Kryeministri Berisha mirëpret Kryeministrin e Maqedonisë, zotin Nikola Gruevski

Kryeministri Berisha mirëpriti sot në një takim Kryeministrin maqedonas z. Nikola Gruevski, i cili po zhvillon një vizitë zyrtare në Shqipëri, me ftesë të Kryeministrit Sali Berisha, në kuadër të 100 vjetorit të pavarësisë.
Pas ceremonisë zyrtare të mirëseardhjes, në mjediset e Kryeministrisë të dy kryeministrat zhvilluan një takim kokë më kokë, që u pasua nga takimi mes dy delegacioneve.
Kryeministri Berisha e vlerësoi vizitën e homologut të tij maqedonas si një kontribut të ri shumë të rëndësishëm në marrëdhëniet miqësore dhe në bashkëpunimin e gjithanshëm mes dy vendeve. Në të dy takimet, kryeministrat ripohuan marrëdhëniet e shkëlqyera që ekzistojnë mes vendeve në nivelin, bilateral dhe atë multilateral, si dhe theksuan angazhimin reciprok për thellimin e mëtejshëm të këtyre marrëdhënieve, veçanërisht për thellimin e bashkëpunimit ekonomik, në interesin më të mirë të qytetarëve të të dy vendeve.
Në vijim u nënshkruan dy marrëveshje bashkëpunimi ndërmjet qeverisë shqiptare dhe asaj maqedonase, përkatësisht Marrëveshja për njohjen reciproke të lejeve të drejtimit dhe Marrëveshja për hapjen e pikës së përbashkët të kalimit kufitar Trebisht-Xhepisht.
Mw pas, Kryeministri Berisha dhe Kryeministri maqedonas Gruevski, dolën në një konferencë të përbashkët për shtyp, ku informuan për takimet mes tyre dhe iu përgjigjën interesit të mediave lidhur me çështje të ndryshme.
Në përfundim, Kryeministri Berisha shtroi një drekë për nder të kryeministrit maqedonas dhe delegacionit që e shoqëronte, e cila kaloi në një atmosferë të ngrohtë e miqësore.
Kryeministri Berisha: Zonja dhe zotërinj, sapo përfunduam bisedimet me kryeministrin e republikës së Maqedonisë dhe firmosëm dy marrëveshje të rëndësishme në kurorëzim të kësaj vizite, marrëveshje që kanë të bëjnë me njërën prej lirive më themelore të qytetarëve të dy vendeve, atë të lëvizjes së lirë, njohjes së dokumenteve të qarkullimit dhe hapjes së një pike kufitare komunikimi në zonën Trebisht-Xhepisht, pra shtimin e një kanali të ri komunikimi mes qytetarëve të dy vendeve. Ishte një rast i veçantë për mua ti uroj një mirëseardhje të përzemërt kryeministrit të Maqedonisë, Nikola Gruevski, me të cilin kemi një bashkëpunim të gjerë dhe afatgjatë, prej vitesh.
E sigurova se kjo vizitë është një kontribut i ri shumë i rëndësishëm në marrëdhëniet miqësore dhe në bashkëpunimin e gjithanshëm mes dy vendeve tona. Në takimin tet a tet dhe në takimin me delegacionet, ne diskutuam gjerësisht për bashkëpunimin tonë të ngushtë në projektet tona madhore të integrimit evropian dhe euroatlantik. Shqipëria është anëtare e NATO-s, Maqedonia “de fakto” është anëtare e NATO-s. Shqipëria do të japë kontributin e vet modest që edhe momenti “de juro” të ndodhë sa më shpejt. Maqedonia ka bërë një progres të madh dhe ka fituar statusin vite më parë. Ne jemi të bindur se meriton plotësisht hapjen e negociatave dhe vlerësimin e progresit të merituar. Maqedonia mbështet Shqipërinë në procesin e integrimit evropian dhe sheh me interes hapat para në këtë drejtim. Ne diskutuam për intensifikimin e lidhjeve dhe bashkëpunimit në çdo fushë. Ne ramë dakord që të bëjmë përpjekje të përbashkëta për Korridorin 8, për lidhjen e linjave të tensionit të lartë, për kompletimin në dy anët respektive të rrugës së Arbrit, unazës së Ohrit, lidhjen hekurudhore.
Unë e sigurova kryeministrin se qeveria do të mbështesë interesin e Maqedonisë për projektin Transadriatik të gazit që vjen nga Azerbajxhani. Diskutuam për bashkëpunimin në të gjitha fusha të tjera.
Si ç’është normale një temë e veçantë e takimit tonë është çështja e shqyrtimit të lirive dhe të drejtave të qytetarëve me origjinë shqiptare dhe maqedonase në të dy vendet tona. Ne vlerësojmë shumë rolin e shqiptarëve në paqen stabilitetin dhe zhvillimin e Maqedonisë, kontributin e tyre në këtë drejtim. Ne shohim me interes shumë të madh progresin e këtij vendi dhe të shoqërisë multietnike, si një rast unik, si një rast i shkëlqyer për tu bërë një shembull i ndritshëm në gadishullin e Ballkanit.
Unë e garantova kryeministrin se në Shqipëri qytetarët do të kenë të drejtë të deklarojnë pa asnjë ndrojtje etnicitetin që dëshirojnë dhe të respektohen plotësisht për origjinën e tyre etnike. Shqipëria ka bërë dhe bën çdo gjë për të vendosur në këtë vend standardet më të mira të Kopenhagenit për të drejtat dhe liritë e minoriteteve.
Kjo vizitë vjen në një javë të veçantë, javën e fundit para datës 28 nëntor, datë kjo që shënon 100 vjetorin e ngritjes së flamurit, ndaj dhe unë e falënderove mikun tim për kohën që ka zgjedhur për të zhvilluar këtë vizitë në Shqipëri.
Edhe njëherë faleminderit për vizitën zoti kryeministër.
Kryeministri Gruevski: Sot pata rastin të zhvilloj një vizitë produktive me mikun tim Sali Berisha. Ne kemi patur edhe takime të tjera joformale me mikun tim në Bruksel, ku kemi zhvilluar bisedime për zhvillimet në rajon. Sot patëm rastin të zhvillojmë edhe një vizitë zyrtare, gjatë së cilës theksuam marrëdhëniet e shkëlqyera që ekzistojnë mes dy vendeve, në çdo nivel, bilateral dhe multilateral.
Të dy palët theksuam angazhimin reciprok për thellimin e mëtejshëm të marrëdhënieve tona, veçanërisht për thellimin e bashkëpunimit ekonomik mes dy vendeve. Në mënyrë të veçantë kryeministri përmendi edhe planin infrastrukturor të ardhshëm mes dy vendeve, si një nga prioritet e bashkëpunimit tonë të ardhshëm.
Në këtë takim ne diskutuam edhe për linjën hekurudhore kufitare, duke filluar nga Kërçova që tanimë i kemi filluar përgatitjet në bashkëpunim me Ipa. Kjo është edhe një rrugë më e sigurtë për realizmin e këtij projekti, si dhe pjesën e korridorit 8, ku ne po punojmë në mënyrë aktive për sigurimin e mjeteve financiare për ndërtimin e kësaj rruge nga Kërcova në kufirin shqiptar. Në takim theksuam edhe mundësitë për ndërtimin e autostradës Shkup -Tiranë, e cila do ti japë shtysë zhvillimit të turizmit. Republika e Maqedonisë në mënyrë aktive punon për realizimin e projekteve, nga pala jonë është iniciuar, ndërsa nga pala shqiptare është pranuar për ndërtimin e unazës në Ohër.
Gjatë këtij takimi folëm edhe për ndërlidhjen energjetike mes dy vendeve, projekt të cilin ne sa e kemi filluar dhe jemi në fazën e fizibilitetit. Ky është një projekt që bashkë me Bullgarinë dhe Shqipërinë do të kërkojmë edhe fonde për ndërtimin e kësaj linje.
Shpreh kënaqësinë time që sot nënshkruam dy marrëveshje të rëndësishme për qytetarët tanë. Njëra iu lejon qytetarëve njohjen e lejeve të qarkullimit, duke shmangur kështu burokracitë për qytetarët, si nxjerrja e lejeve ndërkombëtare të qarkullimit, etj.
Nërsa e dyta ishte marrëveshja për hapjen e pikës së përbashkët të kalimit kufitar Trebisht-Xhepisht, e cila do të lehtësojë shumë komunikimin mes qytetarëve, sidomos të atyre që jetojnë në zonat kufitare.
Unë, vitin e kaluar unë pata rastin të vizitoj disa vendbanime, edhe nga pala shqiptare edhe nga pala maqedonase dhe ajo çfarë kërkonin këta qytetarë ishte pikërisht hapja e një pike të tillë kufitare për të realizuar nevojat e tyre për komunikim të përditshëm. Ndërsa roli i qeverisë është për të qenë në shërbim të qytetarëve. Me nënshkrimin e marrëveshjes së sotme ne vumë kornizën juridike për këtë pikë kufitare. Kjo do të bëhte tani edhe nga pala shqiptare në mënyrë që të hapet plotësisht kjo pikë kufitare. Në momentin që do të kemi kalim të kufijve me letërnjoftim biometrik, hapja e këtyre pikave merr rëndësi të jashtëzakonshme për qytetarët.
Me homologun Berisha biseduam edhe për perspektivat evropiane dhe euroatlantike të dy vendeve tona dhe në përgjithësi të rajonit. Ne theksuam se integrimi në Evropë dhe në NATO është me rëndësi prioritare. Republika e Shqipërisë është e anëtarësuar në NATO, ndërsa Republika e Maqedonisë, për shkak të fqinjit tonë Greqisë, ende jo. Unë, të ardhmen e dy vendeve tona dhe të vendeve të rajonit e shoh në BE. Në këtë drejtim kemi qëllim të përbashkët, me Kryeministrin Berisha.
Shfrytëzoj rastin të uroj kryeministrin Berisha për rekomandimin e KE-së për statusin e vendit kandidat dhe fillimin e reformave, për të cilat Maqedonia është e gatshme që të ndihmojë në drejtim të konsultimeve.
Gjatë takimit diskutuam edhe për dialogun që zhvilluam midis BE dhe Maqedonisë, i cili ka rezultuar me një pozitivitet nga Be. Ne shpresojmë që në nëntor të presim atë që kemi merituar për reformat. Dëshiroj dhe shpresoj që ky rekomandim të vlerësohet pikërisht nga BE, në mënyrë që të na jepet edhe ne statusi. Askush nga ne nuk dëshiron që të kemi pengesa për anëtarësimin në BE, sepse ne jemi të përkushtuar dhe punojmë në këtë drejtim. Dhe për këtë qëllim, në ndërtimin e marrëdhënieve të mira miqësore, Republika e Maqedonisë ka iniciuar aktivitete konkrete me fqinjin tonë jugor, me propozime për të mbajtur takime në nivele të ndryshme , si dhe realizimin e projekteve të shumta bilaterale. Bisedimet e filluara në Neë York do të kenë një dinamikë të fuqishme në përfundim.
Siç e theksova e ardhmja e vendeve tona është integrimi në BE dhe në NATO dhe shpresojmë se ky projekt i yni vizionar do të vlerësohet dhe në mënyrë efektive do të realizohet. Të dy bashkësitë që jetojnë në dy vendet, maqedonasit në Shqipëri, dhe shqiptarët në Maqedoni, do të zhvillohen si një përparësi bashkëpunuese mes dy vendeve. Bashkësia shqiptare në Maqedoni ka një pozicion të rëndësishëm dhe paraqet një pjesë të rëndësishme të shoqërisë maqedonase. Duke parë këtë interes theksove edhe avancimin e pakicës maqedonase në Shqipëri. Maqedonasit, në Elbasan, Berat, Korçë e qytete të tjera do të kenë të drejtat e tyre si pakicë.
Republika e Shqipërisë dhe Republika e Maqedonisë janë fqinje të mira, që ndajnë vizione të përbashkëta, qëllime të përbashkëta për integrimin evropian, për zhvillim ekonomik dhe për zhvillimin e tërë rajonit në Evropën Juglindore. Bashkëpunimi ynë i shkëlqyer dhe vazhdimi permanent i këtij bashkëpunimi është shumë i rëndësishëm për të dy vendet tona , por edhe për rajonin në tërësi. Ne do të vazhdojmë këtë bashkëpunim edhe në të ardhmen në interes të qytetarëve të të dy vendeve, si dhe reformat e deritanishme.
Kryeministri Berisha dhe qeveria e tij kanë bërë shumë reforma në të kaluarën dhe në mënyrë serioze kanë avancuar vendin. Edhe ne gjithashtu kemi bërë punë të madhe, dhe jemi vlersuar për reformat. Jemi dy qeveri që japim maksimumin tonë për integrimin euroatlantik te vendeve tona. Këto takime na ndihmuan për të shkëmbyer informacione, eksperiencën dhe ndihmën e përbashkët.
Pyetje: Zoti Gruevski, sa është zbatuar Marrëveshja e Ohrit dhe a mendoni se luftëtarët shqiptarë të UCK-së, të cilët kanë dhënë një kontribut të madh në këtë çështje, meritojnë më tepër respekt nga vet maqedonasit?
Kryeministri Gruevski: Kjo është një pyetje e ndjeshme në shtëpitë tona. Në vitin 2001 u ballafaquam me një konflikt që u kurorëzua me nënshkrimin e Marrëveshjes së Ohrit. Kaluam një kohë të gjatë në këtë konflikt dhe plagët e këtij konflikti janë ende të freskëta. Të gjithë duhet të jemi të vëmendshëm për të mos lënduar ndjenjat dhe plagët e njëri-tjetrit. Duhet të jemi të kujdesshëm në këtë drejtim. Me partnerin tonë të koalicionit qeveritar, Bashkimin Demokratik për Integrim, bëjmë çmos për të mbajtur relacione të mira midisi dy etniteteve. Kemi komunikime të shpeshta në këtë drejtim. Në një pjesë të madhe të çështjeve këtë e bëjmë në mënyrë të suksesshme. Por, edhe ne, si të gjithë në botë, kemi edhe dallime, kemi edhe mosmarrëveshje, por kemi marrëveshje për të gjitha problemet, në mënyrë që të gjitha çështjet t’i zgjidhim me dialog. Faleminderit.
Pyetje: Zoti Gruevski, a mund të bëjë ndonjë lëshim Maqedonia në bisedimet me Greqinë, në mënyrë që në samitin e Dhjetorit të merrni një vlerësim pozitiv nga vendet anëtare, duke marrë shkas nga thënia juaj se e ardhmja e përbashkët e të dy vendeve është në BE?
Kryeministri Gruevski: Lidhur me pyetjen tuaj mund të them këtë gjë; Ky kontekst është paraqitur për më shumë se 20 vjet nga ana e Greqisë. Për këtë, Kombet e Bashkuara kanë emëruar edhe një ndërmjetës, për t’i afruar qëndrimet dhe për t’i tejkaluar dallimet. Këto bisedime janë intensifikuar në 5-6 vitet e fundit. Por vitet e fundit, për shkak të problemeve brenda në Greqi, kanë humbur pak dinamikën. Kemi supozuar se, të dy palët, këto çështje mund t’i zgjidhin vetëm me dialog dhe vullnet të mirë. Kishim edhe një kontekst gjyqësor në gjyqin ndërkombëtar në Hagë, gjë që në fund solli edhe akt gjykimin. Në gjithë këtë periudhë të kaluar, Maqedonia ka zhvilluar bisedime me vullnet të mirë dhe asnjëherë nuk e ka shkelur marrëveshjen ndërkombëtare. Gjyqi ka thënë se pala tjetër, pra Greqia, e ka shkelur këtë marrëveshje dhe ka thënë se në të ardhmen kjo nuk do të përsëritet. Shpresoj që fqinji jonë jugor të respektojë të drejtën ndërkombëtare, që është shqyrtuar edhe nga gjyqi më i lartë i Kombeve të Bashkuara. Pyetja nuk është se diçka do të lëshohet apo jo, por çështja është vullneti i mirë, të respektohet e drejta ndërkombëtare, në mënyrë që sa më shpejt të gjendet zgjidhje që ta pranojnë të dy popujt. Ne jemi të përkushtuar në këtë proces dhe mendojmë se do të arrihet kjo. Ne presim që Greqia të respektojë të drejtën ndërkombëtare, për të mos arritur në një situate të pavolitshme për respektimin e së drejtës ndërkombëtare, por të ndikojë në ndërtimin e një atmosfere më të mirë për zgjidhjen e këtij problemi dhe realizimin e kësaj marrëveshjeje të Samitit të Selanikut, pikërisht lidhur me këtë çështje.
Pyetje: Në problemin e saj të brendshëm, çfarë do të bëjë Shqipëria, në mënyrë që të dy palët politike të miratojnë kushtet e vëna nga Komisioni Evropian, në mënyrë që të marrë statusin e kandidatit, para zgjedhjeve?. Apo duhet të presim pas zgjedhjeve?
Kryeministri Berisha: Nga pyetja juaj rezulton një krahasim i pashmangshëm. Një bllokim që i bëhet Republikës së Maqedonisë në procesin e integrimit të saj, nga vendi fqinj Greqia, për shkak të një marrëveshjeje të emrit, që duhet të zgjidhet, si dhe bllokimit që i bën Shqipërisë zoti Rama, për shkak të çështjes së rrethit të Fierit. Në rastin e parë kemi të bëjmë me një bllokim nga jashtë, në rastin e dytë kemi të bëjmë me një bllokim nga brenda. Në rastin e parë ka një angazhim ndërkombëtar për të ndihmuar të dy vendet, për t’i afruar që të gjejnë zgjidhjen. Në rastin tonë, dje në Komisionin e Jashtëm të Parlamentit Evropian është votuar për rekomandimin e këtij institucioni kryesor të BE-së, për statusin e kandidatit për Shqipërinë. Nga 51 deputetë të Komisionit të Jashtëm të Parlamentit Evropian, të përbërë nga deputetë të qendrës së djathtë, të qendrës së majtë, liberalë, jeshilë etj., votuan që Shqipërisë t’i jepet statusi. Vetëm një deputet thjesht abstenoi, por nuk votoi kundër.
Do të doja që zoti Rama ta lexonte këtë votim. I garantoj shqiptarët se, në qoftë se Fieri do të qëndronte si problem, ajo Rezolutë do të kishte jo 1, por disa nene për Fierin. Këtë çështje zoti Rama e ka ngritur në të gjitha instancat që ka mundur, por ai ka marrë një përgjigje të prerë se ndërkombëtarët nuk shohin asnjë lidhje midis Fierit dhe votimit të 3 ligjeve në Parlament, që zoti Rama i bllokon. Kjo është e vërteta. Megjithatë, ne, në interesin më të mirë, kemi ofruar zgjidhjen më të plotë; mocionin për të gjithë këshilltarët. Fakti që ky mocion nuk pranohet, fakti që u tërhoqën nga gjykimi i çështjes, të gjitha këto dëshmojnë se tani janë të kënaqur, sepse përmbushën misionin. Kjo është përgjigjja ime. Unë sërish mbetem te mocioni, si rruga më demokratike, ose nëse ai do, le të vazhdojmë shqyrtimin me themel të çështjes. Por ai u tërhoq nga shqyrtimi me themel, sepse ai e përmbushi misionin e tij.
23/11/2012