E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha merr pjesë në ceremoninë e fillimit të punimeve për Tirana East Gate

Kryeministri Berisha mori pjesë sot në ceremoninë e inagurimit të fillimit të punimeve të Tirana East Gate, një qendër tregtare, e pozicionuar në komunën Farkë, 4 kilometër larg Tiranës. Në këtë ceremoni, të organizuar nga grupi Balfin, njëkohësisht edhe investitor i kësaj qendre, të cilësuar si më e madhja në Shqipëri, merrnin pjesë dhe ministra të kabinetit qeveritar, pushtetarë lokalë dhe biznesmenë të tjerë shqiptarë e të huaj. Në fjalën e tij përshëndetëse për fillimin e këtij investimi me një vlerë prej 48 milionë eurosh dhe ku do të punësohen rreth 2500 persona, Kryeministri Berisha u shpreh:

I nderuar zoti Mane, i nderuar zoti Granoff, i nderuar zoti Berg, të nderuar të pranishëm, zonja e zotërinj.

Eshtë një ditë e shënuar për vendin, inagurimi i fillimit të punimeve në qendrën më të madhe tregtare që Shqipëria ka apo ka pasur në të gjitha kohërat, por do të thoja edhe më të bukurën. Nuk ka nevojë që të sjell ndonjë argument, mjafton të drejtoni shikimin jo nga unë, por nga peisazhi dhe një peisazh të tillë të mrekullueshëm nuk mund ta gjeni. Unë dua ta përgëzoj zotin Mane, këtë investitor plot ide, i cili katër vite më parë, inaguroi në Shqipëri qendrën tregtare më të madhe të vendit. Në atë të periudhë, zoti Mane tregoi një guxim të madh. Përllogaritjet e tij ishin të sakta dhe tejkaluan çdo skepticizëm. Një muaj më parë unë e pyeta: Si të kanë ecur shitjet? M’u përgjigj se në gusht ato kanë pasur një rritje me 36 përqind krahasuar me gushtin e një viti më parë. E vërteta është se Shqipëria po ecën me shpejtësi dhe zoti Mane do të jetë një pararendës në vrapin e këtij vendi.

Duke inaguruar këtë qendër të madhe, ai i jep një inkurajim dhe nxitje shumë të madhe tregut dhe investimeve në tërësi, por njëkohësisht edhe punësimit në Shqipëri në tërësi. Qendra është një investim i madh, 50 milionë euro, punëson direkt apo indirekt, rreth 2500 qytetarë shqiptarë dhe ashtu siç theksoi miku im Granoff, i jep tregut shqiptar lukun evropian. Unë gjithashtu dua të falenderoj zotin Granoff, fondin shqiptaro-amerikan, të cilët që nga themelimi i tyre deri tani kanë mbështetur fuqishëm investimet në Shqipëri, duke u dhënë atyre një siguri dhe shpreh besimin për suksesin.

Një falendërim të veçantë, dua t’i bëj përfaqësuesit të Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, zotit Berg. Establishmenti i tij në Londër, BERZH, ka qenë dhe mbetet investitori kryesor, mbështetësi kryesor i sektorit privat në Shqipëri dhe një mbështetës i fuqishëm i qeverisë shqiptare në përpjekjet e saj për ndryshimin e vendit. Bashkëpunimi ynë i shkëlqyer me BERZH do të njohë dimensione të reja gjatë viteve që vijnë. Qeveria ime është e vendosur të bëjë çdo përpjekje për të krijuar një klimë dhe kushte sa më lehtësuese për biznesin. Krahas reduktimit në maksimumin e mundshëm të barrës fiskale dhe të barrës burokratike, ne po përpiqemi të ngrejmë një infrastrukturë të përshtatshme, kudo në vend, në mënyrë që t’u shërbejë investimeve dhe investitorëve. Në materialet që kam unë këtu, më rezulton se Tirana East Gate, do të jetë një projekt me dy kate. Pas finalizimit të boshtit të Jugut, këtu do të jetë nevoja për katër kate, por natyrisht Samiri do të ketë menduar për një vend tjetër. Edhe një herë dua t’ju përshëndes përzemërsisht dhe t’ju përgëzoj për këtë inisiativë jashtëzakonisht të rëndësishme, këtë investim shumë të madh, që ju keni ndërmarrë në një nga fushat më të rëndësishme për jetën e përditshme të qytetarëve dhe të familjeve shqiptare dhe vendit në tërësi.

Ju faleminderit shumë!


05/10/2009

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›