Kryeministri Berisha viziton qytetin e Elbasanit, me rastin e Ditës së Verës
Kryeministri Berisha vizitoi sot qytetin e Elbasanit, në Ditën e Verës, festë tradicionale kombëtare e simbolizmit të ardhjes së pranverës.
Fillimisht, Kryeministri vizitoi panairin e Ditës së Verës, një aktivitet i përvitshëm në këtë ditë, organizuar nga Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë dhe Bashkia e Elbasanit. Kryeministri Berisha, i cili shoqërohej edhe nga kryetari i bashkisë së Elbasanit, zoti Qazim Sejdini, u ndal në të gjitha stendat e panairit, ku u takua dhe bashkëbisedoi me biznesmenë dhe sipërmarrës, të cilët kishin ekspozuar produktet e tyre në këtë panair.
Në përshëndetjen e tij, Kryeministri i uroi qytetarëve të Elbasanit, drejtuesve vendorë dhe biznesmenëve të qytetit Ditën e Verës, të cilën Kryeministri e cilësoi ditë gëzimi, shprese dhe optimizmi. “Elbasani u ka bërë shqiptarëve një dhuratë të mrekullueshme, pasi ruajti, trashëgoi dhe u përcolli në shekuj atyre një festë popullore, e cila sot është bërë festë kombëtare.”
Kryeministri tha se kjo ditë bëhet edhe më e veçantë këtë vit , sepse shqiptarët festojnë me një pranverë krejtësisht tjetër krahasuar me pranverën e një viti më parë. “Ne hyjmë në këtë pranverë si një komb i lirë që kemi realizuar aspiratën tonë shekullore, lirinë dhe pavarësinë e Kosovës”, theksoi Kryeministri.
Gjithashtu, Kryeministri Berisha vuri në dukje se në këtë pranverë shqiptarët hyjnë me një tjetër zhvillim të madh, ku, pas hapjes së negociatave me Bashkimin Evropian dhe nënshkrimin e marrëveshjes për regjimin e vizave, qytetarët e Elbasanit dhe të gjithë Shqipërisë, në fund të këtij procesi, do të mund të udhëtojnë pa viza në hapësirën politike më të gjerë në botë, atë të BE-së.
“Ne hyjmë në këtë pranverë me një shpresë të madhe se java e parë e prillit do të jetë java në të cilën ne, në Bukuresht, do të mund të marrim ftesën për anëtarësimin e plotë të vendit në NATO”, vijoi Kryeministri.
Kryeministri vlerësoi edhe organizimin e panairit të përvitshëm në Elbasan. “Kam kënaqësi të vizitoj sot panairin e Ditës së Verës këtu në Elbasan, që është shndërruar në një traditë të shkëlqyer të Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë dhe të bashkisë së Elbasani, ku sipërmarrës nga Elbasani dhe mbarë Shqipëria ekspozojnë prodhimet e tyre të shkëlqyera. Në këtë panair dhe në çdo rast, theksojmë zotimin tonë solemn për të bërë të gjitha përpjekjet për të lehtësuar veprimtarinë e tyre, si faktor kryesor i prosperitetit, zhvillimit dhe mirëqenies së mbarë shqiptarëve”, u shpreh Kryeministri.
Në këtë drejtim, Kryeministri theksoi se progresi i madh në reformën fiskale po thellohet më tej me thjeshtimin e sistemit fiskal dhe të tjera hapa që do të lehtësojnë në mënyrë të ndjeshme barrën burokratike dhe fiskale për biznesin.
Gjatë bashkëbisedimit, veçanërisht me fermerët e pranishëm në panair, Kryeministri u interesua për ecurinë e prodhimeve vendase në zonën e Elbasanit, ndërsa i siguroi ata për mbështetjen e vazhdueshme të qeverisë për nxitjen dhe rritjen e prodhimeve vendase. Në mënyrë të veçantë, Kryeministri u kërkoi atyre të bënin kujdes për ruajtjen e cilësisë së produkteve shqiptare, sidomos të mjaltit dhe vajit të ullirit, si mënyra më e mirë për t’iu afruar standardeve europiane dhe për të qenë konkurruese në tregjet ndërkombëtare.