Kryeministri Berisha merr pjesë në ceremoninë e dorëzimit të çmimeve fituese për Konkursin Kombëtar SIFE Albania
Sot pasdite, Kryeministri Berisha mori pjesë në ceremoninë e ndarjes së çmimeve për konkursin Kombëtar SIFE Albania 2007, në mjediset e hotel "Tirana International".
Ceremonia u organizua me pjesëmarrjen e studentëve nga universitete të ndryshme të vendit, pedagogëve, si dhe përfaqësuesve të biznesit dhe të bordit drejtues të SIFE.
Gjatë dy ditëve, studentë nga 9 universitete të vendit, të cilët përfaqsojnë studentët më të mirë në fushën e biznesit, konkuruan për vendin e parë në konkursin Kombëtar SIFE Albania, në edukimin mbi sipërmarrjen e lirë.
SIFE (Studentët në sipërmarrjen e lirë) është organizatë globale, jo-fitim prurëse, e cila lidh në mënyrë strategjike studentët, universitetet, bizneset dhe komunitetet. Misioni i kësaj organizatë është mobilizimi i studentëve për të krijuar mundësi ekonomike për të tjerët, ndërkohë që zbulojnë potencialet e tyre. Studentët e SIFE krijojnë ekipe në universitete dhe zhvillojnë projekte edukative, të cilat i drejtohen publikut me njohuri nga sipërmarrja, ekonomia e tregut, financat etj.
Çdo vit organizohen konkurse Kombetare të SIFE, në të cilat studentët prezantojnë projektet e tyre para një jurie të përbërë nga figura të njohura të komunitetit të biznesit.
Duke marrë fjalën, Kryeministri Berisha përshëndeti studentët, duke i falenderuar ata që e bënë pjesëmarrës në këtë ceremoni të vecantë. "Së pari unë dëshiroj tu falenderoj nga zemra për nderin që më bëtë, duke më ftuar për të qenë i pranishëm në këtë ceremoni shumë të vecantë. SIFE është bërë një frymëzim i madh, krenaria e universiteteve tona, një shpresë e vërtetë për të ardhmen e Shqipërisë."
Kryeministri u shpreh se studentët pjesëmarrës gëzonin admirimin e tij për punën, projektet dhe përgatitjen e tyre. Të jesh lider në biznes, u shpreh kryeministri, do të thotë të jesh me siguri më i miri, më inteligjenti, më i përgatituri. Kryeministri theksoi se në fushën e biznesit, më shumë se kudo tjetër, kurajo, vizioni, imagjinata janë të barazvlefshme me suksesin. Për këtë arsye, u shpreh Kryeministri, ju me siguri, përveçse drejtues të mirë të biznesit, do të mund të jeni edhe udhëheqës të sukseshëm të vendit.
Kryeministri vlerësoi inisiativat dhe projektet e tyre, duke theksuar se energjia, vizioni dhe inteligjenca e tyre në të këtë fushë kanë një rëndësi të madhe për të ardhmen e vendit. Kryeministri siguroi se qeveria do të bëjë më të mirën, për të investuar, nxitur e lehtësuar aktivitetet e tyre në të ardhmen.
Më pas, kryeministri vijoi "Qeveria është e angazhuar në një revolucion të vërtetë fiskal. Së shpejti Shqipëria do të jetë vendi me barrën fiskale më të ulët në Evropë, dhe një nga më të ultit në botë. Unë besoj se paratë në kontot e biznesmenëve janë më të vlefshme sesa në arkën e publikut, sepse menaxhuesit më të mirë i përkasin sektorit privat."
Në përfundim të ceremonisë, Kryeministri Berisha dorëzoi çmimin e parë për ekipin e Universitetit të Tiranës, i cili do të përfaqsojë Shqipërinë në Kupën e Botës 2007, që do të zhvillohet në tetor të këtij viti në New York.