeve të Bashkimit Evropian për anëtarësimin e Shqipërisë në NATO si dhe vazhdimin e procesit të integrimit në Bashkimin Evropian. Gjithashtu, Kryeministri Berisha u shpreh se pavarësia e Kosovës i shërben dhe ka një rol shumë të rëndësishëm për paqen dhe stabilitetin në Ballkan. Për këto çështje, Kryeministri Berisha theksoi se gjeti mirëkuptim të plotë dhe mori mbështetje nga kolegët e tij..

Në përgjigje të interesit të gazetarëve lidhur me debatin për emrin e Maqedonisë, Kryeministri Berisha tha se konstaton ekzistencën e vullnetit të duhur për të negociuar seriozisht ndërmjet palëve (Maqedonisë dhe Greqisë). Shpresojmë, u shpreh Kryeministri, që kjo çështje dypalëshe të marrë zgjidhje përfundimtare në interesin më të mirë të të dy vendeve.
Në vazhdim Kryeministri tha se deri tani nuk ka pengesa për anëtarësimin e vendeve të Kartës së Adriatikut në NATO.

Duke iu përgjigjur interesit të medias, Kryeministri u shpreh optimist se vendet e Bashkimit Evropian do të ratifikojnë brenda një afati të shkurtër Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit ndërmjet Shqipërisë dhe BE-së.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›