E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha përshëndet konferencën “Njëzet vjet të bashkëpunimit austriak për zhvillim në Shqipëri”

Kryeministri Berisha përshëndeti sot pasdite konferencën “Njëzet vjet të bashkëpunimit austriak për zhvillim në Shqipëri/Mënyra të reja partneriteti”.

Në fjalën e tij, Kryeministri Berisha shprehu mirënjohje dhe vlerësimet më të larta ndaj kombit dhe qeverisë austriake në këtë përvjetor të 20-të të bashkëpunimit midis dy vendeve dhe dy kombeve tona. Duke vlerësuar ndihmën dhe asistencën austriake në këto vite, Kryeministri theksoi se “Austria është një mbështetëse e fortë e përpjekjeve tona për të ndërtuar në këtë vend një demokraci të bazuar në tregun e lirë dhe për të përparuar drejt Bashkimit Evropian”.

Kryeministri Berisha vlerësoi besimin që investitorët austriakë kanë treguar duke investuar në fusha të ndryshme në Shqipëri. “Sot investitorët austriakë janë ndër investitorët më të mëdhenj në vendin tonë. Ata janë në sistemin bankar. Raiffeisen është pjesëtari më i madh në sistemin tonë bankar. Është Austrian Airlines. Kompanitë e sigurimeve janë, gjithashtu, të shkëlqyera. Investitorët austriakë po punojnë tani dhe janë kryesorët në një fushë shumë të rëndësishme, siç është energjia e rinovueshme”, tha Kryeministri.

Gjithashtu, Kryeministri Berisha shprehu mirënjohje edhe për mbështetjen që Austria i ka dhënë Shqipërisë në procesin e liberalizimit të vizave. “Austria ishte një mbështetëse dhe avokate e madhe e Shqipërisë, në një kohë ku kishte skepticizëm mbi performancën e vendit tim”, tha Kryeministri, ndërsa shtoi se “do të bëjmë gjithçka që procesi i integrimit të jetë një proces i merituar”.

Në fjalën e tij, Kryeministri Berisha u shpreh:

Ky është një rast i veçantë për mua t’i shpreh mirënjohjen time të thellë dhe vlerësimet e mia të larta kombit austriak, qeverisë austriake, në këtë përvjetor të 20-të të bashkëpunimit miqësor midis dy vendeve dhe dy kombeve tona, për mbështetjen miqësore dhe ndihmën bujare që i kanë dhënë vendit tim përgjatë këtyre 20 viteve. 

Qeveria austriake, nëpërmjet ish/zëvendës kancelarit të saj, Alois Mock, ishte qeveria e parë që përshëndeti fitoren e forcave demokratike në Shqipëri në vitin 1992. Prej asaj kohe Austria është një mbështetëse e fortë e përpjekjeve tona për të ndërtuar në këtë vend një demokraci të bazuar në tregun e lirë dhe për të përparuar drejt Bashkimit Evropian. Ndihma dhe asistenca austriake ka qenë një prej më eficienteve. Ajo ka mbuluar pothuajse të gjitha fushat, por do të filloj me njërën, e cila është më e ndjeshmja, më humania, ndihma humanitare. Misionarët austriakë, zyrtarët austriakë kanë qenë këtu që prej fillimit, duke punuar në zonat më të largëta e më të vështira të vendit, duke ndihmuar fëmijët, gratë, të sëmurët, duke dhënë ndihmë për shkollat, spitalet dhe në një masë të gjerë punonin së bashku me komunitetet për të shfrytëzuar burimet lokale. Unë kam qenë i privilegjuar që kam njohur shumë prej tyre dhe jam shumë krenar për miqësinë e tyre, shumë mirënjohës për angazhimin e tyre.

Më vonë, ndihma dhe asistenca e Austrisë përfshinte të gjithë fushat më themelore: furnizimin me ujë, kanalizimet, arsimimin, shëndetësinë dhe çdo fushë tjera. Nga Ministria austriake e Arsimit ne kemi sot shkollën më të mirë të vendit, e cila e ka marrë emrin nga një mik i madh i këtij vendi, shkolla “Peter Mahringer” në Shkodër. Ajo është një shkollë profesionale për çështjet e teknologjisë së komunikimit dhe informacionit dhe deri më tani është modeli më i mirë që kemi në vend. Austria ka ndihmuar sistemin e arsimit kudo në vend dhe krahas tij shumë shqiptarë gjatë këtyre 20 viteve po studiojnë në Austri, duke sjellë mbrapsht inteligjencën shqiptare, e cila ka qenë pa dyshim një pjesë e rëndësishme e inteligjencës së vendit përpara luftës, por më vonë pothuajse u zhduk dhe tani po kthehet në të gjitha fushat. Qindra e qindra shqiptarë po studiojnë në universitetet austriake, shumica e tyre po kthehen dhe po punojnë në të gjitha fushat në këtë vend.

Zoti zv/Kancelar i Austrisë,

Austriakët ishin ndër investitorët e parë që treguan besim ndaj këtij vendi dhe këtij kombi, në një kohë që ishte shumë e vështirë. Dëshmia më e mirë e saj është ky hotel i madh, është Rogneri, i cili është hoteli i parë turistik pasi në Shqipëri u lejuan ndërtimet, solli ekspertizë të madhe, solli një kulturë të re shërbimesh, ndihmoi jashtëzakonisht shumë kulturën e hotelerisë dhe turizmit për t’u përhapur në vendin tim.

Shumë investime të tjera janë një histori e vërtetë suksesi. Sot investitorët austriakë janë ndër investitorët më të mëdhenj në vend. Ata janë në sistemin bankar. Raiffeisen është pjesëtari më i madh në sistemin tonë bankar. Është Austrian Airlines. Kompanitë e sigurimeve janë, gjithashtu, të shkëlqyera. Investitorët austriakë po punojnë tani dhe janë kryesorët në një fushë shumë të rëndësishme, siç është energjia e rinovueshme. Verbundt dhe EVN pothuajse kanë përfunduar hidrocentralin e Ashtës, i cili është një kryevepër e teknologjisë më të fundit e moderne dhe është ndërtimi më miqësor ndaj mjedisit që mund të shihni. Është një investim prej 200 milionë euro. Kompani të tjera austriake janë shumë të vendosura të punojnë në vendin tonë për ndërtime të tjera. EVN së bashku me Statkraft të Norvegjisë do të fillojnë vitin tjetër ndërtimin e kaskadës së Devollit. Unë besoj se për momentin është investimi më i madh në Evropë në fushën e energjisë hidrike, një investim prej 1 miliardë euro. Kompanitë austriake kanë treguar interes të mëtejshëm për të investuar në kaskada të tjera dhe ne jemi shumë të kënaqur e mirënjohës ndaj tyre. Austriakët po punojnë me sukses në çështjet urbane, në ndërtime dhe miniera. Pavarësisht kësaj krize të përgjithshme në Evropë, investimi austriak në Shqipëri nuk është zvogëluar, por është rritur gjithmonë e më shumë, që do të thotë një rritje gjithmonë e më e madhe e besimit të tyre për këtë vend. Ne kemi diskutuar së bashku me ta, kanë pasur disa vështirësi, por secila prej tyre do të zgjidhet. Qeveria ime qëndron e palëkundur pas investitorëve, bazuar në ligjet e vendit, për t’i asistuar ata dhe për të bërë çdo përpjekje që projektet e tyre të jenë një histori e vërtetë suksesi për ta dhe për vendin tim.

Austria që prej fillimit ka mbështetur aspiratat tona për integrim në Bashkimin Evropian. Nuk ishte rastësi që gjatë Presidencës austriake vendi im nënshkroi MSA-në. Prej asaj kohe, duke e konsideruar atë si një kontratë historike të vendit tim me Bashkimin Evropian, qeveria shqiptare ka qenë dhe vazhdon të jetë e angazhuar në reforma të thella dhe universale për të përmbushur standardet, kriteret dhe  normat e kërkuara gjatë procesit të integrimit. Në këtë proces, dy vite më parë ne morëm liberalizimin e vizave. Unë e di shumë mirë që Austria ishte një mbështetëse dhe avokate e madhe e Shqipërisë, në një kohë ku kishte skepticizëm mbi performancën e vendit tim. Gjithashtu, jam i kënaqur që të pohoj sot se ndër të gjithë vendet e Ballkanit Perëndimor, performanca e Shqipërisë ishte më e mira, edhe pse ka ende disa probleme, të cila i trajtojmë shumë seriozisht. Do të bëjmë çdo përpjekje që procesi i integrimit të jetë një proces i merituar. Shqiptarët, si komb, tregojnë mbështetjen më të madhe për procesin e integrimit në Bashkimin Evropian. Unë besoj se në shumë aspekte  ata kanë një avantazh të madh, të drejtat e njeriut dhe të minoriteteve këtu janë të respektuara në masë.

Të dashur miq,

Një komb që respekton më shumë se çdo komb tjetër të drejtat fetare, pa dyshim, ka të dhënat më të mira në të drejtat e njeriut dhe minoriteteve. Vendi im respekton plotësisht dallimet fetare, minoritetet dhe po bën progres të madh në të gjitha fushat. Ka disa probleme të brendshme, të cilat i marrim si një proces, por nuk ka forca anti-evropiane në këtë vend. Ka llogaritje të gabuara teknike, por ende kam besim se shqiptarët do të mbizotërojnë në përpjekjet e tyre për të përparuar drejt BE-së. Ne jemi shumë krenar e mirënjohës për mbështetjen tuaj të madhe.

Faleminderit shumë!”


22/11/2012

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›