E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha zhvillon një takim me Presidentin e Republikës së Çekisë, zotin Vaçslav Klaus

Kryeministri Berisha priti sot në një takim Presidentin e Republikës së Çekisë, zotin Vaçslav Klaus.

Kryeministri Berisha i uroi mirëseardhjen Presidentit Çek, në vizitën e tij të parë në Shqipëri, duke e quajtur një ditë historike për marrëdhëniet midis Shqipërisë dhe Çekisë. Kryeministri Berisha shprehu mirënjohjen e thellë për ndihmën dhe përkrahjen që zoti Klaus dhe Çekia i kanë dhënë Shqipërisë gjatë gjithë periudhës së demokracisë, duke vlerësuar veçanërisht mbështetjen për integrimin e Shqipërisë në NATO dhe në procesin e integrimit europian.

Presidenti Klaus falënderoi Kryeministrin Berisha për mikpritjen dhe u shpreh se Shqipëria ka pësuar shndërrime të thella gjatë këtyre viteve të fundit, si rezultat i reformave dhe përpjekjeve të qeverisë shqiptare dhe të lidershipit të saj dhe se këto rezultate janë tashmë para syve të të gjithëve.

Kryeministri Berisha e njohu Presidentin çek me zhvillimet në Shqipëri, me luftën e pandërprerë kundër krimit dhe korrupsionit, si dhe me ecurinë e reformave në fusha të ndryshme, duke u ndalur në mënyrë të veçantë në potencialet e mëdha që ka vendi ynë në turizëm, energji, miniera. 

Kryeministri Berisha theksoi se e gëzonte fakti se kishte një rritje të zhvillimit të marrëdhënieve ekonomike midis dy vendeve dhe se këtë vit, në kuadër të bumit turistik, në Shqipëri erdhën edhe shumë qytetarë çekë.

Kryeministri Berisha u shpreh më tej se investimet e huaja janë një prioritet për qeverinë shqiptare, e cila do të mbështesë edhe investitorët çekë, të cilët janë të mirëpritur në Shqipëri, duke u shprehu i bindur se investimet e tyre do të jenë një histori suksesi. Lidhur me këtë, Presidenti Klaus theksoi se ka një interes të madh të kompanive çeke për projektet në infrastrukturë në Shqipëri. Kryeministri Berisha u shpreh se në Shqipëri po ndërtohet një rrjet infrastrukturor i ri që synon të lidhë me rrugët më të shkurtra, të gjitha qytetet dhe fshatrat e vendit me rrugët nacionale. Por gjithashtu, investitorët çekë, u shpreh Kryeministri, janë të mirëpritur edhe në projektet e qeverisë për rinovimin e rrjetit hekurudhor dhe në portet e mëdha në vend.   

Gjithashtu, dy liderët biseduan edhe mbi rëndësinë e projekteve të mëdha europiane që kalojnë nëpër Ballkan, duke i konsideruar ato si shumë të rëndësishme dhe jetike për zhvillimin dhe progresin e vendeve të Ballkanit.


05/10/2009

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›