E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha takohet me përfaqësues të kompanive të sigurimeve

Sot paradite, Kryeministri Berisha mori pjesë në takimin e organizuar nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare të Shqipërisë me biznesin e sigurimeve, me tematikë "perspektivat e rritjes dhe zhvillimit të tregut të sigurimeve në Shqipëri". Ky takim i realizuar me iniciativë të Kryeministrit, zhvillohet në kuadrin e një komunikimi dhe dialogu të hapur mes qeverisë dhe biznesit.

Përfaqësuesit e kompanive të sigurimeve falënderuan Kryeministrin për mundësinë e krijuar për diskutimin e përbashkët të problemeve në këtë sektor, ndërsa vlerësuan se është hera e parë që zhvillohet një takim në këtë nivel të lartë.

Gjatë diskutimeve ata ngritën çështje të ndryshme të mbarëvajtjes së bizneseve të tyre, si domosdoshmërinë e sigurimit të përgjegjësive të bizneseve të veçanta si ndërtimi, karburantet, hotelet, restorantet, etj, ngritjen e një programi në shkallë kombëtare të sigurimit ndaj katastrofave natyrore, nxitjen e sigurimit të banesave, shëndetit, rishikimi i kuadrit ligjor në këtë fushë dhe përshtatja e tyre me kërkesat e sotme të tregut, etj.

Kryeministri Berisha shprehu mbështetjen e plotë për zhvillimin e tregut të sigurimeve, duke theksuar se qeveria do të punojë për të lehtësuar shtrirjen e këtij tregu në të gjitha fushat. Kryeministri ftoi kompanitë të bashkëpunojnë me Autoritetin e Mbikqyrjes Financiare dhe Ministrinë e Financave për ripërtëritjen dhe plotësimin e të gjitha boshllëqeve ligjore dhe krijimin e një kuadri ligjor të përshtatshëm për stadin aktual dhe perspektivën e zhvillimit në biznesin e sigurimeve.

Gjithashtu, Kryeministri kërkoi nga kompanitë e sigurimeve rritjen e cilësisë së shërbimeve dhe vendosjen e standardeve më të mira për shërbimin e tyre ndaj qytetarëve

Ndër të tjera, Kryeministri Berisha theksoi:

" Dëshiroj të përshëndes ju dhe punonjësit tuaj, që operoni në një treg të një rëndësie jetike për vendin, në një treg i cili më shumë se të gjitha tregjet e tjera është treg besimi, treg i një rëndësie shumë të madhe për zhvillimin e vendit, i një rëndësie shumë të madhe për investimet, klimën, sigurimin e tyre.

Në këtë kontekst, duhet të shpreh kënaqësinë time, vlerësimin tim për progresin e madh që ju keni shënuar gjatë këtyre viteve. Ju ia keni dalë të themeloni dhe t'i shndërroni në histori suksesi kompanitë tuaja, t'i shtrini ato në rajon dhe të ngjallni besimin e partnerëve ndër më seriozë ndërkombëtarë, të krijoni me ta bashkërisht kompani sigurimesh. Ka qenë një lajm shumë i gëzuar për të gjithë jetën financiare dhe ekonomike të vendit fakti që, në një hark kohor të shkurtër, 2 kompani të mëdha, greke dhe austriake, krijuan kompani të përbashkëta me kompani shqiptare të sigurimit, ndërkohë që të tjera janë në proces. Kjo tregon se ju, me veprimtaritë tuaja, ia keni dalë të ngjallni besim të plotë tek partnerët ndërkombëtarë. Kjo përbën një zhvillim shumë pozitiv.

Nga ana tjetër, qeveria është përpjekur dhe përpiqet që veprimtaria juaj të bëhet sa më e suksesshme. Në këtë kontekst, ne krijuam, me një ligj të ri, Autoritetin e Mbikëqyrjes së Tregut Financiar jo bankar, ku ju jeni shtylla më kryesore e rregullimit të tij. Kemi rritur fondin për t'ju dhënë siguri më të madhe ju dhe klientëve tuaj. Kemi minimizuar – nuk them se i kemi zhdukur plotësisht por ju siguroj se do t'i zhdukim absolutisht shumë shpejt – të gjithë njëanësitë e shtetit ndaj INSIG-ut, i cili do të privatizohet brenda këtij viti dhe ku shteti do të ketë zero ndërhyrje. Po ashtu, paketa e re fiskale është shumë e favorshme për ju.

Por ne kemi ende shume probleme të mëdha për të zgjidhur. Po aq sa është progresi, janë edhe problemet që ne duhet të zgjidhim, me një bashkëpunim shumë të hapur.

Qeveria dhe ju do të bëjmë çdo përpjekje për të dalë nga këto nivele të papranueshme sigurimi që ekzistojnë në Shqipëri, nivele të cilat nuk pasqyrojnë absolutisht shkallën e zhvillimit të vendit. Primi i shqiptarëve në sigurime është në shifra krejtësisht të papranueshme. Por këtu, askush të mos mendojë të fajësojë qytetarët. Jo. Faji dhe përgjegjësia për këtë është e jona, e të gjithë neve që jemi edhe sot në këtë tryezë pune. Ne duhet të bëjmë një përpjekje shumë më të madhe dhe ju siguroj se ne jemi shumë të interesuar që veprimtaria juaj të përfshijë çdo qelizë, çdo sektor, çdo shtëpi, çdo qytetar, çdo pasuri. Ne nuk do të ngurojmë të marrim masat e përshtatshme për ta nxitur këtë.

Nga ana tjetër, është e domosdoshme që edhe ju të rrisni cilësinë e shërbimeve. E ritheksoj sërish se ju jeni treg besimi. Asgjë nuk është më i fortë se besimi, por asgjë nuk është më delikat dhe më i lëndueshëm. Në këtë kontekst, ju ftoj që të bëni përpjekje shumë më të mëdha për një cilësi të re shërbimi, që është edhe marketingu më i shkëlqyer për tregun dhe kompanitë e sigurimeve. Pengesat që mund të ndeshen në realizimin e kësaj cilësie, le t'i zgjidhim, por klienti, konsumatori, duhet të ndjejë që në çdo rrethanë ka, krahas solidaritetit të familjes, edhe mbështetjen tuaj të plotë dhe të shpejtë.

Tregu i sigurimeve është ende një veprimtari e kufizuar vetëm në disa fusha. Ne duhet të përpiqemi bashkërisht dhe qeveria do të marrë të gjitha detyrimet për të lehtësuar shtrirjen e këtij tregu në të gjitha fushat. Ndaj dhe sot ne organizuam këtë takim me ju, për të diskutuar lidhur me problematikën, me potencialet e ridimensionimit të kësaj veprimtarie jetike për vendin. Unë e ndjek me shumë vëmendje dhe me shumë interes këtë fushë. Autoriteti i Mbikqyrjes së këtij tregu është në konsolidim e sipër dhe ju siguroj se ka vullnetin e plotë për të përcaktuar dhe vendosur standardet më të mira, më të favorshme për ju dhe për klientë tuaj.

Pas diskutimeve dhe çështjeve të ngritur nga të pranishmit, veçanërisht lidhur me nevojën e rishikimit dhe rregullimit të kuadrit ligjor mbi të cilin funksionon tregu i sigurimeve, përmes rinovimit të ligjeve të vjetra, Kryeministri Berisha siguroi edhe njëherë vëmendjen e plotë të qeverisë për të mbështetur sektorin e biznesit të sigurimeve.

Në këtë drejtim, Kryeministri bëri këto komente:

"Ne kemi të bëjmë me zhvillime rudimentare të këtij tregu, me ligje të vjetëruara, praktika të cilat nuk i përgjigjen zhvillimit dhe domosdoshmërisë së tregut. Ndaj dhe ju ftoj të bashkëpunojmë me Autoritetin e Mbikqyrjes Financiare dhe Ministrinë e Financave që të ripërtërijmë dhe të plotësojmë të gjitha boshllëqet ligjore që ekzistojnë. Një kuadër ligjor i përshtatshëm për stadin aktual dhe perspektivën e zhvillimit në këtë drejtim, është i domosdoshëm.

Së dyti, mendoj se ministra e Financave dhe ministritë e linjës, në bashkëpunim me Autoritetin e Mbikqyrjes dhe me kompanitë e sigurimeve, duhet të shqyrtojnë të gjitha fushat në të cilat sigurimet duhet të imponohen. Një biznes nuk ka asnjë arsye të mos sigurohet, në rast se atij financat e vendit i njohin shpenzimet e zbritura. Ne do ta realizojmë këtë, duke filluar nga sektorët më delikatë. Por, në tërësi mendoj se hapësirat janë shumë shumë herë më të mëdha. Natyrisht ne do të përpiqemi të saknsionojmë detyrimin për sigurime në fushat ku problemet janë më jetike dhe më delikate, sikundër dua të inkurajoj sigurimin e sëmundjes, si një domosdoshmëri e madhe. Kjo nuk mund të bëhet pa një angazhim direkt të qeverisë.

Funksionimi i Autoritetit në këtë mënyrë është mbështetur nga FMN dhe Banka Botërore, të cilët insistuan që të ngrihet dhe të konsolidohet Autoriteti në formën që është, duke sjellë një ekspertizë të shkëlqyer. Ky autoritet, i ngritur mbi bazën e një ligji dhe një koncepti të ri, koncepti i shkrirjes së disa agjencive që ekzistonin më parë, në një autoritet, është e domosdoshme që të shqyrtojë të gjithë praktikën e punës së tij. Domethënë, të vendosë standarde në komunikimin me kompanitë, t'i dëgjojë ato. Po ashtu, Autoriteti ka një detyrë të parë dhe të padiskutueshme që është interesi publik. Por kjo detyrë duhet të përmbushet brenda të gjitha standardeve të transparencës së komunikimit me operatorët, me të interesuarit.

Mendoj se takimi ynë është i vonuar, por, siç thuhet, më mirë vonë se kurrë, ndaj le të nisim të punojmë së bashku, të përpiqemi të kapim kohën dhe të ndryshojmë situatën në sigurime. Shqipëria nuk është kurrë vendi që duhet të ketë 50 dollarë për frymë sigurime. Kjo është është tërësisht e papranueshme.

Nga ana tjetër, juve ju dëmton edhe informaliteti. Cfarë humbet një biznes formal po të sigurohet, në rast se financat e vendit ia njohin atij këtë si shpenzim të zbritshëm? Asgjë nuk humbet. Ndaj ne do ta marrim këtë vendim për këtë sektor. Ky është një mekanizëm legjitim, i domosdoshëm për vitalizmin, gjallërimin e tregut të sigurimeve, i cili me mbrojtjen dhe garantimin e investimeve jep një kontribut shumë më të madh.

Është shumë e domosdoshëm që të zhvilloni një dialog, përmes Dhomave të Tregtisë dhe Industrisë, me biznesin, të uleni dhe të debatoni bashkërisht me ta. Pasi, nuk mund të kuptohet se çfarë i pengon ata të sigurohen.

Qeveria do të konsiderojë me shumë seriozitet katastrofat natyrore dhe shtëpitë. Po bëhen të papërballueshme fondet që jepen për rrënim të shtëpive. Këto shtëpi duhet të sigurohen, kjo është rruga e vetme. Ndaj duhet të nxisim edhe sigurimin e banesave, të gjejmë format se si ta nxisim atë, por është shumë i domosdoshëm. Po ashtu, duhet të amendohet ligji për katastrofat natyrore. Shqipëria është zonë me probleme tektonike të njohura.

Shpresoj që ky takim të ketë si rezultat disa ndërhyrje të shpejta, konkrete, të një përpjekje të re për të bërë ligje të reja, në mënyrë që veprimtaria juaj të ridimesionohet me shpejtësi. Sigurimet janë rritur nga 4 në 12 për qind vitin që kaloi, por ky sektor mund të rritet shumë më tepër dhe ju mund të paralelizoheni me rritjen e sektorit bankar pa ndonjë vështirësi të madhe. Ju falënderoj për diskutimet në këtë takim"

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›