E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha merr pjesë në aktivitetet e organizuara në kuadër të 100 vjetorit të Pavarësisë së vendit, në Berat

Kryeministri Berisha mori pjesë sot në aktivitetet e organizuara në kuadër të 100 vjetorit të Pavarësisë së vendit,  nga Bashkia e Beratit.

Në këto aktivitete merrnin pjesë deputetë të Qarkut të Beratit, përfaqësues të pushtetit vendor, si dhe shumë qytetarë të mbledhur në shesh.  Çelja e aktiviteteve nisi në Sheshin Qëndror të qytetit  me  Koncertin Festiv të performuar nga grupet rinore dhe grupet folklorike.

Më pas, kryeministri Berisha i shoqëruar nga Kryetari i Bashkisë z. Fadil Nasufi dhe autoritetet e tjera, së bashku me qytetarë të shumtë përshkruan në këmbë shëtitoren e qytetit,  për të bërë homazhe tek Busti i Babë Dud Karbunarës  1842- 1917, një nga firmëtarët  e deklaratës së shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë.  Pas vendosjes së kurorës me lule tek busti, Kryeministri Berisha vizitoi Pallatin e Kulturës "Margarita Tutulani" në hollin e të cilit ekspozohej  Kodiku i Purpurt i Berat  shek. VI.  Ai gjithashtu vizitoi ekspozitën e çelur me rastin e 100 Vjetorit të Pavarësisë ku ekspozoheshin  111  piktura, fotografi dhe vepra të tjera  arti të realizuara nga 97 autorë të ndryshëm shqiptarë.

Në përfundim, Kryeministri Berisha dhe Kryetari i Bashkisë së Beratit shpërndanë dekorata mirënjohjeje për familjet patriotike. Kryeministri Berisha shprehu vlerësimin për Bashkinë e Beratit dhe për Këshillin Bashkiak të këtij qyteti për këto vendime, të cilat i cilësoi si vendime fisnike duke theksuar se një komb i qytetëruar dallohet para së gjithash nga ata që nderon.   “Shpreh vlerësimin për vendimet fisnike që keni marrë për të nderuar ata burra të cilëve ne u detyrojmë kaq shumë sot dhe brezat që vijnë.  Ne shprehim mirënjohje ndaj tyre.  Kjo mirënjohje është plotësisht e merituar dhe uroj që kjo mirënjohje të vijë gjithnjë në rritje. Një komb i qytetëruar dallohet para së gjithash nga ata gra dhe burra që nderon. Dhe ne këtu po nderojmë ata që kanë vënë shpirtin, gjeninë e tyre krijuese në themel të një Shqipërie të lirë e të pavarur”, tha Kryeministri.

 Gjatë fjalës së tij, të mbajtur në sheshin qëndror të qytetit, Kryeministri Berisha u shpreh:

 I nderuar zoti kryetar i Bashkisë së Beratit, Fadil Nasufi.

 Të nderuar dhe të dashur qytetarë dhe qytetare të këtij qyteti të mrekullueshëm

 Zotërinj ministra, zotërinj deputetë, qeveritarë vendorë

 Është nder  i madh për mua t’ju uroj ju, qytetarëve të Beratit kudo që ndodhen, gëzuar 100 vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë.

 Sot sëbashku le të shprehim ne nderimin tonë më të madh, para atyre burrave të Beratit dhe të mbarë Shqipërisë, që 100 vjet më parë, të udhëhequr nga Ismail  Qemal Vlora, burri vizionar i kombit, ati i pavarësisë së shqiptarëve, do të firmosnin në Vlorë aktin e pavarësisë dhe do të ngrinin krenar flamurin kombëtar, flamurin e Skënderbeut.

Berati, në pavarësinë e Shqipërisë luajti  ndër rolet më kryesore. Ai erdhi në vitet  1912, si një margaritar i vërtet i kulturës shqiptare, i kulturës europiane, i kulturës botërore. Erdhi në harkun e pavarësisë si një kështjellë e pamposhtur e aspiratave  të beratasve dhe shqiptarëve për liri, dinjitet dhe pavarësi.

Qytetarë dhe qytetare të  Beratit

Sot është dita të shprehim nderimin tonë më të madh ndaj Babë Dud Karbunarës,  Iliaz Vrionit, Selim Vokopolës, Dhimitër Tutulanit, Xhelal Koprencës dhe burrave të tjerë, të cilët firmosën në Vlorë aktin themeltar të shtetit të pavarur shqiptar.

Por sot, duhet të përulemi me nderimin më të madh, para atyre dhjetëra e qindra qytetarëve  të Beratit, që në shekuj dhe mijëvjeçarë, ndërtuan, qëndisën në këtë zonë, një nga qytetet më të bukura  të Shqipërisë, një nga trashëgimitë më të çmuara të kulturës shqiptare, kulturës  europaine, kulturës botërore, me të cilët krenohet çdo shqiptar, por dhe çdo qytetar  i planetit.

Vëllezër dhe motra

Sot është ditë feste dhe sot duhet të nderojmë më shumë se kurrë ata qindra  e mijëra djem të Beratit dhe mbarë Shqipërisë, të cilët në Luftën e Dytë Botërore rrokën armët dhe morën malet, kodrat dhe fushat e Beratit dhe  mbarë Shqipërisë, luftuan me një heroizëm të pashembullt  dhe mbinjerëzor për të çliruar vendin e tyre dhe e renditën atë, në anën e drejtë të historisë, në koalicionin e fuqishëm antifashist çlirimtar.

Sot ne duhet të nderojmë inteligjencën e shkëlqyer të Beratit, të cilët bënë aq shumë në kulturën, dijen, shkencat e këtij vendit, qytetarët e mrekullueshëm të  tij.

Zonja dhe zotërinj, vëllezër dhe motra

100 vjet më parë u shpall Pavarësia e Shqipërisë, por 100 vjet më parë një aleancë ballkanike ndërmori sulmin më të egër më barbar, kundër trojeve shqiptare. Ushtritë e vendeve armike u vërsulën mbi shqiptarët me qëllimin e vetëm të mbytnin në djep foshnjën e sapolindur dhe të shfarosnin kombin shqiptar.

100 vite nuk kanë qenë të lehta për shqiptarë, ishin vite copëtimesh, pushtimesh, diktaturash, por sot jemi të lirë në Berat në Shqipëri, në Kosovën, në Maqedoni, në Mal të Zi dhe kudo që jetojmë

Ndaj dhe më të bashkuar se kurrë, rreth flamurit tonë kombëtar, rreth idealeve të atyre që 100 vjet më parë themeluan shtetin shqiptar, të atyre djemve dhe vajzave, burrave dhe grave, që flijuan jetën për lirinë dhe dinjitetin tonë, të bëjmë gjithçka për të shndërruar në realitet ëndrrën e tyre, ëndrrën e bashkimit kombëtar, ëndrrën e tyre europine.  Shqipëria në Europë ishte ëndrra fisnike ndaj dhe le të vazhdojmë ne në këtë rrugë, rrugën e Shqipërisë Europiane.

Edhe njëherë gëzuar këtë ditë.  Nder për jetë  burrave, që themeluan shtetin shqiptar,  nder përjetë atyre, që ranë për tu bërë të pavdekshëm, për liri dhe flamurin kombëtar.

Zoti i bekoftë qytetarët e Beratit

Zoti i bekoftë shqiptarët, flamurin e  tyre krenarë

Zoti e bekoftë Shqipërinë dhe trojet shqiptare kudo që janë.”


24/11/2012

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›