E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kryeministri Berisha përuron rikonstruksionin e segmentit Vorë-Rinas-Fushë Krujë

Kryeministri Berisha përuroi sot paradite përfundimin e rikonstruksionit të segmentit rrugor Vorë-Rinas-Fushë Krujë. Rikonstruksioni i këtij segmenti, me vlerë 9.3 milion dollarë, do të lehtësojë lidhjen me aeroportin ndërkombëtar "Nënë Tereza".

Kryeministri Berisha, duke prerë shiritin e inaugurimit, përgëzoi inxhinierët, teknikët dhe të gjithë punëtorët për punën cilësore dhe mbarimin në kohë të saj. Kryeministri theksoi se me rikonstruksionin e këtij segmenti sigurohet lidhja e dy autostradave, autostradës Tiranë-Durrës-Lushnjë me autostradën Fushë Krujë-Milot.

"Rikonstruksioni i plotë dhe zgjerimi i kësaj rruge, - u shpreh Kryeministri, - është një lehtësim shumë i madh për transportin dhe veçanërisht për turizmin, pasi gjatë sezonit turistik ky segment përdoret intensivisht. Me këtë ne gjithashtu inaugurojmë rikonstruksionin e plotë të një rruge të dytë, duke e bërë aeroportin modern të Tiranës me dy dalje bashkëkohore."

Segmenti Vorë-Rinas-Fushë Krujë ka rëndësi të veçantë edhe për lidhjen e akseve rrugore të veriut dhe jugut të vendit. Rruga e konstruktuar, me gjatësi 11.1 kilometra, gjerësi 11.5 metra, përmirëson ndjeshëm standardet e udhëtimit në këtë segment.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›